DRITARE.NET, 20 PRILL 2024
Poeti dhe studiuesi i gjuhës shqipe, Agim Vinca në Shqip nga Rudina Xhunga, në Dritare Tv, rrëfeu se sa i rëndësishëm është emri për identitetin dhe përkatësinë e një kombi.
Po ashtu zoti Vinca theksoi se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se feja e shqiptarëve duhet të jetë shqiptaria, përpos besimit të tyre në kisha, xhami etj.
“Emri është pjesë e identitetit. Popujt e tjerë me emrin tregojnë origjinën, përkatësinë e tyre. Nuk veprojnë kështu popujt e tjerë fqinj në Ballkan. Ose veprojnë shumë më pak se ne. Në botën shqiptare, jo vetëm Shqipëri, ka dalë një problem që duhet të nënvizohet dhe theksohet.
45 vite Shqipëria ka qenë ksenofobe, e mbyllur, gjithçka e huaj ishte e rrezikshme (ndikimet e letërsisë moderne, kultura evropiane etj). Tani prej një ekstremi kemi shkuar në një tjetër. Ne shqiptarët si komb, jemi kthyer nga popull i vetëm ateist, jemi kthyer te feja, tek kisha, xhamia. E drejta e besimit është e drejtë e pakontestueshme e çdo qytetarit, por kjo po e dëmton kohezionin shpirtëror të kombit. Nëse ka shqiptarë myslimanë në Kosovë që thonë: “unë më parë jam mysliman se shqiptar”, kjo për mua përbën problem. Sepse nuk kanë qenë budallenj rilindasit që kanë thënë feja e shqiptarit është shqiptaria. Ka dhe intelektualë që thonë se Pashko Vasa ka qenë komunist.
Komunist Pashko Vasa? Mua më ka thënë kolegu im në 92’-in, që Vasa ka qenë komunist. Këto janë absurditetet. Unë mendoj se emri është shumë i rëndësishëm, ky problem shtrihet jo vetëm tek emrat personalë, por edhe tek emrat e kafeneve, restoranteve dhe emisioneve televizive”, tha studiuesi Agim Vinca në Shqip./M.K-dritare.net