Etno-kombësia e një shenjtoreje moderne: një qasje ndërdisiplinore

0
330

JOURNAL OF BALKAN AND NEAR EASTERN STUDIES
REVISTË E STUDIMEVE TË BALLKANIT DHE E LINDJES SË AFËRT

RECENSË E LIBRIT

Përktheu Arben Çokaj

Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj, nga Gëzim Alpion, Birmingham, Bloomsbury, 2020, 350 f., 82,80 dollarë (eBook), ISBN 978-93-89165-06-7

Në veprat e tij të njëpasnjëshme për Nënë Terezën, Gezim Alpion ka promovuar me përpikëri një kuptim intelektual të figurës shpirtërore. Angazhimi i tij i stërzgjatur kritik me shenjtoren moderne, jetën dhe veprat e të cilit janë pretenduar nga biografë dhe hagiografë, jo vetëm që ka ndihmuar në historizimin e ikonës shpirtërore, por ka ofruar edhe një pasqyrë të re për kushtet që mundësojnë rritjen e këtij individi unik. Puna e mëparshme e Alpion, “Nënë Tereza: Shenjtore apo e famshme” (2006) ishte një rast studimi në menaxhimin e identitetit të korporatës së personazhit të famshëm fetar.

Libri aktual fokusohet në marrëdhënien e shtresuar dhe problematike midis shenjtores dhe kombit të saj dhe në mënyrën se si të dyja kontribuuan në karakterin e njëri-tjetrit. Pohimi i librit për prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës, pavarësisht nga ngurrimi i saj i vazhdueshëm ndaj një identifikimi të tillë, gjallëron një konflikt midis impulsit të identifikimit të Nënë Terezës me një kombësi ekskluzive dhe një transcendence shpirtërore të gjeografisë së krijuar nga njeriu, të quajtur kombi shqiptar. Rrjedhimisht, Alpion i qaset kësaj mosmarrëveshjeje të brendshme përmes këndvështrimeve të ndryshme historike dhe sociologjike, për të krijuar një kuadër teorik më të gjerë në kuptimin e ndriçimit shpirtëror, i cili shtjellohet në tre pjesë të lidhura.

Historia shqiptare luajti një rol kyç në shndërrimin e Gonxhe Agnes Bojaxhiut në Nënë Terezë. Prandaj, theksi i pjesës së parë, nuk është aq shumë tek Nënë Tereza, sa tek ngjarjet historike që formësuan identitetin e kontestuar katolik romak shqiptar, të cilat më vonë përforcuan impulset pas rezervave të përjetshme të Nënë Terezës kundër pohimit të përkatësisë etnike të saj. Ndërtimi i lidhjes midis fesë së vetë Nënë Terezës dhe asaj të komunitetit të saj bëhet kështu thelbësore në pjesën e parë të analizës së Alpion mbi imperativat shpirtërore që depërtuan në karakterin e saj, shpesh pa dijeninë e saj. Analiza e Alpion për negociatat e Nënë Terezës midis identitetit të saj shpirtëror dhe atij kombëtar janë të premisuara në historinë e katolicizmit romak në Shqipëri.

Kështu, rrëfimi del si një dokumentacion i përpjekjeve për të ruajtur besimin dhe përkatësinë etnike midis ithtarëve, fillimisht kundër pushtuesve barbarë dhe më pas kundër persekutimit të vazhdueshëm nga osmanët dhe autoritetet sllave. Gjendja e tyre kolektive u përkeqësua më tej nga indiferenca e pamëshirshme e Vatikanit ndaj vuajtjeve të tyre. Një nga propozimet kryesore këtu është se së bashku me represionet osmane dhe serbe, indiferenca e Vatikanit ndaj Shqipërisë kishte qenë gjithashtu instrumentale në minimin e rëndë të besimit katolik romak në rajon. Vlerësimi i ndikimit të kësaj trashëgimie komplekse etnike dhe kombëtare në themelin shpirtëror të Nënë Terezës është objektivi kryesor i tekstit të Alpion.

Ndërsa konflikti midis fesë dhe kombësisë bëhet një element formues i tekstit, Alpion përdor një qasje mikro-historike në pjesën e dytë për të paraqitur një rast studimor të përpjekjeve të dy familjeve për të ruajtur etninë e tyre shqiptare dhe besimin katolik romak. Alpion tregon sesi paraardhësit e Nënë Terezës, përmes migrimeve dhe përpjekjeve sipërmarrëse, arritën gradualisht, edhe pse shkurtimisht, një prosperitet dhe pasuri relative, siç dokumentohet në vitet e tyre të Shkupit. Fakti që etno-nacionaliteti i Nënë Terezës u bë burim ankthi në adoleshencën e saj, është një fakt që vërtetohet më tej nga Alpion në analizën e tij për efektet tragjike që pati në familjen e saj dhe përgjigjet që ato ngjarje nxorrën prej saj në faza të ndryshme të jetës së saj në Shkup.

Ajo që është veçanërisht e shquar këtu është se Alpion përshkon domenin relativisht më pak të eksploruar të prejardhjes së Nënë Terezës, si nga babai ashtu edhe nga nëna, dhe përfshin në analizën e tij, anëtarët e familjes që deri më tani ishin lënë jashtë fushës së studimeve shkencore të kryera ndaj saj. Prandaj, hetimi na mundëson të përafrojmë nga afër impulset private të murgeshës, që u nxitën nga anëtarët e afërt të familja e saj në faza të ndryshme të jetës së saj të hershme dhe ndikoi në personalitetin e saj, i cili është fokusi i pjesës së tretë.

Fillimi i saj në Misionin Loreto në Kalkuta që pasoi zhgënjimin e saj përfundimtar me kombin e saj erdhi me diskriminim dhe viktimizimin e vazhdueshëm, në karrierën e saj të hershme misionare në Indi. Trajtimi i saj nga eprorët në Misionin Loreto nënvizoi racizmin institucional që kushtëzoi funksionimin e misionarëve të krishterë në epokën koloniale. Vendosmëria e saj për të shkëputur rrënjët e saj etno-kombëtare, e provokuar kryesisht nga intriga e hapur politike pas vdekjes së dhimbshme të babait të saj, doli të ishte e papajtueshme me hierarkinë e rreptë racore brenda Misionit Loreto, e cila gradualisht kontribuoi në vendimin e saj për të ndarë rrugët dhe për të krijuar urdhërin e saj. Diskriminimet me të cilat u përball, veçanërisht gjatë viteve të Loretos, më pas e motivuan atë për të kapërcyer kufijtë racor, të cilët e udhëhoqën dukshëm vizionin e saj për të eksperimentuar me një spiritualitet transcendental.

Pjesa e tretë sugjeron gjithashtu se, megjithëse në vitet pas krijimit të Misionareve të Bamirësisë, marrëdhënia midis Nënë Terezës dhe Vatikanit ishte forcuar për disa arsye pragmatike, nuk kishte pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikën e Vatikanit ndaj Shqipërisë. Po aq i rëndësishëm në këtë pjesë është edhe përgënjeshtrimi i Alpion ndaj tendencës së kohëve të fundit për t’i atribuar në mënyrë jokritike një lloj patriotizmi imazhit të Nënë Terezës, i ngjashëm me atë të Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar të shekullit të 15-të. Teksti sugjeron se pavarësisht përpjekjeve të saj të përsëritura për një pajtim me kombin e saj, kombësia e saj mbeti një anomali e përhershme në kontekstin e kërkimit të saj shpirtëror.

Duke marrë parasysh pasurinë e dëshmive të reja historike që nxjerr në dritë libri, domosdoshmëria e këtij studimi është evidente në pohimin e tij se besimet dhe veprimet e Nënë Terezës jo thjesht dolën nga një konstitucion i lindur shpirtëror, por ishin gjithashtu një përgjigje individuale ndaj krizave që u lehtësuan nga historia e kombit të saj. Jeta e saj pasqyronte shumë sprova dhe mundime që ishin të zakonshme për njerëzit e komunitetit të saj.

Rrëfimi i Alpion është i ndërthurur me detaje gjenealogjike dhe biografike të jetës së Nënë Terezës, të cilat shpesh anashkalohen nga biografët dhe hagiografët – intimiteti i saj, marrëdhëniet me nënën, vëllezërit e motrat, kushërirën Filomena dhe lidhjen e veçantë me babain e saj, duke gjetur sjellje specifike dhe motivet psikologjike që qëndrojnë pas spiritualitetit të saj. Ajo bazohet qartë në gëzimet, zhgënjimet, prirjet fetare, marrëdhënien e saj të ndërlikuar por ngushëlluese me Jezusin dhe një luftë të vazhdueshme për të kuptuar Hyjninë. Ky libër pionier i jep shenjtores moderne një histori njerëzore.

Arnab Das
Instituti Indian i Teknologjisë, Madras
arnab.das911@gmail.com

© 2022 Arnab Das
https://doi.org/10.1080/19448953.2022.2129328

Recensa e librit në në origjinal, PDF: Review-of-Mother-Teresa-The-Saint-and-Her-Nation-Journal-of-Balkan-and-Near-Eastern-Studies.pdf

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.