GRUAJA BESNIKE

0
262
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Grua, natën e mirë! Ika
Pasmesnate, më pret një tjetër Grua:
Poezia. Dhe, është xheloze.
Nëntë burra nuk e bëjnë zap
Natën. Vetëm Unë ia jap hakun.

Grua, natën e mirë. Ika
Falemnderit. Që, nuk je xheloze.

Grua, mirëmëngjes! Erdha
Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë! 

Edhe Ajo, nuk ishte xheloze…

Hi-hi-hiii… Përsëri zgjimi. Zgjimi, që pas një nate të gjatë, më shkundi në agim. E ngarkova Veten në shpinë, e lidha nye, dhe këmbadoras u nisa dhiareve për në “Baba Tomor”.

Rrezik, është: kur, Kёlyshi me zgjebe nё mes tё ditёs, Sot leh pas Ujkut. Policia letrare me ndërsimet që bëjnë pas shpine, nuk shquhen aspak për bukuri të përjetshme. Dhe, nuk e kanë as kuptimin e të përjetshmes. U mbetet vetëm t’i dëgjojnë këlyshët e tyre me zgjebe nëpër mjetet elektronike të informacionit, të shkruajnë nëpër gazetat dhe revistat e tyre policore, internet. Ose, u duartrokisin vlerave të tyre “artistike”: “sa bukur! U lumtë!“ Po, vallë, a nuk ju duken se kërkojnë forma mosletrare për të mbuluar paaftësinë e të shkruarit, të bërit art. O Imzot, sa esëll janë në letёrsi dhe politikë, në atë që e shkruajnë dhe e thonë pëgjumshëm nëpër mjegull. Pjella e keqe, që nuk ka pi ujë në Burimet e pastërta të maleve tona: “Baba Tomor”, “Drenovë”, “Sharr”, “Çelëvjollcë”, “Bjeshkët e Nemura”… Po, në Kënetat dhe Hurdhat e bretkosave.

Shqiptarët duhet të hapin një dhiare, rrugë të tyre drejtë maleve. Burimeve. Patjetër, duhet të hipin në “Baba Tomor”. Atdheun e Perëndive. Tyrben ku pihet vera, lindë poezia dhe bëhet dashuri… Shkurt, t’i dalin zot vetes… Besës… Trimërisë… Atdheut… Rrugë kjo, që kalon përmes mohimit dhe Vdekjes.

Aparati burokratik komunist, e ka pjellë Policinë letrare. E ka shpallur Kulturofagun kryepolic të letrave shqipe, për të mbajtur nën zingjirë krijuesit e “rrezikshëm”, duke ua ndёrsyer këlyshёt me zgjebe… Edhe në Kosovë… Edhe në Shqipëri… E ka zgjëruar rrjetin policor, mbledhur informata, që më vonë të kthehet në kabinet, shtoj numrin e Policisë letrare për të mbajtur nën zingjirë kulturën dhe letësinë shqipe, “armiqtë” e shtetit të “përbashkët”.

Hidhni sytë përreth! Vështroni! Dhe, çka shihni?! Gazeta, revista dhe portale policore. Kudo mbijnë si këpurdhat pas shiut. Edhe atë, në provincë. Katund. E lëvdojnë njëri – tjetrin, e ngrejnë në qiell. I thurin hymne. E bëjnë artin e arnimeve me arna të vjedhura. Aspak, origjinale.

Policia letrare qё e ka ndёrsyer Kёlyshin me zgjebe, di të “kujdeset” edhe për gjeneratën e re të shkrimtarit, studjeuesit dhe shkenctarit, që të mos infektohet nga “armiqtë e shtetit“. Përpilon planprograme shkollore. Tekste shkollore dhe lektyra shkollore me vlera sakate duke i flakur nga institucionet shkollore vlerat e arrira artistike letrare e kombëtare.

E pyes veten: Kush do të jetë prijësi që do të na e kthej Atdheun?!… Populli shqiptar është i pamposhtur. Historikisht, gjatë ndryshimeve demokratike, ka qenë mbi nivelin e liderëve politikë. E dëshmoi këtë edhe gjatë “ndryshimeve” demokratike; edhe gjatë Luftës së fundit të UÇK -ës në Kosovë (1988/’99), IRJ të Maqedonisë (2001). E di rrugën e vet drejtë Lirisë. Jo, pse edhe kësaj radhe në këto momente të vështira do t’u prijë trusakatëve, këtyre këlyshëve me zgjebe të “Kalit Trojës” pas porte.

Askujt, të mos i shkojë mendja, se: populli shqiptar e ka humbur rrugën. Atdheun. Shpejt do të vij Dita, agimi i freskët, lindja e Diellit… Dhe, pasi të flakë gjendjen e fatkeqësisë së gjatë politike, do t’i këpusë zingjirët e robërisë shekullore.

Rrezik! Rrezik është Kёlyshi me zgjebe të të ndërsehet pas shpine me shpifje, etiketime e rrena patriotike. Në rrugë, jargët t’i nxjerrë për goje e për bythe pas porte. Ditën të lehi në iriq. Ose, ta nxjerri gjuhën nga vapa dy pëllëmbë. Bishtin ta shti nën këmbё te Pragu i Derës Madhe të Shtëpisë: Gërhasë nё mes tё ditёs për liri.

– Zgjohu! Zgjohu, më shkundi fortë Njëra “Meleqe”. I hapa sytë. Dy “Meleqet” tjera më rrinin mbi kokë.

– I zgjuar jam…
– Atëherë, ç’bënë ?! Pse flet jerm?!
– E pash një ëndërr të keqe ditën.
– Hi-hii-hiii… Ne, nuk mund të shohim ëndërra natën. E, ti sheh ditën.
– Epo, këtu qëndron magjia… Unë, ëndërrat i shoh ditën.
– “Tybeistifa”! Mëshirë, o Zot! E paskan pushtuar xhindet.

– Edhe më rrahin, më mbytën dajak. Dorë më dorë gjithё natёn më hudhin majë lisave. Çati më çati të shtëpive.

– Lidhjani duart! Edhe, kёmbёt! E kanë çmendur kurvat… Edhe tri herë duhet përshkuar te “Dy Lisat e Çukës”.

Dhe, më përshkuan njëherë… Edhe njëherë… Edhe njëherë… Një hajmali ma varën përqafe. Thanë: Pasmesnate, mos të munden t’i afrohen xhindet… Nusja me pashterkë të kuqe me dy shami lidhur pёr brezi.

-Tashti, tha Njëra nga Tri “Meleqet” duhet nxjerrë në Diell te “Guri i Zi”. Nëntë ditë e nëntë net duhet ta terim vetëm me një këngë tё grave.

Dhe, më nxorrën në Diell te “Guri i Zi” nё majё tё “Çukёs”. E nisën orgjinë. Unë në kokërr të shpinës, përsëri ia thash këngës:

  Nuk e shihni si lehin pas shpine. Ndërsehen
  E nxjerrin gjuhën dypëllëmbë. Përjagen në
 Mjetet e informacionit. I japin njëri tjetrit guxim.
  Edhe lëvdata. Turren me të katra deri te porta.
  E kthej pas kokën. Më dhimbsen mjeranët
  Kur i shoh kaq të vegjël. Këlyshë me zgjebe.
 Mund t’i ha kur të dua meze. Pi me Miken
 Dolli me verë. Po, nuk e meritojnë këlyshët…

– Edhe një!… Edhe një!… Edhe një!… Duartrokisnin Tri “Meleqet”.
– Jo. Mjaftë e keni një… Tjetrën, do ta dëgjoni Ditën e dhjetë.
– Po, ne nuk e kemi ndërmend të të mbajmë në Diell dhjetë ditë?!

– E di, ju do të më terni në Diell nëntë ditë e nëntë net… Ditën e dhjetë do të fluturoj në “Baba Tomor”… Vendin e Perёndive. Tyrben, ku pihet vera, lindë poezia… Dhe, bёhet dashuri…
– Hi-hii-hiii…Mjaftë fole më jerm!… Marrëzira… Edhe Ditën… Edhe Natën… Nuk e di, kur je në gjumë… E kur, i zgjuar…

– E di, kur jam në ëndërr… U thash, njëherë: Unë ëndërrat i shoh Ditën.
– Budallai… Prapë me ëndërra… Ne nuk mund t’i shohim Natën… E ky, na i shihka Ditën… Të mjerat ne, si do t’i primë para në këtë gjendje për në “Baba Tomor”… Tyrbe… Varrin e tij me libra…

– Lehtë… Xhindet mi përzeni!… Nusen me pashterkë të kuqe… Me gjithë këta shtriganё në shpinë nuk mund të hip në “Baba Tomor”.

– Ne t’i përzëmë Ditën… Po, ti përsëri i thirr Natën.
– Jo. Unë nuk i thirr as Ditën… E, as Natën… Ato vijnë vetë.
– Hi-hii-hiii… Vijnë vetë, ë?!… E kush i thirr me poezi?!
– Unë, jo! Kalosh Çeliku.
– E, kush është ky që e terin në Diell?!
– Kalosh Çeliku…

– Edhe këtë e kanë pushtuar xhindet?!… Nusja me pashterkë të kuqe.
– Po. Edhe atë, e hedhin dorë më dorë majë lisave… Çati më çati të shtëpive… Pak para agimit e kthejnë mes Tri “Meleqeve”.

– Hi-hii-hiii… Po, ne jemi ato Tri “Meleqe”… Njëra të pri para… E, Dy të tjerat të mbajmë për krahu rrugës.
– E di. Edhe atë, sa ditë rresht do të më terni në Diell?
– Edhe tri ditë e tri net… Tashti, futi edhe një sy gjumë!… Ëndërr… Poezi…

Imzot, Kёlyshi me zgjebe, Sot leh pas Ujkut???!!!…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.