21.8 C
Tirana
E mërkurë, 8 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj LIBRI SI NJË DËSHMIE E GJALlË E RRUGËTIMIT JETËSOR

LIBRI SI NJË DËSHMIE E GJALlË E RRUGËTIMIT JETËSOR

0
Ramë Manaj

Mikel GOJANI

Ramë Manaj: Ecje nëpër kohë, Rrëfime, botoi: SHB LENA Graphic, Prishtinë 2026.

Veprat autobiografike janë krijime letrare në të cilat autori rrëfen ngjarje, përvoja dhe kujtime nga jeta e tij. Nëpërmjet tyre, lexuesi ka mundësinë të njohë jo vetëm jetën e autorit, por edhe kohën, shoqërinë dhe rrethanat në të cilat ai ka jetuar. Këto vepra dallohen për sinqeritetin, ndjenjat e thella dhe përshkrimin e ngjarjeve reale.

Autobiografia ka një vlerë të madhe edukative dhe kulturore. Ajo na mëson se si përballohen vështirësitë, si arrihen sukseset dhe si formohet karakteri i një njeriu. Përmes përvojave personale të autorit, lexuesi fiton njohuri të reja dhe frymëzohet për të ndjekur ëndrrat e tij.

Këto vepra janë një pasuri e çmuar e letërsisë, sepse ato ruajnë kujtimet, përcjellin mesazhe të rëndësishme dhe krijojnë një lidhje të veçantë ndërmjet autorit dhe lexuesit. Ato na ndihmojnë të kuptojmë më mirë jetën, njerëzit dhe vlerat njerëzore.

Vepër autobiografike e një rëndësie dimensionale

Kështu, këto ditë, Ramë Manaj, personalitet i jetës intelektuale, publicistikës, politike dhe të kulturës sonë, ka botuar librin autobiografik me titull: “Ecje nëpër kohë”, një libër shumë interesant dhe me vlera dimensionale.

Në hapje të librit ndeshim një moto prologu, ku autori Manaj qysh në nismë shpalos plagë të shpirtit që rëndojnë dhe do vazhdojnë të rëndojnë në jetën e tij.

Ky prolog në të hapur te librit ngërthen këtë përmbajtje: “Ismailit, Yllit, Kushtrimit, Isës, Bashkimit, Ferizit dhe Burimit, që më 4 prill 1999 në Kralan të Gjakovës, për t’u vënë në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovë.”

Janë, pra, këta familjarë të autorit Manaj, në mesin e tyre edhe i biri i tij 16 vjeçar, Ylli dhe vëllai që bënë veprën më sublime, flijuan jetën për dheun e vendit të tyre, për të mbetur në altarin e lirisë së atdheut.

Duke shkruar për librin, recensuesi i këtij libri, intelektuali, politikologu,, gazetari dhe publicisti, mr. Luz Thaqi, shprehet se libri “Ecje ndër vite”, i autorit Manaj, nuk është vetëm histori personale, por një dëshmi e gjallë e një periudhe tragjike, duke i ofruar lexuesit tablo jete në kohërat më të vështira, se si njeriu mund të mbijetojë, falë shpresës, qëndresës dhe dashurisë për jetën dhe atdheun,” shprehet Thaqi dhe në vazhdim pohon se Manaj në libër përshkruan në mënyrë shumë të thellë edhe periudhën e çlirimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës në kohën kur ai do të zgjidhej për dy mandate Kryetar i Komunës së Klinës e pastaj edhe Sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe Nënkryetar i Qeverisë së Kosovës, periudhë kjo e tranzicionit me mbikëqyrje ndërkombëtare me shumë sfida e të papritura, me shumë suksese dhe jo pak huqje.

“Më vonë Manaj do të udhëheq Agjencinë e Arkivave të Kosovës për tetë vite dhe do bën punë shumë të vlefshme brenda dhe në mërgatë e posaçërisht nga SHBA, ”, shprehet ndër të tjera publicisti Thaçi. Ndërkaq, prof. dr. Bekim Sejdiu, thotë se libri “ Ecje ndër vite”, nuk mbetet vetëm në kujtime personale, por një testament kujtese, një homazh për familjen, monument lavdie dhe udhërrëfyes për të ardhmen. Përmes këtij libri, brezat e sotëm edhe ata që do të vijnë do të kenë mundësinë të njohin edhe më afër jo vetëm jetën e autorit, por edhe historinë e një populli që rrugën drejt lirisë e ndërtoi me mund, dije dhe sakrificë sublime”, pohon dr. Sejdiu.

Ndërsa, redaktori i librit, Skënder Zogaj, shprehet se kjo monografi nuk është shkruar për të përmbyllur një rrëfim, por për të dëshmuar një kohë. “Kjo është përpjekje për të ruajtur kujtesën, për të fiksuar përjetime, qëndrime dhe përgjegjësi të hapura në një periudhë vendimtare për fatin e Kosovës dhe të popullit të saj,” shprehet Zogaj.

Libër me një mozaik reflektimesh

Libri “Ecje ndër vite” i Ramë Manajt paraqitet si një dëshmi e gjallë e rrugëtimit njerëzor, politik dhe shoqëror, ku përvoja personale ndërthuret natyrshëm me historinë kolektive të një populli që ka kaluar sfida të mëdha. Autori nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e kujtimeve, por ndërton një mozaik reflektimesh mbi kohën, përgjegjësinë publike dhe vlerat njerëzore.

Vlera themelore e këtij libri qëndron në autenticitetin e rrëfimit. Ngjarjet nuk paraqiten si kronikë e ftohtë, por si përjetime të një protagonisti që ka qenë pjesë aktive e proceseve të rëndësishme në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Pikërisht kjo e bën librin të fitojë dimension dokumentar, pa humbur karakterin letrar.

Stili i Rame Manajt është i qartë, i matur dhe komunikues. Gjuha nuk synon zbukurimet e tepërta stilistike, por mbështetet në sinqeritetin e shprehjes dhe në rrjedhshmërinë e mendimit. Kjo e afron lexuesin me autorin dhe krijon ndjesinë e një bisede të hapur mes brezave, ku përvoja bëhet mësim dhe kujtesa shndërrohet në trashëgimi.

Një nga meritat më të rëndësishme të librit është se ai e vendos individin në raport me kohën. Autori dëshmon se zhvillimet historike nuk ndërtohen vetëm nga ngjarjet madhore, por edhe nga përkushtimi i njerëzve që marrin përgjegjësi në momentet vendimtare. Në këtë kuptim, “Ecje ndër vite” është edhe një reflektim mbi etikën e shërbimit publik, mbi rëndësinë e vendimmarrjes dhe mbi përgjegjësinë ndaj qytetarit.

Libër me një dimension të fuqishëm historik

Libri ka gjithashtu një dimension të fuqishëm historik. Ai pasqyron ndryshimet politike, shoqërore dhe institucionale të Kosovës në periudha të ndryshme, duke ofruar këndvështrimin e një dëshmitari dhe pjesëmarrësi të drejtpërdrejtë. Për studiuesit, historianët dhe brezat e rinj, këto faqe përbëjnë një burim të vlefshëm për të kuptuar më mirë sfidat e shtetndërtimit dhe transformimet e shoqërisë kosovare.

Në aspektin letrar, libri ndërton një ekuilibër mes kujtesës personale dhe kujtesës kolektive. Autori nuk synon të idealizojë të kaluarën, por ta rikthejë atë me realizëm, duke evidentuar sukseset, dilemat dhe sfidat që kanë shoqëruar çdo etapë të jetës së tij publike dhe personale. Kjo qasje e bën rrëfimin të besueshëm dhe njerëzor.

Një tjetër vlerë e veçantë është mesazhi që libri përcjell. Ai nxit besimin se përkushtimi, puna, integriteti dhe respekti ndaj interesit të përgjithshëm mbeten themelet mbi të cilat ndërtohen institucionet dhe shoqëritë demokratike. Përmes përvojës së autorit, lexuesi kupton se rrugëtimi individual fiton kuptim vetëm kur lidhet me të mirën e përbashkët.

“Ecje ndër vite” – më shumë se një vepër kujtimesh

Në tërësi, “Ecje ndër vite” është më shumë se një libër kujtimesh. Ai është një dëshmi historike, një reflektim qytetar dhe një rrëfim me vlera edukative e kulturore. Përmes një gjuhe të kthjellët dhe një rrëfimi të ndërtuar mbi përvojën autentike, Rame Manaj sjell para lexuesit një libër që ruan kujtesën e një kohe, nderon kontributin institucional dhe fton brezat e rinj të ndërtojnë të ardhmen mbi mësimet e së kaluarës.

Në libër vlera të rëndësishme ngërthejnë sidomos kapituj si, Gjenealogjia e familjes sime”, Klinë 1998-1999” (Nga intervista me Adnan Merovcin në emisionin FAKTE, në TV Klan, më 23 dhjetor 2023”, intervistë e cila, sipas Manajt e ka motivuar fuqishëm për të shkruar këtë vepër; pastaj kapitulli vijues”, “Neofashizmi serb deri në gjenocid ndaj shqiptarëve (Çetnikizmi sizifian dhe recidivues serb”, “Si na dëbuan milicia dhe paramilitarët serbë nga shtëpitë tona për në Shqipëri?”; “Çfarë ndodhi në Kralan më 2 dhe 4 prill 1999?”; “Rruga e shpëtimit dhe humbja e madhe”; “Letra që nuk arriti kurrë në adresë dhe që nuk u këtyre kurrë pas”; “Vrasja e demokracisë së re”; “Pse dhe si u konfrontuam me UNMIK-un?” “Kalimi im nga Klina në Prishtinë”; “Angazhimi në Qeverinë e Hotit dhe Çështja e personave të zhdukur;” “Tipologjias e masakrave të luftës 1998-1999 në Kosovë”; “Ramë Manaj: Krimet në Kosovë – 25- vjet pas,” (Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, Nju Jork, më 25 mars 2025); “Nga notesi im gazetaresk;” “Nekrolog”- shkrim i mbajtur në mbledhjen komemorative , me rastin e vdekjes së ish-kryetarit të LDK-së dhe të Komunës së Klinës, prof. Prenkë Gjetaj, mbajtur, më 23 qershor 2024, në sallën e Kuvendit të Komunë së Klinës etj.

Hapësirë meritore në këtë vepër zë edhe kapitulli tematik, “Të tjerët për autorin”, ku personalitete të jetës intelektuale, politike dhe të arsimit e kulturës sonë, si prof. dr. Eqrem Zenelaj, Mikel Gojani, Ismet Krasniqi etj., shprehin opinionet e tyre rreth vlerave të rëndësishme dhe me interes shumëdimensional të Ramë Manajt.

Mund të thuhet se “Ecje ndër vite” është një vepër që pasuron memorialistikën shqiptare në Kosovë dhe zë vend të merituar në literaturën që dokumenton rrugëtimin e shtetformimit, duke e bërë atë një lexim me interes jo vetëm për bashkëkohësit e autorit, por edhe për brezat që do të kërkojnë të njohin historinë përmes dëshmisë së atyre që e jetuan dhe e ndërtuan atë.

Libri “Ecje ndër vite” nuk është vetëm një udhëtim nëpër vitet e autorit, por edhe një udhëtim nëpër kujtesën e një populli. Autori Manaj dëshmon se koha kalon, por veprat, përkushtimi dhe shërbimi ndaj atdheut mbeten. Në faqet e këtij libri gjejmë jo vetëm kujtime, por edhe mësime; jo vetëm ngjarje, por edhe vlera; jo vetëm një rrugëtim personal, por një pjesë të historisë sonë të përbashkët. Pikërisht për këtë arsye, “Ecje ndër vite” meriton të lexohet si një dëshmi e ndershme e kohës dhe si një kontribut i çmuar në kulturën tonë të shkruar.

Mendoj se vepra “Ecje ndër vite” i autorit Ramë Manaj jo vetëm do të jetë vazhdimisht në duar të lexuesve të tërhequr nga kjo temë, por do të jetë edhe vepër që do ta nderoj gjithnjë autorin.

Qershor 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.