Kryq këtu e kryq atje – përse?

0
729
Delvinë Kërluku

[Nga Shkrimtarja dibrane Delvinë Kërluku.]

Është vlerësim i përgjithshëm dhe i pakontestueshëm se Republika e Maqedonisë aktualisht po përjeton një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Shkaktarët e kësaj krize tanimë dihen dhe nuk e shohim të arsyeshme t’i ritheksojmë. (…)

Sikur të mos mjaftonin problemet qё kishte vendi, këto ditë u “mbiu”, apo, u përpoq të “mbijë” edhe një kryq ortodoks, maqedonas, i cili deshi ta suspendojë edhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe ashtu deri tani është zbatuar vetëm 14 pёrqind. Ky kryq, i lartë 56 metra, kishte vetëm një qëllim: të tregojë superioritetin e njërës palë mbi palën tjetër. Ishte pra një kryq provokues e provokator, zjarrvënës i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike. Por, të shpresojmë se ky tentim mbeti vetëm si i tillë.

Ky kryq që tentoi të “ngulet” në hyrjen e komunës së Butelit të Shkupi, vendbanim ky me popullatë përkatësish të ndryshme etnike e fetare, nuk është ai në të cilin u kryqëzua Jezu Krishti, por ku do kryqëzohej Marrëveshja e Ohrit – që ka marrë epitetin e shpëtimtares së shtetit; do kryqëzohej edhe Marrëveshja e Përzhinës, edhe ndonjë marrëveshje tjetër shumëpalëshe.

Siç dihet e siç e përsëritën edhe disa udhëheqës të kthjelltë, kryqi dhe minarja janë funksionale kur ngrihen pranë faltoreve, kisha qofshin apo xhami. Të shkëputura prej tempujve, ato nuk janë simbole fetare, por armë propagandistike, janë mjete mburravece karshi më të voglit, më të dobëtit.

Sidomos në mjediset me popullatë të përzier. Vallë, a nuk mjaftoi një kryq provokues në malin e Vodnos, mbi Shkup, i ndërtuar më 2002 dhe i lartë 66 metra, i cili, edhe mund t’ia vrasë sytë popullatës myslimane të Shkupit, por një tjetër u ngrit në hyrjen verilindore të kryeqytetit. (Për ata të gjeneratës më të re, gjeneratë së cilës i përkas edhe unë, të themi se ky kryq u ndërtua me lejen e Qeverisë dhe me mjete të saj, pra edhe me mjete të shqiptarëve. Vetëm Zoti e di se me çfarë kushti lidershipi shqiptar i partisë në pushtet ka dhënë pajtimin për ndërtimin e kryqit gjigant në Vodno?) Jo, jo.

Nuk paskan mjaftuar, prandaj u planifikuakan të ngrihen edhe nja dy a tre të tjerë. Gjigantë gjithashtu. Mesazhi është i qartë edhe për naivët e klasit të fundit. Por çdo të ndodhte në këtë vend, sikur popullata myslimane, kryesisht shqiptare, po të kishte mundësi (fuqi politike) dhe disponim provokues, të ndërtonte minare në çdo arë e livadh, në çdo kodër e mal? Vetëm mund ta supozoni reagimin e palës ortodokse maqedonase.

Këto skena të garës se kush është më i fortë e besimtar më i madh, na rikujtojnё ngjarje të njё kohe tё lashtё, kur popuj të ndryshëm, luftonin për tё fituar territore, e duke bёrë garё se cili do ta hudhë shtizёn helmuese mё larg. Ose: bashkë me flamurin, ngulnin edhe simbolin fetar, te pika e fundit që zaptonin. Deri atje ku arrinin, deri aty ishte toka e tyre. Njerëzit, të bardhë e tё zinj, të kuq e të verdhë, janë parë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Por janë parë edhe gërmadhat e kësaj gare të marrë megalomanie. Për të luftuar nuk kishin të drejtë të dy palët, por fatkeqësia i godiste edhe të pafajshmit. Gati-gati kështu po ndodh edhe në vendin tonë.

Pa pikë nevoje ngjallet lufta midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Të parët provokojnë duke u mbështetur tek epërsia që u jep fuqia politike, kurse të dytët duhet të mbrohen, jo rrallë herë edhe me mjete jo ligjore, por të ligjshme. Edhe në rastin konkret skenarët u përsëriten. Komuna e Butelit përdori hilenë para këshilltarëve komunalë, gjoja se po ndërton një objekt të përkohshëm për nevoja urbane: një strehë a një kioskë, e cila ka afatin e përdorimit të sanksionuar me ligj. Por, na doli një diçka krejt tjetër; e panevojshme, e papritur, e pa ligjshme. Pse jo: e dëmshme për shëndetin e shoqërisë, për ecjen përpara të vendit. Vallë, nuk duhet dyshuar se këto provokime mund të ndikojnë edhe në shpërnguljen e shqiptarëve nga vatrat e tyre.

Natyrisht që segmenti ekonomik dhe trajtimi jo i barabartë para institucioneve shtetërore, kanë ndikimin më të madh, por edhe ky segment nuk duhet nënvleftësuar, duke marrë parasysh se ndjenja fetare te shqiptarët e këtyre trevave, është mjaft e fuqishme. Lexuesi ynë këto ditë u informua se nga 100.000 votues të larguar nga vendi, 90.000 ishin shqiptarë. Mbase ka ardhur koha që simbolet fetare të bëhen subjekt i një ligji të ri. Le të përcaktohen në mënyrë më të qartë të parashihet përdorimi dhe ndërtimi i tyre.

As ndarja e fesë nga shteti nuk na duket e plotë, derisa Qeveria, qoftë ajo qendrore ose lokale, financon objekte fetare me para publike. Në rastin konkret bëhet edhe diskriminimi në mes përkatësive fetare. Për kisha janë dhënë, por për xhami nuk jemi aq të sigurt se është harxhuar ndonjë cent i arkës së shtetit. Le ta lëmë popullin të veprojë i lirë e i pavarur se çfarë do të ndërtojë, si do t’i ndërtojë dhe ku do t’i ndërtojë. Kur shteti do të heq dorë, atëherë do shohim se sa kisha dhe sa xhami do të ndërtohen, por edhe nëse do të kishin karakteristikat e objekteve megalomane.

Sa mirë do të ishte që këto mjete, qofshin edhe private, të ndërtoheshin rrugë, shkolla, kanalizime, parqe, kopshte kënde lodrash për fëmijët tani, për të ardhmen tonë.

* * *

Autore e shkrimit: Shkrimtarja dhe Magjistrja e ekonomisë, dibranja Delvinë Kërluku, publikuar në gazetën “Koha”, Shkup më 16 mars 2016.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.