Unë besoj se çdo pushtet, nder dhe lavdi i përket vetëm Hyjit, që ka krijuar qiellin, tokën dhe të gjitha qeniet e gjalla. Dhe e falënderoj Hyjin. Jezusi është Zoti im dhe Shpëtimtari im. Besoj vetëm në Të! Çdo mbrojtje vjen nga Shpirti Shenjt që është Dashuria në Trininë Shenjte. Besoj që vetëm Gjaku i çmuar i Jezu Krishtit mund të më mbrojë nga e keqja dhe nga çdo pushtim i satanit dhe i djajve.
Gjaku i Jezusit dhe Emri i Tij i shenjtë mund ta lirojnë dhe ta ripërtërijnë jetën time. Tani, me besim, thërras mbi këtë shtëpi e mbi të gjithë banorët e kësaj shtëpie, Emrin e Atit që na ka krijuar dhe na ruan në jetë, Emrin e Birit Jezus, që ka derdhur Gjakun e Tij për ne dhe Emrin e Shpirtit Shenjt që është Dashuri, që në Emër të Trinisë Shenjte, paqja, gëzimi dhe njësimi, të mbretërojnë në këtë shtëpi. Amen!
Në Emër të Jezusit; për fuqinë e Gjakut të Tij; në Emër të Kishës Trupit të Jezusit, marr autoritet mbi të keqen, mbi negativitetin dhe të gjitha pushtimet djallëzore që janë bërë kundër kësaj shtëpie. Në Emër të Jezusit, për fuqinë e Gjakut të Tij; në Emër të Kishës Trupit të Jezusit, unë jua urdhëroj: “Shpirtra të këqij; kushdo që ju të jeni; nëse ndokush ju ka dërguar në këtë shtëpi për të na trazuar, shporruni menjëherë nga kjo shtëpi dhe nga çdo person që hyn dhe del nga kjo shtëpi! (Thuaj emrin e personit të lidhur ose të pushtuar nga djalli nëse njihet saktësisht emri i tij dhe situata e tij!).
Në Emër të Jezusit, për fuqinë e Gjakut të Tij; në Emër të Kishës Trupit të Jezusit, unë jua urdhëroj: “Shpirtra të këqij, hidhuni në këmbët e Kryqit të Jezusit, ku do të qëndroni të lidhur me pranga në përjetësi! Ju nuk mund të bëni dëm sepse në këtë shtëpi banon Trinia Shenjte”. O Zot, Hyji ynë, po vihemi nën mbrojtjen tënde dhe nuk kemi më frikë. Po vihemi edhe nën mbrojtjen e Virgjërës Mari, që ia ka shtypur kokën Gjarprit. O Mari, Mbretëreshë e Engjëjve, për pushtetin që ke marrë nga Hyji, lufto të keqen dhe të ligun dhe dëboje larg prej kësaj shtëpie në zjarrin e përjetshëm!
Engjëj dhe Kryeengjëj, Lajmëtarë të Hyjit, na mbroni dhe na lironi! O Shën Mikael Kryeengjëll, lufto me ne!
Lavdi Atit që na ka krijuar, lavdi Birit që na ka shpëtuar, lavdi Shpirtit Shenjt të Dashurisë! Amen!
(Të hidhet ujë i bekuar nëpër shtëpi!)
Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, Prill 2016