30.8 C
Tirana
E enjte, 2 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën me shtatoren e sponsorizuar nga Marjan dhe...

Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën me shtatoren e sponsorizuar nga Marjan dhe Ilir Cubi nga Nju-Jorku

0

Lekë Mrijaj Shkruan: Lekë Mrijaj

Sot në Klinë, në një atmosferë solemne, përkujtimore dhe qytetare, u zbulua shtatorja e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe figurës qendrore të rrugëtimit politik të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit demokratik. Ceremonia e sotme solemne u mbajt me rastin e 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rugova”, në dalje të qytetit të Klinës, në rrugën për Skenderaj. Ky aktivitet përurues u organizua nën përkujdesjen e Komunës së Klinës dhe kryetarit të saj, Prof. Dr. Zenun Elezaj, duke mbledhur qytetarë të shumtë, përfaqësues të institucioneve, personalitete politike e publike, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave. Ngjarja u hap nën moderimin e Shqipe Deskut, moderatore e Radio Alba në Klinë, e cila i dha ceremonisë një rrjedhë dinjitoze, të matur dhe në përputhje me karakterin solemn të kësaj dite.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ukë Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe biri i Presidentit Historik, Vjosa Osmani-Sadriu, ish-kryeministrat Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj, Sali Cacaj, ish-këshilltar i Presidentit Rugova, përfaqësues institucionalë shtetërorë e lokalë, familjarë të Presidentit Rugova, qytetarë të Klinës dhe veprimtarë të shumtë nga Kosova e mërgata. Prania e tyre i dha kësaj ngjarjeje peshë institucionale, historike dhe kombëtare.

Në vazhdim të ceremonisë, me fjalë rasti u paraqitën kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari i Komunës, Fadil Gashi, si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Në fjalimet e tyre, ata evokuan me respekt jetën, veprën dhe trashëgiminë politike e kombëtare të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si arkitekt të lëvizjes paqësore, prijës të urtisë politike dhe simbol të shtetformimit demokratik të Kosovës. Folësit theksuan se Dr. Ibrahim Rugova, në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë kombëtare, diti ta orientojë popullin e Kosovës drejt një rruge të mençur, të dinjitetshme dhe euroatlantike. Me vizionin e tij të qartë politik, me besimin e palëkundur në liri, pavarësi dhe demokraci, ai ndërtoi themelet e rezistencës institucionale, duke e ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duke e bërë zërin e popullit të saj të dëgjohej në qendrat më të rëndësishme të diplomacisë botërore. Në fjalimet e rastit u nënvizua edhe rëndësia historike e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, si një nga aktet më të guximshme politike dhe juridike të përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Ky akt, siç u theksua, ishte një gur themeli në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë, sepse shprehu qartë vullnetin politik të Kosovës për liri, barazi dhe shtetësi.

Në këtë kontekst, figura e Dr. Rugovës u vlerësua si mishërim i këtij vizioni historik, që më vonë do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, u rikujtua se Rugova nuk ishte vetëm udhëheqës politik, por edhe intelektual, humanist dhe njeri i kulturës, i cili politikën e shihte si mision shërbimi ndaj popullit. Ai besonte në forcën e fjalës, në fuqinë e durimit, në kulturën e dialogut dhe në mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Me këtë filozofi, krijoi një model të veçantë lidershipi shqiptar, të mbështetur në paqe, urtësi, dinjitet dhe orientim të qartë perëndimor. Një vend i veçantë në këto fjalime iu kushtua edhe mbështetjes madhore të Marjan dhe Ilir Cubit nga Nju-Jorku, të cilët me përkushtim atdhetar dhe bujari të lartë financiare e shpirtërore mundësuan realizimin e kësaj vepre përkujtimore. U theksua se ky kontribut nuk është vetëm ndihmë materiale, por akt i lartë nderimi ndaj figurës së Presidentit Rugova dhe dëshmi e lidhjes së fuqishme të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë ishte fjala e Ilir Cubit, ssponsor I tërësishëm i projektit të shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës. Në emër të tij dhe të familjes Cubi, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ditë të veçantë dhe e cilësoi përurimin e shtatores si nderim të përjetshëm për Presidentin Historik të Kosovës. Në fjalën e tij, Ilir Cubi theksoi se Dr. Ibrahim Rugova u përjetësua në Klinën kreshnike e historike si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tij madhështore në shërbim të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Ai e vlerësoi Presidentin Rugova si një nga figurat më të mëdha të historisë moderne kombëtare, burrë shteti me vizion të rrallë dhe udhëheqës që e ngriti çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë popullit shpresë në kohët më të vështira. Ilir Cubi nënvizoi se Dr. Rugova ishte personalitet i veçantë si njeri, politikan, ideolog dhe filozof.

Me urtësi, mençuri, vizion dhe përkushtim të palëkundur, ai e udhëhoqi popullin e Kosovës në njërën nga periudhat më të rënda të historisë, duke ndërtuar rezistencën paqësore dhe duke mbajtur gjallë idealin e lirisë. Duke folur për kuptimin e kësaj vepre, Cubi u shpreh se shtatorja e zbuluar në Klinë nuk është thjesht një vepër arti e punuar në bronz, por simbol i një epoke, i qëndresës paqësore, i besimit në liri, demokraci dhe pavarësi. Sipas tij, ajo përfaqëson vizionin e Presidentit Rugova për një Kosovë të lirë, demokratike, të integruar në familjen euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh dhe garantuesin e paqes, sigurisë dhe lirisë së Kosovës.

Në një pjesë emocionale të fjalës së tij, Ilir Cubi tha se është dardan i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ndihet jashtëzakonisht me fat që pati privilegjin ta njihte nga afër Presidentin Rugova, ta shoqëronte, ta priste dhe ta përcillte gjatë vizitave të tij diplomatike e patriotike në Amerikë. Këtë privilegj, siç theksoi ai, e kishte pasur së bashku me babain e tij, Marjan Cubi, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së LDK-së për New York, New Jersey dhe Connecticut. Ai e cilësoi si krenari të madhe faktin që është biri i një burri që pati fatin të ishte mik i afërt i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Këtë trashëgimi morale, u shpreh ai, do ta mbajë me nder gjatë gjithë jetës. Fjalën e tij e përmbylli me bekimin: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën. Dhe Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.”

Pas fjalës së sponsorizuesit Ilir Marjan Cubit, të pranishmëve iu drejtua edhe skulptori ekselent, prof. Burim Berisha, autor i shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës, i cili foli për realizimin artistik të kësaj vepre, për domethënien e saj në hapësirën publike të Klinës dhe për kontributin e Marjan dhe Ilir Cubit, falë të cilëve kjo shtatore u bë realitet. Paraqitja e tij i dha ceremonisë një dimension artistik dhe krijues, duke e lidhur monumentin me kujtesën historike që ai përfaqëson.

Ceremonia u pasurua edhe me një pikë tjetër artistike nga sopranoja Eliona Sadiku, e cila me interpretimin e saj i dha kësaj dite një frymë të veçantë emocionale, kulturore dhe solemne. Pjesa artistike u prit me respekt nga të pranishmit dhe u bë pjesë e harmonisë së përgjithshme të ngjarjes.

Në fund të ceremonisë u bë akti solemn i zbulimit të shtatores së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Zbulimin e saj e bënë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari Fadil Gashi, Ukë Rugova, Vjosa Osmani-Sadriu, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, sponsorizuesit dhe veprimtarët e kauzës kombëtare, Marjan Cubi dhe Ilir Cubi. Ky moment u përcoll me emocion, duartrokitje dhe respekt të thellë nga qytetarët e pranishëm, duke shënuar kulmin e kësaj dite përkujtimore.

Vlen të thuhet se vendosja e këtij monumenti në Klinë nuk përfaqësoi vetëm një akt përurimi, por edhe një moment të rëndësishëm të kujtesës historike, institucionale dhe kombëtare. Me këtë vepër përkujtimore, qyteti i dha hapësirës së tij publike një simbol të përhershëm të paqes, urtisë politike, qëndresës qytetare dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Në këtë ditë, Klina u shndërrua në vendtakim të historisë, mirënjohjes dhe respektit për një udhëheqës që, në kohët më të vështira për popullin e vet, zgjodhi rrugën e mençurisë, dialogut dhe diplomacisë ndërkombëtare. Njëkohësisht Data e 2 Korrikut i dha ceremonisë një kuptim të veçantë historik. Deklarata Kushtetuese e vitit 1990 mbetet një nga aktet më të rëndësishme politike të shqiptarëve të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë. Ajo shprehu vullnetin e një populli për të jetuar i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në tokën e vet. Pikërisht në këtë kontekst, zbulimi i monumentit të Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë e lidhi kujtesën e kësaj date me figurën e njeriut që i dha Kosovës drejtim politik, zë ndërkombëtar dhe vizion shtetformues.

Dr. Ibrahim Rugova mbeti në historinë shqiptare si prijësi i një filozofie politike të veçantë, ku urtia nuk ishte dobësi, por forcë morale; ku durimi nuk ishte dorëzim, por strategji; ku fjala nuk ishte vetëm komunikim, por instrument i lirisë. Në periudhat e rënda të shtypjes, kur Kosova përballej me represion, diskriminim dhe mohim të të drejtave themelore, ai e ndërtoi qëndresën qytetare si projekt politik dhe e ngriti çështjen e vendit në ndërgjegjen e botës demokratike. Prandaj, kjo vepër nuk u vendos vetëm për të përkujtuar një emër, por për të nderuar një epokë të tërë të historisë së Kosovës. Pra, krahas nderimit për Presidentin Historik, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe donatorëve, z. Marjan Gjergj Cubi dhe birit të tij, z. Ilir Cubi, shqiptaro-amerikanë me rrënjë nga Drenoci i Klinës. Mbështetja e tyre për ngritjen e shtatores u vlerësua si akt fisnik, atdhetar dhe i qëndrueshëm, i cili dëshmoi lidhjen e thellë të mërgatës shqiptare me vendlindjen, kujtesën historike dhe vlerat kombëtare që përfaqëson figura e Dr. Rugovës.

Ky donacion nuk ishte veprim i shkëputur, por vazhdimësi e një tradite të gjatë veprimtarie kombëtare dhe humanitare. Marjan Cubi, patriot dhe humanist i shquar, me lidhje nga Klina e Republikës së Kosovës, u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1974. Që nga ajo kohë, ai u bë pjesë aktive e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një nga veprimtarët e përkushtuar të çështjes kombëtare. Mërgimin nuk e pa si shkëputje nga atdheu, por si mundësi për t’i shërbyer më fuqishëm Kosovës dhe çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në jetën komunitare të shqiptarëve të Amerikës, Marjan Cubi, së bashku me familjen e tij, u dallua për angazhimin kulturor, kombëtar, humanitar dhe kishtar.

Ai ishte drejtues i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork, një qendër e rëndësishme për ruajtjen e identitetit shqiptar, bashkimin e komunitetit dhe kultivimin e vlerave kombëtare e shpirtërore. Po ashtu, ishte anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës, e cila ndër dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare. Në vitet e rënda për Kosovën, Marjan Cubi u angazhua fuqishëm në organizimin e demonstratave në Amerikë. Ai i përkiste brezit të mërgatës shqiptaro-amerikane që ngriti zërin kundër represionit serb, sensibilizoi opinionin amerikan dhe kërkoi mbështetjen e institucioneve më të larta të Shteteve të Bashkuara për lirinë e Kosovës.

Përmes takimeve, organizimeve dhe kontakteve me miq amerikanë të çështjes shqiptare, kontribuoi në çuarjen e zërit të popullit të tij deri në Capitol Hill dhe në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë rrugëtim, ai ishte pjesë e përpjekjeve të diasporës për të ndërtuar ura komunikimi me kongresmenë, senatorë dhe personalitete të politikës amerikane. Në kujtesën e kësaj veprimtarie përmenden edhe kontaktet me figura të rëndësishme amerikane, përfshirë Presidentin Bill Clinton dhe kongresistin e njohur mik të shqiptarëve, Eliot Engel. Këto përpjekje kishin një qëllim të qartë historik: ndërprerjen e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, çlirimin e vendit nga regjimi serb dhe përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s. Veprimtaria e Marjan Cubit nuk u kufizua vetëm në fushën politike. Ai dha ndihmesë të rëndësishme edhe në fushën humanitare, kulturore dhe shpirtërore.

Një nga angazhimet më të njohura të tij ishte roli si Kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ky projekt kishte rëndësi të madhe jo vetëm fetare, por edhe kulturore e kombëtare, sepse katedralja u bë një nga simbolet më të njohura të Kosovës së pasluftës dhe dëshmi e pranisë së vlerave shpirtërore, humane dhe qytetëruese në zemër të Prishtinës. Në këtë angazhim ishte e përfshirë edhe familja e Marjan Cubit, veçanërisht biri i tij, Iliri, i cili e vazhdoi rrugën e të atit me përkushtim dhe ndjenjë të lartë atdhetare. Ilir Cubi u dëshmua si veprimtar në gjurmët e babait të tij, duke mbështetur nisma që lidhen me kujtesën kombëtare, projektet me rëndësi publike dhe ruajtjen e lidhjes së mërgatës shqiptaro-amerikane me Kosovën.

Në këtë mënyrë, kontributi i familjes Cubi nuk mbeti vetëm akt individual, por u shndërrua në trashëgimi familjare dhe në shembull të vazhdimësisë së atdhedashurisë shqiptare. Donacioni për monumentin e Dr. Ibrahim Rugovës në Klinë u kuptua si kulmim i një rrugëtimi të gjatë veprimtarie. Ai lidhi në një pikë të vetme Presidentin Historik të Kosovës, mërgatën shqiptaro-amerikane, qytetin e Klinës, Drenocin dhe kujtesën kombëtare. Në këtë akt u bashkuan historia politike e vendit, roli i diasporës dhe mirënjohja qytetare për njeriun që u bë simbol i lirisë, paqes dhe shtetësisë. Shtatorja e Dr. Rugovës do të qëndrojë në Klinë si dëshmi e një kohe kur Kosova, edhe pse nën shtypje, nuk e humbi besimin në liri.

Ajo do t’u flasë brezave për një udhëheqës që besoi në forcën e fjalës, dinjitetin njerëzor, kulturën politike dhe miqësinë e përhershme me botën perëndimore. Ajo do të kujtojë se liria nuk erdhi rastësisht, por përmes sakrificës, qëndresës, organizimit institucional, diplomacisë, ndihmës së miqve ndërkombëtarë dhe përkushtimit të pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptare. Me zbulimin e kësaj vepre përkujtimore, Klina nderoi Dr. Ibrahim Rugovën, por njëkohësisht edhe 2 Korrikun, kujtesën shtetërore të Kosovës dhe të gjithë ata që punuan për lirinë e vendit. Në këtë ditë, qyteti e vendosi në zemrën e tij një simbol që i përket historisë mbarëkombëtare.

Bronzi i shtatores nuk foli vetëm për një portret, por për një epokë; nuk shënoi vetëm një emër, por një rrugë; nuk përfaqësoi vetëm një kujtim, por edhe një amanet për brezat që vijnë. Kjo ditë mbeti një faqe e veçantë në kronikën qytetare të Klinës. Ajo bashkoi institucionet, qytetarët, mërgatën dhe kujtesën historike në një akt të përbashkët nderimi. Në figurën e Dr. Ibrahim Rugovës u nderua Presidenti Historik, arkitekti politik i Kosovës së pavarur dhe simboli i urtisë shtetformuese. Në mbështetjen e Marjan Gjergj Cubit dhe Ilir Marjan Cubit u vlerësua mërgata shqiptaro-amerikane, e cila për dekada ishte zëri, mbështetja dhe ndërgjegjja e Kosovës në botën demokratike.

Në Klinë, më 2 korrik 2026, u nderua historia, shtetësia, Presidenti Rugova dhe diaspora shqiptare, e cila kurrë nuk e harroi atdheun. Shtatorja e tij do të mbetet aty si shenjë e përhershme e lirisë, paqes, kujtesës dhe mirënjohjes kombëtare.

Lavdi veprës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Mirënjohje e përhershme për Marjan Gjergj Cubin dhe Ilir Marjan Cubin, për kontributin e tyre fisnik, atdhetar dhe historik në ngritjen e shtatores së Presidentit Historik në Klinë.

Urime, Klinë! Urime, Republika e Kosovës!

Klinë, më 2 Korrik 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.