Përtej matematikës, me mësuesin Zija Muça!

1
Zija Muçaj - me kolegë

Ibrahim Kabili Me Zijain njihem herët dhe kisha kohë pa e parë. Ai ka një karrierë të pasur në detyra shtetërore dhe shoqërore. Si gjithnjë ai është modest, i drejtpërdrejtë në komunikim dhe realist në mendime. Fjala e tij peshon shumë. Është mësuesi i parë në krahinë që ka mbaruar për matematikë arsimin e lartë ditën. Gjithnjë është treguar korrekt dhe autoritar në punë. Krahas punës në arsim ka kryer edhe detyra të tjera shoqërore.

Ne datën 08.06.2022, pij një kafe dhe bëj një bisedë në lokalin “Iden”, afër shtëpisë së tij. Biseda zgjati në kohë dhe memorja e tij qe shumë e saktë. Mossaktësia më e vogël, mësuesit të matematikës i kushton shumë…

Zija Xhemal Muça lindi më 06.04.1949 në Shupal. Ai lindi në një familja të madhe dhe me tradita. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes Shupal, me rezultate shumë të mira. Ai kujton me shumë nostalgji mësuesin e klasës së parë Riza Kuçi i cili i mësoj njohuritë e para dhe i injektoj dashurinë për shkollën. Pas tij në ciklin fillor pati mësues Fadil Dishën dhe Hamdi Mansakun. Klasën e pestë dhe të gjashtë e kryen në Shkollën 7 – Vjeçare Moisit në viti 1963 me drejtor shkolle Pëllumb Pelinku. Mësues qenë; Xhemal Koçi, Isuf Nela, Bilal Kuka, Hilmi Bllaka. Klasën e shtatë e mbaron në Kamëz në vitin 1963 me rezultate shumë të mira.

Arsimin e mesëm e fillon në vitin 1964 dhe e përfundon më 1968 në Shkollën e Mesme “Ylli Kuq” Kamëz. Duke kujtuar ato vite, ai shton:
Shkolla e Mesme e Kamzës qe shumë e konsoliduar në të gjitha drejtimet. Stafi pedagogjik qe shumë i përgatitur dhe i përkushtuar në punë. Shkolla qe e pajisur me kabinete tepër funksionale dhe bazën e nevojshmë mësimore didaktike. Kujtoj me shumë respekt drejtorin e shkollës Reshat Kokoviqi, mësuesit; Astrit Koka, Syzana Këllezi, Fehmi Shehri, Liri Dhimogjika, Nikoll Puka, Ramazan Shehu, Viktor Zylfo, Andrea Xori, etj“.

Vazhdon arsimin e lartë në degën matematikë në Fakuletin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës. E fillon atë në viti 1968 dhe e përfundon në vitin 1972. Diplomohet aty dhe merr titullin: “Mësues matematike për shkollat e mesme”. Në këtë vit kryen zborin 5 mujor dhe titullohet “oficer rezervist”. Duke u kthyer në kohë Zijai, pohon: “Arsimi i lartë i atyre viteve qe i arrirë. Pedagogët shumica kishin mbaruar jasht shtetit, qenë autor tekstesh, shumë të përgatitur, kërkues, serioz në punë dhe të komunikueshëm. Ata kishin nivel të lartë shkencor dhe rrezatonin me punën e sjelljen e tyre. Të tillë qenë profesorët e mi të nderuar; Aleko Minga, Kristaq Bukuroshi, Shaban Baxhaku, Kristaq Fundo, Agim Kaçanaj, Mishel Fundo, Agim Bordulla”.

Mbas mbarimit të shkollës së lartë, Zijai në vitin 1972 emërohet mësues matematike në Shkollën 8-Vjeçare Zall-Mëner. Punon një vit në këtë shkollë dhe largohet me përshtypjet më të mira për nxënësit, kolegët dhe komunitetin. Në dhjetor 1973 emërohet mësues matematike në Shkollën 8-Vjeçare Moisit. Punon në këtë shkollë deri në vitin 1979. Duke kujtuar ato vite, ai pohon:
-“Drejtorët e shkollës Skënder Bulku, Mark Shota, dhe mësuesit me të cilët kam punuar qenë mjaft korrektë dhe të përkushtuar. Ecuria e punës në proçesin mësimor qe e mirë”.

Në tetor të vitit 1979, ai emërohet mësues matematike në Shkollën e Mesme Zall-Dajt. Drejtor shkolle në këtë periudhë qe i mirënjohuri Jovan Kristiqi. Ai qe mjaft korrekt dhe serioz si drejtor shkolle dhe si mësues matematike. Për këtë periudhë pune, Zijai kujton: “I gjithë kolektivi ishte sipas profilit, ishte i mirarsimuar dhe i përkushtuar për punë. Rezultatet në shkollë qenë shumë të mira. Unë si gjithnjë jam munduar të jem serioz në punë, të shkoj i përgatitur në orën e mësimit dhe ti përkushtohem asaj. Krenohem për këtë, pasi gjatë gjithë viteve kam punuar me të njëjtin ritëm. Ne të matematikës kështu jemi gjithnjë strikt në punë. Edhe kolegët e mi të profilit kështu qenë, korrekt dhe pak tolerantë në mësim. Në vlerësime, “njëri nga këto”, kalonte nga 10-ta direkt te 4-tra sipas përgatitjes së nxënësit. Unë edhe i falja ndonjëherë nxënësit e mirë”, – përfundon me një humor të hollë e dashamirës, Zijai.

Punon si mësues në këtë shkollë deri në vitin 1981. Në vitin 1981 emërohet zëvendës drejtor shkolle dhe punon në këtë detyrë deri në vitin 1983. Për këto vite, ai kujton: -“Vitet e punës në këtë shkollë kanë qenë kënaqësia dhe eksperinca më e bukur e jetës time në arsim. Isha në profil dhe shërbeja në shkollën e fshatin tim të lindjes”. Në vitin 1983, meqenëse ishte i angazhuar edhe në parti, e emërojnë Sekretar i Byros së Partisë në Zall-Dajt. Këtë detyrë e kryen deri në vitin 1990. Duke e kthyer kujtesën në kohë, shprehet: -“Kjo qe koha kur unë në çdo situatë kam thënë mendimin tim. Nuk më hante “meraku” se çfarë do bëhej mëpas. Edhe në këtë funksion jam munduar të bëj mirë. Kam zeruar çdo problem që dilte midis drejtuesve të ekonomisë, të pushtetit dhe të banorëve. U eleminuan fare letrat anonime dhe nuk është marrë asnjë person për ndjekje penale nga organet e drejtësisë. Vlerësimet nuk më takojnë mua, ato i bëjnë të tjerët”. Natyrisht gjithçka ecën me kohën dhe njeriu i përshtatet asaj.

Zijai në vitin 1991, emërohet drejtor shkolle në Zall-Dajt. Këtë detyrë e kryen për një periudhë kohore një vjeçare, pasi zëvendësohet në këtë detyrë nga Mehdi Elmaz Hoxha. Kalon mësues matematike në këtë shkollë dhe punon deri në vitin1997. Nga viti 1997 deri më 6 prill 2014 mësues Zijai transferohet dhe punon si mësues matematike, në Shkollën “Abdulla Keta”, në Tiranë. Edhe këtu qe mjaft serioz në punë dhe i qetë me nxënësit. Falë punës dhe korrektësisë së tij ai nuk pati probleme me nxënësit pavarësisht se kohët në arsim kanë ndryshuar.

-“Për 17 vite që punova në këtë shkollë nuk pata asnjë problem me nxënësit. Kam punuar me përkushtim me ta, duke shfrytëzuar gjithë përvojën time të fituar në vite. Ndoshta nga kjo nuk “qesh” në gjendje të dalloj, se kush ishte “nxënësi i urtë”, dhe kush qe “harrakati”, -përfundon Zijai. Ky fakt mund të shërbej, ndoshta, si një mesazh për brezat e ardhshëm që punojnë në arsim. Me seriozitet, punë sistematike, bazuar në nivelin e njohurive të nxënësve, mund të arrihet shumë në punën me to. Po të ecim me moton, “çfarë di vetë, jepja nxënësit”, rezultati për nxënësit që kanë interes është është i dukshëm dhe i matshëm.

Mësuesi veteran i matematikës Zija Muca ka kryer edhe detyra shoqërore. Ai ka qenë disa vite Kryetar Këshilli për fshatin Zall-Dajt, ku ka zgjidhur halle e probleme të banorëve të tij. Po kështu ka qenë edhe zëvendës kryetar i Këshillit të Bashkuar Zall-Dajt për vitet 1980-1983. Në të gjitha detyrat e ngarkuara ai u ka shërbyer me përkushtim banorëve të zonës së tij.

Zijai, është i martuar me Anife Metën. Ajo ka mbaruar për infermieri dhe ka dalë në pension në këtë profesion. Kanë lindur tre fëmijë të cilët kanë krijuar familjet e tyre. Alma ka mbaruar Fakultetin e Histori Filologjisë në UT, dega Histori-Gjeografi; Altini shkollën e mesme; Ervisi, Universitetin Bujqësor Kamëz, dega Teknologji-Ushqimore. Sistemimi i fëmijëve qetëson prindin, ruan vijmësinë!

Ibrahim Kabili
Tiranë më 09.06.2022

1 KOMENT

  1. Ndihem KRENAR ne familien e Zija Muçës – vite banuar familiarisht, ne shtepine e tyre, nis jeten Bashkeshortore-me mesuesen-Natasha-bije Permeti, MESUESE atje ne Zall-Dajt nga 1967ta, une drejtor i shkolles, mare dhe kujtimin e pare;lindur vajzen, emrin zgjedhur Nazime-Muca-ish nxenesia ime sa amatore Valltare-Nazmie-Muca-Lindita-ate prill 1969(sot 55 vjece rrugeve te emigracionit, me dy engjej femije, me universite).

    Zijai ne ato vite ne rruget e shkollimit si e pershruani Ju i nderuar Ibraim Kabil.ju faleminderi,mua,kujtuar mbi 10 vite pune ne ate zone si Drejtoj i pare i shkolles 7 vjeçare 1967- sa hapur e, ne vijimesi, te Shkollen e mesme – (1971) deri me konvik – (fatkeqwsisht pas viteve 90 mbyllur). Zija Muça me ate familie te shkelqyer sa arsim dashese, vertet mesuesi i pare i Matematikes me Universitet ne ate zone-nje jete me shoëwron-model-mesues sa drejtues ato vite pune.

    Pa 90 tes ne qytetin e Tiranes-Komshi nje jete-vizitat ne shtepine e tij-TRINITRINE* per mua familarisht, kujtime te paharruara mare, ne ate shtepi VILE – mes Lagjes-Shkoze-prane ish *Uzines se Autotraktoreve* – ku la mbresa si mesues ne shkollen e Mesme Zijai, deri drejtues shkolle.

    I uroj gjithe te mirat une me mallin ne keto 3 vitet e fundit, pa e takuar si tej oqeanit pas femijve ne femije. Gjithe te mirat ju UROJ ju i nderuar Ibraim Kabili dhe, mire ju gjeça, kete PRANVERE 2023 tre-Gezime atdhetare gjeca; kutime te nisies se Jetes Familiare.

    Në Zall-Djat e Zall-Bastar u takofshim… ato kujtime te paharruara kujtofshim.

    Toronto, 18 Janar 2023 me urimin – sukses e MBRODHESI me ç’po perjeton atdheu yne.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.