13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

FASHISTËT PLAGOSËN PROKURORIN KUDRET KOKOSHI SE KISHTE FRYMËZUAR DHE NXITUR QYTETARËT KUNDËR PUSHTUESVE

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Pra, si përfundim të këtyre fakteve, rrahja e Prokurorit ka ndodhur me qëllim diskretimi dhe e pregatitur më parë, nën akuzën se ka qënë shtytës në grisjen e fotografive dhe fshimjen e fjalëve REX e DUX, akuzë që nuk ësht vërtetuar as për Komandën Ushtarake.

Nga Enver MEMISHAJ

Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu në Itali, po atje fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Po kështu, krahas gjuhës italiane që e zotëronte dhe njihte në mënyrë të shkëlqyer, ai përvetësoi edhe disa gjuhë të tjera të huaja. Udhët i kishte të hapura për të bërë karrierë në perëndim, po zëri i atdheut e thërriste dhe në moshën 26-vjeçare në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij dhe ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë.

Më 1941 u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet.

Më 16 shkurt 1943 e gjejmë si frymëzues dhe nxitës i revoltave antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos. Në disa shkrime kjo ngjarje shënohet gabim sikur ka ndodhur në vitin 1942. Rrethanat e rrahjes tërheqjes zvarrë dhe plagosjes nga fashistët na i përshkruan më poshtë Mid’hat Mustafaraj, zëv. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë.

Pas kësaj ngjarje Kudret Kokoshi kthehet në Shqipëri dhe do të jetë në udhëheqje të Ballit Kombëtar të Vlorës. Ai vuajti 20 vjet burg si “armik i popullit”, pas daljes nga burgu ai u muar me përkthime.

Ndërroi jetë më 26 prill 1991 i lumtur, sepse pa të realizuar ëndrrën e tij për përmbysjen e diktaturës komuniste, prej së cilës populli shqiptar vuajti për 46 vjet.

* * *

Ministria e Drejtësisë më 17 maj 1943 i shkruan Kryeministrisë: “ Kemi nderin t’ju praraqesim raportin me datë 8.3.1943 – XXII të z. Mit’hat Mustafarajt, Zëvëndës Sekretar i Përgjithëshëm i kësaj Ministrie, të mbajtur mbi hetimet e bame rreth ngjarjes së ndodhur në drekoren Imperiale në Prizren, në të cilën ka mbet i goditur me kondak të pushkës nga ana e ushtarve z. Kudret Kokoshi, prokuror i mbretit në atë qytet.

Në këtë rast, shënojmë se vonimi i paraqitjes së këtij raporti asht shkaktue sepse qe marrë prej vet ish Zëvendës Titullarit të kësaj Ministrie për ta paraqitur në atë P.T Kryeministri”.

* * *

I ngarkuar prej asaj Ministrie në bashkëpunim me z. Koço Tasin, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministris, për të hetuar rrjedhimin e ngjarjes qi ka ndodhur në Prizren më datën 16.2.1943, ku ka mbetur i goditur rëndë prej ushtarve italjan prokurori i Prizrenit z. Kudret Kokoshi. Për pjesën qi më takon mua, mbasi z. inspektor përfundimin e hetimeve do t’ia paraqes vetë Kryeministris, për arsye se lidhet ngjarja e parë me disa të tjera qi kan ndodhur në atë darkë. Kam nderin të sjellë në dije se ngjarja e sipër shënuar ka ndodh në konditat dhe për shkakun qi posht-përshkruhet:

Më datën 14.2.1943 afër mezit të natës afërsisht në pjacën kryesore të qytetit Prizrenit prej kohe kanë qenë të vendosur dy fotografi të Mbretit dhe të Duçes, këto pjesërisht janë grisur prej njerëzve të panjohur, elementa serbë ose shqiptarë nuk dihet mbasi organet e Sigurimit Botnor autorët nuk i kishin zbuluar. Atë natë qi ka ndodhur kjo grisje në afërsin e vëndit para bankës, ka pasur roje por këta s’kan parë asgjë.

Njerëzit e panjohur për të grisur këto kanë hipur në një dyqan të vogël me tjegulla një pjesë të ktyne kan mbetur të thyera.

Më datën 15 natën në murin e Kështjellës të Prizrenit me bojë të zezë kanë qenë fshirë pjesërisht shkronjat e mëdha “REX” dhe “DUX”, ndërmjet këtyne dy fjalëve janë bërë dy gërma me shkronja të mëdha D. e F. qi këto kanë dy kuptime: Dole Fashizmi qi në Jugosllavisht përkthehen: “Posht Fashizmi” dhe kuptimi tjetër “Vdekje Fashizmi” siç e përdorin pjesa e gegërisë. Po ashtu autorët e kësaj fshimje kan mbetur të panjohur.

Më datën 16.3.1943 si efekt të këtyne ngjarjeve në orën e mbrëmjes nji grup ushtarësh italjan 100-150 të çdo arme të armatosur ësht shpërndarë në pjesën e rrugëve kryesore të qytetit dhe grupi i parë ka filluar nga veprimi i hakmarrjes në rrethimin e Bujtinës Imperjale dhe mbasi janë siguruar mirë se brënda ndodhesh Prokurori i Mbretit Kudret Kokoshi, pjesë, pjesë kanë hyrë brënda në një numër 30-40 vetë dhe menjiherë kanë rrethuar bankën që hante bukë prokurori së bashku me Skënder Gjinalin, nëpunës i Bankës dhe Shefqet Çomi, shofer dhe njikohësisht tregtarë dhe u kanë imponuar këtyne të ngriheshin në këmbë.

Këta janë ngritur, por në drejtim të tyne kan drejtuar pushkët duke i detyruar të ngrehin duart lartë. Në këtë kohë z.Kudret Kokoshi u ka njoftuar atyre se ishte Prokurori Mbretit, por prej ushtarve qi ndodheshin para tij është goditë, më parë me shuplaka fytyrës dhe pjesa tjetër e ushtarve e ka goditë me kondak të dyfekut tri herë nga pas kokës, qi për efektet e atyne goditjeve pa ndjenja, ka rënë në tokë mandej është tërhequr zvarrë nëpër dysheme të bujtinës dhe kanë lënë jasht në rrugë, pa ndjenja. Më vonë me ndihmën e togerit të Kuesturës, Myslym Dobruvës është shoqëruar me veturë në Spitalin e Shtetit për mjekime, ku e kemi gjetur të shtrirë.

Shokët e tij që rrinin në një tryezë, Skënderi ka mbetur po i rrahur lehtë Shefqeti më rëndë dhe në kohë që përfitoj e doli jasht në rrugë prej lokalit, ësht plagosur me armë të gjatë në kofshën e djathtë, që dhe ky ndodhesh i shtrirë në spital.

Të tilla rrahje prej ushtarvet kanë pasuar dhe nji pjesë tjetër qi hanin bukë në Imperiale.
Në kohë të kësaj përleshje dhe mbasi kishte ndodhur rrahja e Prokurorit, është zbraz nji pushkë, plumbi i së cilës ka rënë afër nji dritare, vrima si e gjërë dhe e thellë ësht 5-6 cm. që propabilisht pushka ka qënë armë lufte.

Në konditat e kësaj ngjarje janë zhvilluar dhe në lokale të tjera si në kafe Durrësi, Napoli dhe Dardanele, ku në këto të fundit ësht hedhur dhe nji bombë qi menjiherë ka marë zjarrm, që ky zjarrm ësht shuar prej ushtarve.

Janë rrahur si në këto kafe ashtu dhe nëpër rrugë nji pjesë e madhe shqiptarësh, kush më lehtë kush më rëndë, nji prej të rëndëve ka qënë Xhelal Doda, ndërsa nji tjetër në moshë të kaluar që shkonte për të marrë djalin e tijë që shërbente në kafe është vrarë vdekur, qi ky quhet Mehmet Jaho.

Prej personave të rrahur të gjithë kanë qënë shqiptar dhe asnjë prej elementit sërb që në atë qytet ndodhen më tepër nga 3000 banorë.

Si pasojë e kësaj ngjarje më datën 18.3.1943 në mëngjes filloj të pregatitet nji demostracion nga ana e popullit qi në këtë janë shoqëruar dhe shumë prej nëpunsave të Shtetit, tue pas në krye Flamurin Kombëtar. Njëkohësisht tregu u mbyllë.

Ky demostracion vazhdoj nëpër rrugët e qytetit me brohoritje dhe me këndim të këngëve Kombëtare, duke kërkuar liri dhe largimin e pushtuesit. Demostracione analloge u bënë dhe para spitalit ku ndodhesh Prokurori i Mbretit dhe mbasi u sigurua turma e popullit se prokurori ishte mirë, lajm që u dha prej Kryetarit të Bashkis Eqerem Telhajt, ky mandej prej ballkonit të bashkisë mbajti nji fjalë qetësuese, duke ju lutur turmës së popullit qi të shpërndahesh se ashtu ishte më mirë; shënojmë në këtë rast se bashkija ësht larg prej spitalit ndo 100 metro.

Demostracioni pas këtij fjalimi filloj të marrë fund, veçse nji grup i veçuar shkoj para burgut duke kërkuar lirimin e disa shokëve, sidomos nëpunsave qi karabinjerija kishte rreshtuar.

Intervenimi i Kryetarit të Bashkisë si mbas mejtimit tim ka qënë në interesë të vëndit dhe inisiativa ësht marrë prej tijë vullnetarisht me qëllim të evitoheshin ngjarje të papëlqyer.
Megjithëse Kryetarin e Bashkisë, Organet e Sigurimit sidomos Karabinjeria e ka treguar me dyshim si organizator të kësaj dimostrate, por ky dyshim i karabinjeris nuk forcohet me ndonji element pozitiv dhe konkret, pra si i tillë paraqitet pa ndonji bazë.

Në lidhje me përshkrimin e ngjarjes si më sipër e theksuam si përfundim të hetimeve tona bëjmë këto vrojtime:

1. Nuk e përjashtojmë mundësin që në qarkun e Kosovës të mos ndodhet ndonji organizatë me karakter komunist.
2. Grisja e fotografive dhe fshirja e fjalëve REX e DUX prezumohet se rrjeth prej veprimit të kësaj organizate, ndryshe nuk shpjegohet.
3. Ka arsye të besohet se fakti të ketë ngjarë prej elementave thjeshtë serbë qi në atë qarkë si mbas informatave qi muarmë pëshpëritet për nji organizatë të tillë.

4. Më datën 16.2.1943 qi ka ndodhur rrahja e Prokurorit, Komanda e Gjindarmëris pretendon se ka qënë lajmëruar prej Inspektorit Federal z. Cerritos se atë ditë do të bëhesh nji demostracion komunist. Po të ishte i vërtetë ky lajmërim, Komanda e Karabinjeris në bashkëpunim me Organet e Policisë do të kishin marë masat e rastit ose për ta ndaluar ose të kujdeseshin që të mos vërtetoheshin ngjarje, natyrisht masat do të ishin që të shumëzoheshin patrullat nëpër qytet dhe në qoftë se këta nuk kishin fuqi mjaftueshëm do të kërkojshin ndihmën e ushtris. Asnjë interesim i tillë nuk e ka vënë në lëvizje Komandën qi në bashkëpunim me forcat ushtarake të mbante qetësin; ky fakt vihet në dukje se patrullave të ushtris nuk u janë shoqëruar Organet e qetësis Botnore por ato kanë vepruar me iniciativën e vetë.

5. Komanda e Karabinjeris në promemuarin qi ka dhënë, rrahjen e Prokurorit e tregon si nji ngjarje të thjeshtë dhe pa rëndësi me arsyetim se ushtarët kur u futën në Bujtinën Imperiale në drejtim të tyre u zbras nji armë dhe këta të provokuar nga kjo zbrazje reaksionuan. Kjo tezë na duket pa jusifikime sepse ushtarakët kanë hyrë vetë në lokalin e Bujtinës pa ndonji nevojë dhe as ndonji ndihmë u kërkua, derisa atje kanë qënë pak veta, qi hanin bukë dhe qetësija ka qenë e plotë.

Posa kanë hyrë janë drejtuar menjiherë në tryezën qi hante bukë Prokurori dhe pasi e kan rrethuar këtë i kan ftuar të gjithë të ngrehin duar lartë dhe megjithëse Prokurori u tregoi cilësinë e tijë, por papritmas është goditë me shuplakë dhe mandej me kondakë të pushkës. Pushka është zbrazur pasi ësht rrahë Prokurori dhe jo pasi hynë ushtarët në lokalin; këtë fakt e kanë dëshmuar gjithë personat qi ndodheshin në atë kohë përpara Gjyqtarit Hetues të Prizrenit.

Drejtimi i pushkës nuk ka qënë nga hyrja e lokalit por në drejtim të dritares larg nga hyrja 4-5 metro dhe simbas madhësis së vrimës plumbi mund të jetë prej arme lufte.
Pra, si përfundim të këtyre fakteve, rrahja e Prokurorit ka ndodhur me qëllim diskretimi dhe e pregatitur më parë, nën akuzën se ka qënë shtytës në grisjen e fotografive dhe fshimjen e fjalëve REX e DUX, akuzë që nuk ësht vërtetuar as për Komandën Ushtarake.
Me nderime Zëv. Sekretar i Përgjithshëm Mid’hat Mustafaraj.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit