PRESIDENTI: RENIA DE FACTO E OPOZITES PARLAMENTARE DHE RRETHIMI AMERIKAN I MAXHORANCES

0
Përparim Gjeka

Me dështimin e opozitës parlamentare në mënyrë të turpshme për të ushtruar të drejtën kushtetuese të propozimit të një kandidati për President të Republikës, të denjë për qindra mijëra votuesit e saj, vuloset përfundimisht rënia de facto e kësaj opozite si përfaqësuese e vullnetit popullor opozitar në vend.

Në vend që me numra të mjaftueshëm për të propozuar jo një po tre kandidatë, opozita dha tre versione qasjeje njëri më mjeran e aspak dinjitoz se sa tjetri.

Opozita e Berishës – bashkëpunuese në distancë me maxhorancën:
Nuk futemi në pazare sepse votat i ka maxhoranca, domethënë edhe Gramoz Ruçin të zgjedhin janë në të drejtën e tyre. Po ta kishim ne në dorë S. Berishën do kishim zgjedhur për inat të faktorit ndërkombëtar dhe të mos ia hiqnin po të donin non gratën pastaj.
Opozita e Partive të vogla – Të vegjël në çdo gjë që bëjnë para maxhorancës: më të mirin nga ne Dash Shehin kemi, edhe këtë jua japim për president po e deshët…

Opozita e grupit parlamentar të PD – qaramane dhe lutëse para mazhorancës:
Ne duam edhe votat tuaja që të propozojmë president, vetë nuk kemi b… për 20 vota për një personalitet me autoritet kombëtar të pa atakueshëm nga çdo aspekt (ashtu si ua sugjeroi autori i këtij shkrimi publikisht para një muaji).

Këta përfaqësues mjeranë të opozitës vërtetuan vetë para gjithë opinionit publik se nuk mund të ngrihen mbi interesa të vogla politike, interesa të grupit apo interesat personale për të mbrojtur interesa kombëtare. Interesi kombëtar këtë radhë e donte që Presidenti të zgjidhej një personalitet me përmasa kombëtare jo politik, autoritet moral i krijuar mbi punën dhe talentin personal përgjatë viteve, me qëndrime publike të spikatura në kohën e duhur në përputhje me interesat më të mira kombëtare, njëkohësisht i vlerësuar dhe nga faktori ndërkombëtar.

Me këto kushte tepër të favorshme politike për t’u faktorizuar opozita, kur maxhoranca me masakrën elektorale të vitit të kaluar të njohur edhe nga organizmat ndërkombëtare nuk ka të drejtën morale të zgjedhë Presidentin, me maxhorancën me grup parlamentar prapa hekurave, me rekordin e emërimeve problematike të këtij kryeministri këto 10 vitet e fundit, asisti që faktori ndërkombëtar i dha opozitës për të shënuar me portën bosh nuk u shfrytëzua duke na treguar se kjo opozitë parlamentare e ka humbur edhe besimin e ndërkombëtarëve “for good”.

Këtë rënie të opozitës e shfrytëzon pa ndonjë meritë Edi Rama ashtu si prej vitit 2017. Sipas të gjitha gjasave, emri i presidentit të ri në vend që të konsultohej me opozitën nga ana e faktorit ndërkombëtar dhe të detyrohej maxhoranca t’a votonte, tani i jepet maxhorancës dhe konsultohet me të. Ja pra si kjo opozitë na la në dorë të Edi Ramës dhe Tao Ballës edhe një herë tjetër.

Megjithë mallkimet e sovranistëve shqiptarë për rolin e ambasadave të huaja në vendin tonë, me rastin e Presidentit do të provohet edhe një herë se opozita e vetme ndaj pushtetit revanshist në Shqipëri është për fat të mirë e të keq me aq sa mundet, faktori ndërkombëtar dhe posaçerisht ai amerikan.

Të rrethuar nga të tre anët për pesë vitet e fundit me radhë nga prapaskenat në bashkëpunim Qeveri-Opozitë-President në sabotimin e reformës në drejtësi e gjithë përpjekjeve të tjera të tyre, amerikanët nuk mund të mos e shfrytëzojnë momentin e zgjedhjes së Presidentit për të vendosur njeriun e tyre në atë post, e ta përdorin atë si pika e levës së Arkimedit për të lëvizur ujërat e ndenjura në politikën shqiptare, politike e cila me flirtet me autokracitë rajonale lindore është bërë pengesa kryesore për avancimin e interesave perëndimore në rajon.

Rrethimi i kësaj maxhorance me një President që ka dhënë prova në bashkëpunim me amerikanët, i cili me shumë gjasa do të vijë nga fusha e drejtësisë, është në vazhdim të emërimeve të larta në drejtësi, në policinë e shtetit, etj. të cilat janë bërë nën presionin e “opozitës” ndërkombëtare duke filluar nga miratimi me “dhunë” i reformës në drejtësi me 140 vota në Parlament. Reforme e cila “zbuloi” rreth gjysmat e prokurorëve e gjyqtarëve si të korruptuar duke pastruar sadopak atë kënetë.

Të shpresojmë se rrethimi i maxhorancës në kënetën e vet edhe më të pistë do të rezultojë me pastrime politike.

Gjithashtu të shpresojmë të kuptojmë se rënia de facto e opozitës,obligon për një opozitë të re e të fortë.

Përparim Gjeka
3 Qershor 2022.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.