Nga Ismet M. Hasani, Suedi
*Jetë nuk është vetëm të qenurit gjallë, por të qenurit mirë.
* Jeta është vuajtje, shkaku i vuajtjeve është dëshira për jetë, për t’u liruar nga vuajtjet duhet liruar nga emocionet dhe dëshira për jetë.
* Kam ëndërruar që jeta të jetë e lumtur. Kur jam zgjuar kam kuptuar se jeta është e vështirë. Kam punuar dhe jam bindur se te vështirësia qëndron lumturia.
* Duhet të mësohemi t’i përballojmë si burra(t)fatkeqësit dhe mërzitjet. Kjo është një nga zotësitë për të jetuar.
* Nuk është fort me rëndësi se ku njeriu jeton, por si jeton ai!
Ashtu sikurse në pjesën e parë, edhe në këtë pjesë, do të përpiqem, që çdo atë që e shënoj, të ketë qenë e shënuar më parë edhe diku tjetër, ku bëhet fjalë për ecjen nëpër jetën.
Në këtë pjesë do të shënoj disa nga momentet e ecjës nëpër jetën time, të shënuara në Intërvistën e dhënë (më 15 maj 2012) profesorit të respektuar, mësimdhënsit dhe publicistit të mirëfillët z. Sokol Demaku, nga qyteti Borås i Suedisë, e të cilën, profesori i nderuem e ka publikuar në disa faqe interneti, e nga e cila shihet se çfarë mësova unë duke ecur nëpër jetën dhe ai mësim gjëndet i shënuar në sa vijon:
O zë i ëmbël! Sa bukur tingëllon gjuha amtare të atdhé të huaj.
Në qoftë se dëshiron të njohësh e ta duash edhe më shumë atëdheun tënd, jeto pak në atëdhé të huaj!
Mendoj se shetitja në natyrë luan rol kyq në frymëzim, zakonisht kur je vetëm. Unë këtë e shfrytëzoj, nga se në Suedi natyra është terheqëse, ka shumë gjelbërim, lule, livadhe të gjelbërta, liqenj, ku njeriu pushon dhe kur pak ndalet e mendon, disi “i vjen dicka në mendje”.
Unë them: veprat vlerësohen në bazë të qëllimit që kanë, por edhe gjykohën e sanksionohen në bazë të pasojave të tyre. Në krijimet e mia temë dhe motiv është jeta e njeriut – e përshkruar me të vërteta. Kur dëshiroj të zgjërohëm, prej njeriut kaloi të shoqëria, të populli dhe të Kombi shqiptar.
*
Për dallim nga vendet tjera, nxënësit suedezë mësuesin/mësuesën e thërrasin në emër dhe kjo s’paraqet pëngesë fare për ta. Suedia është shtet demokratik dhe ekonomikisht shtet i fortë, prandaj po them: nëse dëshirojmë shtet të fortë, duhet ta kemi themelin e fortë, e themeli i cdo shteti është a r s i m i!” Poashtu, edhe për nxënsit e emigrantëve (refugjatëve) kanë të njejtat kushte, vetëm se mësimi në gjuhën e tyre amtare mbahet brenda orarit të mësimit në shkollë e jo si mësim shtesë i ndonjë nacionaliteti. Mendoj së në arsimimin e fëmijve shqiptarë, rol evident luajnë prindërit. Nuk ka pasurit tjetër më të madhe që ia lën në trashëgim prindi fëmiut, sesa edukata e mirë. Mirëpo, qëndron edhe tjetra sa u përket fëmijve të tyre: Sa më të mëdhenj e sa më të njohur t’i kemi prindërit, aq më të madhe e kemi përgjegjsinë dhe obligimin që ata mos t’i koritim.
Të lumtur më bën e vërteta dhe e drejta. Prandaj porosis: thuaje të vërtetën, edhe kur ajo është në dëmin tënd! Më mundon gënjeshtra. Andaj porosis: mos gënje, edhe nëse nga ajo gënjeshtër ke ndonjë dobi/fitim! Ai që të gënjen, është në gjendje më t’i bërë të gjitha të këqijat. Gënjeshtarët shndrrohen në hipokritë. Në se nuk dini së cilët janë hipokritët dhe cila është hipokrizia, ja unë po ua bëj të ditur. Hipokritët bëjnë punë dhe veprime, që janë edhe më të fshehta se sa gjurma e bubrrecit të zi në rrasë natën e errët! Kjo është e tmerrshme. Dhe né ata i quajmë njerëz. Në botë ka vetëm dy lloj njeriu: njeri dhe jonjeri. Me e quajtë njeriun”shtazë” e ofendon shtazën, nga se atë që e bën njeriu, shtaza nuk do e bënte.
*
Pak fjalë për vendlindjen, veten dhe jetën e fëmijërisë
Përgjigje në pyetjen e intërvistuesit –
Jam i lindur më 20 mars 1945 pra, para 68 vjetësh në Pacaj, fshat ky i cili ka marrë emrin sipas po të njejtit fshat që gjëndet në Rrethin e Tropojës, prej nga kanë ardhur tre vëllezër: Jakupi, Caka dhe Maksuti, të cilët pas emigrimit nga fshati i tyre Pac, kanë jetua një kohë në fsh. Dobrosh e më vonë ka zbritë në Luginën e Trravës (emri i lumit) në Lugun e Carragojës dhe kanë formuar fshatin e ri, të cilit i ka mbetur emri Pacaj, në bazë të prejardhjës se tyre. Duke u rritur e shtuar familjet, nga tre vëllezërit janë bërë tri mëhallë/lagje: Jakupaj, Cakaj dhe Maksutaj. Kur isha i vogël i numronin sa shtëpi ka katundi, na delshin vetëm 8 shtëpi, 4 këndej Trrave e 4 andej Trrave*(lumi i fshatit quhej Trrava).
Si të ri, argëtoheshim me lojërat e asaj kohe: topin na e mbarojshin nënat prej cuklave e arrnave, ose kur prehej ndonjë shtazë, porcin e saj e frynim me gojë dhe e bënim top, kur kanë dalë topat e parë të lastikut, aq shumë kërcenin sa na bijshin në therra dhe shpërtheshin; lujshim “guxhas” (si loja e hokejit në barë), luejshim “kut e klic” apo “mash e klinc”, luejshin “shafa qok” (me u fshehë), luejshim “n’gilaz”, luejshim me shtaga (shkopa), luejshim “vizak”, luejshim “cici-mic” (dëgërxhik), e tjera lojna të fëminisë në fshat. Kur na i blejshin “apongat” e reja, na thojshin “i bajsh me sh’net, i shtjerrësh – i shkefsh’!” e na i shtijshim nën jastëk gjithë natën me i rujtë. Ashtu edhe për ndonjë teshë (rrobe) që na blenin të reja. Gëzoheshim shumë kur na thoshte nëna: “kemi me shkue të dajtë!”, na lante, na i veshte teshat e reja.
Kështu edhe për “Bajram” u gëzojshim kur na jepshin “shiqera”, për “Shëngjergj” u gëzojshim se na lajshin me lule, por edhe me hithi e na djegëte trupi, na thonte nëna: “Ju bâhet sh’net!”. Për “Natën e Sulltan Nevruzit” rrijshin tërë natën zgjuar se na thonin: “Sonte ka me u hapë qiella e shka të lypni, ju plotësohet!”. Kur na qitshin me hangër “bukë e long”, neve si fëmijë na u dukte “longi i keq” e e “zo’ja e shpisë” na thoshte: “hani se longu ja u kuq’ faqet!” Gjatë dimërit, kur na qitëshin për darkë “përzhit me suxhuk”, përzhitin e hajshim e copën e suxhukut veq e lëpijshim e e lënim për të nesërmen për kaftjall. Eh, kështu ishte në fshat atëherë.
Shkollimi fillor dhe ai i mesëm?
Pas lojërave të fëmijërisë, erdhi ”koha e derteve, telasheve”, pra koha e shkollës. Për katër klasët e fillorës, shkova në Shkollë në fashtin Sheremet, që e kishim ”10 dakika larg prej shtëpie!” Aty kurgjë nuk ishte zor, vetëm me mësue. Mësuesi im i parë në katër klasët e fillorës ishte Hadi Ferizi nga Gjakova , kurse mësuesi tjetër ishte Hatip Lluhani, poashtu nga Gjakova. Dy mësues na mësonin të katër klasët, kështu pra, në një paralele ishim nga dy klasë: klasa e parë me klasën e tretë dhe klasa e dytë me të katërtën dhe mësuesi, gjatë një ore zhvillonte mësimin me të dyja klasët e kombinueme: derisa njënës klasë i jepte mësim, klasës tjetër i qitte dëtyra.
Zori i madh filloi pas kryerjes se shkollës në Sheremet. Prej klasës së Pestë, mësimet në Shkollën Tetëvjeçare, duhej t’i ndiqnim në Junik. Shumë nxënës, pas katër klasëve të fillores, nuk e vazhdonin Tetëvjeçarën, e mo vajzat hiç se hiç. Gjatë katër klasëve në tetëvjeçare, thuaja se nuk kishte fare vajza, edhe ato pak që ishin, vinin nga Juniku, e jo nga katundet tjera.
Për në Junik, në fillim prej katundit Pacaj udhëtonim tre nxënës: Demë Isufi – në klasën e Tetë, Ismet Bajrushi – në Klasën e gjashtë dhe unë – në klasën e Pestë. Bashkë me né vinte dhe Mujë Dema nga Sheremeti. Udhëtonim në këmbë 6 km në një drejtim Pacaj-Junik. Është interesant se kur mbërrinim në Qënder të Junikut, në Trogovishtë ndjehej era e bukëve që posa dilnin nga furra, e avullonin të nxehta, e neve, që për kaftjall kishin hangër bukë kallamoqe të ftoftë me dy lugë kos me pak krypë, që i thojshin long, na kishte lëshue krejt buka, dhe na shkonte lëng nga goja…për ate, pasi nuk kishim 20 dinarë të blenim një bukë, gjatë rrugës mbledhnin arra të pikura në rrugë dhe i shitnim me e ble një tajm bukë* (një kg) me e nda në 4 pjesë me shokët. Me e hangër nga një çerek të bukës së grytë, gjithë kohën e mësimit ishim të disponuar, se kemi hangër bukë të grytë.
Pas mësimit, kah u kthehënim Junik-Pacaj 6 km. rrugë, ishim të uritur dhe rrugës për në shtëpi hanim kulumria (fryte të murrizave). Kishim shumë dëtyra shtëpie dhe, pasi nuk kishim rrymë na duhej të perdornim llamën e gazit/vajgurit, të cilës babi im i “rrinte gati” për çdo mbrëmje e mbushte me gaz/vajguri dhe ia pastronte gastarën/shishen për “me bâ dritë ma mirë.” Ishin vitet 1950-ta. Rryma elektrike tek né “ka ardhë” tek në vitin 1972, pra, shumë vite më vonë se në rajonet tjera të Kosovës, pasi unë e kam kryer edhe fakultetin e p ana ”ardhë” rryma hala. Sot, kur u tregoj suedezëve mbesin të habitur dhe më pyesin: “po si keni mundur dot të jetoni pa rrymë?!”
Edhe një të vërtetë interesante po e theksoj të regjionit “Reka e Keqe” në Dukagjin. Sa unë isha i ri, popullata e asaj treve i ka pasë “Letërnjohtimet e veçanta” në të cilat shënonte: “Pograniqna zona (zona kufitare), sepse ishin afër kufirit me Shqipërinë dhe kurdoherë që vinte ndonjë mysafirë nga regjionet tjera të Rrafshit të Dukagjinit apo të Kosovës, i zoti i shtëpisë ishte i dëtyruar ta informoi policinë, përndryshe “me ardhë e me ta gjetë brenda” apo me e takua diku në rrugë, i zoti i shtëpisë pësonte nga policia, sepse konsiderohej se ”mysafiri ka ardhë me ikë nga Jugoslavia e me dalë në Sh’ipni!?”
Shkollimi i mesëm
Shkollimi i mesëm në Gjakovë (1960-64) nuk ishte i lehtë
Pas mbarimit të Shkollës Tetëvjeçare në Junik, në vitin shkollor 1960/61 u regjistrova në Shkollën e Mesme Ekonomike në Gjakovë. Shumica e shokëve nga tetëvjeçarja u rregjistruan në Shkollën Normale e në Gjimnaz – me qëllim që pas kryerjës të punojnë në arsim. Unë u vendosa për ekonomi. Ishim gjenerata e dytë e ekonomistëve, nga se Shkolla ekonomike ishte hapur vetëm një vit më parë, e tek unë pat ndikim miku nga Deva, Bilall (Izlom) Asllani, i cili ishte rregjistrua si gjenerata e parë. Ja se si u rregjistrova!
Gjatë muajve të verës shitësha qumështin e bagëtive, të cilin e çoja me kalë prej fshatit në Gjakovë, diku nja 20 kilometra.
Ato cikërrime parash që m’i jepshin ”zotnitë”, unë i ruaja dhe me to kompletoja dokumentet që më nëvojiteshin për rregjistrim në Shkollë të Mesme. Së pari shkoja në Drejtorinë e Shkollës Ekonomike që gjëndej në ndërtesën e Gjimnazit e të Normalës së Gjakovës dhe interesohesha për kushtet e rregjistrimit. Por askujt në shtëpi nuk i tregoja se do të vazhdoj shkollën e mesme. Kur erdhi shtatori dhe duhej të fillonte mësimi, për fatin tim erdhi mysafir daja nga Gjakova. Kur e pyeti daja, babën se a e ke ndonjë djalë në shkollë? Babi i tha: ”Që ky djali jem i vogli e ka kryer shkollen në Junik e po ka qejf me vazhdue shkollën në Gjakovë! Atëherë daja më pyeti se a kam qejf me vazhdue shkollën e unë pa hamendje i thashë se jam rregjistrue në shkollën e ekonomike.
Pastaj daja më pyeti, se a kam vend ku të banoj, e unë i thashë: ”Qëllimin e kam pasë të rregjistrohem njëherë, e sa për banim?” Pas këtune fjalëve daja i tha babës: ”Nipash, djali e paska vullnetin me ardhë në shkollë në Gjakovë, sa mirë paska bâ që asht rregjistrue, e mos ja prish qejfin, po le ta vazhdojë shkollen, e sa për ku me ndejtë, këtë djalë me e pru te unë, të banon të unë, shka të hajmë unë me q’etë grue e me q’etë djalë, edhe ky han me neve”. Baba e falenderoj dajën e unë nga përmallimi fillova të qajë. Kështu që prej shtatorit të vitit 1960 deri në qërshor të vitit 1961 banova të daja dhe klasën e parë e mbarova me sukses…Mirëpo, me fillimin e klasës së dytë, vendosa që ta liroj dajën nga obligimi dhe med isa shokë të klasës vendosëm ”të banojmë privatisht” se na binte ma lirë sesa në konvikt.
Pasi nuk kishin mundësi prindërit me e pagua internatin/konviktin, u detyronim të banojmë nëpër shtëpia private të “gjakovalive” ku paguanim qira, nga 4 vetë në një dhomë me “kreveta feder” nga dy e tre flenim bashkë me teshat e shtrojës tonat: kishin nga një jorgan pa bez, një jastëk të fortë ”si guri” dhe në vend të dyshekut, një postoçi/lëkura e terun e dashit. Ushqimin e përgatisnim vetë. Më ka ngjarë që tre racionet e ushqimit i kam ngrenë vetëm bukë e djathë. Ishte gëzim i madh kur shkonim për “gjysëmvjetor” në katund, në shtëpi i prenin “pastërmat” e kur donim të kthehëshim në qytet, e zo’ja e shpisë na jepte me veti suxhuk, mish të terun, pasul e u kënaqëshim disa ditë tuj shti “mish e pasul”, tuj “përzhitë suxhuk” e kështu. Nuk kishim të holla me u ushqye në qytet. Vetë e përgatshim ushqimin.
I kursenim t’hollat dhe i ruanim edhe me “shkue m’i pa n’i film”, se restoranet e hotelet nuk i shijonim kurrë. Qëllimin e kishim të mësojmë dhe duke mos përsëritë klasën të kryejmë shkollën në afat; bëhej dallimi “midis sheherlive e katun’arëve, sheherlitë kalojshin “me intërvenim” e me të “njofshëm” e na s’kishim “intërvenime” as “të njohshëm; na quanin apongë, katundarë, qyli (katundar); na thonin: “na jemi shqiptarë, ju nuk jeni shqiptarë, po jeni katun’arë!” S’kishin ç’të bëjmë, duhej duruar, se përndryshe na u hakmerëshin arsimtarët me nota. Vetëm që na shihte arsimtari në qytet pas orëve të mësimit, e dijshim se të nesërmen ka me na pyetë, dhe, veç me dijtë tepër mirë, se na jepte notën e dobët. Për këtë, dalja në qytet për né ka qenë ”mollë e ndalueme”. Edhe kur shkojshim në kinema, na duhej të ruhemi mos po na sheh ndonjë profesor, e të nesermëm na pyetë, e né të ngratit, e lenin ndonjë racion pa e ngrënë, për t’i ruajtur të hollat (paratë) me e shiqua ndonjë film.
Është interesant se në atë banesë e kishim kaftorrin/stufën dhe mbi stufë e zijshim gjellën. Drutë na i bijshin prej katundi dhe, për mos i ndaluar policia, né e merrnin një vërtetim se jemi nxënës, e me këtë rast prindërit edhe na shifshin hajrin se me atë vërtetim i binin disa kerr me dru dhe i shitshin, e tek kur ua merrte policia vërtetimin atë kerr na bijshin dhe fund. Pasi, nga Kuvendi i Komunës, disi ”e nxirrem” stipendionin/bursin për shkollim, për disa muaj e shijonim edhe konviktin ku ishin kushtet shumë më të mira, sesa nëpër banesa private. Me rëndësi është që shkollën e mesme e kryem në afat dhe me sukses.
Eh, vakt o vakt!
( v a z h d o n )











