KAINI DHE ABELI, SOT

0
Zymer Mehani - shkrimtar

Zymer Mehani

(Poezi për përçarjen moderne brendashqiptare)

Në zanafillë, toka u mboll me shpresë,
dhe dy vëllezër lindën në të njëjtën pjesë.
Njëri mbolli jetën, tjetri kishte lakmi,
dhe që nga atëherë, u çel plagë në gji.

Kaini i pari vrau vëllanë për një pëlqim,
Zoti ia pa zemrën, jo thasët me grurë në arë.
Por Kaini i sotëm nuk pret shpërblim fare—
ai vret për karrige, për duartrokitje, për ndarje!

Abeli i sotëm, një mësues krejt i thjeshtë,
një ushtar i rënë, që la një nënë pa djalë,
një djalosh me libra që s’është fare në listë,
një fjalë e drejtë që fshihet me faj.

Kaini i ri ecën me truprojë, përpjetë e tatëpjetë,
ka shtet, ka villa, ka vota, po edhe thasë me lekë,
ka fjalor të ambalazhuar me ngjyra gjithfare
por në sy ka urrejtje, s’ka dritë e besë, veç marre.

Në Prishtinë zihen si më keq për flamur e mur,
në Tiranë për lavdi e përparim që s’e sollën kurrë,
dy palë Kainë që nën emër të kombëtarësisë,
grisin trungun e lashtë të krejt shqiptarisë.

Në çdo studio ata flasin kinse për bashkim,
por në çdo veprim shohim ndarje dhe nënçmim.
Një popull me një gjuhë, por dy rrugë që çalojnë,
me Abela që heshtin e me Kainë që sundojnë.

Nëpër qytetet, nëpër fshatrat tona me varre,
më shumë lapidarë se shkolla kemi kurrfare.
Sepse përgjatë shekujsh e deshëm lirinë me gjak,
por po na e hanë ata që s’derdhën as djersë, pa hak.

A jemi lodhur nga kjo histori që ripërsëritet?
Ku Abeli vritet dhe Kaini mbretëron me mitet?
Kur do ta kuptojmë se koha me vrik po na ikën?
Se vëllazëria nuk është flamur që të valëvitet?!

Kujt i shërben ky gjak që ende pikon në heshtje?
Kujt i duhet ky flamur, nëse për ne s’ka drejtësi?
Nëse Shqipëria dhe Kosova janë dy vëllezër,
pse shohim mes vete më shumë ndasi se dashuri?
Kaini dhe Abeli s’janë thjesht të shkuar, assesi,
sot, janë çdo shqiptar që vret të vetin për lavdi,
por ende ka kohë — po hapëm sytë me vigjilencë
ta zgjojmë Abelin, ta shërojmë këtë zi, me urgjencë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.