37.6 C
Tirana
E martë, 21 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GJURMË NË KUJTESË

GJURMË NË KUJTESË

0
Ali Furriku

Për të mos u harruar:

Ali Hasan Furriku – ky personalitet i veçantë pukjanë

Pashk Alia
Pashk Alia

Nga: Pashk ALIA
Ish – Përgjegjës i Seksionit të Kuadrit në ish – Komitetin Eksekutiv të KP Rrethit Pukë

Ali Hasan Furriku ka lindur me datën 13 maj viti 1922 në fshatin Meçe, Kabash të rrethit Pukë, dhe u nda nga jeta më 6 tetor të vitit 2000. Ish – partizan, drejtues në disa lokalitete, përgjegjës në thuajse gjithë stabilimentet e sharrave të rrethit të Pukës, kryetar koperative e drejtues i niveleve më të larta, Ali Hasani ka lënë gjurmë të pashlyeshme kudo ku ka punuar e jetuar.

Për punë e rezultate është dekoruar nga ish – Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhërin e Punës të Klasit III – të (Nr.dekreti 3282, datë 06.05.1961) dhe të klasit të II – të (Nr.dekreti 4635, datë 24.01.1970). Pas vdekjes është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Fushë Arrëzit, me vendimin nr. 21, datë 25.08.2009, ndërsa nga komiteti i veteranëve me titullin e lartë “Nderi i Komitetit të Veteranëve të LANÇ”, dhe me certifikatë mirënjohje nga Bashkia Pukë në maj 1996 per kontribut të çmuar në jetën shoqërore si drejtues model. Është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes” në vitin 2026, nga Shoqata Ndërkombëtare për paqe në Bruksel, si dhe “Nderi i Kombit” nga agjensia për të drejtat e njeriut në Bruksel, si dhe me çmimin jubilar “Skenderbeu” për paqen, nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombetarë.

* * *

Në historinë shoqërore të Fushë – Arrëzit dhe të krahinës së Pukës ka njerëz që nuk mbahen mend vetëm për postet që kanë mbajtur, por kryesisht e në radhë të parë për gjurmët që kanë lënë në zemrat e mendjet e njerëzve. Njëri prej tyre ishte pa dyshim Ali Hasan Furriku, ish – partizan, kontribues në zhdukjen e analfabetizmit në fshatin e tij, drejtues i njohur i sektorit të sharrave në rrethin e Pukës, ish – kryetar i lokalitetit Pukë Qendër, dhe në të gjithë lokalitetet e Rrethit Pukë me radhë, drejtues i thuajse të gjitha stabilementeve të sharrave, njërit nga sektorët përparësorë të këtij rrethi, për disa vite ika sherbyer si kryetar i Kooperativës Bujqësore të Fushë – Arrëzit, i cili lirisht mund të quhet drejtues i përjetshëm.

Eshtë ky një rast i rrallë në të gjithë rrethin e Pukës e më gjërë. Dhe jetëgjatësia e tij në funksione drejtuese e ka një sekret: Ali Hasani nuk i shihte njerëzit me gjuhën e protokollit zyrtarë, apo të detyrës, por me gjuhën e respektit dhe të zemrës. Njerëzit për të nuk ishin thjeshtë numra, kemi 100 na duhen edhe 50 që të bejnë 150. Me Aliun mund të kishe edhe 120 veta, por për nga lidhjet dhe marrdhëniet që ndërtonte me ta ai arrrinte ato rezultate që mund të arriheshin edhe me 150 punonjës. Ai “korrte” prej njerëzve të njejtin respekt, nuk ishte thjesht drejtuesi që duhej t’i bindeshe, por njeriu që e ndiqje nga pas me vullnet e dëshirë të plotë.

Në qytetin e Fushë – Arrëzit dhe në fshatrat përreth dëgjohej shpesh shprehja: “Burrë më të mirë se Ali Hasani nuk ka lindur nëna në anët tona”. Kjo nuk ishte thjesht një fjalë mirësjelljeje. Ishte vlerësimi që i bëhej një njeriu që e kishte kthyer ndihmën ndaj të tjerëve në kredon e jetës së tij. Të arrish që me punën, sjelljen, karakterin, dijen dhe dhuntitë që mbart, të bësh njerëzit të të ndjekin përkrah edhe pse në kohë të vështira, dhe ata të të lartësojnë me fjalë të tilla, kjo është ajo që kërkohet atëherë dhe sot për të arritur suksese në detyrat qe shtronte koha.

Aliu si tërë kuadrot e asaj përiudhe, nuk erdhi nga katedrat akademike, as ato universitare, apo të shkollave profesionale. Ai u rrit e u formua në odat malësore të trevës së Pukës, në dëgjesat e kuvendeve, në ambientet e ngrohta dhe të ëmbla të familjes më vlera pukjane. Aliu vinte nga brezi i njerëzve që u rritën dhe u formuan me sakrifica, në luftë dhe në punë. Ai i përkiste asaj race burrash që nuk e kërkonin pushtetin, postet, por ato kanë nevojë për cilësitë, vlerat dhe virtytet e tij, sepase Aliu nuk e shihte pushtetin si privilegj, por si angazhim, si përgjegjësi, si detyrë të rendë të cilën duhej t’a kryente me nder. Kudo ku shërbeu, qoftë në pushtetin vendor, në sektorin e industrisë së drurit apo në bujqësi, ai mbeti i njëjti: i thjeshtë, i drejtë dhe gjithmonë pranë njerëzve.

Kur mori drejtimin e Kooperativës Bujqësore të Fushë – Arrëzit, e përbërë nga pesë fshatra, ai nuk hyri si një administrator i zakonshëm, por si një njohës i thellë i njerëzve dhe i halleve të tyre, i territorit e vështirësive që ai paraqiste, i aktualitetit dhe perspektivës së saj të afërt e të largët. Ai njihte familjet, historitë e tyre, hallet dhe mundësitë e secilës. Kjo njohje e drejtpërdrejtë e fituar gjatë viteve në punë e në shoqëri me njerëzit, e bëri të besueshëm dhe të pranueshëm për të gjithë.

Forca e tij nuk qëndronte tek urdhri, por tek bindja. Ai nuk ishte drejtuesi që priste raportime nga zyra, por drejtuesi që gjendej në arë, në livadh, pranë bagëtive, në kanalet e ujitjes, në aksionet e ndërtimit dhe në çdo vatër pune ku kërkohej prania e tij. Shpesh shihej me çizme në këmbë mes fshatarëve, duke diskutuar për prodhimin, për tokën, për blegtorinë apo për hallet e përditshme të fshatarëve. Ai e dinte se drejtimi fillon me njohjen e realitetit dhe jo me dhënien e urdhrave, e se zbatimi i urdhërave varej jo nga forca e pushtetit të tij, por nga ndërgjegjësimi i njerëzve që do të duhej t’i zbatonin ato.

Një nga cilësitë më të rralla të Ali Hasanit ishte respekti për dijen dhe specialistin. Ai i quante agronomët, veterinerët, ekonomistët dhe teknikët “njerëzit e mendjes” dhe i dëgjonte, i mbështeste dhe i inkurajonte ata. Nuk kishte frikë nga mendimi ndryshe dhe as nga kompetenca e vartësve. Përkundrazi, kërkonte t’a përdorte atë për të mirën e përbashkët. Kjo kulturë bashkëpunimi krijoi një klimë pune të shëndetshme dhe produktive. Karakteri i tij shquhej për maturi dhe realizëm. Në një kohë kur shumë drejtues josheshin nga shifrat e fryra dhe premtimet optimiste, Ali Hasani mbetej i kujdesshëm. Ai besonte se e vërteta, sado e vështirë të ishte, vlente më shumë se një sukses i rremë. Parimi i tij ishte i thjeshtë: Më mirë i saktë sot, sesa i turpëruar nesër. Ky realizëm e bëri atë të respektuar jo vetëm nga vartësit, por edhe nga drejtuesit e niveleve më të larta.

Njerëzit e kujtojnë ende thjeshtësinë e tij. Edhe kur mosha dhe shëndeti nisën t’a rëndonin, ai nuk iu nda punës. Gjendej në krye të aksioneve, në ndërtimin e objekteve, në organizimin e fushatave bujqësore dhe në çdo veprimtari ku kërkohej angazhim. Nuk kërkonte privilegje dhe nuk pranonte trajtim të veçantë. Ndihej mirë mes njerëzve dhe njerëzit ndiheshin mirë pranë tij. Në kujtesën e bashkëkohësve kanë mbetur shumë episode që flasin për humanizmin e tij. Ai ishte njeriu që ndante natën me fshatarët në odat e tyre, që gëzonte me gëzimet e tyre dhe shqetësohej për hallet e tyre. Kjo afërsi e natyrshme krijoi një lidhje të rrallë besimi midis tij dhe komunitetit. Dhe rezultatet e punës së tij nuk munguan.

Në vitet kur drejtoi kooperativën u arritën tregues të lartë prodhimi në bujqësi dhe blegtori, u përmirësua struktura racore e bagëtive, u shtuan të ardhurat dhe u rrit mirëqënia e familjeve kooperativiste. Por ndoshta arritja më e madhe nuk ishte një shifër ekonomike, por besimi që ai mbolli tek njerëzit, bindja se puna e ndershme dhe drejtimi kompetent mund të sjellin zhvillim. Sot, kur shumë emra të së kaluarës po mbulohen nga harresa, figura e Ali Hasanit meriton të kujtohet, jo vetëm si veteran, drejtues apo organizator i aftë, por në radhë të parë e mbi të gjitha si një model qytetarie dhe humanizmi. Ai i përkiste atij brezi burrash që e matnin veten me shërbimin ndaj njerëzve dhe jo me privilegjet e pushtetit.

Ali Hasani mbetet një nga figurat më të dashura të Fushë – Arrëzit dhe të Pukës, një burrë që jetoi me njerëzit, punoi për njerëzit dhe la pas respektin tek njerëzve. Kjo është pasuria më e madhe, që mund të lërë një njeri pas vetes. Por ai la pas edhe një pasuri shumë të madhe njerëzore, emrin e lartë të familjes dhe të bijve ekselentë. Vlera e një njeriu nuk matet vetëm nga detyrat që ka mbajtur, apo nga sukseset personale që ka arritur në jetë, por mbi të gjitha nga gjurma që lë në ndërgjegjen e njerëzve dhe nga brezi që formon e trashëgon. Një njeri që gjatë gjithë jetës drejton me ndershmëri sektorë të rëndësishëm, fiton respektin e popullit dhe mbetet në kujtesën e tij si simbol i drejtësisë, përgjegjësisë dhe përkushtimit dhe ka ndërtuar një trashëgimi morale të rrallë e ka siguruar jetesën, në kujtesën e respektin e njerëzve edhe pasi jeta fizike ndërpritet një ditë, ashtu si për të gjithë të tjerët.

Mirëpo kjo trashëgimi bëhet edhe më e madhe kur le pas fëmijë të edukuar, të shkolluar, me dinjitet e ndershmëri të cilët, me punën dhe karakterin e tyre, nderojnë emrin e prindit dhe marrin mbi supe drejtimin e sektorëve të ndjeshëm me të njëjtin integritet. Kjo është vazhdimësia e vërtetë e një jete të jetuar me vlera. Emri i mirë nuk trashëgohet si privilegj, po trashëgohet si përgjegjësi. Dhe kur pasardhësit e mbajnë atë emër me po aq ndershmëri sa prindi që ua la, atëherë mund të thuhet se ai prind ka fituar suksesin më të madh, që mund të arrijë një njeri, sepse ka lënë pas jo vetëm kujtime të mira, por edhe një brez që vazhdon të shërbejë me nder e dinjitet njerzorë.

Emri i mirë është pasuria më e madhe që mund të lërë një njeri, por ai nuk ndërtohet me fjalë, por me një jetë të tërë të jetuar me ndershmëri, drejtësi dhe përkushtim ndaj detyrës. Prindi që rrit fëmijë të edukuar, të shkolluar, me dinjitet e karakter, nuk u le atyre vetëm një mbiemër, por një përgjegjësi të madhe, qe t’a mbajnë atë emër po aq të pastër, sa e trashëguan. Kur pasardhësit, me punën dhe ndershmërinë e tyre, lartësojnë emrin e familjes dhe fitojnë besimin për të drejtuar sektorë të rëndësishëm e delikatë, atëherë vlerat e prindit dëshmojnë se nuk kanë qenë të rastësishme, por janë shndërruar në trashëgimi, prandaj Ali Hasani e ka arritur edhe këtë me jetën e tij dinjitoze.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.