LOZHAT E MASONËVE DHE ILUMINIZMI

0
Iluminizmi

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Me iluminizmin apo me epokën e arsyes kuptohen pikëpamjet filozofike, shkencore dhe racionale, çlirimi nga besëtytnitë dhe besimi në tolerancën fetare, në një pjesë të mirë të Evropës, në shekullin XVIII.

Në Gjermani Aufklarung-u (iluminizmi), që zgjati nga mesi i shekullit XVII deri në fillim të shekullit XIX, ishte lëvizje letrare dhe filozofike ku morën pjesë dramaturgu dhe kritiku gjerman Lesing (Gotthold Ephraim Lessing, 1729-1781), shkrimtari gjerman Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), dramaturgu, poeti dhe eseisti gjerman Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805) dhe filozofi gjerman Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804).

Letërsia në gjuhën jidish e Evropës Lindore ndjeu një gjallërim të ri. Ndërkohë një gjallërim të tillë të lirisë së mendimit përjetuan edhe shkrimtarë vendesh larg njëri-tjetrit si Suedia, Rusia dhe Britania. Iluminizmi në Francë kishte të bënte me filozofë, shkrimtarë, dijetarë dhe mendimtarë që i bashkonte bindja për epërsinë e arsyes dhe dëshira për të parë në jetë ndryshime që të luftonin pabarazinë dhe padrejtësinë.

Lëvizja kundër sistemit ekzistues të bindjeve dhe institucioneve mori hov gjatë gjithë shekullit XVIII me shkrimtarin, historianin, publicistin dhe filozofin francez Volter (emri i vërtetë François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778), filozofin dhe shkrimtarin francez Zhan Jak Ruso (Jean Jacques Rousseau, 1712-1778), sociologun, ekonomistin dhe filozofin francez Turgot (Anne Robert Jacques Turgot, 1727-1781), filozofin dhe politikanin francez, Kondorset (Antoine Nikolas Condorcet, 1743-1794) dhe të tjerë. Me botimin e Enciklopedisë (Encyclopédie, 1751-1776), kritikat e tyre kundër qeverisë, kishës dhe sistemit gjyqësor, hodhën bazat filozofike për Revolucionin francez.

Shënim: Kondorset (Condocet) ishte i vetmi filozof i shquar që luajti rol në ngjarjet e Revolucionit. Më 1793 u dënua prej Gjykatës Revolucionare. Për t’i shpëtuar gijotinës, helmoi veten.

*   *   *

Iluminizmi anglez fillesën e ka te doktrina politike e filozofit anglez, i cili studio në Oxford, Xhon Lok (John Lock, 1632-1704) dhe te shembulli francez. Publicisti britanik për çështje politike, i cili më 1774 emigroi në Amerikë, Tomas Pein (Thomas Paine, 1737-1809),  i çmonte francezët dhe përkrahu pavarësinë amerikane, kurse shumë shkrimtarë dhe poetë i përhapën idetë e iluminizmit. Midis viteve 1750-188, në Edinburg të Skocisë lulëzoi një lëvizje intelektuale. Filozofë të saj të shquar ishin Dejvid Hjum (David Hume, 1711-1776) dhe ekonomisti e filozofi i etikës Adam Smit (Adam Smith, 1727-1790). Përparime shkencore me rëndësi u bënë në fushat e kimisë, të gjeologjisë dhe të mjekësisë.

Encyclopaedia Britannica e nisur më 1768-1771 si fjalor i arteve dhe i shkencës, u botua nga Society of gentlemen in Scotland. Në letërsi është vënë re një lidhje midis filozofisë së iluminizmit, zhvillimit të realizmit në letërsi dhe lindjes së romanit. Ai ndikoi për rrymën e romantizmit në arte, duke përhapur pikëpamjet individualiste ku u mbështet kjo rrymë, ashtu si dhe vetë romantikët reaguan kundër intelektualizmit shkencor të ftohtë që përfaqësonte iluminizmi.

*   *   *

Personalitete të njohura të iluminizmit që u kanë takuar masonëve – Historianët kanë debatuar shumë për të kuptuar se në çfarë mase rrjeti sekret i masonerisë ka luajtur rol në iluminizëm. Ata pajtohen se personalitete të njohura të iluminizmit u kanë takuar masonëve. Midis tyre filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784), juristi, sociologu, mendimtari politik dhe filozofi francez Monteskjë (Charles Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755), shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François Marie Arouet, 1694-1778), poeti dhe kritiku anglez, Aleksandër Poup (Alexander Pope, 1688-1744), prozatori dhe poeti anglez, politikan Whig, bir i Sir Robert Volpëul-it, Horis Volpëul (Horace Walpole, 1717-1797), shtetari Whig, i pari kryeministër britanik Sir Robert Volpëul (Sir Robert Walpole, 1676-1745), kompozitori austriak Volfgang Amadeus Mocart (Johann Chrysostom / Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), Mbreti i Prusisë Frederiku II, i quajtur Frederiku i Madh (Friedrich II, 1712-1786), politikani, shpikësi dhe eseisti amerikan Benxhëmin Franklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) dhe ushtaraku e burrë shteti amerikan, president i parë i ShBA-së Xhorxh Uashington (George Washington, 1732-1799).

Sipas perspektivës historike afatgjatë, historiani britanik-polak me famë botërore Norman Dejvis (Norman Richard Devies, Bolton, Lancashire, Angli, 1939 – ) thotë se prej vitit 1700 deri në shekullin XX, masoneria ka qenë faktor i fuqishëm në dobi të liberalizmit në Evropë. Në epokën e iluminizmit është përhapur shpejt dhe është shtrirë në të gjitha vendet e kontinentit. Masoneria kanë qenë tërheqëse posaçërisht për aristokratët e fuqishëm, për politikanët si dhe për intelektualët, për krijuesit artistikë dhe për veprimtarët politikë.

Historiania amerikane, njohëse e shquar e iluminizmit dhe e masonerisë, Margaret Jakob (Margaret Jacob, 1943) thotë se masoneria në epokën e iluminizmit ka përfshirë rrjetin ndërkombëtar të njerëzve të të njëjtit mendim, të cilët shpeshherë kanë qenë në fshehtësi në lozhat e veta dhe i kanë përcjellë programet rituale. I kanë nxitur idetë e iluminizmit dhe e kanë lehtësuar përhapjen e tyre në Britani, në Francë dhe nëpër vende të tjera.

Masoneria, si kredo sistemore me mite të veta, me vlera dhe me sistem  ritualesh ka lindur në Skoci rreth vitit 1600. Së pari nisi të përhapet në Angli. Pas kësaj, gjatë shekullit XVIII, nisi të përhapet në tërë kontinentin.

Masonët kanë nxitur rregulla të reja të sjelljes, duke përfshirë edhe të kuptuarit publik të idealeve të lirisë dhe të barazisë, të trashëguara nga solidariteti midis gildëve*: “liri, vëllazërim dhe barazi”.

Shënim: Gilde, gjermanisht – korporatë, esnaf. Në mesjetë, në Evropën Perëndimore, gildët nënkuptojnë shoqëritë e tregtarëve, të veprimtarëve ekonomikë.

*   *   *

Ushtarët skocezë dhe jakobitët* skocezë, idealin e vëllazërimit e kanë përhapur në Evropë, që nuk e ka reflektuar sistemin lokal të traditave skoceze, por institucionet dhe idealet të lindura në Revolucionin anglez kundër absolutizmit mbretëror.

Shënim: Jakobitët – Përkrahës skocez apo anglez i familjes mbretërore në mërgim Stuart. Jakobitët e morën emrin nga Jakobus (Jacobus), emri latinisht i mbretit Xhejmsi II (James II), të cilin e kishin hequr nga froni më 1688. Fuqinë e kishin te fiset e Malësisë së Skocisë, besnikëria e të cilëve ishte personale; dobësia e jakobitizmit qëndronte në faktin se nuk arriti të fitonte mbi torët në Angli, që do ta kishin bërë një lëvizje më të fuqishme dhe më të rrezikshme. Jakobitët patën peshë politike në periudhën e viteve 1699-1745. Pas vitit 1745, qeveria i shtypi fiset dhe jakobitizmi mbeti pa mbështetje politike të fuqishme.

*   *   *

Masoneria ka qenë e përfaqësuar sidomos në Francë. Në vitin 1789 ka pasur mbi 100 mijë masonë francezë, gjë që masonerinë e ka bërë shoqatë më të popullarizuar të iluminizmit.

Masonët kanë treguar prirje për fshehtësi dhe kanë krijuar një sërë ritualesh dhe aktesh të reja. Shoqëri të ngjashme të cilat pjesërisht e kanë imituar masonerinë, u themeluan në Francë, në Gjermani, në Suedi dhe në Rusi. Një prej shembujve kanë qenë “Iluminatet” të themeluara në Bavari në vitin 1776. Ata kanë marrë shumë karakteristika të masonëve, por kurrë nuk kanë qenë pjesë e rrjetit të tyre. Iluminatët* kanë qenë grup politik i hapur, ndërsa shumica e lozhave të masonëve, nuk kanë qenë të tilla.

Shënim: Iluminatët – Pjesëtarë të sekteve të ndryshme në kohë të ndryshme. Në shekullin XV në Spanjë Aluminados; në shekullin XVII në Francë Illuminés të cilët konsideronin se përpos njohjes racionale, ekziston edhe njohja duke u bërë i ndritur nga fuqitë madhore; murgjit të cilët në shekullin XVIII kanë përhapur arsimimin popullor; po ashtu, pjesëtarë të shoqërisë sekrete për përhapjen e ideve liberale në të njëjtën epokë, të ngjashëm me muratorët e lirë.

*   *   *

Sipas profesoreshës Margaret Jakob, lozhat e masonëve për punët publike kanë krijuar model privat. Ata e kanë “rikonstruktuar politikën dhe kanë vendosur formë kushtetuese të vetëqeverisjes, në përputhje me kushtetutat dhe me ligjet, me zgjedhjet dhe me përfaqësuesit”.

Me fjalë të tjera, mikroshoqëria e ndërtuar brenda lozhave përbënte modelin normativ për shoqërinë në tërësi. Kjo ka qenë e theksuar sidomos në hapësirën evropiane: Kur në vitin 1730 e më pas janë themeluar lozhat e para, realizimi prej tyre i idealeve britanike, është parë si kanosje ndaj autoritetit shtetëror. Për shembull lozhën e Parisit, në vitin 1720 e më pas e kanë përbërë jakobitët anglezë në ekzil (internim). Madje masonët në mbarë Evropën haptazi kanë anuar kah iluminizmi në përgjithësi. Në lozhat franceze për shembull, fjalia “të bëhem i ndritur, i kërkoj të ndriturit” (të bëhem arsimuar, i qytetëruar, i shkolluar, i edukuar, i emancipuar, i ditur) ka qenë pjesë e ritualeve nismëtare të tyre. Lozhat britanike e kishin caktuar si detyrë “t’i iniciojnë të pandriturit”.

Kjo nuk nënkupton me doemos se lozhat janë joreligjioz, por edhe nuk i përjashton ato nga episodet e kohëpaskohshme të herezisë. Në të vërtetë, shumë lozha e kanë kremtuar Arkitektin e madh, që është term i masonëve për hyjni deiste që e ka krijuar dhe e ka rregulluar gjithësinë sipas rregullave të shkencës.

Filozofi dhe historiani gjerman, njëri ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX, Rajnhart Koselek (Reinhart Koselleck, 1923-2006) pohon se “në kontinent ekzistojnë dy struktura shoqërore që i kanë vënë vulë vendimtare epokës së iluminizmit: Res publica letteraria* dhe lozhat e masonëve. Profesori skocez Tomas Mank (Thomas Munck) thotë: “Edhe pse masonët i kanë nxitur kontaktet ndërkombëtare dhe ndër-shoqërore që në thelb kanë qenë joreligjioze dhe në përputhje me vlerat e iluminizmit, ata vështirë mund të përkufizohen si një rrjet i rëndësishëm radikal dhe reformist”.

Si duket, mendimtarëve të iluminizmit, shumë vlera të masonëve u kanë pëlqyer tej mase. Deni Didëro (Denis Diderot) në trilogjinë filozofike-fantastike “Ëndrra e d’Alamberit” (Le reve de d’Alembert, 1769) shqyrton lidhjen ndërmjet idealeve të masonëve dhe iluminizmit, duke e studiuar masonerinë si mënyrë e përhapjes së pikëpamjeve iluministe. Historiania Margaret Jakob (Jacob) thekson rëndësinë e masonëve në inspirimin e tërthortë të mendimit politik iluminist.

Shënim: The Republic of Letters (Respublica literaria) – ka qenë bashkësi intelektualësh relacionesh të gjata që është shfaqur kah fundi i shekullit XVII dhe ka vepruar gjatë tërë shekullit XVIII në Evropë dhe në Amerikë. Nxiste komunikimin ndërmjet intelektualëve apo filozofëve të epokës së iluminizmit.

*   *   *

Në kuptimin negativ, historiani francez social dhe i kulturës Daniel Roshe (Daniel Roche, 1935-) e mohon pohimin se masoneria e ka nxitur egalitarizmin. Ai thotë se “barazia e vërtetë e lozhave ka qenë elitare”, kështu që i kanë tërhequr personat me status shoqëror të njëjtë. Prania e fisnikeve në lozhat adoptuese të Francës, që janë themeluar në vitin 1780 e më pas, është bërë në saje të lidhjeve të afërta të atyre lozhave me shoqërinë aristokrate.

Masonët, Revolucioni francez dhe Revolucioni amerikan – Armik i madh i masonerisë ka qenë Kisha Katolike e Romës, kështu që në vendet me shumicë katolike të madhe, si për shembull në Francë, në Itali, në Spanjë dhe në Meksikë, midis kishës reaksionare – siç e quan historiani britanik-polak Norman Dejvis (Norman Richard Devies, 1939 -) – dhe masonerisë së ndritur, kanë ndodhur shumë beteja politike të vrazhda.

Në konceptet e ndikimit të tyre mbi politikën revolucionare, historiani amerikan Robert Rozuell Palmer (Robert Roswell Palmer, 1909-2002) thotë: “Madje edhe në Francë, masonët kanë qenë politikisht naivë, në mos edhe qesharakë” dhe nuk kanë vepruar si grup.

Edhe pse dihet se Benxhemin Franklini (Benjamin Franklin) dhe Xhorxh Uashingtoni (George Washington) vërte kanë qenë masonë aktivë, historianët amerikanë e kanë zvogëluar rëndësinë e masonerisë, si shkak i Revolucionit amerikan, për arsye se urdhri i masonëve ka qenë apolitikë dhe ka përfshirë në radhët e veta, edhe patriotët edhe armiqtë e tyre luajalistë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.