Poezi nga Nafi Çegrani

0
Nafi Çegrani - Lotët e nënës

NË BURGJE I PRANGOSUR
(Kushtuar të dënuarve të pafajshëm).

Brenda burgut me mure gri,
në pranga lidhur
ishe ti.
I prangosur, sakatosur
ishin vite komuniste,
për familje merakosur
i burgosuri murmuriste.
Në skëterë forcë nuk kishte
Edhe duarve me dhimb ju fliste!
Udba kështu dirigjonte,
plagë gjaku nënvizonte!
Pa gjum të mbanin ditë e natë,
ujë pa pi, pa një kafshatë…
Ti me djajë u kacafyte
i përgjakur nëpër labirinthe!
Brenda hekurave i prangosur
Të ndëshkuan e dëbuan
Por ti mbete gjallë
Satanajve u bëre ballë…!
Akuza e trillime nuk pranove
Si Promethe qëndrove
me duar lidhur ti hero,
kriminelëve u bëre ballë
i thoje vetes qëndro,
dhe pse gjaku i bërë dhallë.
Me gjarpërinj duke luftuar
qëndrove i papërkulur
Brenda burgjesh i cunguar
me dinjitet i palëkundur.
Dhe kurrë nuk u dorëzove,
as kur të nxorrën për pushkatim
veç një Zot e di cfarë përjetove,
krenar qëndrove si një trim.
Mbete prore faqebardhë
dhe pas vdekjes
Lapidar…!
– I përkëdhel plagët e mia
Të tillë çmimi ka liria!

Nafi Çegrani
26.06.2022

MURE ME NJOLLA GJAKU !
( Unë, para Gjyqit të Padrejtësisë )

… Me vite u ngjita malit
Me Guri e Sizifit mbi shpinë,
Gur tunxhitar, i rëndë,
Gurë mali –
Padrejtësia e bërë pjesë e fatit tim,
Në stinët e jetës,
Rrebeshe si vale deti
të trazuara shqim!
Vallë, çfarë do jetë ky trishtim!?!

Një Tetor 1981…
Ditë vjeshte kur zverdhëllonin gjethet,
Ende pa gëdhirë mirë,
Djajtë me fytyra të zbehta
Me armë e pranga në duar
Nuk dija çfarë po ndodhëte,
Sytë i kishin zgurdulluar
Si hiene të egërsuar,
Vërdallë shkonin si të hutuar,
Ujqër të tërbuar –
Isha i arrestuar…

Madje në skëterra burgu i dëbuar,
Në Zenicë akuza u trilluan
Akuza apsurde e çmenduri,
Më kot kërkoja drejtësi
Brenda mureve gri,
Aty kishte vetëm padrejtësi.
Po !
Padrejtësi e trishtim nate,
Përse o shqiptar, ç’faj pate?!

Shikoja mure me njolla gjaku
…Është mundimi im prej Sizifi
Ngjitje dhe zbritje e përjetshme.
Nëpër labirinthet e tmershme,
Jetoj me idealin tim,
Të racës ku kam rrënjët.
Gurin me vite mbaj mbi shpinë
Nuk ka rëndësi –
Le ta dijnë brezat që vijnë
Se këtu, në këtë Tokë
Nuk ka drejtësi !

Fryjnë stuhi
e uragane,
Shi rrebeshi
Janë lotët e asaj Nëne.

O ju njerëz të Zotit,
Ju që pandeni hyrësi,
Ndërromani rrugën e Ezopit,
Në këto shtigje ku vete, ku ike,
Përballë padrejtësive ballkanike?

Vërmëni po deshët mbi shpinë,
Gurin e mallëkuar,
Atë Gur Sizifi,
Me peshën globit rënduar,
me polet akull fërshkëlluar
Jam Promethe shqiptar,
Njëmijë here kam deklaruar:
NUK JAM MËKATAR,
Deill e Zot kam dëshmitarë.
Kam durimin në Olimp,
Në Fronin e Zotit tim,
Përballë Perëndisë dhe Diellit,
I betuar në hyjnitë e Qiellit !
Jeta ime si deti me valë
Me peshën e padrejtësisë në ballë
Mbi shpatullat e shqiptarit,
E mua hise më ka ra –
Padrejtësi që fund nuk ka… !

12.07.2022Nafi Çegrani

MËMËS

Në prehërin e ngrohtë ku më mbaje,
për jetë pata adhurim.
Si foshnjë në djep ku u lëkunda
fjalën “MËMË”, thirra pa pushim.!

Që kur këtë fjalë bëlbëzova,
dhe më pas e kam përsëritur.
Përkëdhelje të ëmbla përjetova,
edhe sot që jam ,jam i rritur.

Edhe tani për ty mendoj,
që s`jam më foshnje,por burrë.
Vetëm fjala ” Mëmë” sa të jem gjallë,
prej meje s`largohet kurrë.!

Do të të thërras sa gjallë të jem,
kurdoherë si qengji i uritur.
Herë me zërin e zemrë së copëtuar..
herë me shpirtin zjarr të zhuritur..!

(Botoi revista letrare arbëreshe “Zjarri” 1975, Palermo të Italisë)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.