Xhelal Zejneli
Ambasadorët palestinezë në Beograd (më parë Mohamed Nabhan, kurse nga viti 2023 Mohamed Al Namura, theksojnë vazhdimisht se Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Ne nuk e njohim Kosovën dhe kjo jo vetëm për shkak të dashurisë sonë për Serbinë. Ne i përmbahemi së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244, e cila e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë. Ekziston gjithashtu Rezoluta 478, e cila u ndalon të gjitha vendeve hapjen e ambasadave ose njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Ne e trajtojmë çështjen e Kosovës si një çështje etnike, e cila duhet të zgjidhet nga të dyja palët përmes negociatave, ashtu siç po veprojmë në rastin e Izraelit.”
Palestina mbështetet në respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përkrah negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, duke vënë në pah marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta me Serbinë.
Diplomatët palestinezë theksojnë se e njohin Serbinë në kufijtë e përkufizuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-ve dhe se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës “të shpallur në mënyrë të njëanshme”.
* * *
Ambasadorët e Palestinës në rajon dhe në forume ndërkombëtare kanë mbajtur kryesisht qëndrim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e lidhur këtë vendim me çështje të së drejtës ndërkombëtare.
* * *
Deklaratave të ambasadorit palestinez në Beograd se Palestina kurrë nuk do ta njohë Kosovën, u është përgjigjur zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj (Suharekë, 1969- )*. Reagimi i Hoxhajt erdhi pas deklaratave të ambasadorit palestinez në Beograd, me rastin e takimit të tij me kryetarin e atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin (1970- ).
Shënim: Enver Hoxhaj është autor i librit “Përplasja e madhe: Si po e lufton Rusia, Kosovën dhe Ballkanin”, botuar në vitin 2022 nga UET Press. Vepra shqyrton ndikimin gjeopolitik të Rusisë në Ballkan, rolin e çështjes së Kosovës në politikën e jashtme ruse dhe përplasjet më të gjera mes fuqive botërore.
* * *
Hoxhaj tha se rreshtimi i politikës së jashtme të Palestinës me Serbinë flet se Palestina e pranon politikën e spastrimit etnik dhe atë të gjenocidit ndaj popullatës civile në Kosovë. Ai theksoi se shtetësia e Kosovës është në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe me ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje.
* * *
Më 10 shtator 2020, në një intervistë për televizionin serb “Nova S”, Mohamed Nabhan u shpreh se Palestina nuk do ta njohë Kosovën në asnjë mënyrë, duke iu referuar Rezolutës 1244.
Më 5 prill 2022, ish-ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, rikonfirmoi se qëndrimi i Palestinës lidhur me mosnjohjen pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon.
Shënim: Mohammed Nabhan (1947- ) është diplomat palestinez. Në vitin 1978 studion në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Pasi i kryen studimet, punon në Tunizi në kabinetin e presidentit të atëhershëm palestinez, Jaser Arafat (Kajro, 1929 – Clamart, Francë, 2004). Ka shërbyer 17 vjet si ambasador i Palestinës në Serbi. Beogradin e konsideron si shtëpinë e tij të dytë.
* * *
Më 15 gusht 2023 ambasadori i ri i Palestinës në Serbi, Muhamed Al Namur, gjatë një takimi me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq*, deklaroi se Palestina do të mbajë të njëjtin qëndrim, duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës.
Shënim: Muhamed Al Namur (i njohur si Mohamed Al Namoura, 1965- ) është diplomat palestinez. Prej vitit 2023 shërben si ambasador i Palestinës në Serbi. Është me prejardhje nga Dura, pranë Hebronit, në Bregun Perëndimor. Studimet e larta i ka kryer në Serbi, në Universitetin e Nishit.
Shënim: Vladimir Orliq (1983- ) është politikan dhe administrator serb, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të Serbisë.
* * *
Deklarata të ngjashme nga ambasadori palestinez në Beograd kanë ngjallur reagime edhe më herët nga zyrtarët e Kosovës, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj. Të njëjtin qëndrim për mosnjohjen e Kosovës e ka shprehur në shtator të vitit 2025 edhe ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna*.
Shënim: Sami Mhanna ka shërbyer si diplomat i Palestinës në Serbi. Gjatë vitit 2025 ka qenë ambasador i Palestinës në Shqipëri.
* * *
CILI ËSHTË QËNDRIMI I UDHËHEQJES PALESTINEZE PËR RAPORTET MIDIS SERBISË DHE IZRAELIT
Ish-kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kur ishte në pozitën e kryetarit, inauguroi një fabrikë për montimin e dronëve të prodhimit izraelit, ku sipas tij, do të punonin rreth 100 punëtorë. Në të do të prodhohen mjete ajrore pa pilot për Ushtrinë e Serbisë dhe për ushtritë e vendeve të tjera. Adresa e fabrikës ende nuk dihet. Në politikën e jashtme të Serbisë, e cila vitet e fundit bazohet në mbajtjen e marrëdhënieve me disa palë njëkohësisht, bashkëpunimi ushtarak me Izraelin nuk është risi. Kjo ndodh edhe pse një numër i madh shtetesh po i shmangin marrëveshjet e tilla, për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës dhe akuzave se ushtria izraelite ka kryer gjenocid, pretendime që autoritetet izraelite i mohojnë.
* * *
“Me partnerët izraelitë do të hapen të paktën edhe tri fabrika të tjera”, deklaroi Vuçiq gjatë vizitës në objektin e kompanisë SDS Technologies.
“Këta dronë hyjnë përmes dritareve, ndjekin kundërshtarin, janë jashtëzakonisht efikas dhe mund të shihni se si trajnohet dhe ushtrohet përdorimi i asaj që prodhojmë këtu në Beograd. Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë nivel”, tha ai.
Lidhur me sa më sipër, BBC kërkoi koment nga Ambasada e Izraelit në Beograd. Ambasada publikoi fotografi nga hapja e fabrikës, duke theksuar se ishte krenare që kishte qenë pjesë e një ngjarjeje të rëndësishme për bashkëpunimin mes industrisë ushtarake serbe dhe Elbit Systems.
“Një tjetër pikë kthese në partneritetin tonë të fuqishëm dhe strategjik, i cili i forcon lidhjet ekonomike dhe industriale dhe e çon bashkëpunimin mes Izraelit dhe Serbisë në një nivel të ri”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Izraelit.
* * *
Ekziston edhe dimensioni i strukturave qeverisëse të cilat besojnë se miqësia me Izraelin do t’u sigurojë qasje te grupet e tyre lobuese dhe, rrjedhimisht, edhe te administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Me bashkëpunimin e paralajmëruar me Serbinë, Izraeli e vazhdon doktrinën e tij për krijimin e partneriteteve diplomatike dhe të sigurisë në periferinë më të gjerë, jashtë sferës së drejtpërdrejtë të fqinjëve të tij islamikë, duke zgjeruar kështu hapësirën e veprimit. Kjo do ta forcojë zinxhirin e furnizimit dhe do ta largojë Izraelin nga një hapësirë siç është Lindja e Mesme, që ka qenë gjithmonë, e sidomos aktualisht, shumë e tensionuar.
* * *
Beogradi kishte bashkëpunuar edhe më herët me Elbit-in, duke blerë sisteme të avancuara artilerie PULS dhe dronë luftarakë Hermes 900, në vlerë prej 335 milionë dollarësh. Kjo do të jetë ndër kontratat më të shtrenjta të kompanisë izraelite të industrisë ushtarake, raportoi Jerusalem Post.
* * *
Në disa vende evropiane janë organizuar protesta para filialeve të Elbit-it për shkak të luftës në Gaza. Ndërsa në qershor, në Beograd, u ndaluan 13 veprimtarë të organizatës “Mbështetje për Popullin e Palestinës – Serbi”, të cilët protestonin kundër hapjes së fabrikës.
“Me prodhimin e dronëve për ushtrinë izraelite dhe për vendet e NATO-s, Serbia përfshihet edhe më shumë në luftërat armiqve të palestinezëve”, thonë përfaqësuesit e organizatës.
* * *
“Bashkëpunimi me Izraelin është i shkëlqyer. Ata na shesin armë, ne u shesim armë atyre dhe kjo do të vazhdojë” ka thënë Vuçiqi.











