Nga Enver MEMISHAJ
Me qëllim qe të mos humbasë lufta dhe sakrificat që bënë ata patriotë vlonjatë të rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar kundër pushtuesve nazi-fashist të vendit, po botojmë këtë libër në dy vëllime:
Balli Kombëtar i Vlorës, Vëllimi Parë, 500 faqe.
Balli Kombëtar i Vlorës, Udhëheqës, Komandantë dhe Ushtarë, jeta dhe veprimtaria gjatë Luftës Antifashiste. Vëllimi Dytë, 520 faqe.
Ngjarjet dhe personalitetet trajtohen mbi bazën e dokumenteve që botohen për herë të parë dhe që kanë rëndësi edhe për historinë e Vlorës. Duke ndriçuar historinë e Ballit Kombëtar, hedhim mbi historinë e Vlorës.
Librat janë redaktuar dhe vlerësuar nga profesorët e historisë. Në Tiranë librat shiten në Sheshin Skënderbej, libraria ADRION, dhe në librarin ART’S përball shtatores së Mbretit A. Zogu, në Vlorë në librarin Toena.
* * *
Historia e Organizatës së Ballit Kombëtar është komplekse dhe njëkohësisht më pak e njohura në historinë e popullit shqiptar të shekullit XX.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve kontributi ballistëve u fshi, u mbulua me harresë dhe më keq, sakrificat e tyre u falsifikuan, ata u shpallën tradhtarë dhe armiq të popullit!!! Pothuajse të gjithë ata që dolën gjallë nga lufta u persekutuan, u burgosën, u varën në litar apo u pushkatuan.
Regjimi komunist bëri gjithçka për të shuar çdo gjurmë të trashëgimtarëve të familjeve balliste nga kujtesa historike.
Dhe ajo që nuk mund të besohet ishte absurdi se edhe familja dhe të afërmit e ballistëve të dënuar, persekutoheshin egërsisht u mohoheshin të drejtat elementare njerëzore, internoheshin apo burgoseshin, pa prova juridike dhe pa kryer asnjë faj.
E pabesueshmja dhe ajo që nuk kish ndodhur në asnjë vend tjetër ishte se Ofiqi ballist trashëgohej tek fëmijët, familja dhe fisi. Edhe pse ballisti mund të ishte pushkatuar, varur në litar apo të kishte vdekur në burg ose nga shkaqe natyrore fëmijët e tyre trashëgonin ofiqin “me qëndrim të keq politik”, apo kulak, që do të thotë “armik populli” dhe persekutoheshin egërsisht pasi babi tij kishte qenë me Ballin Kombëtar!!!
Ardhja e lirisë pas vitit 1990 tregoi se asgjë nuk ishte shuar e harruar. Pra kishte pasur një fuqi hyjnore brenda nesh që nuk mund të mposhtet kurrë nga jashtë nëse ne zgjedhim ta ruajmë.
Dhe kjo fuqi është Besimi te Liria dhe Dashuria.
Humbja e kujtesës dhe e identitetit është forma më e thellë e persekutimit; ajo shkatërron jo vetëm individin, por tenton edhe shpirtin e një kombi.
Unë vazhdimisht kam menduar të shkruaj për ata burra dhe familje që edhe pse e luftuan me armë pushtuesin e huaj patën një persekucion barbar nga regjimi komunist. Ky mendim përsëritur e ripërsëritur në kujtesën time gjen së fundi shprehjen në këtë libër.
Lufta Antifashiste ishte një epope legjendare e popullit tonë, por që paturpësisht u përvetësua nga komunistët dhe u mohua kontributi i pjesës tjetër të popullit ton.
Gjatë luftës, komunistët u treguan më të egër e më barbarë se pushtuesit. Ata bënë mizori të pa dëgjuara, në fshatrat që ndihmonin Ballin Kombëtar: dogjën shtëpitë e ballistëve, vranë me atentate pa gjyq ballistët apo përkrahësit e tyre, grabitën pasurinë dhe gjënë e gjallë. Për shembull bandat nga datën 4 deri 7 nëntor 1943, sulmuan Sevasterin, Velçën, Gjormin dhe Lepenicën. Në Sevaster dogjën 8 shtëpi, në Velçë dogjën 10 shtëpi, në Lepenicë nga 60 shtëpi që kishte fshati dogjën 15 prej tyre, në Gjorm nga 80 shtëpi dogjën 22 prej tyre edhe shtëpinë e dajave të mi.
Më 30 nëntor 1943 bandat komuniste iu vërsulën Dukatit, u vranë 14 partizanë dhe 9 ballistë dhe komunistët u tërhoqën me turp pasi nuk hynë dot në fshat.
Më 31 mars 1944 bandat komuniste do të sulmonin Mavrovën ku do të linin 26 partizanë të vrarë dhe 36 të plagosur.
Në këto libra përshkruhet me hollësi dhe me dokumente, sulmet që forcat partizane të udhëhequra nga Partia Komuniste bënë në mënyrë të vazhdueshme mbi forcat e Ballit Kombëtar dhe fshatrat që mbështeten Ballin Kombëtar dhe pasojat katastrofike të këtyre sulmeve.
Kjo ndodhte në të gjithë territorin shqiptar. Batalioni i parë dhe i dytë të Brigadës së Tretë komuniste, sulmojnë fshatrat e Elbasanit dhe shpartallohen krejtësisht nga fuqitë nacionaliste të Ballit Kombëtar: Lanë 39 të vrarë dhe 38 partizanë robër…
Ky libër dëshmon dashurinë time për Vlorën, vendlindjen time të dashur dhe të pa harruar.
Komandantët, udhëheqësit dhe ushtarët e Ballit Kombëtar u vranë me atentat gjatë luftës, u burgosën, u pushkatuan u varën në litar, apo internuan në kohë paqeje pas çlirimit të Shqipërisë.
Nga ky vlerësim, dashurie dhe respekt për vendlindjen, Vlorën dhe vlonjatët, në vëllimin e dytë dëshiroja t’i përfshija në libër të gjithë ata burra që luftuan e sakrifikuan në radhët e Ballit Kombëtar. Por kjo ishte e pa mundur.
Prandaj, jam përpjekur të përfshi në këtë libër aq sa kam mundur dhe aq sa di unë, sidomos ata që kaluan kaluarin e burgjeve e internimeve, dëbimeve, por edhe këta nuk ka qenë e mundur të përfshihen të gjithë.
Ata që vijnë pas nesh le ta plotësojnë këtë tablo.
Dëshmorët e Ballit Kombëtar jo vetëm nuk u njohën e u mohuan, por u shpallën tradhtarë e armiq të popullit!!!
Shumë ushtarë, komandantë apo ideologë të Ballit Kombëtar dolën në botën e lirë. Ata u shpallën armiq të popullit dhe vdiqën në dhe të huaj, atje mbenë edhe varret e tyre, ose më mirë varret e tyre humbën përgjithmonë.
Sot ka ardhur koha të mendohet dhe të ngrihet një përmendore për të gjithë të rënët nacionalist që dhanë jetën, sakrifikuan për këtë Komb dhe Atdhe, për këto ditë që ne gëzojmë të lirë. Bota e qytetëruar na e ka dhënë shembullin e saj që nga Amerika e largët deri në Spanjë.
Ky libër le të merret edhe si një akt kujtese dhe një thirrje e ndërgjegjes, si një dokument i dhimbjes kolektive që flet jo vetëm për tragjedinë e gjysmës së popullit tonë, por për heshtjen që rëndon mbi ndërgjegjen tonë, për varret e shqiptarëve në çdo cep të botës, për një çështje që nuk mund të jetë e mbyllur.
Të dhënat arkivore, dëshmitë rrëqethëse, nënat, motrat e fëmijët që ulërijnë vlejnë më shumë se çdo dokument zyrtar. Emrat e fëmijëve, grave, pleqve të vrarë, të burgosur apo të internuar janë më shumë se çdo dokument, janë kambana që bien ende në ndërgjegjen tonë të përgjumur.
Ajo është ende një plagë e hapur në trupin e një kombi, një zë që kërkon drejtësi dhe nderim, jo retorikë.
Shqipëri !
Mos i harro ata që punuan dhe dhanë jetën për ty, është në nderin tënd t’i kujtosh, t’i nderosh e t’ua sjellësh eshtrat në prehrin tënd te përjetësimit! Amin.











