KONICA – PERSONALITET I VEÇANTË I KULTURËS SHQIPTARE

0
Faik Konica - Shqipëria

(Më rastin e 80-vjetorit të vdekjes)

Faik Konica, Shqipëria, kopshti shëmbor i Evropës Juglindore, Botoi: “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 1991

Nail Draga Në sajë të kursit ideologjik që u instalu në Shqipëri nga fundi i vitit 1944 që zgjati deri me rënien e sistemit socialist(1990) shqiptarët si brenda dhe jashtë Shqipërisë mbetën të pa informar për jetën dhe veprimtarinë e disa personalitetëve me rëndësi kombëtare. Ishte kjo koha e anatemimit dhe të margjinalizimit që ishte pjesë e strategjisë së pushtetit ndaj figurave eminente kombëtare. Kemi të bëjmë me një goditje të rëndë për kulturën kombëtare nga vet fakti se si bazë e çdo gjëje ishte çelsi ideologjik pa marrë parasysh vlerat kombëtare e ato artistike.

Nder ata figura të anatemuara bën pjesë edhe intelektuali, eseisti, publicisti, shkrimtari e diplomati Faik Konica(1876-1942), veprimtaria e të cilit për rreth pesdhjetë vite ishte e panjohiur për opinionin e gjerë kulturor e shkencor shqiptar.

Nuk ka dilemë se një vlerësim të tillë çdo lexues mund ta ketë po që se do ta shfletojë botimin “Fjalori enciklopedik shqiptar”,botuar në Tiranë në vitin 1985, ku në njësinë bibliografike për F.Konicën(f.521-522), nuk është shënuar vepra kryesore e tij “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”.

Një e dhënë e tillë thënë më së buti dëshmon qasjen subjektive përkatësisht joserioze te hartuesve të njësisë përkatëse në këtë botim, duke marrë parasysh se kjo vepër ka qenë e botuar në vitin 1957 në Boston, dhe e njohur për opinion shkencor e kulturor anglishtfolës.
Një nder kontrbutet me vlerë që i ka dhënë kulturës shqiptare Federata Pan-Shqiptare e Amerikës –VATRA, është padyshim edhe botimi i veprës së Faik Konicës “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, botuar në Boston të SHBA-ve në vitin 1957. Pasi libri është shkruar në gjuhën angleze për një botues të huaj, të paktë kanë qenë ata intelektualë shqiptarë qe e kanë lexuar dhe përdorur këtë libër me vlerë.

Dhe për çudi kaluan mbi pesë dekada nga dorëshkrimi i tij dhe mbi tri dekada që kur botohet anglisht, ndërsa lexuesi shqiptar ishte i privuar nga përmbajtja e këtij libri, të cilin censura socrealiste e menjanoi si dhe vet autorin e librit. Atë që nuk e bënë ata që ishin kompetentë e bëri NB ”Gjon Buzuku” nga Prishtina, e cila e botoi dhe e përktheu në gjuhën shqipe nga prof. dr. Abdullah Karjagdiu, për të parën herë veprën e F. Konicës “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, duke iu dhuruar lexuesve një vepër madhore të kulturës sonë, me ç’rast mori fund një padrejtësi e madhe si ndaj shkrimtarit dhe një padrejtësi edhe ndaj kulturës shqiptare në përgithësi.

Në hyrje të librit që është shkruar nga Q. Panariti, i cili ka bërë edhe redaktimin e këtij libri njoftohemi se dorëshkrimi u zbulu rastësisht në vitin 1952, ndërsa pas përgatitjes për botim iu dorëzua për vlerësim Fan S. Nolit dhe dr. Endru D. Eliasit, miq të vjetër dhe të ngushtë të Konicës.

Në fjalën e vet Noli, që është botuar si parathënie e këtij botimi, ne mes tjerash thekson se “vërtet libri mbeti i pakryer për shkak të vdekjes së parakohshme të autorit, por ne na vjen mirë që e kemi edhe në këtë formë të papërfunduar” me çka dëshmohet se përmbajtja e tij është e cilësisë së lartë.

Pas parathënies Q. Panariti në artikullin me titull “Faik Konica një kalorës i atdhedashurisë shqiptare”, ka shkruar deri më tash biografinë me të plotë për ketë personalitet të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Librin e përbëjnë gjithsej dhjetë ese, shtojca dhe fjala e botuesit.

Nga lënda e shtjelluar në këtë botim lirisht mund të themi se nuk mund të supozohet që ndonjë libër si shkrim të synojë t’i thot të gjitha ato që e bëjnë të veçantë historinë e popullit tonë, veçoritë nacionale, traditën si dhe natyrën e tij, por një ideal të tillë, e themi pa ngurrim e ka arritur F.Konica në këtë libër, i cili është një projekt i mirëfilltë i enciklopedisë shqiptare.

Në këto ese vërehet se Konica është përpjekur të jetë sa më objektiv dhe i paanshëm në trajtimin e lëndës përkatëse. Në përgjithësi esetë janë shkruar në mënyrë sintetite, ku trajtohen disa çështje të veçanta nga disa këndvështrime.

Po ashtu me mjaft sukses ka shfrytëzuar një literaturë selektive nga autorë të ndryshëm evropianë, të cilët kanë shkruar për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Pas leximit të këtij libri lexuesi shqiptar me siguri do të shqetësohet nga vet fakti se si ka qenë e mundur që deri më tash të mos ketë pasur mundësi ta ketë në gjuhën shqipe këtë vepër të çmuar.

Por siç kemi cekur më lart, puna krijuese e F. Konicës e kësaj “enciklopedie që ecën” siç e ka quajtur poeti i shquar francez G. Apolineri, vazhdon të jetë ende e shpërndarë nepër vëllime të ralla apo e strukur nëpër revista të ndryshme.

Po të mblidhën dhe të renditën sipas kriterit tematik do të kemi një seri vëllimesh që do të pasurojnë trashëgiminë kulturore, letrare e shkencore. Atëherë do të shihet se F.Konica ka qenë gjuhëtar, letrar, publicist, kritik, historian, diplomat dhe etnograf i orëve të para të shkencës dhe të kulturës shqiptare.

Po ashtu do të shihej se ai si stilist ishte nxënës i Kristoforidhit dhe i Naimit, por i tejkaloi siç ishte e natyrshme duke shtruar trasenë e gjuhës letrare shqipe, shkruante me një rast studiuesi i historisë Kristo Frashëri. Ndërsa Fan Noli shkruan se “të gjithë shkrimtarët shqiptarë që erdhën pas Konicës-janë nxënësit e tij”, duke përfshirë edhe vet Nolin.

Andaj me botimin e këtij libri për të parën herë në gjuhën shqipe, nxënësve, studentëve, intelektualëve dhe lexuesve të pasionuar u dhurohet një vepër e veçantë për kulturën tonë, nga një “stilist i vërtetë, dijetar i shkëlqyer dhe atdhetar i madh shqiptar” siç e quante ate Noli, ku çështja kombëtare shqiptare ishte ideali i jetës së tij.

Dr. Nail Draga

(Lexuar më rastin e shënimit të 80-vjetorit të vdekjës së F.Konicës në Ulqin me 22 dhjetor 2022)


Alb-spirit.com

Faik Konica: Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore

Shqipëria gjendet e vendosur gjeografikisht në pjesën juglindore të Evropës, në mes të Greqisë dhe Jugosllavisë, me të cilat ka kufij tokësorë dhe e ndan nga Italia deti “i shqetësuar” Adriatik, i quajtur dikur nga Horaci “inquietus Hadriaticus”. Në pjesën ku afrohen më tepër të dy vendet, tek Kanali i Otrantos, një largësi prej vetëm gjashtëdhjetë miljesh e ndan Italinë nga Shqipëria. Italianët e Puljes shpeshherë e quajnë Shqipërinë “I latra sponda”, që do të thotë “bregu tjetër”. Shqipëria u njoh si shtet i pavarur në vitin 1913. Deri në atë kohë ishte skaji më perëndimor i Perandorisë turke otomane. Sikundër u vendos nga ish atëherë gjashtë fuqitë e mëdha, vendi ka një sipërfaqe prej afro 11.000 miljesh katrore, me një gjatësi veri-jug prej afro 180 miljesh dhe nga perëndimi deri në skajin më lindor prej 85 miljesh.

I

Në kohët e lashta Shqipëria quhej Iliri dhe deri në mesjetën e vonë, pikërisht deri në shekullin e njëmbëdhjetë ajo njihej vetëm me këtë emër. Pastaj, për disa qindra vjet me radhë nisën të përdoren njëkohësisht emrat Arbëri (Albania) dhe Iliri; vetëm nga fundi i shekullit të katërmbëdhjetë emri Arbëri (Albania) fitoi mbi emrin e vjetër.

Është interesante të kujtojmë se Shekspiri e ka vendosur në Iliri ngjarjen e një prej komedive të tij më të bukura me titull “Nata e dymbëdhjetë”; shumica e lexuesve nuk e dinë se aty bëhet fjalë për Shqipërinë e sotme.

Populli vetë e quan vendin Shqipëri. Nuk dihet çfarë do të thotë emri Iliri. Emri “Arbëri” (Albania) është shpjeguar sikur ka lidhje me rrënjën alp, prandaj do të thotë “vend malor”. Porse kjo është një etimologji popullore; sipas mendimit të dijetarëve një fis me emrin Arbër (Albanë) i dha emrin të gjithë vendit në një epokë të caktuar. Ky proces i shtrirjes së një emri është i njohur edhe për vende të tjera; për shembull krahina e Heladës në Thesali i dha emrin të gjithë Greqisë, emri i fisit të Anglëve në Britaninë e Madhe arriti të përfshinte të gjithë Anglinë, emri i kantonit të vogël Shvic u shtri për të treguar të gjithë Helvetinë, nën formën e re Svicerland.

Dyshimi në rastin tonë lind nga fakti se Arbërit (Albanët) nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë në histori dhe është e vështirë të kuptohet si arritën të mënjanojnë një emër aq të njohur si atë të Ilirisë. Besohet përgjithësisht se emri Shqipëri do të thotë vend i shqipeve; disa të tjerë e lidhin me fjalën shkëmb, pra “vend shkëmbor”. Të dyja këto janë etimologji popullore, të cilat dijetarët i shikojnë me një farë përbuzjeje tallëse. Sipas këtyre dijetarëve emri Shqipëri rrjedh nga fjala shqipe shqiptoj.1 Pra Shqipëri do të thotë “vendi ku njerëzit e kuptojnë njëri-tjetrin”; por edhe kjo etimologji profanëve u duket artificiale. Kjo vjen sikur Anglia të quhej Jes-land. Kjo është diçka për t’u krenuar. Poeti i madh Dante, a nuk e quajti Italinë, në një varg të pavdekshëm “vendi i bukur ku tingëllon si-ja”? (il bel paese dove il si suona).

Sido që të jetë puna, etimologjitë popullore, megjithëse nuk mund të merren seriozisht nga pikëpamja filologjike, janë me interes për faktin se shumë herë shërbejnë si pikënisje opinionesh dhe besëtytnish të ndryshme. në Shqipëri është kaq rrënjësor besimi që kjo fjalë do të thotë “vendi i shqipeve”, saqë një besëtytni e çuditshme e ndalon vrasjen e shqipeve; ky shpend për popullin është po aq i shenjtë sa ishte dikur ujkonja për romakët e vjetër. Kjo etimologji popullore duhet të jetë shumë e vjetër, sepse historianët na kanë lënë të shkruar një pohim të sulltan Mehmetit II, i cili pushtoi Kostandinopolin më 1453 dhe i drejtoi vetë ushtritë kundër Shqipërisë. Kur po thyhej qëndresa e një kalaje shqiptare, ai thirri: “Më në fund do të hyjmë në folenë e shqipes”.

Etimologjia tjetër popullore, sipas së cilës Shqipëri do të thotë vend shkëmbor, i ka bërë të besojnë shumë njerëz (për çudi edhe disa shqiptarë) që Shqipëria qenka një vend i thatë, joprodhues. Më kujtohet këtu një ngjarje e vogël në Londër më 1913. Një anglez, me qëndrim miqësor ndaj Shqipërisë, e pyeti një delegat në Konferencën e Ambasadorëve, çfarë do të eksportonte Shqipëria për të nxjerrë shpenzimet e mbajtjes së qeverisë. Ai delegati, që kishte lindur jashtë shtetit nga prindër shqiptarë dhe që nuk kishte qenë ndonjëherë në vendin e vet, u përgjigj më shumë me humor se me takt dhe vërtetësi, se Shqipëria do të eksportonte gurë.

Kështu pra kemi dy etimologji, që ndonëse asnjëra nuk i përgjigjet së vërtetës, na interesojnë mbasi nga ato kanë zënë fill shumë besime të çuditshme. Më mirë ta lëmë mënjanë çështjen e etimologjisë dhe të mbajmë një qëndrim shkencor, duke pohuar që nuk kemi dokumente të na ndriçojnë me saktësi në lidhje me kuptimin e fjalës Shqipëri (Albania). Le të kujtojmë vetëm tri gjëra; që ky vend në kohët e vjetra u quajt Iliri, në kohët e reja u njoh me emrin Arbëri (Albania), kurse vetë banorët e quajnë atdheun e tyre Shqipëri.

Shqipëria rrethohet në të tri anët nga male të papërshkueshme, të cilat kanë formuar një si mur të natyrshëm të paracaktuar për ta veçuar vendin. Në dëm të zhvillimit të marrëdhënieve tregtare dhe të përparimit shoqëror. Nga ana tjetër, pikërisht ky veçim (izolim) ka ndihmuar për ruajtjen e gjuhës, të zakoneve dhe të individualitetit kombëtar. Izolimi i Shqipërisë në të kaluarën ka qenë kaq i madh, saqë historiani i njohur i shekullit të tetëmbëdhjetë Eduard Gibbon pat shkruar se “Shqipëria është një vend që shikohet nga Italia, por është më pak e njohur se brendësia e Amerikës”. Një shkrimtar i sotëm e ka quajtur Shqipërinë “Tibeti i Evropës”.

Në letërkëmbimin e Lord Bajronit me Shellin (Shelly), gjendet një letër në të cilën Shelli mundohet të bindë Bajronin të mos shkojë në Shqipëri, për shkak të rreziqeve që mund t’i ndodhin aty. Mendimi i Shellit për Shqipërinë pasqyrohet në këto vargje të Bajronit në veprën “Hailld Harold”.

Po nisej për në trevë të panjohur,
Shumëkush e mburr, pakkush guxon ta shohë

Me sa duket Bajroni nuk ua vuri veshin këshillave të mikut dhe u bë një nga miqtë më besnikë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Rruga më e lehtë për të hyrë në Shqipëri nga deti është të nisesh nga Bari, liman i Italisë. Avullorja komode italiane niset vonë në mbrëmje dhe arrin në limanin e Durrësit në mëngjes herët kur:

Agimi lind: me të po çohen brigjet
E Shqipërisë së rreptë, shkëmbi i Sulit,
Dhe larg të Pindit çuka mjegull veshur,
Të lara përrenjsh, të bardhë si dëbora,
Me ngjyra mashkullore e kuqërreme,
Dhe ndërsa retë nisin të shpërndahen,
Spikasin tëbanat e malësorëvet:
Këtu bredh ujku, shqipja sqepin mpreh,
Zogj, bish, njerëz t’egër zënë e duken,
Stuhitë rrotull tundin motin që mbaron.

I përmenda vargjet e bukura madhështore nga “Çailld Haroldi”, mbasi aty zënë një vend nderi malet e Shqipërisë, shumë prej të cilave kapin lartësinë tetëmijë këmbë. Madhështia e tyre i bëri kaq shumë përshtypje natyralistit romak Plinit Plakut, saqë disa herë në shkrimet e tij thotë për to se “janë të lakuara si një amfiteatër”. Edhe në ditët tona madhështia e tyre e egër i ka dhënë Shqipërisë emrin “Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”2. Mali i Shqipëri, qoftë i lartë ose i ulët, është diçka unikale për profilin e tij me prerje të qartë, për hijeshinë me të cilën drejtohet nga qielli. Ke përshtypjen sikur gjendesh para monumentesh të ndërtuara nga vetë natyra. Këtu e njëqind vjet më parë një piktor peizazhist anglez, Eduard Lir (Lear), vizitoi Shqipërinë dhe ja si e përshkruan Tomorin, malin më të lartë të vendit: “Atje lart ngrihet forma e çuditshme e malit vigan, me njëmijë të çara e gremina, i cili me një thjeshtësi të madhe sundon me vetminë e tij vijat e fushës së pandërprerë”.

Nëse udhëtari nuk dëshiron të hyjë nga Veriu ose nga Jugu, por parapëlqen të hyjë nga perëndimi, atëherë, pasi të ketë përshkuar vetëm njëzet milje nga Durrësi, do të arrijë në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, një vend me pamje natyrore shumë të bukur. Këtu, si padashur të vete mendja menjëherë tek shatërvanët e Trevit të Romës. Artisti që ndërtoi ato shatërvanë kishte ndërmend të paraqiste ujin në të gjitha aspektet: duke rrjedhur si përrua, duke zbritur si ujëvarë ose të qetë si kënetë. Duket sikur Tiranën e ka zgjedhur vetë natyra për të paraqitur të gjitha tipet e maleve, të cilat e rrethojnë qytetin në të katër anët. Mund të shihni shkëmbinj të zhveshur, kodra me pemë, maje të mbuluara me borë dhe çdo gjë që mund të krijojë imagjinata, duke vënë në përdorim ngjyrat dhe hijet.

Shqipëria numërohet si një nga vendet më të pasura me ujë të Evropës. Një shumicë përrenjsh dhe burimesh rrjedhin në çdo drejtim. Dhe ata që në tekstet e gjeografisë quhen lumenj – qofshin Drini i Bardhë në Veri, Shkumbini në Shqipërinë e Mesme ose Vjosa në Jug – në të vërtetë janë rryma të fuqishme uji që zbresin nga malet poshtë në lugina drejt detit Adriatik, me një oshtimë të veçantë që i bën të duken si persona të gjallë. Këto janë gjëra piktoreske, por që e vështirësojnë shumë ndërtimin e rrugëve dhe i rritin shumë shpenzimet për ato. Pak kohë më parë autoritetet përuruan një rrugë të re afro dyzet milje të gjatë, dhe për një largësi kaq të vogël ishte dashur të ngriheshin jo më pak se njëqind ura me madhësi të ndryshme. Aty ku nuk ka ura ose lumi është tepër i thellë për ta kaluar më këmbë, kalimi me not është e vetmja mënyrë për të dalë në bregun tjetër njerëz e kafshë. Në Shqipëri lumenjtë më të shumtën e herës bëhen pengesë për komunikacionin. Shumica prej tyre janë të cekët për lundrim dhe gjatë stinës së shirave dalin nga shtrati dhe përmbytin e izolojnë fshatra të tëra për javë e javë me radhë.

Tashti në Shqipëri ka mbi njëmijë milje rrugë automobilistike, një pjesë të ndërtuara nën regjimin turk dhe të tjerat nga ushtritë austro-hungareze në Veri dhe forcat italiane në Jug, për qëllime ushtarake gjatë Luftës Botërore.3 Këtyre qeveria shqiptare u ka shtuar edhe qindra milje rrugë të reja. Kështu tani vendi përshkohet nga një rrjet i mirë rrugësh malore, që duke marrë parasysh natyrën e përthyer të vendit dhe lumenjtë e përrenjtë e furishëm, është një sukses i rëndësishëm.4 Për të pasur një ide për rëndësinë e këtyre rrugëve për një vend si Shqipëria, mund të sjellim si shembull faktin se, për të shkuar në qytetin e Jugut Korçë, duhen tri ditë me kalë dhe deri tani vonë kjo ishte e vetmja mënyrë udhëtimi.

Me rrugë automobilistike duhen vetëm shtatë orë për të përshkuar të njëjtën largësi, kurse me vënien në veprim të aeroplanit mjaftojnë vetëm dyzetë e pesë minuta. Megjithatë të vetmet rrugë komunikimi në mes të vendeve të vogla të largëta dhe qendrës mbeten akoma shtigjet e ngushta malore, nëpër të cilat nganjëherë mezi kalon edhe mushka. Edhe ato shtigje shpesh bëhen të pakapërcyeshme gjatë muajve të rreptë të dimrit. Është me interes të vihet në dukje se disa milje të rrugës së përmendur Egnatia janë edhe sot në gjendje të mirë përdorimi, një fakt i gjallë ky i gjeniut ndërtues të Romës. Rruga Egnatia (kjo duhet kujtuar) ishte vazhdimi i rrugës së madhe romake Appia, e cila shkonte nga Roma në Brindisi, fillonte rishtas në Durrës e pastaj vazhdonte për në Elbasan, Ohër, Selanik, Bizanc e Jeruzalem; një rrugë me rëndësi të madhe, që, si të thuash, ruan ende gjurmët e këmbëve të legjioneve të Cezarit e të Pompeut.

Megjithëse vetëm një pjesë e vogël e vendit është e zhveshur, mbasi në pjesën më të madhe mbulohet nga një bimësi e dendur, prapëseprapë drunjtë e lartë janë relativisht të pakët në Shqipëri; nga këta të fundit gjenden më shumë lisi dhe ahu. Në disa vende ahet janë viganë dhe arrijnë të kenë diametrin dhjetë këmbë. Për çudi fauna është tepër e varfër, me përjashtim të disa kafshëve si: dhelpra e kuqe, shqarri e sidomos derri i egër, i cili gjendet kudo dhe është armiku i ujqve, por shkakton dëme ndër ara. Nga ana tjetër bariu duhet të jetë kurdoherë syhapët për të ruajtur tufën nga sulmet e ujqve, kafshë të egra grabitqare, të cilat, kur bën dimër i fortë, futen deri brenda në fshatra për të bërë pre në njerëz dhe në kafshë. Me shumicë gjenden në Shqipëri edhe dhitë e egra, të cilat gjahtarët i ndjekin këmba-këmbës me javë të tëra; këtë e bëjnë për sport por edhe nga nevoja, sepse kanë një mish shumë të mirë.

Një hartograf gjerman, dr. Herbert Luis (Louis), i cili u porosit nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, dhe mbas dy vjet studimesh botoi të vetmen hartë të Shqipërisë të saktë nga pikëpamja shkencore, shkruan se ka kaluar përjashta ditë e net pa mundur të takojë ndonjë kafshë të egër, me përjashtim të një ose dy lepujve5. Kjo shpjegohet me faktin që në të kaluarën nuk ekzistonte asnjë ligj për kufizimin e gjuetisë; dhe gjuetia e vazhduar gjatë tërë vitit mund ta ketë varfëruar vendin në gjah. Por duhet shqyrtuar edhe një aspekt tjetër i kësaj çështjeje. Disa dyshojnë që të ketë pasur ndonjë herë në Shqipëri kafshë të egra me shumicë. Më kanë tërhequr vërejtjen duke më thënë se nga mungesa e drurëve, të cilët janë shkatërruar nga shpërdorimet gjatë shekujve, në një vend ku gjithkush pret por askush nuk mbjell dhe dhitë e egra kanë dëmtuar kudo bimët e reja, është vështirësuar patjetër mbirrojtja e gjahut. Përkundrazi liqenet dhe lumenjtë janë të pasur me trofta, blinj, shojza, peshq të njohur për mishin e tyre të shijshëm.

Karakteristikë e klimës shqiptare është ndryshueshmëria e madhe. gjatë bregut të Adriatikut do të takosh të ashtuquajturën klimë mesdhetare, që në vija të trasha, mund të krahasohet me atë të Kalifornisë së Jugut. Në brendësi të vendit mbizotëron ajo klimë që gjeografët e quajnë klimë kontinentale. Këtu lartësia e maleve e ftoh mjaft klimën.

II

Mbasi dhamë një përshkrim të shkurtër të Shqipërisë fizike, le të shohim tani çfarë i kanë shtuar natyrës shqiptare duart e njerëzve, çfarë qytetesh dhe shtëpish kanë ndërtuar, përveç rrugëve që përmendëm më lart.

Shtëpitë shqiptare, me përjashtim të godinave prej qerpiçi të Tiranë dhe të kasolleve prej balte e kashte të Veriut, janë ndërtesa një ose dykatëshe të ngritura me gurë dhe të rrethuara me oborre ose me kopshte. Në pjesën e sipërme kanë ca të çara që populli i quan mazgalla; këto s’janë gjë tjetër veçse frëngji të gjera nga brenda dhe të ngushta përjashta, që shërbenin për t’u mbrojtur, kur hakmarrjet vetjake ishin ngjarje të përditshme.

Të gjithë udhëtarët, këtu e një shekull më parë e deri në ditët tona, shtëpinë shqiptare të të varfrit ose të të pasurit, e kanë cilësuar si një kështjellë më interesante brenda se përjashta. J. C. Hobhauz (Hobhouse), më vonë Lordi Brautën (Broughton), i cili udhëtoi nëpër Shqipëri së bashku me Lord Bajronin në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ka botuar një libër të vëllimshëm, ku na jep edhe një përshkrim të shtëpive; “Shtëpitë e shqiptarëve janë shumë të pastra edhe banesat e tyre rrallëherë kanë më tepër se një kat, … gjithashtu janë të fshira mirë dhe, meqë i kanë ndërtuar me kujdes nuk mbajnë lagështirë…

Shtëpitë nuk mbështeten njëra tek tjetra, por secila rrethohet nga kopshti i vet. Shtëpia ku bujtëm ne ka përreth një copë tokë prej disa dynymësh, të mbjellë me duhan, rrush dhe pemë frutore; rreth e rrotull kishte një mur prej guri, kurse vetë shtëpia gjendej brenda një oborri, edhe ky i rrethuar nga një mur tjetër, kështu që krijohej një farë fortese. Na ranë në sy në shumë frëngji të vendosura në largësi të barabartë njëra nga tjetra në muret e dhomës ku na pritën. Na thanë se ato frëngji shërbenin për të nxjerrë grykët e pushkëve.6

Brendësia e një banese shqiptare zakonisht paraqitet fare e thjeshtë. Nuk sheh zbukurime të tjera, përveç ikonave në shtëpitë e kristianëve dhe shkronja në ato të myslimanëve. Shumë pak familje kanë tryeza dhe karrige, kurse për fjetje përdorin dyshekë të mbushur me lesh, me pambuk ose me kashtë, që i përgatitin vetë në shtëpi. E vetmja orendi që të bie në sy, shpeshherë është një arkë e gdhendur prej druri lisi, me prejardhje venedikase; në këtë arkë ruhen gjëra të tilla me vlerë si gërshetat e nuses, thesaret e familjes dhe stoli të ndryshme. Praktikisht pjesa kryesore e një dhome dhe qendra e jetës familjare është vatra. Aq i shenjtë është zjarri i ndezur në vatër, saqë një nga betimet kryesore të shqiptarëve është “për këtë zjarr”.

Në këto shtëpi vërehet diçka e veçantë, “një notë personale” një shije artistike shpeshherë e pavetëdijshme. Miss Edith Durham na ka lënë këto përshtypje nga një shtëpi shqiptare, kur sapo ishte larguar nga Mali i Zi dhe kishte hyrë në Shqipëri; “Në Podgoricë e takova përsëri karrocierin shqiptar Shanin, i cili në vizitat e mëparshme më kishte shërbyer me besnikëri të madhe. më mori në familjen e vet, ku më ra në sy kontrasti me shtëpitë e malazezëve. Këtu çdo gjë ishte e re flakë, madje e hijshme, sepse shqiptarët kanë prirje artistike, kurse malazeztë jo. Shija e këtyre të fundit është e vajtueshme”.7

Një shkrimtar tjetër anglez thotë këto fjalë për shtëpinë shqiptare ku kaloi një ditë: “Megjithëse shtëpia ishte e një të varfri, ajo ma kënaqi shijen time artistike, jo vetëm me paraqitjen e saj të jashtme piktoreske, por edhe me diçka më tepër. Mbasi u mendova më gjatë, arrita në përfundimin se ajo më pëlqente, ngaqë çdo gjë ishte e punuar nga duart e të zotërve të shtëpisë: qilimi ku ishim ulur, veshjet e punuara me leshin e dhenve të rritur në shtëpi. Edhe gurët e gdhendur, me të cilët ishin ndërtuar muret, kishin kaluar nëpër duart e të zotit të shtëpisë. Çdo gjë aty ishte fryti i një punë dore të ndershme, e një arti të ndershëm, në të vërtetë më të kulluar nga ajo që quhet me këtë emër në rrethet artistike të Evropës, me një qytetërim më të lartë”.8

Qytetet dhe fshatrat shqiptare janë në përgjithësi një grumbull shtëpish me nga një kopsht përreth; por arat i kanë të vendosura ndonjë milje larg shtëpisë dhe çdo shtëpi zotëron disa dynymë tokë. Por ka edhe një tip tjetër shtëpie; ajo që gjendet në mes të tokave të pronarit dhe kështu atë e ndan një largësi e konsiderueshme nga shtëpitë e tjera të fshatit. Një tip të tillë shtëpie e shohim në krahinën e Mirditës (në Veri), ku mund të themi se nuk ekzistojnë në fakt as qytete as fshatra, por mijëra shtëpi të veçuara njëra nga tjetra dhe që i përballojnë vetë nevojat e jetesës. Emrat e vendeve që shohim në hartë tregojnë vetëm qendrën e famullisë ose kishën (e gjithë krahina e Mirditës është katolike).

Njëherë më ndodhi t’i bëj një vizitë priftit të një fshati të quajtur Gomsi qe, ku ishte famullitar Atë Kostantin Gjeçovi, një françeskan i ditur, me karakter fisnik, i cili vdiq më vonë në mënyrë tragjike nga dora e vrasësve serbë. Ishte vizita ime e parë në Mirditë dhe më shoqëronte edhe një françeskan tjetër; Atë Gjergj Fishta, poeti kombëtar i Shqipërisë. Pasi admirova koleksionin me objekte e monedha të vjetra greke e romake të Atë Gjeçovit, bëra propozim që të dilnim e të shikonim fshatin. Atë Gjeçovi vuri buzën në gaz. Më tregoi se shtëpia më e afërme ishte dhjetë minuta më këmbë larg; e kështu me radhë edhe të tjerat; me pak fjalë do të na duheshin nja dy orë të mira për të shikuar “katundin”. Në disa fshatra shtëpitë janë aq të shpërndara, saqë priftit i duhet të bëjë deri në gjashtë orë rrugë për t’u gjetur pranë ndokujt në çastet e vdekjes.

Ato vende ku shtëpitë janë të grumbulluara afër njëra-tjetrës, shpesh kanë një panoramë shumë të bukur; një udhëtar i shekullit të nëntëmbëdhjetë e solli një fshat shqiptar si model për t’u kopjuar edhe në vende të tjera. Miss Durham na e jep me këto fjalë përshtypjen e parë që i bëri një fshat i vogël shqiptar. “Leskoviku është një vend shumë i vogël; me ndërtesat e tij prej guri i përngjan më tepër një fshati të Uellsit të Veriut, por është i pastër dhe i rregullt”.

Disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë do t’i përshkruajmë shkurt për rëndësinë e tyre historike.

Durrësi, në breg të detit Adriatik, është sigurisht qyteti më i vjetër i Shqipërisë dhe ka qëndruar më këmbë vazhdimisht, që nga themelimi i tij në vitin 627 p.e.re. Dikur metropol madhështor dhe i pasur i kohëve të lashta, në ditët tona është shndërruar në një liman të vogël anemik. Porse dëshmitë e lavdisë së dikurshme e nxitin edhe sot imagjinatën e studiuesit të historisë. Nga Durrësi niste rruga Egnatia dhe po aty, në vitin 48 p.e. re, u zhvillua beteja historike në mes të Cezarit dhe Pompeut. Mendohet se Shën Pali ka mbajtur predikime në këtë qytet. profili i nëntë kullave mesjetare na kujton sundimin e Karlit Anzhu, mbretit të Sicilisë, i cili u zgjodh mbret i Shqipërisë në vitin 1272 dhe mund të quhet si themeluesi i kombit të ri shqiptar, mbasi i dha vendit atë ndjenjë uniteti që nuk e kishte pasur deri atëherë.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, megjithëse e vendosur në një pozicion me bukuri të rrallë natyrore, e rrethuar me male nga të katër anët, ka mungesë gurësh, prandaj dhe shtëpitë janë të ndërtuara prej qerpiçi; kjo është diçka fare pak tipike për Shqipërinë. Edhe ndërtesat e reja, vulgare dhe pa shije, me bulevarde tepër të gjera, e bëjnë këtë qytet më të shëmtuarin e vendit.

Tirana është themeluar nga turqit aty nga viti 1600; thuhet se emri i saj ka dalë nga shtrembërimi i “Teheran”, kryeqyteti i Persisë. U bë kryeqyteti i Shqipërisë më 1920, atëherë kur Shqipëria rifitoi pavarësinë, fill pas Luftës Botërore. Parapëlqeheshin qytete të tjera si Shkodra dhe Korça, por kishin të metën se gjendeshin tepër afër kufijve, ku mund të ngjanin turbullira.

Kruja, kryeqyteti i Shqipërisë gjatë sundimit të Skënderbeut, është një vend shumë i bukur, i ndërtuar në faqe të një mali, prej nga shihet deti Adriatik. Për më shumë se një çerek shekulli, për hir të gjenisë ushtarake të Skënderbeut dhe të aftësisë së tij si burrë shteti, ajo u bë mburojë e krishterimit dhe e lirisë së Shqipërisë kundër pushtimit osman. Emri i Krujës rrjedh nga fjala shqipe “krua”. Pushtuesit e huaj i vunë një emër të ri qytetit (ndoshta sepse emri i vjetër u kujtonte atyre shumë ngjarje të palavdishme, kurse shqiptarëve shumë fitore të shkëlqyeshme) duke e quajtur Ak Hissar, që në gjuhën turke do të thotë “kështjellë e bardhë”.

Elbasani është një qytet me rëndësi historike, për faktin se u themelua nga turqit në shekullin e pesëmbëdhjetë (1466). Emri i tij i vërtetë është turk. Mehmeti i Dytë, pushtuesi i Kostandinopolit, e ndërtoi atë në fillim si një fortesë ushtarake dhe kështu ai qytet, që u krijua për shkatërrimin e të tjerëve, më vonë do të luante një rol me rëndësi për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Turke. Elbasani ka rëndësi edhe për pozitën e tij gjeografike buzë lumit të Shkumbinit, i cili merret si caku që ndan Gegërinë nga Toskëria. Thuhet se e folmja e Elbasanit është më e bukura e Shqipërisë dhe ndoshta për këtë arsye qeveria ka bërë përpjekje për ta ngritur si gjuhë të shkruar zyrtare të mbarë Shqipërisë. më 26 gusht të vitit 1908 në Elbasan u mbajt një kongres arsimor kombëtar, i cili vendosi themelimin e shkollës së parë normale në vend.

Të gjitha vendet që përmendëm më lart ndodhen në Shqipërinë e Mesme. Në Veri, i vetmi qytet që i përket Shqipërisë është Shkodra, që njihet nga të huajt më tepër me emrin venedikas Skutari. Ky është një vend i bukur dhe i lavdishëm, me një kala të ndërtuar që në periudhën para romake, me shtëpi të mira e kopshte, me një pazar piktores, me rrugë buzë liqenit, me kuvende katolike dhe xhami myslimane dhe me një histori të vjetër me ngjarje të stuhishme. Shkodra, e cila edhe sot është metropoli i Shqipërisë, ka qenë kryeqyteti i Ilirisë dhe një qendër e lulëzuar në shekullin e katërt para e.re. Nën sundimin e mbretit Bardhyl mbretëria arriti shtrirjen më të madhe, nga Triesteja në perëndim e deri te Gjiu i Artës në Jug. Livi e përmend Shkodrën, kur përshkruan luftërat me ilirët (229 dhe 219 p.e.re); kjo është një histori po aq aktuale sa dhe ajo e imperializmit evropian të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Piratët ilirë pengonin trafikun greko-romak në Adriatik dhe Roma dërgoi dy përfaqësues për t’u marrë vesh me mbretëreshën Teuta. Gjatë bisedimeve të dy palët e humbën gjakftohtësinë dhe si përfundim u vra njëri nga të dërguarit, ndërsa po kthehej në vendin e vet. Kjo ngjarje ishte një casus belli i mjaftueshëm për pushtimin e Ilirisë nga Roma.

Berati, qytet i jugut në brigjet e lumit Osum, po ashtu si Kruja në Veri, ka merituar admirimin e artistëve që e kanë vizituar. Qyteti është ndërtuar mbi faqet e dy maleve dhe emri i sotëm është një transformim i emrit të tij më të vjetër Beligrad (qytet i bardhë), që ia ngjitën pushtuesit serbë më 1345. Berati u qëndroi sulmeve të turqve për shumë vjet me radhë, por u pushtua më në fund në vitin 1405. Në përpjekje për ta shtënë në dorë përsëri, Skënderbeu pësoi disfatën më të rëndë gjatë gjithë karrierës së tij. Nën pushtuesit e huaj Berati u bë kryeqyteti i Shqipërisë së Jugut, i Toskërisë. Është me interes të kujtohet se Berati ka qenë vendlindja e Ptoleme Lagosit, birit të paligjshëm të Filipit të Maqedonisë, themeluesit të dinastisë egjiptiane të Ptolemejve, e cila zuri fill me vdekjen e Aleksandrit të Madh dhe u shua kur vdiq Kleopatra.

Më në jug ndodhet një vend tjetër, i cili është quajtur si qyteti më tërheqës i Shqipërisë. e kam fjalën për Gjirokastrën. Një vizitues anglez së bashku me të shoqen, na japin këtë përshkrim të vendit: “Mbasi kishim vizituar Tiranën, Elbasanin, Pogradecin, Korçën dhe Shkodrën, mbasi kishim parë më shumë se një qytet të Jugosllavisë, Gjirokastra na u duk diçka madhështore dhe krejt e veçantë. Nuk besoj të gjendet në botë një qytet i tillë si Gjirokastra. Ka shumë elemente të një qyteti përrallor. Pjesët më magjepsëse i shohim në banesat e qytetit. Mbi kodrina janë vendosur shtëpi trekatëshe me dhjetë dritare në ballin e përparmë, me pjesë anësore të zgjatura përjashta, me ballkone të çuditshme. Katet e sipërme të disa shtëpive të zotërinjve janë pikturuar me stema, lule, zbukurime të ndryshme. Në shumë raste shtyllat e holla të ballkoneve janë të gdhendura, tavanet e ballkoneve janë të praruara dhe të pikturuara, po ashtu si dhe qemerët dhe trarët mbajtës. Koha u jep këtyre një pamje lashtësie dhe dekadence njëheri. Kështu ju mund të formoni një ide për këtë qytet të çuditshëm. Mbi majën e një kodre, jo larg nga shpati i malit të zhveshur, ngrihet një manastir (teqe) i bardhë i bektashinjve, i rrethuar me qiparisa. Ky manastir (teqe) qëndron krejt i veçuar nga qyteti…”.9 Gjirokastra, e ndërtuar mbi rrënojat e qytetit të vjetër romak Hadrianopolis, thuhet se është themeluar nga Gjin Bua Shpata, një mbrojtës i flaktë i nacionalizmit shqiptar. Është kuptimplotë fakti që Gjirokastra, së bashku me Korçën, kanë qenë në krye të lëvizjes kombëtare të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Korça, në Jug të Shqipërisë, është qyteti më i përparuar nga pikëpamja kulturore dhe shikohet si djepi i lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës sonë. Korça është relativisht një qytet modern. Në vitin 1487 nuk kishte më shumë se pesë deri në pesëmbëdhjetë shtëpi, prandaj quhej edhe “Pesë shtëpi”. Qyteti u bë i rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur bijtë e Korçës emigruan në Rumani, Bullgari, Egjipt dhe Greqi. Në vitin 1881 shumë prej këtyre morën pjesë në themelimin e shoqërisë së parë shqiptare, “Drita” e Bukureshtit, që shtypte libra, të cilët dërgoheshin fshehurazi në Korçë. Këtu, për herë të parë në vitin 1886 u lejua për një kohë të shkurtër hapja e një shkolle në gjuhën shqipe. Në Korçë kishte selinë e vet edhe Shkolla Misionare Amerikane, ku nën mbrojtjen e flamurit amerikan, mësohej gjuha shqipe. Për shumë vjet me radhë, nën Perandorinë turke, Korça ishte qendër për pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut, sidomos për krahinën e Devollit. Korça lidhej me portin e Selanikut, ku zbarkoheshin manifakturat nga vendet e Evropës Perëndimore. Mbas Luftës Ballkanike të vitit 1912, kur Selaniku i mbeti Greqisë, Korçës i ra rëndësia ekonomike si qendër tregtare. Gjatë Luftës Botërore, kur qyteti ishte i zënë nga francezët, u hap në Korçë një lice frëng dhe ata që mbaronin këtë shkollë pranoheshin lirisht në universitetet e Francës. Mbas pushtimit italian gjuha frënge u zëvendësua me italishten.

Vlora, limani i dytë i Shqipërisë për nga madhësia, e lakmuar nga Italia që në kohën e Romës antike, ka një rëndësi të madhe historike për vendin, pse këtu, më 28 nëntor 1912, plaku Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht mbas katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjetësh nga dita kur Skënderbeu i pavdekshëm u zgjodh princ i Shqipërisë (më 1443). Pavarësia e Shqipërisë u shpall në orën katër pasdreke, para dyzet e shtatë përfaqësuesve, që kishin ardhur si të dërguar nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Flamuri i Skënderbeut valoi i lirë mbas afro pesë shekujsh tiranie turke.

Vlora është e përmendur për minierat e bitumit, që janë shfrytëzuar që në kohën e Romës e të Venedikut. Në vitin 1875 minierat kaluan në duart e një shoqërie angleze, më vonë i mori një koncern francez dhe në vitin 1922 iu shitën një firme italiane. Më 15 dhjetor 1914 Italia pushtoi Vlorën, por u detyrua ta braktisë nga lufta e popullit shqiptar më 17 gusht të vitit 1920; megjithatë Italia mban ende ishullin e Sazanit, që është një mburojë për qytetin.10

Referenca:

1. Kjo etimologji u propozua për herë të parë nga i ndjeri Profesor Gustav Majer (Meyer), gjuhëtar i njohur gjerman dhe dijetar me autoritet për gjuhën shqipe.
2. Paul Edmonds, To the Land of the Eagle (Në Vendin e Shqiponjave), Londër, 1927, fq.4.
3. Konica ka parasysh këtu Luftën e Parë Botërore, mbasi librin e ka shkruar para vitit 1939. (Shënim i botuesit anglisht).
4. Mbas Luftës së Dytë Botërore është shtuar në mënyrë të konsiderueshme rrjeti rrugor, duke përfshirë edhe një hekurudhë prej 81 miljesh, të ndërtuar më 1951, që lidh Durrësin me Tiranën dhe Elbasanin. Kjo hekurudhë, për çudi, ndjek plotësisht rrugën e vjetër romake Egnatia. (Shënim i botuesit në anglisht).
5. Herbert Louis, Albanien, Shuttgart, 1927, fq. 35.
6. J. C. Hobhouse, A. Journey throught Albania (Udhëtim nëpër Shqipëri), Londër, 1913, Vëll. I, fq. 137.
7. M. Edith Durham, Twenty Years of Balkan Tangle” (Njëzet vjet ngatërresa ballkanike), London, 1920, fq. 124.
8. Miss Edith Durham, në veprën e cituar më lart.
9. John Gordon, Cora J. Gordon, Two vagabonds in Albania” (Dy endacakë nëpër Shqipëri), Londër, 1927, fq. 152.
10. Ishulli i Sazanit iu kthye Shqipërisë me traktatin e paqes të vitit 1946 (Shënim i botuesit anglisht).


Pjesë nga libri ‘SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE’, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht Ferdinand Leka.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.