Afrim Krasniqi
Benoît Bréville, studiues, president dhe editor i prestigjiozes “Le Monde diplomatique” ka pasur të drejtë kur shkruante më 2024 se “Politicians make poor historians”, në kontekstin shqip, politikanët janë historianë të dobët. Shprehja e tij ri-provohet edhe sot nga Parisi.
Kryeministri ynë, në përpjekje për të dëshmuar protagonizëm personal përsërit një deklaratë të pavërtetë për diçka që në fakt nuk ia kërkon askush dhe nuk përbën ndonjë meritë, as politike, as diplomatike. Ai thotë se Shqipëria ka shkallën më të ulët të raportit me Rusinë në Europë. Natyrisht nuk është e vërtetë.
Edhe në rajonin tonë, rasti i Kosovës e rrëzon këtë thënie. Ai thotë më tej se asnjë udhëheqës përkatës nuk ka kryer vizita në vendet respektive nga 1960 dhe nuk ka pasur asnjë vizitë të nivelit të lartë. Gjithashtu e pa vërtetë.
Pas 1990 p.sh., Moskën e kanë vizituar me vizitë zyrtare një kryeministër, një kryetar Kuvendi, dy ministra të jashtëm, etj, ndërkohë që jo me vizitë zyrtare por në kuadër tjetër, në Moskë kanë kryer vizita dy presidentë dhe një kryeministër, përfshirë vetë zoti Rama (2020), ku konferenca e shtypit me ministrin homolog rus, kishte në sfond flamujt e dy vendeve, pra me protokoll reciprok, etj, etj. Madje me BS Shqipëria ka pasur të nënshkruar një Traktat Miqësie (pas 1990), një nga 5-6 vendet me të cilat ka pasur traktat të tillë.
Nevojat ditore politike kanë rëndësi, por nuk mund të shpikin histori e fakte që nuk ekzistojnë. Nuk është nevojë, nuk ia kërkon askush, nuk sjell ndonjë dobi. Rusia sot është vend agresor ndaj Ukrainës, nuk njeh Kosovën, mbetet faktor destabilizimi në rajon dhe nga ana tjetër, Shqipëria është vend në NATO, me orientim perëndimor. Kaq mjafton për të shpjeguar një pozicion shtetëror kritik dhe normal në momentin historik dhe raportet ndërshtetërore.
Disa ditë më parë edhe zv/kryeministrja foli për një variant të ri historie me Perandorinë Osmane, duke shprehur adhurim për ata që pushtuan vendin me forcë dhe trashëgiminë e tyre. Ajo tha se e ka krijuar perceptimin historik përmes filmave!
Kryeministri drejton Këshillin për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, në mungesë të tij drejtuese është Balluku. Dhe imagjinoni sikur deklarimet e tyre “shkencore” të bazuara në perceptim personal dhe filma televiziv të merren të mirëqena!
Trendi ballkanik për protagonizëm e poza heroizmi personal, si dhe për ri-ri-shpikje të historisë përmes miteve dhe propagandës, siç duket, vijon të ketë sukses ditor në mediat pa memorie dhe shoqërinë e turmës, pavarësisht imazhit jo serioz që krijojmë e përcjellim tek ata që lexojnë dhe (nuk) na kuptojnë dje dhe sot.












I nderuemi Afrim Krasniqi!
Portali FJALA e LIRË, moderator i së cilës është i nderuemi Arben Çokaj, gjithëherë publikon shkrime relevante (të rëndësisë se veçantë), të cilat e nxisin lexuesin për koment.
Muk po e zgjas me komentin, por po ju shkruaj këtë:
– Ju lumtë për shkrimin dhe për guximin!
*
1. “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol/
2. “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe/
3. Në politikë NUK KA as të vërteta, as drejtësi!B /diku e kam të lexuar -IMH/
Respekt,
IMH