DOLËN NGA SHTYPI DY LIBRA NGA DITARI I FETAH BAHTIRIT

0
200
Fetah Bahtiri - dy librat nga shtypi

HYSEN IBRAHIMI

  • Këto ditë dolën nga shtypi dy libra të autorit Fetah Bahtiri. Njëri mban titullin ”Ditar për familjarët (1988-2008)” (274 faqe) dhe tjetri ”Ditari im (1988-2008)” (290 faqe).
  • Librat janë botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Në të dyja librat qysh në fillim në formë të motos autori cek se këto pjesë të ditarit të tij i bën publike në 80-vjetorin e lindjes për një arsye të vetme: “që mos të harrohen sakrificat dhe sfidat”.

Dhe vërtetë, autori ka bërë gati një shekull jetë duke kaluar nëpër sfida të shumta dhe duke sakrifikuar shumë për familjarët e vet, për të gjithë njerëzit që e kanë rrethuar, por, më së shumti për kombin dhe atdheun duke u shërbyer këtyre gjithmonë duke qëndruar vetëm horizontalisht dhe i pathyeshëm.

Në librin ”Ditar për familjarët (1988-2008)” autori prerzanton ngjarje të shumta që kanë të bëjnë me privatësi familjare, prandaj atë edhe e ka pagëzuar ”Ditar për familjarët”. Synimi i tij është, pra, që gjërat mos të harrohen, sepse ai e ka të njohur maksimën latine ”VERBA VOLANT, SCRIPTA MANENT” që do të thotë se ajo që flitet harrohet, zhduket, fluturon, ndërsa ajo që shkruhet mbetet. Prandaj edhe i ka shënuar gjërat në një ditar personal të cilin e ka quajtur ”Kronikë e familjes dhe kohës”.

Ndërkaq, në librin e dytë me titullin “Ditari im (1988-2008) Fetah Bahtiri lexuesve u ofron shumë e shumë gjëra të cilat kanë të bëjnë me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe me lindjen e Kosovës së lirë e të pavarur. Prandaj, ai në Parathënien e librit sqaron dhe thekson:

”Kur në vitin jo edhe aq të largët 1988 definitivisht u binda, se shumë shqiptarë të Kosovës ndodheshin në prag të një apokalipsi të tmerrshëm, vendosa ta shkruaj këtë ditar. Në të vërtetë, edhe si i ri, nxënës i shkollës së mesme dhe si student kam shkruar ditar, por ata i ka brejtur dhëmbi i kohës dhe sot në dorë nuk e kam asnjë, përveç këtij që mbulon periudhën edhe të tmerrshme e edhe të lavdishme të Dardanisë së sotme…”

Ditari i Fetah Bahtirir transmeton me besnikëri, në origjinal me perceptimet dhe pikëpamjet e tij ashtu si i ka parë dhe kuptuar gjërat në çastin e shkrimit të këtij ditari.

Në të vërtetë, në këtë ditar dalin në shesh shumë të dhëna për fazat e ndryshme të shkatërrimin e shtetit të ish Jugosllavisë dhe të Serbisë, për mënyrën e funksionimit të sistemit dhe të shoqërisë në periudhën kur është shkruar Ditari, por, edhe funksionimi i jetës private të njeriut të zakonshëm, me detaje që duken të parëndësishme, por që janë vetë jeta.

Duke shkruar këtë ditar dhe kronikë për kohën gjatë viteve 1988 – 2008 shihet qartë se autori ka synuar që njëkohësisht ta paraqes edhe fatin e shumë familjeve shqiptare nën thundrën e një pushteti diskriminues dhe barbar. Në ditar shihet qartazi se jeta ishte e vështirë, e rëndë, shpeshherë edhe me mungesat elementare për një jetë normale të secilës familje shqiptare në atë kohë. Realizimi i këtij synimit ka mundur të bëhet vetëm duke shënuar në Ditar çaste të shumta nga jeta private dhe këtë e ka bërë duke u marrë rregullisht me çdo gjë nga përditshmëria, edhe me imtësi, edhe me detaje të hollësishme.

Të dhënat i ka paraqitur dhe përsëritur kohë pas kohe, për ta pasur një pasqyrë sa më besnike të shkatërrimit të shtetit i cili për të gjithë shqiptarët ishte i pamëshirshëm. Në këta dy libra gjejmë fakte edhe për inflacionin e përditshëm, edhe për lëvizjen e çmimeve të cilat çdo ditë lëviznin dhe bëheshin më të larta se në ditën paraprake dhe forma të tjera të shkatërrimit të shtetit okupator, por edhe luftën e shqiptarëve për të mbijetuar. I tillë ishte edhe autori i këtyre ditarëve dhe për betejën për mbijetesë paraqet shumë e shumë fakte nga jeta personale.

Kroniku Fetah Bahtiri në ditarin e tij për periudhën 1988 – 2008 jep të dhëna interesante për të gjitha ngjarjet e lëvizjeve, sfidave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë betejave për lirinë dhe pavarësinbë e Kosovës kreshnike. Këtu gjejmë edhe shumë të dhëna të cilat historia, ndoshta, i ka harruar, i gjejmë emrat e shumë viktimave që kanë rënë nëpër demonstrata dhe në betejat e ashpra nëpër të gjitha viset e Kosovës kundër sundimtarit barbar.

Njëkohësisht këtu shpalosim edhe emra, veprime, angazhime, fakte e dokumente për angazhimin kontributin e njerëzve të devotshëm në shërbim të kombit dhe atdheut.

Karakteristikë e veçantë është se në materialet që ndodhen në libra dhe në Përmbajtjen e librave nuk ka tituj, nuk ka mestituj, por jepen vetëm datat kur është bërë shënimi në ditar. Ka komente dhe analiza të shkurtëra, por domethënëse në kuptimin e plotë të fjalës.

E përgëzoj autorin Fetah Bahtirin për këta dy libra origjinalë përkah forma dhe brumi të cilin ua servon lexuesve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.