Kandidaturat  e Shqipërisë dhe Serbisë në UEFA, për Organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit U – 21, aktualizojnë idenë kryeneçe të Vuçiqit dhe Ramës, për të ashtuquajturin “Open  Ballkan”

0
115
Arif Ejupi - gazetar

Federata Shqiptare e Futbollit e drejtuar tash sa vite nga z. Armando Duka, dyshohej  se kaherë ishte e politizuar.

Këto dyshime u ringjallën gjatë këtyre ditëve kur Shqipëria në kandidaturë të përbashkët me Serbinë, konkurroi në UEFA, për organizimin e Kampionatit  Evropian të Futbollit ,për grupmoshat U – 21, që do të mbahet më 2027.

Ky veprim skandaloz dhe i papërgjegjshëm i Federatës  së Futbollit të Shqipërisë, ka zemëruar  jashtëmase shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë  së Veriut dhe Kosovës lindore.

Udhëheqësit e Federatës  së Futbollit Shqiptar, si mund ta bëjnë një turp  të tillë, kur e dinë fare mirë  që Serbia, në prezencë të forcave ndërkombëtare çdo ditë tenton ta destabilizoj Kosovën.

Ajo me sulme tipike terroriste sulmoi  dhe vrau në Mitrovicën e Veriut, eprorët  dhe pjesëtarët  e Policisë  së Kosovës.

Serbia  tash  25 vite  i mban të traumatizuara dhe në ankth mijëra familje shqiptare të Kosovës, duke mos ua kthyer  eshtrat  e djemve  dhe vajzave  të tyre të masakruar nga policë e ushtarë kriminelë të saj.

Dramën tragjike të mbi 20 mijë grave dhe motrave tona të dhunuara nga kriminelët serbë, publicistia   dhe shkrimtarja zvicerane  Marie – Therese Bouchardy, e përshkruan me këto fjalë “Me fuqinë e tyre ato duhet të shqetësojnë  netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera  tmerri, të atyre  grave të dhunuara e të atyre fëmijëve të lindur  nga ato akte makabër”

Kurse dukët  dhe dudukët e Tiranës, shtiren  sikur të mos ketë ndodhur asgjë në Kosovë.

Ata harrojnë kur serbët rrezikuan jetët  e futbollistëve  shqiptarë në ndeshjen Serbi – Shqipëri të vlefshme  për evropianin “Franca 2016”

Në këtë ngjarje  të pakëndshme  fytyrën na pati zbardhur  futbollisti shqiptar Lorik Agim Cana, me origjinë nga Gjakova.

Ai në stil gladiatorësh  romakë e pati zhdëpur me grushte dhe shqelma  huliganin  Ivan Bogdanoviq, organizator i këtyre grupeve huliganësh.

Bogdanoviq ishte  ai që në ndeshjen Itali – Serbi të zhvilluar në Gjenova e pati djegur dhe përdhosur Flamurin shqiptar.

Vojsllav Sheshel dhe Tomisllav  Nikoliq, atëkohë kryetar  i Serbisë, zbatues të përpiktë të  ideve të kryeçetnikut  monstruoz Drazha Mihaloviq, derisa mbi futbollistët shqiptarë huliganët serbë përplasin  karrige  e gjësende të forta  zgërdhiheshin sikur prostituta.

Në këtë turp të tyre hise kishte edhe UEFA. As atëherë  e as sot  këtë marrëzi  të saj nuk e lanë as  Danubi.

Udhëheqësit  e UEFA-s, nga kjo ngjarje  e shëmtuar  duhet të kenë mësuar shumë.

Prandaj, shpresojmë që ata kësaj radhe do të jenë vigjilentë. Kandidatura e Serbisë patjetër duhet të refuzohet pa arritur  ende në tryezat e këtij institucioni  të lartë të futbollit evropian.

Ashiqare vërehet se pjesë e kësaj loje të ndytë janë Edi Rama, kryeministër  i Shqipërisë  dhe Aleksandër  Vuçiq, kryetar i Serbisë.

Shqipëria  me mungesë të stadiumeve kërkesën për një organizim të tillë ka mundur ta bëjnë me fqinjët e saj të parë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ose edhe me Greqinë .

Kur edhe sporti politizohet në këtë shkallë shpresat  për stabilitet dhe qetësi  në këtë pjesë të Evropës Juglindore, janë gjithnjë e më të vogla.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.