Deklarata e mbulon Serbinë me turp
Xhelal Zejneli
Ministrja e Serbisë Snezhana Paunoviq mësimin e pastrimit etnik dhe të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova e ka mësuar nga elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) i historianit dhe akademikut serbomadh Vaso Çubriloviq.
* * *
“Po të isha Slobodan Milosheviq në vitin 1998, do ta spastroja etnikisht Kosovën” – deklaratë e ministres së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe të Vetëqeverisjes Vendore të Serbisë dhënë televizionit Kurir të Beogradit më 11 korrik 2026
Snezhana Paunoviq (Pejë, 1975- ) është ekonomiste, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Serbisë.
Në televizionin e sipërthënë ajo ka deklaruar: “Po të isha Milosheviq, Kosovën do ta kisha pastruar etnikisht”. Në frymën e shqipes, deklarata e saj lexohet kësisoj: “Po të kisha qenë në pozitën e Milosheviqit, do ta kisha kryer pastrimin etnik të Kosovës”
Deklarata raciste dhe antishqiptare e Paunoviqit në Kosovë u dënua ashpër. Ajo u shpall edhe person i padëshiruar. Partitë opozitare të Serbisë dhe organizatat e shoqërisë civile në Serbi kërkuan shkarkimin e saj nga funksioni i nënkryetares së Kuvendit të Serbisë. Sipas tyre, me një deklaratë të tillë, ministrja Paunoviq promovon dhunë.
Deklarata u dënua edhe nga ministri i Ministrisë për Evropë dhe për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha (Koplik, Malësi e Madhe 1967- )
Deklaratën fashiste të saj e kanë dënuar edhe autoritetet e Bashkimit Evropian. Deklaratën e ka dënuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. DASh-i e cilësoi deklaratën si të papranueshme.
“Prioritet i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është ruajtja e paqes dhe e qëndrueshmëria, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet kyç për këtë qëllim!”
Deklaratën e Paunoviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova nuk e dënoi kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq (Prizren, 1966- ), i cili aktualisht është edhe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë. Partisë së tij i përket edhe Snezhana Paunoviq. Deklarata nuk u dënua as nga kryeministri i Serbisë Gjuro Macut (Beograd, 1963- ), as nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë Ana Bërnabiq (Beograd, 1975- )*. Deklarata e Paunoviqit nuk u dënua as nga kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970- ).
Pothuajse i tërë kabineti i qeverisë dhe i presidencës serbe e ka vendin në Hagë, ku të përgjigjen për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid.
Ministrja Paunoviq duhet ta dijë se gjatë luftës së vitit1999, kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviqi (1941-2006) dëboi me dhunë nga Kosova rreth një milion shqiptarë. Prej tyre, rreth 600 mijë u strehuan në Shqipëri, kurse 360 mijë të tjerë, në trojet shqiptare në Maqedoni. Një popull të stërlashtë si shqiptarët s’ka fuqi në botë që mund t’i shkulë nga trojet atërore.
Shënim: Partnere e kryetares së Kuvendit të Serbisë Ana Bërnabiq është Dr. Milica Gjurgjiq, specialiste e radiologjisë, е shkolluar në Londër, Vjenë, Gracë dhe Paris.
* * *
Reagimet e zbehta ndaj deklaratës fashiste të Snezhana Paunoviqit – ShBA-ja si superfuqi globale, s’ka shumë kohë për t’u marrë me deklarata të këtilla, sidomos në një kohë kur është në luftë me Gardën Revolucionare të Iranit. Reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit është aq i dobët dhe i zbetë saqë nuk meriton as të komentohet.
Të dobëta dhe të zbehta janë edhe reagimet e BE-së. Janë aq të parëndësishme dhe të pavlerë, saqë s’meritojnë dot të komentohen. Reagim i dobët erdhi edhe nga Shqipëria.
Synimet hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese, sunduese, dominuese, shfrytëzuese, kolonialiste serbomadhe nuk ndalen me reagime. BE-ja, para shumë viteve duhej t’ia kishte mbyllur Serbisë rrugët e integrimit. Me një Serbi fashiste s’duhej të kishte zhvilluar raporte as ShBA-ja. Tirana nuk duhet të ketë raporte me Beogradin derisa Serbia të mos e njoh pavarësinë e Kosovës. Tirana, jo vetëm që ka raporte me Beogradin, por ka qenë edhe pjesë e Ballkanit të Hapur.
Problemi qëndron në faktin se Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë e përkëdhelura e Bashkimit Evropian dhe e Uashingtonit.
Politika fashiste serbe mbështetet fuqimisht nga Brukseli dhe Uashingtoni. Mbështetet nga perëndimorët një Serbi që s’e njeh Kosovën, që i kanoset Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Perëndimorët e ledhatojnë dhe e përkëdhelin një Serbi unitare, centraliste dhe gjenocidale e cila furnizohet me armë nga Kina dhe është përçuese e interesit rus dhe kinez në rajon.
Si duket, ShBA-ja është e zhgënjyer prej sjelljeve, qëndrimeve dhe veprimeve të shqiptarëve. Ndër shqiptarë mbase ka edhe segmente që thonë: “Për inatin e nuses, le të më vdes djali”. Me fjalë të tjera, për inatin e Amerikës, le të rrojnë Rusia dhe Hezbollahu.
Këta mercenarë që gjykojnë ashtu duhet ta dinë se:
çështja shqiptare rajon, e sidomos mbyllja e shtetësisë së Kosovës nuk janë çështje fetare, as ideologjike.
Çështja shqiptare në rajon është çështje kombëtare. Pa ShBA-në kjo çështje kurrë nuk mund të zgjidhet.
* * *
Vende të caktuara të Be-së si Gjermania, Franca, Austria, Italia etj. vite me radhë investojnë qindra milionë dhe miliarda euro në Serbi. Pa këto investime Serbia do të kishte vdekur për bukë. Në ekonominë serbe ka investuar dhe investon edhe ShBA-ja. Askush s’e bën hesap faktin se Serbia është e keqja e rajonit. Secili i shikon llogaritë dhe interesat e veta.
* * *
Më 17 korrik 2026 u mbajt në Uashington dialogu midis ShBA-së dhe Serbisë. U nënshkruan dy memorandume. Protagonistë të takimit ishin sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio (Marco Antonio Rubio, 1971- ) dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq (1983- ). Me këtë rast u nënshkruan dy memorandume: një për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe një tjetër, për bashkëpunim në fushën e arsimit.
* * *
Serbia është e prapambetur. Ajo ka shkallë të ulët të demokracisë. Në një vend demokratik dhe të qytetëruar nuk do të kishim deklaratë si kjo e ministres Paunoviq. Edhe po të kishim, atëherë ajo deklaratë do të dënohej, si nga shteti, ashtu edhe nga shoqëria civile. Një zyrtare kërkon pastrim etnik në Evropën e shekullit XXI. Ku ka bërë shkollë kjo e mjerë?! Qëndrimet e tilla anakronike dhe retrograde e mbulojnë me turp Serbinë. Heshtën akademikët serbë, heshti Universiteti i Beogradit, heshtën shkrimtarët serbë, heshti inteligjencia serbe. Ku humbën mediumet, analistët politikë, mjetet e informimit, gazetat, revistat, radio-televizionet, portalet?! Ku humbën dhe u tretën filozofët serbë?!
* * *
Akoma në Serbi është në fuqi ideologjia e Ilija Garashaninit (1812-1874), autorit të “Naçeratnies” (1844) dhe e Vaso Çubriloviqit (1897-1990), arkitektit të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta.
Ministrja e Serbisë Snezhana Paunoviq mësimin e pastrimit etnik dhe të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova e ka mësuar nga elaborati “Dëbimi i shqiptarëve”, 1937) i historianit dhe akademikut serbomadh Vaso Çubriloviq.
Serbia ecën rrugës së Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), autor i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, Beograd 1913), të akademikut dhe gjeografit serbomadh Jovan Cvijiq (1865-1927), të karagjorgjeviqëve, të Nikola Pashiqit (1845-1926), të autorëve të “Memorandumit” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve të botuar në Beograd në mënyrë anonime në janar të viti 1986. Ky farë memorandumi u quajt nekrolog i Jugosllavisë.
Serbia e sotme e Vojisllav Sheshelit (1954- ) dhe e kryekriminelit të rajonit Vuçiqit ecën rrugës së akademikut me shkollë të mesme bujqësore, babait të kombit, Dobrica Qosiq (1921-2014). Deklarata e ministres së mjerë na e përkujton kohën e antishqiptarit të përbetuar Aleksandar Rankoviqit (1909-1983).
Serbi, të ka mbuluar turpi!


