MË I KEQ SHTISI, SE DORASI!

0
24
Peter Stano

Gani I. Mehmeti

Peter Stano, mik i Serbisë, armik i Kosovës!

Stano, me deklaratat e tij vazhdimisht u prin veprimeve kundër Kosovës nga Serbia. Në shumë kërkesa e veprime për ta shtrirë sovranitetin në tërë Republikën e Kosovës, Bashkësia Europiane, në krye me zëdhënësin e saj, Peter Stano, ka qenë kundër sundimit të ligjit dhe kundër Kushtetutës së Kosovës.

Nuk do duhej bëhej fjalë për simpati e antipati të njërit apo tjetrit, vetëm do duhej të jetësohej Kushtetuta e Kosovës në tërë territorin e saj. Mirëpo, pikërisht këtu, Stano del kundër, mbron qëndrimet e Serbisë mbi Kosovën, pastaj, sikur Kosova është problem i Serbisë e jo i Kosovës, paraprinë me qëndrime se çka duhet bërë Serbia, përmes frazave të tij se është përshkallëzuese, destabilizuese, e njëanshme, e të tjera. Asnjëherë nuk iu kundërvu Serbisë, asnjëherë nuk kërkoi nga Serbia të veprojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ky, përmes qëndrimeve të veta, Kosovën e paraqet sikur të ishte e Serbisë, dhe nuk guxon asgjë të ndërmarrë në shtrirjen e sovranitetit të saj në këto vise, pa miratimin edhe të Serbisë!

Kështu, shumë herë del jo zëdhënës i BE, por zëdhënës i Serbisë dhe vetë Vuçiqit.
Kështu na del edhe me rastin e hapjes së urës në lumin Ibër.

Sikur Stano dhe BE do të pranonin hapjen e urës, Serbia do të heshtte, sepse ajo e di se nuk është problem i Serbisë kur duhet të hapet e kur duhet të mbyllet. Kjo u bë problem i BE-së si avokate e Vuçiqit. Prandaj, Vuçiqi thot ashtu si thot BE-ja, pse asnjëherë deri sot nuk e kundërshtoi Vuçiqin në qëndrimet e tij. Mbani mend kur thonin se qëndrimet e Vuçiqit janë konstruktive, se Vuçiq është konstruktiv në dialog! Kjo nuk është prej sot, por prej kur Stano është zëdhënës i BE-së, i cili, nëse paraqet qëndrimet e BE edhe BE ështê një zëdhënëse e Vuçiqit. BE, përmes Peter Stanos, po harrojnë se Kosova është shtet, dhe ajo vet ka të drejtën të rregullojë punët e saja të brendshme.
Përse BE dhe Vuçiq po e kërkojnë kohën e Thaçit për bisedime? Sepse edhe ai thoshte siç thoshin të tjerët – BE dhe Stano, Borell e Lajçak. Kurti nuk shkoi atje për të bërë pazare në dëm të shtetit të tij, por për të vendosur shtetin e së drejtës.

BE me Stanon, më shumë po përkrahin Serbinë në gllabërimin e veriut të Kosovës, sesa për shtrirjen e sovraniteteit të Kosovës në gjithë territorin e saj.
Siç e tha edhe avokati Tomë Gashi, nuk është kufiri mes Kosovës e Serbisë në urën e Ibrit, që të përzihen e të pengojnë hapjen e kësaj ure, të cilën BE e të tjerë po e konsiderojnë si një lloj kufiri!

Kosova këta kufij i ka që nga viti 1878, kur u vendos në Berlin për dhënien e tokave shqiptare nga këtu e deri përtej Nishit.
Serbia është mjaft e madhe në krahasim me tokat shqiptare. Ajo më shumë u mori toka shqiptarëve me ndihmën e ndërkombëtarëve sesa iu la atyre.

Stano thotë të mos bëhen veprime të njëanshme! Me kë duhet të bëhen veprime të dyanshme? Me Serbinë apo me BE-në? Apo me të dyja, sepse pa thënë PO BE-ja nuk thotë as Serbia. Vallë, KFOR-i, që është për ruajtjen e qetësisë të të gjithë qytetarëve, siç thuhet, duhet të mbrojë kufirin e Kosovës atje ku është nga serbët që kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës, apo ai (KFOR-i) duhet të ruajë veriun e Kosovës nga lëvizjet e lira të shqiptarëve, kur ky veri është i Kosovës?!

“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano. (Kosova Sot, 11. 8 .2024).

Po, kjo urë është me rrethana të ndryshme politike, se vetë i keni krijuar kêto, duke ndaluar shqiptarêt të jetojnë në shtëpitë e veta në veri të Kosovës. Dhe, këto rrethana, vetë ndërkombëtarêt i krijuan, jo vendasit, jo shqiptarët, menjëherë që nga paslufta.

Këtu BE-ja ka për qëllim që veriun e Kosovës ta marrë e t’ia japë Serbisë. Kjo po shihet haptas dhe nuk ka se çka të fshihet më. Nëse i qenka premtuar Serbisë veriu i Kosovës, qoftë me Marrëveshjen e Kumanovës a ku ta dimë kur e ku, është bërë një gabim i madh, i pafalshëm. Jetët e shqiptarëve të vrarë nga Serbia nuk u bënë për ndarje të Kosovës. Dëshmorët nuk dhanë jetën për ndarje të Kosovës, dhe, edhe lufta nuk u bë për ndarje të Kosovës.

Është i pakuptueshëm edhe dialogu, kur Vuçiq ka thënë haptas se kurrë nuk do e pranojnë Pavarësinë Kosovës! E, për çka atëherë duhet të zhvilloàhet dialogu, për çka të bisedohet? Për t’i dhënë Serbisë atë që do! Serbia e do Kosovën, e do Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, e do Shqipërinë deri në Durrës për të dalë në detin Adriatik. Dhe, vetëm atëherë do të ishte e kënaqur, kur nuk do të kishte shqiptarë deri në Durrës .

Pra, nëse Ballkanin e shohim të turbullt e të paqëndrueshëm sot, vetëm Serbia është ajo që kërcënon paqen në këtë pjesë të nënqiellit. Serbia ka pretendime territoriale në veçanti ndaj tokave shqiptare, pastaj edhe ndaj atyre malazeze e maqedonase. Mendoni, sikur Serbia do të ishte «paqësore» siç proklamon shpeshherë, nga kush do prishej qetësia e Ballkanit sot. Pra, për momentin, e vetmja Serbia është ajo që kërkon të pushtojë vende përreth saj. E, për të pasur qetësi në rajon, të gjithë popujt e tjerë do duhej të ishin ushtarakisht më të fortë se Serbia, nga që, ajo njeh vetëm gjuhën e forcës, jo gjuhën e drejtësisë e të fqinjësisë së mirë.

Nëse Serbia kundërshton hapjen e urës së Ibrit, përse ka «arsye» kjo të kërkohet edhe nga BE e shtete të tjera? Duhet të marrin fund favoret e Serbisê nga ndërkombëtarët, trazueses së Ballkanit të sotëm.

Nëse ura u mbyll nga Serbia, në aleancë me KFOR-in, ajo duhet të hapet tani në aleancë mes Kosovës dhe NATO-s.
Përndryshe, shtisi është BE-ja që e mbron mbylljen e urës e dorasi dihet prej kohësh kush është – Serbia!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.