36.3 C
Tirana
E premte, 14 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RRUFEJA nuk shti në ferra

RRUFEJA nuk shti në ferra

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

Dita si një Nuse e bukur zbriti në Liqe. Matanë maleve dyndeshte një mjegull. E tërhiqte veten zvarrë dhe mundoheshte ta shqepë mëngën e strukes zezë me arna, që me siguri i kishte ngecur majë ndonjë lisi. Kësulën e bardhë të Bajram Currit e kishte në kokë. E tërhiqte veten zvarrë. E tërhiqte. E dinte se, në një përrua do të pi ujë…

-Hë?! Frikë keni se mund të shti Rrufeja. Hiqeni nga mendët! Qielli është i pastërt lot. Nuk shti Rrufeja në ferra. Jo. E lisat nuk e ulin kokën. Rrënjët i kanë shti thellë me vite e vite në Tokë. Nuk ka kush që i shkulë nga Sharri Plak… Korabi… Çelëvjollca… Drenova… Baba Tomori… Verë e dimër e kanë hapur gjoksin. Vetëm, një gjë e kam borxh t`ua them, mos ua shpaloni plagët!… E them këtë, se: mund të rebelohen nga dhëmbjet e padurueshme. Shkunden nga dëbora… Nuk do të dinë në cilën lëndinë t`i pushojnë degët. Me cilët zogjë ta pushtojnë Qiellin, kur ende është herët për këngë. E diellin e kemi ende Larg…   Larg… Larg…

Përsëri, doni me ninula të më vëni në gjumë. E hiqni veten si një Nënë. E përkundëni djepin. E këndoni një ninullë:

         ” Nina nana po të përkundi
           do të të bëj nana plak katundi…”

E dini çka? Nuk më merr gjumi. Djepi po ma vret shpinën. E kam bërë edhe shurrën… Mutin, në shtrat Shelgu… Më zgjidhni nga pelenat!… Djepi… Vetëm pak t`i lëviz duart, këmbët. Vetëm pak të shpëtoj nga ninulat… Këngët e juaja patriotike – partiake me çifteli! Përkundjet… Ëndërrat e tmerrshme që më rrinë mbi kokë. Atëherë, do të shihni si do ta thej zgjedhën. Nuk do ta tërheq qerren nëpër “Bit-Pazar”, nën Rrap.

-Ecë pas meje, më tërhoqi me forcë Ebu Dexhalli*. Ti e ke humbur rrugën. Nuk e di në cilën dhomë t’i kanë shti magjitë. E ke rënduar veten me mëkate. Njëqind ditë duhet larë në një kusi me ujë “Xhehneti”. E di, ti don një fuçi me verë. Aty brenda ta kesh edhe një Mike. Vetëm, nuk i meriton gjithë këto shpërblime. E ke ende zgjedhën në qafë. Për samarin dihet, as edhe përpiqesh që ta heqish nga shpina. Edhe në varr do të hysh me gjithë samarë. Por, i ngushtë është varri. Nuk të zë me gjithë samarë. Jo.

-E di çka, i them: samari nuk ma vretë shpinën. E kam grepin në gojë me të cilin më tërheqin dhiareve. Nuk besoni?

-Pse, atëherë nuk e hudhni samarin?! Nuk e coptoni frerin. Nuk e thyeni zgjedhën?!… Trembeni nga samarë të rinj?!… Frerë… Zgjedha…

-O Imzot, si më ikët nga libri! Po, ç`të bëj unë si shkrimtar pa ju mes këtyre bërdhoqeve? Asgjë. Jo. Jo, nuk mundem edhe unë pa ju. Patjetër, duhet ta shkruajmë së bashku librin e Ditës Nesërme.

Nata më zuri në një faqe të Librit: Përtej Ditës Nesërme. E thirra në ndihmë Diellin. E përcolla Natën. Hënën Drapër, matanë maleve të Çelëvjollcës mbi Mal. Ebu Dexhalli, papritmas më trokiti në xham.

-E ke kot: me mua do ta shkruash Librin.

-Jo, më kërcnohet, me mua Shtrigani i “Allahut”! E kam këmbën e mbarë. Bythën e shpërlarë pas Haleje. Mjekrën si tё Dexhallit me trumbeta.

-Po, mua më duhet Penë!… Penë me Dy tyta… E, jo bythë si palare para Diellit me rreze, që lindë mbi malet e Çelëvjollcës, në Kërçovë…

Çudi, si: se, kemi ditur,
                 Se, Patrioti lindë.
                 Edhe atë: jo në vathë.
               Ose, në “Shtëpi Publike”.
                 Po, në odë të burrave.

                 E këndej, gjithë jetën
                 m`i keni shkërdhyer trutë
                 me “vepra patriotike”.
                 Aq, sa: më vjen t`ua pëshurrë
                 në “Shtëpinë Publike”.

E hapa derën, në dhomë nuk më hyri njeri i gjallë. Të vdekurit, u dilnin zot varreve. Dritaren, kam frikë ta hap lumë miku. Frikë. Oxhakun e kam të hapur, se jam fis kaçaku. Nëse, ua mba: ecni, kur të doni me shokë, qoftё ditёn, qoftё natёn!…

Dera është e hapur edhe për mikun, edhe për armikun… Oxhaku, për Kaçakun e maleve… Kullën e kemi edhe për luftë. Vjet për vjet na e kanë djegur shkrumb e hi, rrafshuar me tokë. Por, pas çdo djegëje e kemi ngritur përsëri edhe më të fortë. Edhe me më shumë frenxhi për mauzerre… Mes këtyre maleve dimërat janë të egër. E ngrijnë akull edhe Çatinë. E përplasin derën. Tymin përmes oxhakut, përsëri na e kthejnë prapë në Vatër… Përpiqen të na e rrëzojnë edhe Oxhakun mbi Çati…

Vetëm, se: Oxhaku ynë brez pas brezi gjithmonë ka tymuar drejtë Qiellit. Dollapët, me vite e shekuj kanё vjellё zjarr e flakë kundër armikut historik. Trojet tona i ka shkelur me vite dhe shekuj: Sulltani… Mbreti… Krajli… U kemi dalë para edhe me sakica… Gërshërë të dhenëve… Mauzerre…

-Nuk trembem unë nga këto këngë patriotike me çifteli, tha Buça e Katundit. Ec pas meje t`i dalësh zot Atdheut me ilahi! Nuk e sheh se, po hynë në varr pa “Din e Iman”. Ku i ke sytë? Ku i ke këmbët? Trutë nuk të duhen në kokë. Hë, çka nuk të pëlqen? Apo, nuk ta mban si njeri i kalemit? Fis, i kaçakëve… Nuk je i vetdijshëm se më shurdhove më me atë Miken nën Rrap. Edhe me Dy shtamat me verë… Rrapin… Vendin e ke në “Xhehenem”. Edhe atë: si, arnë kazani… Rrapin duhet prerë me gjithë rrënjë, në Shkup!…

-Hi – hii – hiii… Po, nuk keni sëpatë… As, Shpatën e Skenderbeut… Ju mendoni se, gjithëmonë do të jetë Verë… Po, çka do të bëni në Dimër?!…

-Punë e lehtë, do të të kërkojmë ty si shkrimtar një kaci shpuzë. Zjarr, ta ndezim oxhakun e shuar me flakë, në Katund?!

-Jo, nuk do t’ju jap zjarr. Jo. Rrini, digjuni në “Xhehenet”!…

  1. Maxhupi: Romi me dajre
  2. Dexhalli: Mesihu i rremë”, ose gënjeshtri i madh,që do të shfaqet para Ditës së Kiametit…

(Nga libri në dorëshkrim: RRUFEJA nuk shti në ferra…)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.