FILOKALIA – DASHURIA NDAJ TË BUKURËS

0
181
Robert Kola - Hiri i Mahnitjes

Don Robert Kola Don Robert Kola

Bëhuni edhe ju të mëshirshëm
sikurse Ati i juaj është i mëshirshëm.

(γίνεσθε οἰκτίρμονες καθὼς
ὁ πατὴρ ὑμῶν οἰκτίρμων ἐστίν)

(Lk, 6, 36)

 “Gjithçka ishte bukur”

Rrëfimi i krijimit, sipas traditës biblike, është rrëfenja e zanafillës së dritës dhe e përkryerjes së saj. Drita është parathënia e krijimit, ndërsa agapeja (dashuria) është epilogu i saj.[1] “Duke e tërhequr botën nga asgjëja, Krijuesi, Poeti hyjnor e kompozoi simfoninë e vet të krijimit në gjashtë ditë (Hexameron) dhe në secilin akt gjatë krijimit të tij, ‘shihte që çdo gjë ishte e bukur.’ Teksti i rrëfimit biblik përdorë shprehjen: – ishte e bukur (καλόν) e jo ishte e mirë (άγαϑόν), ashtu siç përfshin nocioni biblik njërin dhe tjetrin kuptim.

Nga ana tjetër, folja krijoi është e lakuar në hebraishte sipas mënyrës së kryer të plotë dhe nënkupton se bota ishte e krijuar, është krijuar dhe krijohet deri në përkryerjen e saj. Duke dalë prej dorës së Hyjit, tharmi i saj mbetët bukuria e hapur ndaj lartësimit edhe përmes ndodhive që përcjellin krijesën në rrahjet e saja plotë gjallëri dhe të pësimeve dhe është e përfshirë në sinergjinë në mes veprimit hyjnor dhe atij njerëzor. Sipas Shën Maksimit Rrëfyestar, përsosja e bukurisë zanafillore, përkryhet në bukurinë e përsosur të mbarimit që merr emrin e Mbretërisë.”[2] Mbretëria e Hyjit është kundrimi i Bukurisë: “Vetja e Tretë e Trinisë zbulohet si Shpirti i Bukurisë.”[3]

Duke hetuar misterin e zanafillës së krijimit përmes Fjalës së Hyjit, P. Evdokimov-i pohonte: “Drita e zanafillës, ‘në fillim,’ në kuptimin e ‘in principio’ është zbulesa më tronditëse e Fytyrës së Hyjit. ‘Lë të bëhet drita’ do të thotë për botën që po krijohej: le të jetë Zbulesa, pra ardhtë Zbuluesi, ardhtë Shpirti i Shenjtë! Ati e shqipton Fjalën dhe Shpirti e shfaq atë; ai është Drita e Fjalës.”[4]

Bibla fillon me rrëfimin e shfaqjes së dritës zanafillore dhe mbaron me Dritën që tejfiguron krijesën në Lavdinë e pambaruar që shfaqet përmes Fytyrës së Qengjit. Vatra e njëmendësisë së bukurisë vjen nga tradita biblike. “Fytyra shquan saktë personalitetin, në shfaqjen e tij, në shprehjen e tij, në pranimin e tij dhe në çiltërsinë e tij zanafillore. Fytyra definohet duke u nisur prej saj dhe ajo është, nëse mund të shprehemi ashtu, misteri i çdo drite dhe fshehtësia e çdo hapje. (…)

Është fytyra e njeriut, përtej çdo shprehje të veçantisë njerëzore, që falë pa përsëritshmërisë së saj, manifeston gjurmën e Hyjit dhe drita e zbulesës përshkon universin. Personalitetin që shfaq fytyra është njëkohësisht, ajo çka është e pazëvendësueshme, e pa përsëritshme dhe unike dhe përbën vet personalitetin e njeriut. Duke vështruar fytyrën e njeriut si ikonë të Hyjit, universi bëhet një përfytyrim i relacionit dhe grumbullimi i grimcave të saj, marrin kuptimin e tejdukshmërisë së figurës përmes metaforave që hapen drejt për drejt në shqimin tonë përmes gjuhës, si një poemë zanafillore.”[5]

E bukura pra, siç pohon me të drejtë V. Solov’ëv-i: “pa të mirën dhe të vërtetën shndërrohet në një idhull.”[6] Idhulli ngrihet aty ku mohohet krijimi dhe është shëmtia e bukurisë.

Njeriu ikonë e Hyjit është: “simboli i pa shkatërrueshëm që i takon thesarit të kanonit biblik.”[7] Misteri i njeriut buron nga Fjala e Hyjit. Shtati i kësaj ikonë është lartësia, gjerësia dhe thellësia e kësaj Fjalë. Ne nuk do të mbërrinim kurrë në lartësinë dhe thellësinë që përmban Shkrimi i Shenjtë, kur shpall:

“Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.” (Zan 1, 27)

Bukuria e dritës përshkon sidomos njeriun e krijuar si ikonë e Hyjit. “Çfarë është kjo bukuri e krijuar në përngjasim të Hyjit? (ή κατ’ είκόνα Θεού πλασϑείσα ώραιότηζ). (…) Trupi ynë është ajo bukuri, ikona e patregueshme e lavdisë së Hyjit (είκών άρρητου δόζης).”[8]

Rreth misterit të krijimit të njeriut, si ikonë e Hyjit, Shën Irineu thotë: “Për sa i përket njeriut, ai u krijua prej Hyjit me vetë duart e tij, duke marrë pluhurin e tokës dhe duke e përshkuar këtë pluhur në një masë të duhur me fuqinë e tij. Në fakt, ravijëzoi mbi mishin e krijuar trajtën hyjnore, pasi është ikonë e Hyjit, i krijuar, dhe kështu njeriu u vendos mbi tokë. Dhe për t’u bërë shpirt i gjallë, Hyji hukati mbi fytyrën e tij frymën e jetës, në atë mënyrë që njeriu, edhe sipas frymës, edhe sipas mishit të krijuar, të jetë sipas përfytyrimit të Hyjit.”[9]

Duke shqyrtuar teologjinë e ikonës në veprat e Shën Irineut, M. Jourjon thotë: “Sipas mishit të krijuar, njeriu u bë sipas përfytyrimit të Hyjit, sepse shtati i tij është ravizim i Krishtit. Sipas frymës së jetës, njeriu është shëmbëlltyrë e Hyjit nga se vitaliteti i tij është lajmëtar i Shpirtit.”[10]

Njëmendësia e njeriut ikonë e Hyjit është lartësimi i vijueshëm në bukurinë e përsosmërisë së Atit dhe të Shëmbëlltyrës së Tij, që është Biri i Njëlinduri: “Në kohët e shkuara thuhej se njeriu është krijuar sipas përfytyrimit të Hyjit, por nuk shfaqej i tillë, sepse Fjala e papashme ende ishte e fshehur në shëmbëlltyrën e të cilit njeriu ishte krijuar, dhe për këtë e humbi fare lehtë përngjasimin. Mirëpo, Fjala e Hyjit u mishërua, e përforcoi njërën dhe tjetrën: e shfaqi përnjëmend ikonën, duke u bërë vetë ai çka ishte, ikona e tij, dhe e bëri të qëndrueshme përngjasimin, duke e bërë njeriun të ngjashëm me Atin e papashëm përmes Fjalës që shihej”[11].

Drita e lavdisë së Hyjit e pambaruar përkryhet edhe në mishin-trupin tonë. Shën Bazili i Madh, rreth saj thotë: “Vetëm kur njeriu është pastruar nga turpi i shkaktuar prej ligësisë së tij dhe është kthyer në bukurinë e tij natyrale, duke ripërtërirë kështu formën e parë të Shëmbëlltyrës Mbretërore me anë të pastrimit, vetëm në këtë gjendje ai mund t’i afrohet Paraklitit. Pastaj, Ai, si një diell, i parë nga një sy i pastruar, do të tregojë ty, në vetveten e Tij, Shëmbëlltyrën e të Padukshmit, ti do të shikosh bukurinë e pashprehur të Arkeotipit. Nëpërmjet Tij zemrat ngrihen lart, të dobëtit, mbahen përdore dhe të përparuarit bëhen të përsosur. Duke i ndriçuar ata që janë të pastruar nga çdo papastërti.

Ai i bën ata ‘shpirtërorë’ nëpërmjet kungimit me Atë. Sikurse trupat e kulluar dhe transparentë bëhen të ndritshëm kur një rreze ndriçuese i përshkon dhe pastaj ata vetë japin një shkëlqim, ashtu edhe shpirtrat që mbartin Shpirtin e Shenjtë, të ndriçuar prej Tij, bëhen ‘shpirtërorë’ dhe përhapin hir ndër të tjerë. Nga kjo vjen para njohja e së ardhmes, kuptimi i mistereve, zbulimi i të fshehtave, shpërndarja e hireve, pjesëmarrja në jetën e qiellit, këndimi në koret engjëllore, gëzimi i pambarim, banimi i përhershëm në Perëndinë, ngjashmëria me Perëndinë, dhe, se fundi, dëshira më e lartë: ‘për t’u bërë Perëndi’.”[12]

Krijuesit dhe krijimtaria e njëmend, mbjellin dritën zanafillore dhe veprat e tyre përhapin dritën e përsosjes të Mbretërisë së Hyjit.

Si rrallë ndër krijuesit e tjerë, vepra e Dostojevskit është e përshkuar nga kërkimi i dritës së bukurisë zanafillore e krijimit dhe gjakon lartësimin në dritën e përkryer të Mbretërisë qiellore.

Pohimi i Dostojevsikit se: “Botën do ta shpëtojë bukuria,”[13] është si një stratagjemë e krijimtarisë së tij. Ajo lypset lexuar në frymën e bisedës që zhvillohet në mes Kirillovit dhe Stravoginit, në romanin e tij “Djajtë.” [14]

“- Po më dukeni si shumë i lumtur sonte, Kirillov?
– Po, shumë i lumtur jam, – iu ktheu ky si të ishte duke u përgjigjur në një pyetje fare të rëndomtë.
– Po ju s’latë gjëmë pa shqiptuar kundër Liputinit, para do kohë?
– Hëm… tani s’e pyes më. Atëherë s’e kisha ditur që isha i lumtur. Keni parë si bie gjethi nga druri?
– Kam parë.

Pashë një këto ditë, të zverdhur, vende-vende jeshile, anët të thara. E mori era me vete. Kur isha dhjetë vjeç, mbyllja sytë dhe e përfytyroja gjethin: gjelbërosh, të freskët, me damarë, të ndriçuar nga dielli. Kur i hapja, s’më besohej, ngaqë ndjesia kishte qenë e mrekullueshme. I mbyllja përsëri.

– Po me flisni me alegori?
– Jo… ç’ne! Për gjethin fola, për një gjeth. Gjethi është i mirë. Çdo gjë është e mirë.
– Çdo gjë?
– Po çdo gjë. Njeriu nuk është i lumtur, sepse nuk e di që është i lumtur; vetëm për këtë. Kjo është e gjitha.”

Krijimtaria e Dostojevskit vjen e frymëzuar nga vatra e filokalisë së Traditës lindore, të cilën e njihte mirëfilli. Rreth kësaj P. Florenskij-i thotë: “Nëse e bukura është zbulim dhe zbulimi është dritë, atëherë e bukura është dritë dhe drita është e bukura. Drita absolute do të jetë edhe e bukura absolute, dashuria e saj në përkryerjen e saj, e cila bën çdo person të bukur. Shpirti i Shenjtë që është kurorëzimi i dashurisë së Atit dhe Birit, është, po ashtu, objekti dhe damari i kundrimit të bukurisë. Ja përse etërit e shenjtë artin e askezës nuk e quajnë as shkencë as veprim moral, por veprimtari të drejtpërdrejtë e kundrimit të dritës pa perëndim përmes Shpirtit të Shenjtë: për më tepër e quajnë artin e arteve.

Njohja teorike (φιλοσοφία) është dashuri për urtinë, ndërsa njohja kundruese që vjen nga askeza, quhet φιλοκαλία, dashuria për të bukurën. Domethënia e fjalës ruse (Dobrotoljubie), kuptohet si Mirëdashje, jo siç merret sot kuptimi i saj, por në kuptimin e lashtë që kishte, e cila s’ka të bëjë aq me përkryerjen morale, por me përkryerjen e dashurisë ndaj të bukurës. Së këndejmi, askeza krijon jo njeriun e ‘mirë,’ por njeriun e bukur dhe ravijëzimi dallues i shenjtërve nuk është ‘mirësia’ e cila mund të jetë e pranishme edhe tek njerëzit me prirje të mishit dhe që janë shumë mëkatar, por bukurinë shpirtërore, të asaj bukurie verbuese të personit të shndritur dhe dritë mbajtës, e paarritshme për njeriun e topitur dhe truporë. Asgjë s’është me e bukur se Krishti, i vetmi pa ndonjë mëkat.”[15]

Zemërdhembshuria buron nga akti i dhurimit. “Zemërdhembshuria e njeriut shfaqet vetëm në dhurimin e gëzueshëm.”[16] Ajo e lartëson njeriun në bukurinë e dritës përmes pastërtisë së zemrës. Shën Izaku nga Syria, duke folur rreth pastërtisë së zemrës, thoshte: “Çfarë është pastërtia? Është një zemër e mëshirshme për çdo krijesë (καρδία έλεήμων υπερ πάσηής κτιστής φυσεως). (…) Po çka është një zemër e mëshirshme. Është përflakja e zemrës për çdo krijesë: për njerëzit, për shpendët, për shtazët për çdo gjë që ekziston. Ndaj kujtimit të tyre dhe ndaj shikimit të tyre, sytë derdhin lot, për shkak të thekës së mëshirës ndaj tyre dhe zemra shtrëngohet në ofshama të dhembshurisë. Ajo shkrihet dhe nuk duron të dëgjojë apo të shikojë, qoftë edhe dëmtimin më të vogël dhe vuajtjen e ndonjë krijese.”[17]

Bukuria e njëmend është askeza që rrënjëzon agapen (dashurinë) në zemrën e çdo krijesë. Sikundër që zemra është qendra e personit: “Çdo mistikë tjetër edhe nëse ofron ndonjë mundësi të thellimit të saj, thyen ekuilibrin e personalitetit, mbasi fara e shpirtit, nëse nuk ushqehet me hirin dhe nuk lartësohet në kraharorin e Trinisë së Shenjtë, thahet dhe vdes.”[18]

Shpirti i Shenjtë është pengu i bukurisë së mishit dhe i shpirtit të njeriut. Ai është lartësimi në bukurinë e përsosur dhe të pambaruar në dritën e Mbretërisë së Hyjit.

“Bebëza e syrit tim, çerdhja e bukurisë sate”

I rrëmbyer nga bukuria e ikonave në Kishën që i kushtohej Virgjërës Mari në Prizren, e kthyer në xhami nga pushtuesit osman gjatë gjysmës së shek. XVIII, një punëtor i ri i besimit islam, që ishte ngarkuar t’i mbulonte afresket e ikonave, i magjepsur pas bukurisë rrezatuese të tyre, shkroi një ndër rreshtat me tronditëse, rreth bukurisë se tyre, duke gdhendur në mur poshtë ikonës: “Ëndrra e Jakobit,” këto fjalë: “Bebëza e syrit tim është çerdhja e bukurisë sate.”[19]

Sikundër që përmes dritës thellohet shikimi, përmes ikonës thellohet shfaqja e fytyrës. Ikona është përmbushje e shikimit. Ajo është festa e shikimit. Duke kundruar fytyrën e Virgjrës Mari, si: “Tota pulchra,” kisha heton, se Ajo është po ashtu edhe shkalla e zbritjes dhe e ngjitjes, në dritën e misterit që ikona shfaq:

Gëzohu, o shkallë qiellore,
me të cilën zbriti Perëndia,”
gëzohu, o urë, që shpie prej dheut në qiell.”[20]

Një ndër ikonat që ndikoi thellimin e shikimit të Kishës është ikona e Virgjrës Mari e quajtur “Eleusa”, e cila është një prej varianteve të ikonës “Hodighitria.” Ikona e paraqitet “Virgjrën me fëmijë” që mban në gji. Ajo: “vjen nga tradita e krishterë e Egjiptit dhe në himnet siriane hasim vargje të rralla të thurura për nder të Saj, nga të cilat rimerren aq thellë edhe nga himni i quajtur: ‘Akathist’ i traditës së Kishës lindore, ku ndër të tjera këndohet:

Fjalën e Jezu Krishtit në krah’ e prite,
atë që mban gjithësinë ti e mban në gji.[21]

Virgjëra Mari është udhëtreguesja e butësisë amnore dhe e përkëdheljes së parrëfyeshme të dashurisë.”[22]

Ikona e Saj dëfton se lartësimi në dritën e lavdisë së Hyjit nuk qëndron në përpjekjen e ngjitjes sonë, por në pranimin e Dhuratës që dëftohet në Fytyrën e dukshme të Foshnjës hyjnore që Virgjëra e mban në gji.

Në ikonën e Saj, shestohet edhe pajtimi i të kundërtave dhe shfaqet shkëmbimi i mrekullueshëm, në mes natyrës hyjnore dhe asaj njerëzore, që ndodh përmes mishërimit të Fjalës së amshuar:

Gëzohu ti, që bashkove të kundërtat;
gëzohu ti, që pajtove virgjërinë dhe lindjen.[23]

Rreth këtij misteri të shkëmbimit Shën Gregori thotë: “Oh, bashkim i jashtëzakonshëm, oh shkëmbim i mrekullueshëm! ‘Ai që është’ lindet, dhe Ai që nuk është i krijuar, vjen i krijuar; Ai që është i pakapshëm, bëhet i kapshëm, përmes shpirtit bëhet ndërmjetës në mes asaj që është hyjnore dhe peshës së mishit, përderisa unë të mund të begatoja hyjninë e tij. Ai që është plotnia, bëhet i zbrazët; u zbraz, në fakt, për një kohë të shkurtër nga lavdia e vet, përderisa unë të merrja pjesë në plotninë e tij. Çfarë begatie e mirësisë së tij!

Çfarë misteri është ky që më përket? Unë kisha pjesë në përfytyrimin e Hyjit, por nuk e ruajta, Ai tashti merr pjesë në natyrën time, edhe për të ruajtur ikonën, edhe për ta bërë të pavdekshëm trupin tim. Ai hyri në bashkim (δευτέραν κοινωνεί κοινωνίαν) me njeriun për të dytën herë dhe në një bashkim më të jashtëzakonshëm se të parën herë, nëse të parën herë më bëri pjesëmarrës të natyrës më të lartë, tani është Ai, i cili bën pjesë në elementin tonë të përkeqësuar. Ky fakt është më hyjnor si ai në fillim, është më i madhërishëm për ata që kuptojnë.”[24]

Në vëzhgimet e saja të thella S. Weil theksonte se si shikimi një prej të vërtetave me themelore të krishterimi kishte mbetur jo aq i përfillur. Rreth saj thoshte: “Njëra nga të vërtetat me themelore të krishterimit, sot e mos përfillur nga të gjithë është ajo e shikimit që shpëton.”[25]

Misioni i religjionit njëmend qëndron në lartësimin e shikimit të dashurisë së mbinatyrshme: “Religjioni nuk duhet të qëndrojë në diçka tjetër, pos në hapjen e shikimit. Derisa do të synojë të paraqitet ndryshe, do të jetë e paevitueshme që të mos mbetët i mbyllur rreth kishave, dhe në cilindo vend tjetër që kërkon të gjendet, do të mbarojë duke ngulfatur çdo gjë. Religjioni nuk duhet të pretendojë të marrë asnjë hapësirë tjetër, pos atij që përputh shpirtin me dashurinë e mbinatyrshme.”[26] Duke shmangur kundrimin e ikonës, kemi shmangur shikimin e shfaqjes së fytyrës.

Tradita kishtare e lindjes, e cila i qëndron besnike traditës së mirëfilltë të etërve kishtarë, veçon shikimin si amzën e lartësimit shpirtëror në dritën hyjnore. P. Florenskij rreth saj thoshte: “Shikimi është manifestimi i ontologjisë. Në Bibël dallohet domethënia që përfshin njeriun si ikonë e Hyjit dhe shëmbëllesës së Tij; tradita kishtare e shtjellon të parën si dhuratën ontologjike të Hyjit dhe si themel shpirtëror të çdo njeriu, si i tillë, ndërsa e dyta, e shquan forcën, mundësinë e përkryerjes shpirtërore, dinamikën e përputhjes të personalitetit empirik, në plotësin e themelit të tij, të ikonës së Hyjit, që do të thotë, mundësinë që ikona e Hyjit, trashëgimi ynë thelbësor, të njëmendësohet në jetë, në personalitetin tonë që shfaqet pikërisht në fytyrë. Fytyra merr dinjitetin e lartësimit shpirtëror për dallim nga fytyrat e sajuara (…) Ajo qëndron në njëmendësinë e saj thelbësore të qenies sonë, falë energjisë së ikonës së Hyjit, fytyra bëhet shikim. E shikimi është shëmbëllesa e Hyjit e pranishme në fytyrë.”[27]

Shëmbëllesa sipas Hyjit është: “Hiri i Shpirtit Shenjtë, i cili e përngjason njeriun në rrugën e lartësimit të Hyjit, në shenjtërinë e dashurisë.”[28]

Shikim bëhet dashuri, mbase: “dashuria është shikimi i shpirtit.”[29] Kur shpirti qëndron në fronin e dashurisë, bëhet krejt shikim. “Kur shpirti i bërë i denjë të marrë pjesë në Shpirtin e Shenjtë, burim i dritës së tij, dhe ndriçohet nga bukuria e patregueshme e lavdisë së Zotit, që e ka përgatitur për fron të vetin dhe banesë të vetën, ai bëhet, po ashtu, krejt dritë, krejt fytyrë, krejt shikim; s’ka asnjë pjesë e tij që nuk përshkohet nga shikimi shpirtëror i dritës, s’ka asgjë në të çka i përket errësirës, por krejt është i tej figuruar në dritë dhe në shpirt, dhe i tërë përshkohet nga shikimi; s’ka asgjë që mbetet mbrapa tij për t’i kthyer shpinën, por është fytyrë në çdo anë, pasi mbi të është vendosur bukuria e pa treguar dhe lavdia e shkëlqyer e Krishtit […]

Sikur zjarri dhe si vetë drita e zjarrit, që është e njëjtë dhe s’ka në vete diçka për para apo mbrapa, të madhe apo të vogël. Kështu edhe shpirti, që është i përsosur dhe i shndritur nga bukuria e lavdisë së shkëlqyer prej fytyrës së Krishtit, i cili është në bashkësi me Shpirtin e Shenjtë, duke e bërë të denjë shpirtin tonë, që të bëhet froni i Hyjit edhe shpirti ynë bëhet krejt sy, krejt dritë, krejt lavdi. Kështu e bën Krishti, që e udhëheq, i prin, e bart dhe e rrethon me bukurinë shpirtërore.”[30]

Misteri i ikonës është misteri i dritës së Shpirtit të Shenjtë. Ai e lartëson shikimin tonë në Fytyrën e shfaqur të Jezu Krishtit. Në saje të Fytyrës së Tij, do ta shohim Hyjin ashtu siç është dhe fytyra jonë do të bëhet e ngjashme me fytyrën e Tij përmes shikimit:

Të dashur,
tani jemi fëmijët e Hyjit,
por çka do të jemi ende nuk u zbulua.
Kaq dimë:
kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm
me Të,
sepse do ta shohim ashtu siç është.” (Gjn 3, 2)

Përmes Fytyrës së Jezu Krishtit lartësohemi në lavdinë e Atit: “Hyji që tha: ‘Prej errësirës le të shndrit drita!’, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.” (2Kor 4, 6) Shpirti i Shenjtë e shndërron fytyrën tonë përmes kundrimit të Fytyrës së Jezu Krishtit: “në të njëjtën trajtë prej lavdie në lavdi.” (2Kor 3, 17)


[1] Shih: W. KERN, Interpretazione teologica della fede nella creazione, në: Mysteruim Salutis 4, Queriniana 1985, f. 126.

[2] P. N. EVDOKIMOV, Teologia della bellezza. L’arte della icona Edizioni Paoline, Milano 1990, f. 29t.

[3] P. N. EVDOKIMOV, Teologia della bellezza, f. 30.

[4] P. N. EVDOKIMOV, Teologia della bellezza, f. 34.

[5] E. LEVINAS, Nomi propri, Castelvecchi, Roma 2014, f. 132

[6] V. S. SOLOV’ËV, Tre discorsi in memoria di Dostojevskij, Milano 1981. Cituar sipas V. S. SOLOV’ËV, Sulla bellezza, përkth., në it., nga Adriano Dell’Asta, Milano 2006, f. 22.

[7] P. RICOUER, Storia e verità, Foggia, 1994, fq. 117.

[8] P. FLORENSKIJ, La colonna e il fondamento della verità, Rusconi, Milano 1998, f. 358.

[9] IRENEO DI LIONE, Contro le eresie. E gli altri scritti, Jaca Book, Milano 1997, f. 492.

[10] M. JOURJON, L’homme image di Dieu selon Irénèe de Lyion, në: Christus 124 (1984), f. 502.

[11] IRENEO DI LIONE, Contro le eresie, f. 442.

[12] SHËN VASILI I MADH, Mbi Shpirtin Shenjtë, përkthim në shqip nga At J. Pelushi, Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë, f. 57.

[13] F. DOSTOJEVSKI, Idioti, e përktheu Jorgji Doksani, Shtëpia botuese “UEGEN” Berat, 1969, f. 481.

[14] F, M. DOSTOJEVSKI, Djajtë, përktheu nga origjinali Jorgji Doksani, UEGEN, Tiranë 2000, f. 193-194.

[15] P. FLORENSKIJ, La colonna e il fondamento della verità, f. 140t.

[16] S. WEIL, L’attesa di Dio, Adelphi Edizioni, Milano 2008, f. 49.

[17] SHËN IZAKU NGA NINIVA, Un umile speranza, Qiqajon, 1999, f. 194.

[18] P. FLORENSKIJ, La colonna e il fondamento della verità, f. 325.

[19] Shih: Emsionin dokumentar të Tv Prishtinës: “Prizereni qytet i burimeve dhe i bukurisë,” “Zastava film,” 1972. Nga filmi dokumentar, mund të vërehet edhe shkrimi që ndoshta i përket osmanishtes se vjetër dhe do të ishte e duhur të sillej transkriptimi i kësaj fjalie sipas shkrimit burimor, do qëndronte si një epitaf i rrallë ndaj bukurisë që shfaq ikona.

Kisha e kushtuar Virgjrës Mari në Prizren, që tek shqiptarët njihej edhe si Kisha e “Shën Prendës,” ishte e ngritur mbi gërmadhat e një Kishe të vjetër e shekullit X, nga mbreti Millutin. Gjatë pushtimit osman, rreth shek. XVII, ishte kthyer në xhami dhe njihej si Xhuma-xhamia. Rreth vitit 1912, ajo u kthye përsëri nga xhamia në Kishë. Pas revoltave dhe trazirave që shpërthyen në Kosovë në vitin 2004, ikonat pësuan dëmtime dhe vështirë që mund të përtërihen në shkëlqimin e tyre të më përparshëm.

[20] Shërbesa e himnit Akathist, në Troidi dhe Pesëdhjetorja, E përktheu Imzot Fan Stylian Noli, E botoi Peshkopata e Amerikës, Boston, Mass., 1952 f. 95.

[21] Shërbesa e himnit Akathist, në Troidi dhe Pesëdhjetorja, f. 108.

Pas hyrjes triumfale të trupave myslimane në Mekë, Profeti kur arrin të kuba e Kabës e gjen të mbuluar edhe me afreske. Muhamedi a.s. urdhëroi të shlyhen të gjitha, pos njërës, që paraqiste “Virgjërën me fëmijë.” Shih: A. S. MELKIAN SHIRVANI, L’islam, le verbe et l’image, në F. BOESPFLUG – N. LOSSKY, Douze sicles d’images religiouses, Paris 1987, f. 89-117.

[22] FRA G. TINAJ, Mozaiku i Zojës së Këshillit të mirë, cituar sipas; https:// kish.al mozaiku – i – zojes, 28 prill 2023.

[23] Shërbesa e himnit Akathist, në Troidi dhe Pesëdhjetorja, f. 106.

Ndoshta duke u nisur edhe nga ky varg i himnit, Nikolla i Kuzës e lakoi edhe parimin e tij aq thellë të dialogut me islamin, përmes parimit të njohur si: “coincidentia oppositorum.” Kur në Evropë bëhej lëvizja për organizimin e një kryqëzatë kundër Mehmetit të Dytë, me atë rast shkroi veprën e tij të njohur: De pace fidei. Aty shtroi rrugën e dialogut të njëmend të nisur nga dashuria për tjetrin, pikërisht pse “tjetër.” Shih: N. CUSANO, La pace della fede, Jaca Book, Milano 1991.

[24] GREGORIO NAZIANZENO, Orazione 38, në Tutte le orazioni, Bompiani, Milano 2002, f. 893.

[25] S. WEIL, Attesa di Dio, f. 149.

[26] S. WEIL, L’attesa di Dio, f. 155.

[27] P. FLORENSKIJ, Le porte regali, Adelphi, Milano 1977, f. 43t.

[28] T. FEDERICI, Cristo e l’uomo icona di Dio, Roma 1995, f. 73.

[29] S. WEIL, Attesa di Dio, f. 167.

[30] PSEUDO – MACARIO, Spirito e fuoco. Omelie spirituali, Edizioni Qiqajon 1995, f. 55t.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.