14.2 C
Tirana
E dielë, 22 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MOS NA E ZINI DIELLIN!

MOS NA E ZINI DIELLIN!

0
Prishtina by night

Elife Luzha Autore:
Elife LUZHA

Sa here shëtis nëpër qytetet e Evropës, mendja më kthehet në Kosovë, në Prishtinë, qytetin ku jetoj. Kthehem te realiteti i saj, ku, në kaosin e ndërtim-shkatërrimit, siç thotë një fjalë popullore “nuk e njeh qeni të zotin”.

Rrugë të rrëmujshme, mbeturina të hedhura gjithandej, qen të braktisur dhe hapësira publike të lëna pas dore janë vetëm disa nga shenjat e dukshme të mungesës së përgjegjësisë ndaj mjedisit të përbashkët.

Ajo që bie në sy është sidomos mënyra se si po ndërtohet qyteti. Ndërtesa të larta, të ngjeshura njëra pranë tjetrës, pa kritere të mirëfillta urbanistike, krijojnë përshtypjen se hapësirat po ngushtohen aq shumë, sa edhe rrezet e diellit mezi arrijnë të depërtojnë mes mureve.

Ndërkohë, ata që kanë përgjegjësi dhe mundësi për ta ndryshuar këtë realitet, shpesh kalojnë pranë tij krejt indiferentë.

Për çudi, ky realitet i hapësirave të ngushtuara dhe i rrezeve të diellit të penguar ma kujtoi Diogjenin dhe shprehjen e tij të famshme: LARGOHU PAK NGA DIELLI!

Diogjeni ishte filozof i lashtë grek, i cili besonte se lumturia e njeriut nuk qëndron tek luksi, pasuria materiale apo lakmia për pushtet. Ai mbronte idenë e një jete në përputhje me nevojat natyrore, duke besuar se sa më pak nevoja të ketë njeriu, aq më pak varet nga të tjerët.

Për këtë arsye, ai kishte zgjedhur të jetonte në një enë të madhe prej balte, duke dëshmuar atë që predikonte, meqë nuk donte vetëm të fliste për thjeshtësinë, por edhe të jetonte thjeshtë.

Në atë kohë, Aeksandri i Madh, i njohur si njëri prej pushtuesve më të mëdhenj të historisë njerëzore, kishte vendosu ta takonte filozofin. I impresionuar nga pamja e tij, i kishte ofruar të kërkonte çfarëdo dëshire që kishte, duke i premtuar se do t’ia plotësonte.

Por, Diogjeni i cili po ngrohej në diell, pa lëvizur nga vendi dhe pa shfaqur asnjë emocioni iu përgjigj:

TË LUTEM, LARGOHU PAK NGA DIELLI! PO MA ZË DRITËN.

Aleksandri, i cili kishte pushtuar mbretëri të tëra dhe zotëronte pushtet të jashtëzakonshëm, mbeti i habitur nga përgjigja e filozofit. Pastaj iu drejtua njerëzve të tij dhe tha:

SIKUR TË MOS ISHA ALEKSANDËR, DO TË DOJA TË ISHA DIOGJEN.

Diogjeni, falë një fjalie në shërbim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, mbahet mend për mijëra vjet. Ndërsa sot, vështirë të gjesh njerëz që do të mbahen mend për një fjalë të thënë me zgjuarsi në shërbim të së mirës sonë të përbashkët, e lëre më të njerëzimit.

Sikur shoqëria jonë të mos maste veten me lartësinë e ndërtesave, me atë se kush duket më i rëndësishëm, kush ka më shumë pushtet, pasuri apo vëmendje, ndoshta edhe te ne mund të kultivohej një trashëgimi e mirëfilltë e mendimit dhe urtësisë.

Nuk mund të themi se shumë prej politikanët tanë të sotëm nuk ëndërrojnë të jenë Aleksandër. Madje, disa sillen sikur historia e njerëzimit të ketë filluar me ta. Por, në realitet, pakkush prej tyre e ka guximin të bëhet Diogjen.

Sot, më shumë se kurrë, pushtetarëve tanë duhet t’ua kujtojmë këtë histori!
Qytetari i sotëm nuk kërkon perandori, por dinjitet, drejtësi, punë, arsim, shëndetësi dhe mundësi për të ardhmen e fëmijëve të tij.
Qytetarët nuk ju kanë zgjedhur që të bëheni Aleksandër mbi ta, por që të mos shndërroheni në hijen që ua pengon diellin.
Sepse historia nuk i kujton ata që njerëzve ua zënë diellin, por ata që patën guxim t’ua kthejnë dritën atyre.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.