Xhelal Zejneli
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (Fedor Mihaljlovič Dostoevskij, Moskë, 1821 – Shën-Peterburg, 1881) është romancier dhe novelist rus, një ndër më të mëdhenjtë e historisë së letërsisë botërore. I çmuar lart në Perëndim.
* * *
Një prej paraardhësve të parë të Dostojevskit nga ana e babait është Danilo Rtishçiq, gjurma e shkruar e të cilit është shënuar në vitin 1506 në fshatin ukrainas Dostoijv (sot në Bjellorusi) sipas të cilit Dostojevski e marrë mbiemrin. Më vonë një degë e familjes Dostojevski është shpërngulur në rajonin ukrainas Volini, ku në vitet 1570 … për herë të parë paraqitet emri Fedir Dostojevski i cili ka punuar në shërbimin përfaqësues të princit të ikur moskovit Andrej Kurbski. Pas kësaj, mbiemri i familjes Dostojevski haset edhe në vitin 1664 në vendin e vogël ukrainas Serkuni, në rajonin e Volinit. Po kështu, edhe në vendin fqinj Kliçkovci ku kishin ushtruar detyrën e përfaqësuesve vendorë për t’u bërë po aty edhe pronarë tokash. Po në atë periudhë figurojnë emrat e Karl Dostojevskit dhe të të birit Homer.
Në vitin 1775 Dostojevskët i shesin pronat në Kliçkovc, ndërsa pasardhësi i tyre Grigorij Homeroviç Dostojevski është shpërngulur në Janushpole (Fushën e Janushit) pranë Zhitomirit ku është bërë klerik. Janë bërë klerikë edhe djali dhe nipat e tij. I biri Jan ka shërbyer në rajonin ukrainas Podili, ndërsa djemtë e tij Andrij dhe Mihajllo kanë shërbyer në fshatrat Skalla dhe Vitivci (rajoni i Vinicës).
Në periudhën e viteve 1782-1820 ka qenë klerik edhe gjyshi i Dostojevskit, Andrij Dostojevski. Dashuria e tij ndaj Ukrainës shihet në radhë të parë në dorëshkrimin e tij ukrainas. Pas tij, në vitet 1820-1829 Vijtivcin e ka administruar djali i tij Lev. Djali tjetër Mihajllo (babai i Dostojevskit) ka ndjekur shkollën në fidanishten Shargorodski të rajonit të Vinicës. Duke qenë një nga studentët më të mirë është dërguar në Akademinë e Mjekësisë në Moskë. Pas mbarimit të studimeve, Mihajllo Dostojevski është bërë një nga mjekët më të mirë të Spitalit të Marisë për të varfrit në Moskë. Edhe sot varre të familjarëve të Dostojevskit ndodhen në Kalnik të Ukrainës. Në qytetet Kiev, Odesë, Makijvci dhe Vinnicji jetojnë pjesëtarë të farefisit të Dostojevskit. Disa prej tyre nuk e mbajnë mbiemrin e tij. Në Vijtici është hapur muzeu i Dostojevskit ku është paraqitur lidhja e tij me kulturën ukrainase, me zhvillimet shoqërore ukrainase dhe me Ukrainën.
Dostojevski është djalë i mjekut të shkolluar Mihajllo Dostojevskit të lindur në Ukrainë. Ka qenë pjesëtar i fisnikërisë së ulët. Supozohet se është vrarë prej bujkrobërve të vet për shkak të sjelljes së ashpër dhe nënçmuese. Hulumtues të tjerë thonë se Babi i Dostojevskit Mihajllo është vrarë për shkaqe financiare nga njerëz të kamur që i ka njohur. Ata e paskëshin shfrytëzuar prirjen e tij ndaj alkoolit dhe disponimin depresiv, kështu që e kanë inskenuar vetëvrasjen e tij. Dostojevski ka qenë tejet i afërt me të atin gjë që shihet në letrat e tyre. Vdekja e tij e ka shqetësuar tej mase. Për herë të parë ka pësuar sulm epileptik. Nëna e Dostojevskit, rusja Marija Fedorovna ka vdekur më 1837 nga tuberkulozi, i njohur në popull si kolla e thatë.
Për anët patologjike të Dostojevskit, të prindërve të tij, të anëtarëve të familjes së tij ngushtë, përfshi edhe motrat dhe vëllezërit e prindërve të shkrimtarit jepen të dhëna në librin “Tragjedia e gjenive” (Vladimir Stanojević, Tragedija genija, Medicinska knjiga, Zagreb 1972). Në këtë studim të deformimeve shpirtërore të njerëzve gjenialë janë përfshirë edhe emtat e shkrimtarit të madh: Varvara Dostoevskaja, Ljubov Dostoevskaja, Vera Dostoevskaja, Aleksandra Dostoevskaja.
* * *
Dostojevski lindi në maternitetin e Moskës më 11 nëntor 1821. Ndoqi dhe kreu studimet ushtarako-inxhinierie në Shën-Peterburg. Herët vendos t’i përkushtohet vokacionit të shkrimtarit.
Në vitin 1849, për pjesëmarrjen në punën e qerthullit utopik-socialist u dënua me vdekje. Dënimi i tillë iu fal për t’u dërguar në vuajtje dënimi me burg dhe në syrgjynosje në Siberi. Aty qëndroi deri në vitin 1859.
Më vonë, në disa tekste polemizoi me utopitë socialiste të kritikut dhe romancierit rus Nikollaj Çernishevskit (Nikolaj Gavrilovič Černyševskij, 1828-1889). Çernishevski ishte publicisti radikal kryesor i kohës së vet, ideolog i revolucionit të fshatarëve dhe i socializmit utopik. Dostojevski ishte shkrimtar profesional dhe publicist. Ndikoi fuqishëm në atmosferën kulturore të kohës së vet. Shumë shkrimtarë të mëdhenj pas tij, u bazuan tek ai. Disa e kanë konsideruar paraardhës të tyre.
Përkthen romanin “Evgjenia Grande” (Eugénie Grandet, 1833) të romancierit francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850). Nën ndikimin e Nikollaj Vasileviç Gogolit e shkruan veprën e vet të parë, tregimin e gjatë “Njerëz të mjerë” (1846), në formë epistolare. Vepra e ka entuziazmuar kritikun dhe teoricienin më të madh rus të kohës Visarion Bjelinski (Visarion Gligorijevič Bjelinski, 1811-1846). Dostojevski depërton në sferën e qarqeve letrare ruse.
Në këtë kohë Dostojevski hyn në qerthullin e socialistëve utopistë të udhëhequr nga Butasheviç-Petrashevski, veprimtaria “revolucionare” e të cilit përbëhej kryesisht nga debatet private për të ardhmen e Rusisë, për reformën e sistemit shoqëror, për demokratizimin dhe për çlirimin nga rendi skllavopronar. Në planin letrar pasoi arritja e parë e fuqishme, vërtet “dostojevskiane”, romani i shkurtër “Kipci” (1846). Në të është paraqitur degradimi i personalitetit të nëpunësit shtetëror Goljatkin i cili fundoset në skizofreni në një sërë halucinacionesh në të cilat përzihen realiteti dhe projeksionet mentale.
Kjo vepër burimore nuk u pranua gjerësisht për shkak të kredhjes psikologjike dhe mbartjes radikale të realitetit në vetëdijen e protagonistit, gjë që binte ndesh me parimet estetike të asaj kohe të bazuara kryesisht në kritikën shoqërore. Në vitin 1849, në jetën e Dostojevskit ndodh kthesë. Policia perandorake ndalon veprimtarinë e klubit “Petrashevac”, ndërsa autori dhe shokët e tij, me të gdhirë, u nxorën në pushkatim të inskenuar. Në pritje të ekzekutimit nga togu vrastar, mbërriti “dekreti carist i faljes së dënimit”. Ekzekutimi zëvendësohet me burg dhe internim në Siberi.
Katorga dhe Siberia – Në robëri Dostojevski përjeton transformim ideologjik. Lidhur me këtë ekzistojnë mendime të ndryshme. Prej qëndrimeve të ballafaquara shihet qartë se Dostojevski edhe para robërisë kishte anuar kah misticizmi i krishterë, kështu që socializmi utopist i tij nuk i ka ndjekur doktrinat materialiste si ato të Fojerbahut*, por pikëpamjet idealiste të Furiesë* dhe të Shilerit*, pikëpamje të cilat më vonë i ka qesëndisur. Megjithëkëtë, ato gjithmonë kanë qenë në qendër të obsesioneve të tij.
Risi në pikëpamjet e Dostojevskit pas katorgës (burgut, punës së detyrueshme) në Siberi është glorifikimi i carizmit, i ortodoksisë dhe i nacionalizmit rus, përgjithësisht i qëndrimeve kundër-perëndimore. Me qëndrimet e tilla Dostojevski u afrohet sllavofilëve, por kurrë plotësisht. Dostojevski katër vjet qëndroi në burg. Pas kësaj, u detyrua që katër vjet të shërbejë si ushtar i thjeshtë në kushtet e egra të viseve të largëta të Rusisë aziatike.
Shënim: Ludvig Fojerbahu (Ludwig Andrera von Feuerbach, 1804-1872) është filozof dhe antropolog gjerman. Liberal politik, ateist dhe materialist. Shpesh përmendet si urë ndërmjet filozofit gjerman Vilhelm Fridrih Hegelit (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) dhe filozofit gjerman me prejardhje çifute Karl Marksit (Karl Marx, 1818-1883). Hegeli është figurë e madhe e filozofisë klasike idealiste gjermane. Marksi është filozof, ekonomist, historian, sociolog, teoricien politik, zhurnalist, revolucionar socialist.
Sharl Furie (Françoi Marie Charles Fourier, 1772-1837) është filozof francez, një nga themeluesit e socializmit utopist.
Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich Schiller, 1759-1805) është poet, filozof, historian, dramaturg gjerman, shok i ngushtë i shkrimtarit gjerman Johan Volfgang fon Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832).
* * *
Pas katër vjet vuajtjeje dënimi me burg, pas punës së detyrueshme në internim në Siberi (1849-1857), përkatësisht pas shërbimit ushtarak të detyrueshëm Dostojevski kthehet në Shën-Peterburg. Është një kthim nga shtëpia e të vdekurve. Boton veprën “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” (1860-1862). Një përshkrim i fiksionalizuar i robërisë së vet, me plot rrëfime realiste për bashkudhëtarët-robër. Vepra korr sukses të madh. Cari rus pjesërisht e rehabiliton autorin.
Megjithëkëtë, Dostojevski ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të gjitha kohëve përjeton edhe dramën e vet njerëzore. Simptomat e epilepsisë intensifikohen. Pasioni i bixhozit shpejt i bëhet obsesion. Me vëllain Mihajllo (Mihail) botonte gazetë. Me vdekjen e tij duhej ta mbante edhe familjen e tij të madhe. Krijimtaria e Dostojevskit ngadalësohet. Romani “Të poshtëruar dhe të fyer” (1861), krahasuar me veprat e tij paraprake, të mos flasim për veprat e ardhshme, për nga vlera artistike – ngec.
Në vitin 1862, për të ikur prej kreditorëve Dostojevski niset për në Evropë. Qëndron në Gjermani, në Francë, në Itali dhe në Angli. Në Londër viziton shkrimtarin rus Aleksandër Hercen (Aleksandar Ivanoviç Gercen/Hercen, 1812-1870) dhe anarkistin revolucionar rus Bakunjin (Mihail Aleksandrovič Bakunin, 1814-1876). Prej viti 1860 e këndej disa herë e ka vizituar Evropën.
JETA INTIME E DOSTOJEVSKIT – Për jetën intime të Dostojevskit shkruan shkrimtari dhe publicisti rus Mark Slonim (Mark Lvovič Slonjim, 1894-1976) në librin “Tri dashuritë e Dostojevskit”. Dostojevski ka qenë në lidhje me shumë femra: me krijuese letrare, me artiste, me fshatare etj. Por, jetën e tij e kanë shënuar tri femra. Me t’u liruar nga burgu dhe internimi Dostojevski takon femrën Maria Dimitrievna Isaeva (1824-1864). Ajo ka qenë e martuar dhe ka pasur një djalë. Burri i bën vetëvrasje. Pas kësaj martohet me Dostojevskin. Kjo martesë përfshin vitet 1857-1864). Vejusha histerike lëngonte nga tuberkulozi. Deri në ditën e fundit të martesës, bashkëshortët i kanë shkaktuar vuajtje njëri-tjetrës. Më vonë, Maria Isaeva i shërben Dostojevskit për ta bërë prototip të personazhit Natasha në romanin “Të poshtëruar dhe të fyer”.
Me Apolinaria Susllovën (Apollinaria Prokofyevna Suslova, e quajtur Polina Suslova, 1839-1918) Dostojevski u njoftua në një mbrëmje letrare që e kishte organizuar vetë ai. Ai ishte 42-vjeçar, ndërsa ajo – 22-vjeçe. Tek Apolinaria gjeti atë që s’e kishte gjetur te gruaja e vet – Marija Dimitrievna Isaeva. Kjo vashë e re ishte komunikuese dhe e ëmbël, por me karakter të papërshtatshëm. Shkrimtari nuk kishte mundësi t’i ofronte asaj atë që i nevojitej. Përveç kësaj ishte në martesë me Marinë. Apolineria shpesh i ikte për t’u lidhur me burra të tjerë. Kur Dostojevskit i vdiq gruaja e parë, Apolineria me gjakftohtësi ia bëri me dije se nuk kishte ndërmend të martohej me të. Kjo i shkaktoi shkrimtarit dhimbje të thellë duke i lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt.
Edhe pasi u martua me Ana Gligorievna Snitkin, tinëz saj pati letërkëmbim me Apolinerian. Figurën e saj shpesh e paraqiste në veprat e veta. Butësia dhe vrazhdësia e saj e ndoqi që prej se njohu e deri në fund të jetës. Në thellësinë e shpirtit dhe të trupit i qëndroi besnik kësaj femre entuziaste, brutale, të pabesë dhe tragjike. Apolineria la gjurmë në romanet e gjigantit letrar. Pothuajse në çdo vepër të tij vërehen tipare të karakterit të saj të ndërlikuar. Diç prej saj hasim te Dunja vetëmohuese e romanit “Krim dhe ndëshkim”; te Natasja Filipovna e zjarrtë dhe e çekuilibruar e romanit “Idioti” dhe te Liza kryelarte dhe e mbrapshtë e romanit “Shpirtra të këqij”. Reflektimi më i plotë i Apolinarias është Polina, personazhe kryesore e romanit “Kumarxhiu”. Tekstin e kësaj vepre ia diktonte gruas së ardhshme të tij, stenografes Ana Grigorievn Snitkin.
Dashuria e vërtetë e neurokirurgut të trurit dhe të shpirtit të shoqërisë ruse – Për shkak të bixhozit Dostojevski deri në fyt ka qenë i zhytur në borxhe. I është dashur të ballafaqohet me fajdexhinjtë. Për 3.000 rubla u detyrua t’ia shesë botuesit të drejtën e botimit të veprave të përmbledhura të tij. Botuesit i premtoi se përmbledhjes së veprave do t’ia shtojë edhe një titull të ri. Për ta plotësuar premtimin i kishin mbetur vetëm katër javë. Iu lut mikut të vet që ligjëronte stenografi që t’ia dërgonte nxënësen më të mirë të stenografisë. Profesori ia sugjeroi njërën prej tyre. Të nesërmen, në orën 11 e 30 minuta stenografja trokiti në derën e shkrimtarit gjenial, kumarxhi i pasionuar, epileptik, i zhytur në borxhe dhe i kanosur prej kamatarëve. Ishte Ana Gligorievna Snitkin (Anna Grygorievna Snitkin, Shën-Petërsburg, 12.9.1846 – Jaltë, 9.6.1918), 25 vjet më e re se Dostojevski. Shkrimtari diktonte, stenografja shkruante.
Dorëshkrimin e romanit “Kumarxhiu” e përfunduan brenda afatit të duhur. Ishte viti 1867. Puna në rrethana të jashtëzakonshme i bëri që të afroheshin. U martuan sakaq. Tani e tutje ajo do të quhet Ana Dostojevskaja. E lidhur në vitin 1867, kjo martesë zgjati deri në vdekjen e autorit të Raskollnikovit, më 1881. Ana u ndesh dhe i përballoi të gjitha vështirësitë e shkrimtarit gjigant. Veprat më të mëdha ai i shkroi me ndihmën e saj. Dostojevskit kumari i ishte shndërruar në ves. Në rulet i humbi të gjitha, edhe fustanet dhe stolitë e gruas së re. Ajo vazhdimisht e këshillonte të hiqte dorë nga kjo udhë pa krye.
Ai i premtoi se do t’i jepte fund pasionit të ligë. Pas disa vitesh e plotësoi premtimin. Ana u bë e famshme në përmasa botërore. Nga martesa që zgjati 14 vjet u lindën katër fëmijë: Sonja (1868-1868), Ljubov (1869-1926), Fjodor (1871-1922), Aleksej (1875-1878). Sonja vdiq sa qe foshnjë, ndërsa Aleksi, në moshën trevjeçare. Vajza Lubov Dostoevskaja lindi në Drezden të Gjermanisë, nuk u martua kurrë dhe vdiq në Bolzano të Italisë. Fëmijët, nipat dhe mbesat e Fjodor Dostojevskit jetuan në Rusinë sovjetike dhe në Rusinë post-sovjetike. Sipas disa të dhënave – në mjerim.
* * *
Është ndër të parët shkrimtarë rusë që e trajton mjedisin e qytetit. Fabulat e veprave të tij janë me përmbajtje të pasur, përplot thurje të tendosura. Lexuesi lehtë mund të depërtojë në problematikën e ndërlikuar të personazheve. Personazhet ndodhen në konflikt të ashpër me shoqërinë.
Personazhet e veprave të caktuara të Dostojevskit lëvizin në mjedise qyteti: rrugë të errëta, banesa të marra me qira, mansarda dhe gjykata. Këtu nuk bëjnë pjesë veprat “Shënime nga shtëpia e të vdekurve, 1862) ku trajtohen motive nga burgu; Fshati Stepançikovë” (1859). Në romanin “Vëllezërit Karamazovë, 1879-80) ngjarja është vendosur në provincë, pa peizazhe, ndërsa dialogu për botën zhvillohet në pijetoren e fshatit. Personazhe janë kryesisht njerëzit të cilëve u është cenuar dinjiteti, ndaj për fyerjet dhe për poshtërimet që u janë shkaktuar i hakmerren shoqërisë. Fati i tyre zgjidhte me kriza psikologjike, me vrasje apo me vdekje. Midis tyre ka edhe pendestarë.
Janë tre lloj personazhesh:
- Të cilët protestojnë kundër shoqërisë, duan ta shkatërrojnë apo ta ndryshojnë rrënjësisht. Të tillë janë Raskollnikovi i romanit “Krim dhe ndëshkim” dhe Ivan Karamazovi i romanit “Vëllezërit Karamazov”;
- Të cilët sjellin në shoqëri ide me qëndrime krishtere paqësore, përulëse dhe pasive. Të tillë janë princi Mishkin i romanit “Idioti”, Sonja Marmelladova i romanit “Krim dhe ndëshkim”, Alosha Karamazov i romanit Vëllezërit Karamazovë”;
- Të cilët janë egoistë të paskrupull dhe njerëz të zvetënuar. Të tillë janë princi Valkovski i romanit “Të poshtëruar dhe të fyer” dhe Fjodor Karamazov i romanit “Vëllezërit Karamazovë”.
Problematika etike dhe morale e tyre shprehet në dialogë, herë-herë me dispute (diskutime) të vërteta për “çështje të mallkuara” të njerëzimit. Monologët e brendshëm të karaktereve shpeshherë ndërlidhen me gjendjet shpirtërore të tyre. Personazhet flasin me nervozë, me një të folur plot ndërprerje, të shpejtuar dhe si në kllapi.
Atmosfera e romaneve është e zymtë, e rëndë, e përshkuar nga pesimizmi dhe nga mungesa e shpresës. Ka vulën e një tragjizmi të trishtueshëm që ngulfat çdo gjë përreth.
Në veprat e veta Dostojevski nuk e jep pasqyrën shoqërore analistike të jetës, por depërton thellë në shpirtin dhe në nënvetëdijen e njeriut. Sjell portretet psikologjike të stërholluara të personazheve të veta, bindshëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Përdor dialogët, por prosedeu stilistik më i fuqishëm i tij është monologu i brendshëm: personazhi u jepet mendimeve dhe përsiatjeve të veta dhe në një të folur nervoz dhe plot ndërprerje, e paraqet botën e vet të brendshme. Më vonë, ky prosede stili do të përdoret me të madhe në romanin modern.
Prej vitit 1873 botoi veprën publicistike “Ditari i shkrimtarit” në të cilën i paraqiste idetë sllavofile. Në vitet 1876-77 shkruan në favor të “vullnetarëve” rusë që morën pjesë në luftën ruso-turke, duke polemizuar me kapitujt përkatës të romanit “Ana Karenina, 1875-77” të prozatorit, dramaturgut dhe publicistit rus Leon Tolstoj (Lev Nikolaevič Tolstoj, 1828-1910). Dostojevski ka qëndrim kritik ndaj qytetërimit dhe politikës së Perëndimit evropian. Vizitoi qendrat mjekuese dhe sallonet e lojës të Gjermanisë (Baden-Baden). Në fjalimin e mbajtur në vitin 1880 për nder të poetit kombëtar rus, tregimtarit dhe dramaturgut Aleksandër Sergeeviç Pushkin (Aleksandr Sergeevič Puškin, 1799-1837) popullin rus e quajti shpresëtar që do ta rilindë njerëzimin.
Romanet i ndërtonte në bazë të fabulave të çuditshme, duke i shfrytëzuar përvojat e romaneve kriminalistike dhe bulevardeske angleze dhe franceze, por duke theksuar problematikën psikologjike, morale dhe etike të karaktereve të zgjedhura. Disa novela, si për shembull “Shënime nga nëntoka”, fare s’kanë fabul: personazhi “rrëfehet” vetë dhe i paraqet pikëpamjet e veta për botën. Në tregimin “Krotka – Krotkaja” (1876) autori e paraqet rrjedhën e ndërgjegjes së karakterit në një situatë kritike. Kjo është përpjekja e parë e Dostojevskit të krijojë tregim në formën e monologut të brendshëm.
Shënim: Monologu i brendshëm – në prozat e reja, sidomos në romanin modern, duke nisur nga fillimi i shekullit XX gjithnjë më tepër theksohet monologu i brendshëm. Shkrimtarët e novelave dhe të romaneve tanimë nuk i paraqesin ngjarjet dhe jetën shpirtërore të personazheve, por e përcjellin përroin e ndërgjegjes të personazhit të caktuar, d.m.th. asociacionet e tij, mbresat për botën përreth, reminishencat dhe kujtimet me renditjen sikundër shfaqen në vetëdijen e personazhit.
Me këtë rast autori nuk i kushton rëndësi faktit që asociacionet të paraqiten radhazi, të kenë vazhdimësi dhe të jenë të pandërprera. Monologu i brendshëm realizohet më së shpeshti në të folurit e lirë të tërthortë. Drejtpërsëdrejti flet personazhi kryesor. Monologu i brendshëm nuk mund të paraqitet me fjali të qeta, të rregullta. Ai zhvillohet me fjali të ndërprera dhe të shkëputura sikundër ndodhen në vetëdije, në gjysmëvetëdije apo në vegulli imazhet dhe mendimet e personazhit kryesor. Këtë e hasim në romanin “Uliksi” (Ulysses, 1922) të prozatorit dhe poetit irlandez Xheimz Xhojs (James Joyce, 1882-1941).
* * *
Në veprat e Dostojevskit vërehen gjurmë të krijuesve letrarë evropianë që kanë jetuar dhe që kanë shkruar para tij. Kjo tregon se ai duhej t’i kishte njohur krijimet letrare të tyre. Dostojevski hyri në letërsi duke përkthyer romancierin francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850). Romani i parë i tij “Njerëz të mjerë” (1846) tregon se ai i ka njohur tregimet e Pushkinit dhe të tregimtarit e dramaturgut rus, me prejardhje nga Ukraina Nikollaj Vasiljeviç Gogol (1809-1852). Në disa vepra të veta Dostojevski përdor formën e letrave. Në letërsinë evropiane e kemi romanin epistolar (në formë letrash) Vuajtjet e djaloshit Verter” (1774) të shkrimtarit gjerman Johan Volfgang fon Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832).
Te Dostojevski vërehen edhe gjurmë të sentimentalizmit evropian. Letërkëmbimi ndërmjet Makar Devushkinit dhe Varenjkës kryesisht është sentimental. Sentimentale janë edhe romanet “Net të bardha” (1848) dhe i papërfunduari “Netoçka Nezvanova”(1849). Gjurmë të tregimtarit dhe romancierit anglez të epokës viktoriane Çarlz Dikinz (Charles Dickens, 1812-1870) hasen në “Të poshtëruar dhe të fyer” (1866) të Dostojevskit. Ndjesia dhe fati i i vajzës së braktisur Nelly, te Dostojevski e mbulojnë karakterin e dhunuesit dhe cinikut Valkovski.
“Krim dhe ndëshkim” (1866) është roman ku flitet për studentin Raskollnikov i cili vret plakën fajdexhi në mënyrë që paratë e saj t’i shfrytëzojë për t’u ndihmuar të varfërve. Njëherazi, edhe për të vërtetuar personalitetin e vet të veçantë. Romani mbyllet me pendim: duke lexuar Ungjillin* gjatë rrugës për në Siberi.
Shënim: Ungjilli – 1. Raporte të hartuara në shekujt e parë të krishterimit për jetën dhe mësimin e Jezu Krishtit, në disa libra. Prej tyre, katër libra kanë hyrë në Bibël (Dhiata e Re); 2. Tërësia e njohurive themelore, doktrina themelore e një shkence, ideologji, ligj etik suprem, dogmë e pandryshueshme. Evangjelist: shkrues i ungjillit. Janë të njohur katër prej tyre: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni.
* * *
Romani “Idioti” (1868) paraqet princin Mishkin, epileptikun me virtyte altruisti, sinqeriteti, ndjesie dhe i gatshëm për sakrificë. I bëhet rival tregtari i vrazhdët Rogozhin. Romani përfundon me vrasje. “Mllefet” lindën në bazë të lëndës gjyqësore nga procesi ndaj vrasësve të studentit – pjesëtar i grupit komplotist. Te “Djaloshi” (Podrostok, 1875) Versillovi i ri dhe “i ofenduar” në një mjedis shoqëror të shfrenuar flet për idealin e të vetmuarit (bankari gjerman Rothschild) të cilit paratë i nevojiten për të pasur pushtet mbi të tjerët, gjë që e shpie në çmenduri.
Në romanin “Vëllezërit Karamazovë” kemi enigmën e vrasjes së babait të tyre. Përpos qytezës provinciale romani përfshin edhe hapësirën e manastirit. Në këtë vepër autori i paraqet edhe idetë e veta: pasqyron karakterin e errët të njeriut, karakterin kriminal derisa nuk njeh Zot (“Zot s’ka – çdo gjë është e lejueshme”), predikimin e vuajtjes dhe të idealit teokratik.
Dostojevski krijoi roman tipi të ri. Tregimtari u afrohet karaktereve të personazheve të veta dhe jetës shpirtërore të tyre. Teoricieni i letërsisë, gjuhëtari dhe esteti rus Mihail Mihailloviç Bahtin (Mihail Mihailovič Bahtin, 1895-1975) thotë se në romanet e Dostojevskit, nëpërmjet polifonisë, bëhet i mundur debati lidhur me çështjet morale, etike dhe filozofike. Pas viti 1866 Dostojevski u pranua në Evropë si “krijues i shpirtit rus”.
Ekspresionistët urbanë e konsideronin paraardhës të tyre. Pas tyre edhe filozofët dhe shkrimtarët ekzistencialistë francezë Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980, më 1964 refuzoi çmimin “Nobel”) dhe laureati i çmimit “Nobel” (1957) Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960). Për Dostojevskin ka shkruar romancieri dhe dramaturgu francez, laureat i çmimit “Nobel” (1947) Andre Zhid (Andre Gide, 1869-1951). E çmonte romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922).
Shënim: Sartri thotë se njeriun nuk e cakton paraprakisht kurrfarë plani, as ndonjë ide. Se ç’do të bëhet njeriu, kjo caktohet në ekzistencën e tij, në atë se ç’bën ai nga vetja. Në zgjedhjen e ekzistencës së vet, njeriu përgjigjet para vetvetes dhe para të gjithëve që janë të interesuar me zgjedhjen e tij. Me këtë, në themel të filozofisë së vet Sartri ka vënë humanizmin, për arsye se refuzon të pranojë ekzistimin e forcave të amshueshme (Zotit, natyrës, të vërtetave të përjetshme),
* * *
Periudha e madhe e kreativitetit – Krijimtaria letrare e Dostojevskit i takon drejtimit letrar të realizmit. Në vitin 1864 Dostojevski publikon romanin e shkurtër “Shënime nga nëntoka”, me rrëfim tejet intensiv. Ky roman është pararendës i veprave të ngjashme të romancierit, eseistit dhe dramaturgut francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960), të shkrimtarit dhe dramaturgut kroat Miroslav Kërlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981), të prozatorit francez Luis-Fernand Selin (Louis-Fernand Celine, mbiemri i vërtetë Destouches, 1894-1961), apo të prozatorit dhe dramaturgut rus Leonid Nikollaeviç Andreev (Leonid Nikolaevič Andreev, 1871-1919).
Në këtë roman autori ka përdorur një sërë prosedeshë me të cilët e ka ripërtërirë prozën dhe ka krijuar modelin e romaneve të tij të mëdha që do të pasojnë më vonë: larjen ideologjike të hesapeve me stereotipet utopike dhe “humaniste”; një sërë kapitujsh eseistikë, që në thelb janë dialogë sokratikë të dramatizuar, të zhvilluar në një atmosferë me plot pasione dhe skandale; stilin zhurnalist me qëllim që të paraqitet në mënyrë funksionale vizioni i autorit dhe jo përjetimi estetik; tipologjinë psikologjike që përfshin më së shpeshti të krishterët e përvuajtur dhe të përulur, siç janë Sonja Marmelladova, Alosha Karamazov, princi Mishkin; cinikët nihilistë Sfidrigajllov, Nikollaj Stavrogin; intelektualët radikalë në luftë kundër të gjitha vlerave përgjithësisht të pranuara ose “ateistët religjiozë” siç janë Rodion Raskollnikovi, Ivan Karamazovi, Kirilovi; fëmijët e “familjeve të rastësishme” dhe njerëzit të cilëve u është cenuar dinjiteti, siç janë heronjtë e romaneve “Djaloshi i ri”, “Shënime nga nëntoka”.
Dostojevski e zhvilloi teknikën e përroit të ndërgjegjes shumë më parë se të ishte popullarizuar në romanin anglo-amerikan të shekullit XX. P.sh. tregimi i gjatë “Krotka”, “Idioti” ku veprimin e ka përmbledhur vetëm në disa ditë apo në disa orë, duke e dhënë prerjen kohore në vetëdijen e narratorit (“Krotka”). Dostojevski ka krijuar “roman polifonik” të vërtetë, siç e ka quajtur teoricieni letrar, gjuhëtari dhe esteti rus Mihail Bahtin (Mihail Mihailovič Bahtin1895-1975), në të cilin polifonia e luftës ideologjike, fetare dhe filozofike që i shqyen protagonistët gjen shprehje, si në vetëdijet e brendshme, ashtu edhe në dialogët dramatikë të ngjeshur.
Pjesa më e madhe e romaneve të Dostojevskit është vendosur në mjediset e errëta të nëntokës së qytetit të madh. Aty ndodhin ngjarje shqetësuese që të përkujtojnë romanet triviale dhe kronikat e zeza: vrasje, atëvrasje, krim, vjedhje, skandale llojesh të ndryshme. Pasqyrohen “çështje, për njerëzimin të mallkuara”: karaktere të së keqes, vuajtje njerëzore, vdekja dhe pavdekësia, ekzistimi dhe mosekzistimi i Zotit, liria dhe përgjegjësia, fati i Rusisë dhe i Perëndimit.
Disa kritikë letrarë thonë se Dostojevski është një autor kryekëput spiritual. Karakterizimi që i bën njeriut është “sheshi ku luftojnë Zoti dhe Djalli, me jetën e njeriut si shkak”. Në tipologjinë e heroit që e ka cekur kritiku letrar kanadez Nortrop Fraj (Northrop Frye, 1912-1991) në librin “Anatomia e kritikës”, personazhet letrare lëvizin prej perëndive dhe gjysmëperëndive mbitokësore ku bëjnë pjesë kryesisht tregimet mitike dhe religjioze, deri te njerëzit e thjeshtë, ku bën pjesë romani realist, ndërsa në diskursin e lexuesit – individët inferiorë që janë nën nivelin e vlerave të njerëzve mesatarë. Bazuar në fjalorin e eseistit francez Blezë Paskal (Blaise Pascal, 1623-1662) njeriu është një qenie më e ulët se engjëlli.
Por, personazhet e Dostojevskit shpeshherë janë edhe më të ulët se njerëzit e rëndomtë, herë-herë animalë, por në çaste ekstaze e arrijnë dhe e tejkalojnë nivelin e engjëllit. Kjo optikë e dyfishtë është një prej fshehtësive të veprave të Dostojevskit që shkaktojnë shqetësim: duke qenë në të njëjtën kohë nën kafshën dhe mbi engjëllin, heronjtë e tij të ndarë në mënyrë arketipe, rrezatojnë me vitalitetin shpirtëror që është bazë e karakterit metafizik dhe spiritual.
* * *
Roman i madh i Dostojevskit konsiderohet “Krim dhe ndëshkim” (1866). Është vepra teknikisht më e përsosur. Flitet për një vrasje ideologjikisht të motivuar. Personazhi kryesor është Rodion Raskollnikov, prototip i mbinjeriut të filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1990). Roman i madh është edhe “Idioti” (1868). Këtu Dostojevski e ka dhënë figurën e ngjashme me të Krishtit, të princ Mishkinit, si dhe komentin realist implicit për shkatërrimin e së mirës së pakushtëzuar në botën shekullare. “Mllefet” / “Demonët” / “Shpirtra të këqij” (1872) është roman më “dostojevskian” ku flitet për grupin e revolucionarëve nihilistë, vepër e nimbusit metafizik në petkun e romanit politik. “Djaloshi i ri” / “Sqepverdhi” (1875) është varianti rus i romanit edukativ gjerman me plot ngjarje kaotike e që nuk shpie, sikur bildungsromani, në kurrfarë ekzistence qytetare të rregulluar.
Vepra e fundit, më voluminoze dhe më e madhe “Vëllezërit Karamazovë” (1881) bën fjalë formalisht për patricidin në familjen me babanë dhe tre vëllezërit. Në këtë vepër autori i ka përmbledhur të gjitha temat obsesive apo që e kanë preokupuar. Përmbyllet me mesazhin e shpresës: ringjalljen dhe jetën e amshueshme.
Në vitet e fundit bëri një jetë të rregullt. U lirua nga mangësitë dhe vështirësitë materiale me të cilat u ballafaqua gjatë një pjese të madhe të jetës. Kishte ndër mend të shkruante vazhdimin e “Vëllezërve Karamazovë” të planifikuar si trilogji apo tetralogji, por vdekja ia ndërpreu synimin.
Gjeniu i madh vdiq më 9 shkurt 1881 në Shën Peterburg, pas një gjakderdhjeje të shkaktuar nga sulmi epileptik. Varrimi i tij ishte madhështor. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, në funeral morën pjesë 100.000 njerëz, kryesisht rini studentore. Varrimi i tij u shndërrua në demonstrata kundër carizmit, përkundër qëndrimit të dykuptimtë të Dostojevskit ndaj regjimit si dhe “kanunizimit” gjysmëzyrtar të tij nga regjimi carist.
* * *
Dostojevski i takon rrethit më të ngushtë të shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë, siç janë poeti italian Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321), poeti dhe dramaturgu anglez Uilljëm Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), prozatori, dramaturgu dhe publicisti rus Leon Tolstoj (Lev Nikolaevič Tolstoj, 1828-1910), shkrimtari spanjoll Miguel de Servante (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616), romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) etj.
Ndikimi i tij në letërsinë botërore është i jashtëzakonshëm, që nga prozatori dhe dramaturgu rus Leonid Andreev (Leonid Nikolaevič Andreev, 1871-1919) deri te tregimtari dhe liriku gjerman Herman Hes (Hermann Hesse, pseudonim i Emil Sinclair, 1877-1962), që nga prozatori amerikan Uilljëm Fokner (William Faulkner, 1897-1962)) deri te tregimtari austriak Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924), që nga romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) deri te prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014).
Të rrallë janë shkrimtarët e mëdhenj që kanë mundur t’i shpëtojnë hijes së tij, madje as ata të cilët janë ngritur kundër tij, si shkrimtari dhe dramaturgu kroat Mirosllav Kërlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981) dhe prozatori anglez me prejardhje polake Jozef Konrad (Joseph Conrad, 1857-1924). Nën ndikimin e tij janë sidomos lëvizjet ekspresionizmi dhe ekzistencializmi.
Sjelljet dhe veprimet patologjike dhe skizofrenike të personazheve të caktuara të Dostojevskit janë studiuar edhe në neurologjinë dhe në neuropsikiatrinë bashkëkohore.
VEPRAT:
Romanet: “Njerëz të mjerë” (1846), „Të poshtëruar dhe të fyer” 1861), „Krim dhe ndëshkim” (1866), „Kumarxhiu” (1867), „Idioti” (1868) „Mllefet” (figuron edhe si „Demonët“ ose „Shpirtra të këqij“, 1872), „Djaloshi i ri“ (ose „Sqepverdhi“ – „Podrostok“ (1875), „Vëllezërit Karamazovë” (1880);
Novelat: „Kipci” (1846), “Net të bardha” (1848), “Netoçka Nezvanova” (1849), e papërfunduar, „Shënime nga nëntoka” (1864);
Shënimet: „Shënime nga shtëpia e të vdekurve” (1860-1862).
Gusht, 2020