
Nga Gjon Marku
Prej Kunorës në mal tw Munellës,
Në Mal të Shenjtë e në Mal të Veles,
Nis prej Matit e në kufi me Dibrën,
Gjer në Shkodër e gjen Mirditën.
Ku shëndrit dielli e praron hana,
Vasha të bukura janë si zana;
Edhe djemtë janë të bardhë si drita,
Në ato anë gjendet Mirdita.
Por, si malet dorë për dorë,
Po vijnë në kuvend djemtë mirditorë;
Fjalën “KOMB” gdhendin në gur,
Në portën e kishës, përmbi mur.
Amante lanë princat arbër,
Se në Ndërfanë e patën në hatër
Katedralen, kur po e ngrinin,
Valë e valë princat po vinin.
Bekim të madh pati dhënë Zoti
Ndër këto anë, vetë Kastrioti;
Gjeti burra si meteorë,
Vëllezërit Gazulli, ambasadorë.
Mor për besë e për burrni,
Gjeneralë gjeti për ushtri;
Se më të mirë kërkund nuk pati
Se Pal Kuka e Pjetër Perlati.
Por me penë e për dijeni,
Pat Abatin, more gjeni,
Për më pri pati Bib Dodën,
Që me gjak e mbrojti tokën.
Fjalë të urta flet Pjetër Shpani,
Pashko Vasës thuaj, zë i bani,
E Gjergj Fishta, me atë lahutë,
Kur Ndre Mjeda flet fjalën e urtë.
E kur fjala e urtë do të vijë,
“Mos gaboni”, thotë Gjegjovi;
“Në mes jush një burrë ju gjeta,
Për urti, mor Anton Çeta!”
Dom Nikolli, gur themeli,
Thyeu errësirën si rreze dielli;
Porse zanat nëpër male
Nuk po hedhin sot më valle.
E djemtë e tu, të bardhë si drita,
Thuaj, s’janë më; ku mbeti Mirdita?
Thuaj, ka rënë po një duhi,
Kullat bosh, pa djem të rinj.
Ty s’të mposhti turku e sllavi,
As romaku, as bullgari;
Por se sot më unë s’po di,
Kur të shoh të mbetur pa lavdi?
E nuk po ka kush me të dalë zot,
Prandaj zanat qajnë me lot.
Por ti, sa të bjerë nata e të zbardhë drita,
Do jesh e do mbetesh përherë Mirdita.











