Ilir Muharremi
Shpirti im gjen qetësi dhe prehje në përqafimin e ngrohtë të saj, një përqafim plot vullnet, afërsi dhe zjarr të brendshëm. Të dy e donim atë ndjenjë të thellë, sepse dukeshim sikur ishim krijuar për njëri-tjetrin. Bisedat tona janë plot letërsi, nga Bukovski i moderuar deri te Cvajgu. Rri pranë saj dhe fjalët nuk i kërkoj, ato lindin vetvetiu nga një thellësi e pamenduar, spontane, si reflektime të shpirtit. Rri afër saj, ngas makinën dhe llafosemi. Është mëngjes, me aromën e pranverës që po largohet ngadalë. Ajo afrohet dhe ma prek faqen me një butësi plot kuptim. Buzëqeshja e saj për mua ka shumë vlerë.
Ajo fytyrë e vogël, e rrumbullakët, është një shije e vjetër e imja, sikur të kishte ardhur nga festat e Dionisit. Nuk flasim për të nesërmen, dita hapet vetvetiu dhe rrjedh natyrshëm. Ndjehem i magjepsur nga flokët e saj biondë që prekin lehtë lëkurën time. Nga rrënja e shpirtit deri te zemra, ndiej një ngrohtësi që më pushton. Buzëqeshja e saj krijon përjetësi brenda meje. Pamja e saj ma ndryshon ditën, e kur dashuria është e qetë dhe e vërtetë, ajo ta ndryshon krejt kohën. Kjo ka ekzistuar gjithmonë te ajo.
Gjithçka e bukur i rri mirë, edhe ajo që ndoshta përpiqet ta fshehë. Bukuroshja ime, jeta ime, dashuria ime. Takimi me të më ngjan si një takim me hyjnoren, sepse ajo i ngjan vetes së saj dhe askujt tjetër. Zjarri i zemrës del nga shikimi i saj dhe më pushton me atë sinqeritet të bukur që e mban shpirtin zgjuar.
Izolimi ynë është mbretëria jonë, pushteti ynë, kënaqësia jonë, rruga jonë drejt metafizikës dhe kopshtit të Edenit. Jemi vetvetja dhe lirinë ia falim njëri-tjetrit. Puthem shumë, puthem shumë, ashtu siç shkrihen buzët e tua me të miat. Puthja jonë është gjuha jonë më e fshehtë, vendi ku ndalen fjalët dhe fillon afërsia.
Puthja ka më shumë intimitet se çdo gjë tjetër, e dashura ime. Mos harro, vazhdo të më puthësh derisa koha të humbasë kuptimin dhe jeta të tejkalohet nga ndjenja. Vazhdo, zemër. Nganjëherë pyes veten cili prej nesh e dëshiron më shumë vazhdimin e kësaj dashurie, unë apo ti. Ndoshta të dy njësoj. Sikur të kishim lindur nga një pikë e përbashkët e universit, nga një dëshirë e vetme për t’u gjetur.
Vazhdo, parajsa ime, me atë dashuri që di të japësh. Me aromën tënde, me ngrohtësinë tënde, me praninë tënde që mbetet mbi lëkurën time edhe kur nuk je pranë. Dhe sa herë të shoh, e kuptoj se disa njerëz nuk hyjnë në jetën tonë për të kaluar, por për të qëndruar përgjithmonë në zemër.











