HOXHA ME KËSULËN E BARDHË TË BAJRAM CURRIT

0
287
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Fatkeqёsisht, pas kёsulёs sё bardhё, ngjyrave tё flamurit kuqezi, historikisht nё shumё raste janё fshehur spiunёt. Edhe ata pak patriotё qё i kemi patur me kёsula tё bardha nё kokё e ngjyra kuqezi, na i kanё marrё nё qafё halldupёt e Baba Dovletit. E mё vonё edhe argatёt besnik tё komunizmit. Kohёn e fundit edhe partizanёt e partive politike “demokratike” shqiptare.

E mos tё flasim pёr kёsulat – lecka tё zeza, tё bardha e fesat e kuq tё turkut, qё edhe sot e kёsaj dite i shohim sesi shёtiten nё rrugё, nёpёr Qytet. Nuk kanё asgjё tё pёrbashkёt me kёsulat e bardha shqiptare. Shkaku, edhe: pse, nuk do tё merrem nё kёtё shkrim me kёto kёsula tё halldupit. E them kёtё se: vetё e kam parё me sy dhe e kam njohur mirё njё hoxhё patriot shqiptar Nazim Hoxha, qё nё vend tё çallmёs turkut, nё kokё gjithё jetёn deri në vdekje e ka mbajtur me krenari kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit.

Shqiptarёve u duhen hoxhallarё tё kёtij niveli patriotik, qё kanё pi ujё dhe kanё hёngёr bukё me Asdrenin. Hoxha nё fjalё ka punuar nё Rumuni kokё mё kokё me patriotёt e atjeshёm rilindas shqiptar. Shkaku i kёtij Hoxhe patriot, Asdreni në atë kohë edhe e ka vizitur Kёrçovёn, fshatin e Hoxhёs me kësulë tëbardhë.

E kush ishte Asdreni? Poet dhe patriot shqiptar, qё punonte, vepronte dhe jetonte me shokё tё penёs dhe mёndjes nё Rumuni. Autor i Himnit tё flamurit kombёtar. Ende i mbaj mend vargjet e tij kushtuar Kosovёs. Vjershё qё nё atё kohё, pas Luftёs sё Dytё Botёrore tek ne nxёnёsist e shkollёs fillore qarkullonte dorё mё dorё. Dihet, në libra tё kёndimit me tё cilёt kishte mёsuar im vёlla, kohën e ministrit të arsimit Ernest Koliqi. Dhe, ja tashti mё kishin rёnё nё duar mua si fillestar qё posa i mёsoja shkronajat e gjuhёs shqipe.

E qartё, nuk i kishim nё shkollё ato libra: Kёndimet e para nё plan – programet shkollore, po ja fati im qё mua mё kishin rёnё nё dorё. Mes atyre faqeve pёr herё tё parё jam takuar me Niamin, Fishtёn, Asdrenin, Çajupin, Ndre Mjedёn, Filip Shirokёn, Luigj Gurakuqin, Hil Mosin, Ali Asllanin, Vaso Pashёn, Fan Nolin… Dhe, Prej Shkёndisё, njё pseudonim i asaj kohe nё Librat e kёndimit. Qё, unё si shkrimtar edhe sot e kёsaj dite nuk e di se, kush ёshtё fshehur pas atij pseudonimi letrar.

Kurrё, nuk mund t’i harroj edhe vargjet e Asdrenit kushtuar Kosovёs. Vjershё tё cilёn unё mё vonё gjatë sistemit komunist jugosllav mё kot e kam kёrkuar nёpёr libra, qoftё nё kompletin e veprave të Asdrenit, qё i botoi “Rilindja” nёn pёrkujdesjen e Rexhep Qoses. E, as nёpёr libra e pёrzgjedhje qё botoheshin mё vonё nё Prishtinё. Vjersha, vёretetё ishte e fuqishme pёr Kosovёn. Vargje tё cilёt unё nё atё kohё si fёmijё, nёn hijen e Lisit tё midis livadhit i lexoja me zё, mes shelgjeve. Ende, pas pesëdhjetё vjetёve i kam nё kokё.

Unё, qё e pranoj publikisht se, gjatё shkollimit tim nё Kёrçovё, Shkup e Prishtinё, e kam patur problem si tip logjik e jo akustik t’i mёsoj vjershat e poetёve pёrmendёsh dhe tё nesёrmen t’i recitoj para mёsuesit. Vetёm se ja, disa vargje tё kёsaj vjershe, qё kurrё nuk mund t’i harroj, nuk mё hiqen nga mendja:

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!
……………………………………..

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!
……………………………………………..

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek

Me nder n’luftë me dek!

Lexuesi i nderuar tё mё falё pёr gabimet teknike, ose ndonjё fjalё qё mund ta kem harruar pas njё kohe kaq tё gjatё pesёdhjetё vjeçare. Shkaku se; ajo vjershё pas asaj kohe mё kurrё nuk mё ka rёnё nё dorё. E ka pasur edhe vargje tё tjerё e strofa. Bastisjet e shpeshta tё shtёpive nё atё kohё kanё qenё tё herё pas hershme, mos them tё pёrditshme. Frika, qё mos tё na i gjejnё ato libra nё shtёpi, nuk e di se kush dhe ku i arratisi si “libra tё rrezikshёm”.

Edhe sot e kёsaj dite i kam tё freskёta fjalёt dhe veprimet e atij patrioti shqiptar qё kishte kaluar kohё kokё mё kokё me Asdrenin. Rrugёt e tia patriotike katund mё katund, ku shёrbente edhe si hoxhё. E donin tё gjithё: edhe fёmijёt, edhe fshatarёt. Fjalё miradije dёgjoje kudo pёr kёtё hoxhё dhe nё Strugё, edhe nё Kёrçovё, ku punoi me nderё gjithё jetёn si hoxhё. Mё kujtohet njё rast, kur erdhi edhe tek ne nё shtёpi, nё Katund.

E kishte sjellё rruga atypari duke u kthyer nga njё fshat tjetёr malor. Fёmijё kam qenё atёherё, posa i bёja hapat e parё nё shkollё fillore. Nusja e vёllait, kur e pyeti sipas zakonit: Hoxhё efendi, a do njё kafe? E ai iu pёrgjigjё plumb: po, vetёm pas buke. Vёllai e kuptoi aty pёr aty pёrgjigjen e hoxhёs. I tha sё shoqesh: grua, vrik shtroje sofrёn, vёndoi bukё hoxhёs se vjen nga rruga!

Ende nuk mund ta harroj dot edhe kёtё histori: njё fshatar qё kishte shkuar te hoxha t’i bёjё hajmali lopёs, shkaku se kishte shterё, nuk kishte tëmbёl. E dini si iu pёrgjigjё hoxha?! Jo, nuk e dini. I tha fshatarit, qё me paratё e hajmalisё qё kishte vendosur t’i jepte hoxhёs, t’i blente njё thes krunde pёr lopёn. Dhe, pas njё jave tё vinte prapё te hoxha t’i rrёfente, a kishte lopa tambёl ta mbushё kusinё, apo jo, atёherё do t’i bёnte një hajmali.

Njё rast tjetёr, kur e pyet njё fshatar nё xhami: hoxha efendi, jemi nё muajin e ramazanit. E unё me gomarёt kam shkuar pёr dru. Nё mal bёnё vapё e madhe. Aty pari gurgullon njё gurrё me ujё si loti. E mua mё ka kapluar etja, mё pihet ujё. A ёshtё “haram” tё prishet “Ramazani” tё pijё pak ujё? Jo, i pёrgjigjet hoxha. Nuk ёshtё “haram”. Tekefundit, ёshtё edhe “sevapё” tё pish ujё nё mes tё malit. E rëndësishme është, familjes dhe fёmijёve t’u dёrgosh dru nё shtёpi pёr dimёr.

Kёshillёn e Hoxhёs me kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit, njё ditё prej ditёsh e dёgjon edhe Hoxhë Qeshafi, hoxhё me shumё autoritet pёr myslimanёt nё rrethin e Kёrçovёs. E pyet njё besimtar nga xhemati nё xhami: hoxha efendi, ndodhem nё mal duke pre dru nё muajin e “Ramazanit”. Vapё e madhe. Papritmas, mё kaplon etja, mё pihet ujё. Para meje gurgullon burimi me ujё tё ftohtё akull. A ёshtё “haram” tё pij ujё? Po, i pёrgjigjet shkurt, Hoxhë Qeshafi. Nuk prishet agjёrimi nё “Ramazan”, ёshtё “haram”. E Hoxha i Kёrçovёs me kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit u ka thёnё nё xhami xhematit se ka edhe pёrjashtime, mund tё pini ujё, nuk ёshtё “haram”. Mos e dёgjoni çka thotё atё “qafir”, ai ёshtё hoxhё Rumunie e nuk ёshtё hoxhё Turkie!

Dhe, pas njё kohe, njё ditё Hoxhë Qeshafi e takon nё rrugё Hoxhёn me kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit. E ndal nё mes tё rrugёs. Plot inatё i sulet me fjalёt: pse bre hoxhё i ke thёnё njё besimtari tё pij ujё nё “Ramazan” se, nuk prishet agjёrimi?!

Epo, si ёshtё sipas teje mё “haram”, hoxha efendi?! Fshatari, qё ka shkuar nё mal pёr dru, tё pijё ujё dhe t’i sjellё drutё nё shtёpi pёr fёmijёt e familjen për dimër, apo tё mbajё “Ramazan” e tё vdes pёr ujё nё mal?!

Hoxhë Qeshafi mbeti pa fjalё, e uli kokёn. E pa se kishte tё bёnte punё me Hoxhёn e Çelvjollcёs. Patriotin, qё nё vend tё çallmёs mbante nё kokё kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit. Burrin, qё kishte pi ujё e ngrёnё bukё kokё mё kokё me rilindasёt shqiptar nё Rumuni…

Shtriganёt e “Allahut” me çallmat e halldupit nё kokё, kur e takonin nё xhami ose rrugё, shpeshёherё edhe e ngacmonin me fjalё Hoxhёn e Çelvjollcёs me kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit nё kokё: Ehu, bre Hoxhё efendi, si e dhatё mbesёn te njeriu qё vishet kёmbё e kokё nё tё zeza?! Pёrmёtepёr, mbanё edhe shapkё tё zezё nё kokё. Gunёn e zezё deri nё fund tё kёmbёve. Flokët e gjata si grua pas shpine. Kulminacioni, edhe mjekёr tё zezё.

Hoxha i Çelvjollcёs me kёsulёn e bardhё tё Bajram Currit nё kokё, pasi buzёqeshte, u pёrgjigjej me ironi: kur ka qenё i ri edhe Muhamedi a. s. ka mbajtur mjekёr… Gra… Edhe, ka pi shirrë… Shkaku, se: rakia ende nuk ka qenë e zbuluar si pije “hallall”.

Hoxha i Çelvjollcёs, mё ktheu prapa pesёdhjetё vjet, nё kohёn e fёmijёrisё, ditёt e para nё bankat shkollore. E kisha patur fatin, qё unё me shokё e shoqe ta kemi edhe si mёsues tё artit figuartiv nё shkollё fillore djalin e tij Ramadan Ramadnin – Ballazhi, piktorin dhe mёsuesin e artit figurativ, qё nuk e fillonte orёn e mёsimit pa na i recituar vargjet e Çajupit pёr Sulltanin:

                    Jam Sulltan, mbret i vёrtetё,
                    Shoq tё tjerё s’kam nё jetё;
                    Gjakёtor e zemёrderr,
                    Nga frika mё bёjnё nder.
                    ……………………………………..

                    Keshё kompn’e Shqipёrisё
                    Direk i gjithё Turqisё,
                    Pse s’mё priti sa tё vdesё,
                    Pa tё mё dil i pabesё!
                    Me Shqipёri tё luftonem
                    Kam frikё mos turpёronem,
                    Kam frikё nga Skёnderbeu
                    Mos dalё prapё nga dheu!…

Nё fund: si t’i dua kёta shtriganё tё “Allahut” me çallma turku tё halldupit nё kokё edhe në këtë kohë, kur nuk m’i ka dashur katragjyshi, stёrgjyshi, gjyshi, babai???!!!…

Nga libri: XHADIA (publicistikë letrare, Shkup 2011)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.