19.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS NË SHTETFORMIM

ROLI I MËRGATËS NË SHTETFORMIM

0
Pajtim Ribaj

Nga Prof. Dr. Pajtim Ribaj, Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” – Tiranë

Mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare:

“ROLI I MËRGATËS NË SHTETFORMIM” (10-13 QERSHOR, PRIZREN 2012)
Organizuar nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Republikës së Kosovës

134-vjetori i Lidhjes së Prizrenit

100 vjet shtet shqiptar, 4-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Tema: “STRATEGJIA KOMBËTARE DHE MËRGATA”

“Migrimi ka qenë pjesë e zhvillimit të historisë njerëzore dhe në thelb ka qenë dhe mbetet shprehja e dëshirës dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, me vështrimin e projektuar drejt një jete më të mirë për vete dhe familjen e tij.”

– Përmbledhje përmbajtësore

Migracioni mbetet një dukuri komplekse që e ka prekur Shqipërinë në shumë dekada dhe problemet demografike përbëjnë një shqetësim serioz për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara të popullsisë jashtë vendit, por dhe lëvizjeve nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane duke krijuar mbipopullim në zonat urbane dhe largim nga zonat të cilat si dje, sot dhe nesër do të kenë nevojë për burimet njerëzore. Vitet e tranzicionit të gjatë të Shqipërisë sigurisht që kanë ndikuar në përfitimin e një realiteti të ri, shumëdimensional të kombit tonë. Mërgata shqiptare, jo vetëm që nuk bën përjashtim nga ky realitet, por në shumë aspekte, ajo është në qendër të vëmendjes. Rasti i mërgatës sonë është unikal krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, është ndër më të mëdhatë në botë. Kurse si shtrirje gjeografike kap pothuajse të gjitha kontinentet e banuara. Në total ajo numëron disa milion veta, të përqendruar kryesisht në: Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë… etj.

Emigrantët janë një faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe komunikimit politik midis vendeve pritëse dhe dërguese. E gjithë logjika e procesit është që njerëzit emigrojnë në vendin më të afërt të mundshëm, natyrshëm emigrantët shërbejnë si “katalizator” i bashkëpunimit politik dhe “amortizator” i tensioneve politike, midis vendeve fqinje, dërguese dhe pritëse të emigrantëve. Emigrantët shërbejnë si një urë e dialogut dhe e komunikimit dhe fqinjësisë kulturore, sepse ata “mbartin” nga vendi dërgues në vendin pritës vlera, simbole, zakone, sjellje, pikëpamje dhe stereotipe kulturore dhe etnike, të cilat bashkëjetojnë me kulturën pritëse.

Emigrantët janë edhe një aset dhe potencial i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik. Ata janë aktorë të rëndësishëm në tregun e punës dhe të shërbimevee të vendeve pritëse, por edhe përcjellës aktivë dhe dinamikë të korrelacionit të tregjeve të mallrave dhe shërbimevee. Remitancat e emigracionit janë burime të rëndësishme të konsolidimit të sistemit bankar, investimeve në sektorët e prodhimit e të shërbimevee në vendet pritëse dhe dërguese etj. Emigrantët shërbejnë gjithashtu edhe si “sponsor” të sistemit në vendin pritës. Sa më schudde që ata legalizohen dhe integrohen, aq më shumë shndërrohen në “sponsorë” të sistemit të Ëelfare.

Shqipëria ka bërë përpjekje dhe hartuar dokumente të strategjisë kombëtare, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, mërgatën, interesin kombëtar etj, shpesh trajtesa vuan nga retorika shpesh të pareferuara nga Kushtetuta, sidomos nga preambula e saj, etj. Për të kapërcyer këtë paradigmë, ku t’i jepet vendi i duhur dhe mërgatës, hartimi i Strategjisë së Madhe është një domosdoshmëri.

Hyrje

Mërgata përfshin pjesëtarët e një populli që jetojnë jashtë atdheut, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Si popull me një dinamikë demografike në gjashtë shtete të Ballkanit, shqiptarët janë njëkohësisht dhe një popull mërgimtar i shpërndarë në të katërta anët e botës. Këtu e ka zanafillën metafora “gjaku i shprishur”, që përdoret sidomos tek arbëreshët e Italisë, të cilët paraqesin një nga kolonitë më të njohura të mërgatës shqiptare.

Në historinë e kombit shqiptar aktiviteti i këtyre grupeve të mërgatës, jo rrallë ka luajtur një rol të madh në vendimet të ndryshme politike që janë marrë mbi qeverisjen e tokave Shqiptare. Po ashtu ka raste ku nga këto grupe janë iniciuar edhe veprime të cilat kanë ndikuar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kur përmendim mërgatën shqiptare, lihet të kuptohet se flitet për arbëshët e Italisë, për arvanitasit e Greqisë, për arnautët e Turqisë, të Egjiptit etj. Ndërsa kur shkruhet për emigracionin shqiptar, shpesh mendja na shkon te shqiptarët e Amerikës, Belgjikës, Francës, të cilët krijuan komunitete shqiptare të organizuara që në pjesën e parë të shekullit të XX-të, si dhe emigrimi pas Luftës së Ftohtë.

1. Shpërnguljet dhe ngulmimet shqiptare

Shpërngulje masive e popullsisë iliro-arbëreshe-shqiptare janë dëshmuar që në kohën e pushtimit romak të Ilirisë, në periudhën e Perandorisë Bizantine nën presionin e fqinjëve sllavë, pas epokës së Skënderbeut në shekullin e XV dhe gjatë pushtimit të gjatë osman, gjatë luftërave ballkanike të vitit 1912-1913, midis dy luftërave botërore dhe sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XX, në kuadrin e tranzicionit të vështirë të shtetit shqiptar dhe të situatave të ndërlikuara në ish Jugosllavi dhe në Ballkan. Ngulimet e shqiptarëve të Greqisë (të quajtur dhe arvanitë) datojnë nga shekulli XIV- XV (Popullsi me prejardhje shqiptare në krahina të ndryshme të Greqisë, e vendosur atje qysh nga mesjeta, sidomos në shekullin e XII- XIV).

Arbëreshët- emri i vjetër etnik i popullit shqiptar, të cilin e mbanin ata, dhanë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Greqisë, si dhe për rritjen e potencialit njerëzor të vendbanimit të tyre të ri. Në gjysmën e dytë të shekullit të XV dhe në fillimin e shekullit të XVI popullsia arbëreshe mori pjesë, krahas asaj greke, në luftën për mbrojtjen e vendit kundër pushtimeve osmane, sidomos në Gadishullin e Moresë (Peloponezit). Me gjithë rrudhjen dhe asimilimin e tyre gjatë kohës, arbëreshët përbëjnë edhe sot një masë të popullsisë kompakte në krahinat e Atikës, Beotisë, Lokridës, dhe në gjithë Morenë, në ishujt e Eubesë, Hidrës, Speces, Salaminës etj. Në Itali Arbëreshët janë vendosur herët, por pas vdekjes së SKËNDERBEUT vërshuan valë të tjera prej mijëra refugjatësh, që u strehuan nga mbreti Ferdinand i Napolit në tokat e tij. Valë të tjera vazhduan gjatë gjithë shekullit XV dhe XVI nga të gjitha shtresat shqiptare dhe kolonistët shqiptarë të Moresë në Greqi.

Pas pushtimit osman, valë të popullsisë shqiptare braktisën mëmëdheun për të mos rënë në robëri. Numri i të shpërngulurve llogaritet të ketë qenë rreth 200.000 veta. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën deri në ditët tona gjuhën e kulturën e vet, si dhe kultin e heroit Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU. Luajtën rolin e vet në ruajtjen e traditave kombëtare edhe shkollat si Kolegji italo- shqiptar i Palermos dhe Kolegji i Shën Adrianit me qendër në Shën Mitër të Korones u bë një vatër ku u rritën breza të tërë të Inteligjencës patriotike arbëreshe të cilat u shquan edhe në lëvizjen revolucionare të Risorxhimentos për bashkimin e Italisë, por edhe si mendimtarë e shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si zëdhënës të saj në botën e jashtme me anë të organeve të shtypit të tyre.

Që nga mesi i shekullit të XIV dhe më pas u vendosën në Bullgari dhe Rumani mijëra Shqiptarë. Pranë Odesë në Ukrainë gjendet fshati Karakurt (sot Zhovtnjevoje), ku flitet ende shqip. Në Krime pranë bregut të detit Azov gjenden fshatrat Taz, Xhandran dhe Qushki (sot Devnjenskoje, Gamovka, dhe Georgjevka). mërgata shqiptare është e pranishme dhe në bregdetin e Dalmacisë pranë Zarës (Arbëreshët e Zarës), në Trakën Lindore pranë Adrianopojës (Edërne) dhe në Turqinë Aziatike. Gjatë pushtimit osman pati emigracioni masiv ekonomik, ku mijëra Shqiptarë nga trevat etnike u vendosën në shumë qytete e krahinat ndryshme të Turqisë evropiane. Që nga shekulli XVII dhe XVIII filloi vendosja e Shqiptarëve në botën arabe, kryesisht në Egjipt, po edhe në Siri. Gjysma e dytë e shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit XX ishte periudhë tjetër e migrimeve të mëdha shqiptare. Shqiptarët emigruan tashmë edhe në vende e Evropës Qendrore si: në Francë, Belgjikë, Austri, Zvicër, etj. Nga fillimi i shekulli të XX migrimet bëhen edhe në vendet tej-oqeanike, si në SHBA, Kanada, Argjentinë, Brazil, Meksikë, Australi. Në vitet 20-30 të shekullit XX u intensifikua emigracioni politik.

Përpara Luftës së II Botërore numri i mërgatës shqiptare arrinte mbi 1 milion veta.
Gjatë Luftës së II Botërore, me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, pati një valë tjetër emigrimi për në Jugosllavi, Greqi, Turqi, Angli, SHBA, Argjentinë etj. Në prag të çlirimit të plotë të vendit pati emigrim politik të personave që u përkisnin forcave politike kundërshtare të frontit NÇ. Gjithashtu në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar kanë migruar mijëra Shqiptarë nga Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe Mali i Zi, kryesisht në Turqi, Itali, Francë, Gjermani, Austri, Angli, vendet skandinave, SHBA, Australi, Zelandë e Re etj. Emigrimi rifilloi me përmasa të mëdha pas Luftës së Ftohtë ku janë ndërmarrë shumë studime për të shqyrtuar shpërndarjen e migracionit ndërkombëtar shqiptar pas rënies së komunizmit në vitin 1990.

Statistika demografiko-ekonomike është akoma më atraktive po t’i referohemi popullsisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Nga këto territore, të banuara, historikisht nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje, gati gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe në Turqi. Kuptohet, ky emigracion dinamik e tepër aktiv, ka luajtur një rol të madh në jetën ekonomike, kulturore e politike të shqiptarëve në Ballkan, duke ndikuar në fuqizimin ekonomik, në emancipimin politiko-kulturor të tyre dhe sigurisht, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në botë.

2. Veprimtaria ekonomike-kulturore dhe politike e mërgatës shqiptare.

Në hapësirat ku u vendos mërgata shqiptare, në përgjithësi u karakterizua nga cilësi pozitive. Emigrantët shqiptarë u sollën si njerëz punëtorë, qytetarë të ndershëm e korrektë. Shumë prej tyre. Disa prej tyre morën grada me rëndësi, si: në Republikën e Venedikut, Turqi, Egjipt etj. Ishte i njohur Regjimenti Mbretëror Maqedonas (Reggimento Real Macedonia), themeluar nga mbreti i Napolit, Karli III Burbon, në fillimet e shekullit të XVIII, ku shumica e ushtarëve ishin Shqiptarë. Gjenia krijuese e Shqiptarëve u duk dhe në fushën e arkitekturës, të arteve të bukura dhe të kulturës. Ata themeluan agjenci të shumta tregtare dhe patën kapitale të shumta. Megjithatë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, në vështirësi për të përballuar jetesën, mbetën prapa nivelit kulturor e teknologjik të vendeve ku jetonin. Por,mërgata shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos. Arvanitasit u dalluan si luftëtarë të guximshëm të Revolucionit Grek të vitit 1821. Gjatë pushtimit turk, sidomos në Rilindjen Kombëtare, kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Emigracioni shqiptar, sidomos në Turqi, Rumani, Bullgari, dhe Amerikë, dha një kontribut të ndjeshëm gjatë Luftës së I Botërore dhe gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris, për rikrijimin e shtetit shqiptar në kufijtë e tij etnikë. Në vitet midis dy luftërave botërore mërgata shqiptare u bë arenë e një debati politik dhe ideor rreth alternativave të zhvillimit të shtetit shqiptar, të formës së regjimit, të ndërtimit të institucioneve demokratike mbi baza të demokracive perëndimore etj. Pas Luftës së II Botërore shumë organizata shqiptare në mërgatë filluan fushata në bashkëpunim me shumë organizata ndërkombëtare, të cilat dokumentuan dhe propaganduan shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe jashtë saj. Mërgata Shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj e të shkolluar në perëndim, dha ndihmesë në pluralizmin e ideve, në emancipimin e politikës shqiptare dhe të gjithë opinionit publik. Ajo i dha rëndësi të veçantë botimit të librave për historinë dhe gjuhën shqipe. etj. Për studimin e shtrirjes dhe të veprimtarive të mërgatës shqiptare, e sidomos të raporteve të saj me Çështjen Kombëtare, më 1996 u krijua Instituti Kombëtar i mërgatës Shqiptare që është pjesë përbërëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si një ogur i mirë në shtetin e dytë shqiptar (Kosova) krijohet Ministria e Emigracionit.

3) Ndihmesa e emigracionit

Emigracioni ka ndikim parësor në ekonominë e vendit si rezultat i dërgesave të emigrantëve, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë Shqiptare.

Shqipëria mbahet një nga vendet me dërgesa më të larta të emigrantëve në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Dërgesat e emigrantëve mendohet se përbëjnë gati 19% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe deri tani kanë shkuar kryesisht për të financuar kërkesën e ekonomisë për mallrat e konsumit.

1.3.1 Emigracioni ka ndikim në tregun e punës.

Punësimi i emigrantëve në ekonomitë e zhvilluara të vendeve pritse, i ka pajisur ato me një kulturë të përgjithshme të menaxhimit dhe etikës në punë, njohuri për sektorë të rinj të ekonomisë dhe mbi teknikën dhe teknologjinë e fundit. E parë në këtë këndvështrim, kthimi i tyre do të shoqërohej me transferimin e aftësive të sipërpërmendura.

1.3.2. Ndikimi i emigracionit në politikën e brendshme.

Emigracioni ka nje ndikim te madh edhe ne formimin e kulturës politike. Jetesa jashtë vendit ndikon në formimin politik të emigrantëve dhe të afërmve të tyre në Shqipëri dhe në mendimin e tyre se sa kujdeset qeveria për emigrantët, pasi pjesa me e madhe e tyre jetojnë dhe punojnë në vende me sisteme të demokracisë liberale duke u dhënë mundësi atyre të familiarizohen dhe të shprehen në atë sistem. Formimi i ndryshëm politik i emigrantëve që kthehen në vend do të ndikojë pozitivisht ndaj dukurive të tilla si klientelizmi, interesat vetjake dhe korrupsioni duke përshpejtuar vazhdimin e procesit të demokratizimit në vend.

1.3.3. Emigracioni dhe politika e jashtme.

Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet procesit integrues në Bashkimin Evropian dhe emigracionit shqiptar, proces i cili luan rolin kyç në hartimin e politikave dhe përparesive në fushën e emigracionit. Garantimi i të drejtave të shtetasve shqiptarë jashtë vendit shihet si një çështje mjaft e rëndesishme për t’u trajtuar nga shërbimet diplomatike të Ministrisë Jashtme. Respektimi dhe garantimi i të drejtave të tyre përben një detyrë dhe njëkohësisht një sfidë për qeverinë shqiptare. procesi i emigracionit është një proces i natyrshëm për t’u integruar në tregun ndërkombëtar të punës dhe për t’u përfshirë në procesin e globalizimit

2. Konteksti dhe disa veçori të emigrimit te shqiptareve

2.1 Shqipëria ka fluksin më të lartë të emigrimit në Evropë. Kjo është pikënisja për hartimin e politikave migratore funksionale e të dobishme. Studiuesit theksojnë se aktualisht jashtë vendit ndodhen mbi 1 milion emigrantë shqiptarë. Pra, fluksi migrator i shqiptarëve, në zenitin e tij, arrin në rreth 25-30 përqind të popullsisë së vendit ose 35-37 përqind të popullsisë në moshë pune.

2.2. Dominimi i kanaleve ilegale të emigrimit.

Kjo ndodhi si për shkak të papërgatitjes së shtetit shqiptar për të rregulluar flukset migratore, ashtu edhe për shkak të gjendjes vulnerabël të kuadrit ligjor, institucional migrator apo të rrethanave të zhvillimit politik në vendet e destinimit. Megjithë këto vështirësi, është arritur që bashkëpunimi dypalësh migrator me vendet fqinjë të institucionalizohet.

2.3. Vonesa dhe ritmet e ulta të legalizimit të emigrantëve shqiptarë gjatë dekadës së parë te emigrimit bashkëkohor.

Normalizimi i raporteve emigrantë legalë, ilegalë dhe mbizotërimi i emigrantëve legalë filloi gjatë vitit 1999 si rezultat i liberalizmit të politikave migratore në vendet kryesore pritëse: Itali dhe Greqi. Gjatë periudhës 1998-2005 në të dy vendet u legalizuan rreth 60-70 mijë emigrantë shqiptarë në vit. Gjatë viteve 2003-2005 raporti emigrantë legalë: ilegalë ishte 1.5 me 1 në Greqi dhe 3 me 1 në Itali. Si në përgjithësi në emigrimin e ballkanasve, emigrimi i shqiptarëve karakterizohet nga raportet jo normale midis emigrimit aktiv dhe pasiv, në favor të këtij të fundit. Emigrimi i shqiptarëve dallohet për ritmet e larta të emigrimit familjar, të cilat u kushtëzuan nga afërsia gjeografike, kulturore, gjuhësore dhe kostoja e ulët e emigrimit në vendet fqinjë.

Emigrimi i shqiptarëve dallohet gjithashtu nga ritmet e larta të emigrimit të femrave, të cilat u kushtëzuan nga lehtësia e thithjes, instalimit dhe integrimit të tyre në tregun e punës, sidomos në Greqi. Ritmet e larta të emigrimit të fëmijëve, të cilët në zonat e brezit kufitar emigruan së bashku ose pa u shoqëruar nga prindërit janë një tjetër tipar i emigrimit. Ritmet e larta të emigrimit të trurit janë një ndër veçoritë e emigrimit. Emigrimi u kufizua për një periudhë relativisht të gjatë në ndikimin si një faktor mbijetese e konsumi, për shkak të mungesës së strategjisë kombëtare për menaxhimin e migracionit, e cila, megjithë mangësitë e saj, arriti të formulohej vetëm në vitin 2005, pra pas rreth një dekade e gjysëm të përvojës së emigrimit bashkëkohor të shqiptarëve. Përsa i përket politikave migratore, Programi i Qeverisë shqiptare nuk parashikon nxitjen e emigrimit të popullsisë, por nuk është dekurajuar potenciali i fluksit migrator, për mungesë të hapjes së vendeve të reja të punes dhe krijimit të kushteve për punë e jetesë normale e dinjitoze në vend.

Megjithë përpjekjeve për Informimin, këshillimin dhe ndihmën për shtetasit që dëshirojnë të emigrojnë si dhe zgjerimin e kanaleve legale të emigrimit, nuk është mundësuar sa duhet lehtësimi i hyrjes, instalimit në tregun e punës dhe integrimin në jetën shoqërore dhe plotësimin e nevojave për sherbime të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse. Qeveria ka filluar gjithashtu bashkëpunimin me vendet pritëse për të siguruar kushte për shkollimin e brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve në gjuhën amtare, por ende jemi larg integrimit të komunitetit të emigrantëve me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor. Po kështu, ende meriton vëmendje përdorimi më i mirë i kapitalit financiar, human dhe social të emigracionit në zhvillimin ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor të vendit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit remitancat e emigracionit përbëjnë rreth 15-20% të GDP-së dhe dërgesat e emigrantëve kanë financuar rreth 60% të deficitit tregtar të vendit. Megjithëse Qeveria orientohet nga kombinimi dhe harmonizimi i politikave migratore, politikave tregtare dhe politikave të masave për nxitjen dhe thithjen e investimeve të huaja dhe përfitimin prej korrelacionit të tyre, ajo nuk ndjek ritmin e ndryshimeve në politikat dhe legjislacionin migrator evropian dhe ne vendet fqinje, te cilat po orientohen nga filozofia e zgjerimit të flukseve migratore drejt kontrollit e reduktimit të tyre. Kjo do të mundësojë që Qeveria t’i kushtojë rëndësi të posaçme përgatitjes dhe formimit profesional në teknologjitë e reja të prodhimit e sherbimeve, në përshtatje me kërkesat e tregut të huaj të punës.

3. Autoritetet shtetërore përgjegjëse për migracionin e punës…

Ekzistojnë një numër institucionesh me përgjegjësi kombëtare për emigracionin si: Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përmes Drejtorisë së Politikave të Punësimit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (në varësi të Ministrisë së Financave), Instituti i Statistikave (INSTAT). Ndërkohë, duke vlerësuar se “Trafikimi i personave është një formë e skllavërisë së kohëve moderne, një lloj i ri i tregtisë globale të skllavërisë janë hartuar disa strategji parandaluese. Për realizimin e politikave dhe strategjive ekzistojnë dhe aktivizohen aktorë në fushën e migracionit në vend, ku nga ata ndërkombëtarë mund të veçojmë: Ambasada Britanike, Cooperazione Italiana allo Sviluppo (Bashkëpunimi Italian për Zhvillimin), Delegacioni i Komisionit Europian, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), OSBE-ja Save the Children UK Country (Shpëto Fëmijët), Kombet e Bashkuara në Shqipëri (PNUD/UNDP).

Për të identifikuar të metat në institucione dhe në sektorin publik, United Nations Populations Fund UNFPA (Fondi i Popujve të Kombeve të Bashkuara), UNHCR bashkëpunon me qeverinë për të mbrojtur dhe ndihmuar azil-kërkuesit dhe refugjatët. UNICEF, USAID The Coordinated Action Against Human Trafficking (CAAHT) (Veprimi i Koordinuar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore – Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnim dhe Hetim Kriminal (ICITAP), etj. Po kështu veprojnë dhe disa aktorë lokalë, kryesisht OJF kundër trafikimit të fëmijve, për mbështetje ligjore viktimave të trafikimit dhe të dhunës. Vlerësimi i mjedisit të gjithanshëm të mërgatës, të rreziqeve e kërcënimeve, aktorët dhe faktorët që lidhen me të, dhe sidomos perspektiva e tyre në dobi të fuqisë kombëtare, me integrimin mbarëkombëtar dhe atë euroatlantik, etj., kërkojnë hartimin e Strategjisë së Madhe, etj.

4. Strategjia Kombëtare dhe Mërgata

Siguria konsiderohet, njëherazi një vlerë universale dhe koncept shumë kompleks, i veçantë, i përkulshëm, etj. “Siguria” është një term i cili zë një vend të rëndësishëm në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MND). Kjo fjalë ka ndikuar në formimin e natyrës së njerëzve si dhe të shteteve duke qenë një faktor përcaktues në mbijetesën apo jo të tyre. Në qarqet akademike siguria dhe vetë studimet e sigurisë paraqesin një grup marramendësh perspektivash dhe qasjesh duke bërë që të trajtohen në mënyra të ndryshme. Kjo për arsye se nuk ekziston një konsensus mbi gjerësinë e kuptimit të kësaj fjale. Sigurisht që në një ese modeste nuk mund të sqarohet gjithçka fshihet pas këtij termi.

4.1. Dy fjalë për Sigurinë Kombëtare

Sot siguria është fjala më e përdorur nga njeriu dhe politika. Kjo për arsye se ky është një term i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë individin duke e ndikuar atë në marrjen e vendimeve në zgjedhjen e përfaqësuesve politikë në të gjitha nivelet. “Siguria” nuk është vetëm një term i thjeshtë, i cili nënkupton një aspekt të caktuar të marrëdhënieve ndërkombëtare, por ajo është më tepër një faktor vendimtar i cili ndikon jo vetëm politikën në të gjithë spektrin e saj, por i shtrin efektet e saj në psikologjinë, jetën dhe mirëqenien e çdo individi/shoqërie dhe komuniteti. Për pasojë politika e sigurimit nuk mund të merret thjesht si dicka, e cila ka të bëjë vetëm me sigurinë e brendshme dhe të jashtme, por si një instrument, i cili ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve edhe të mërgatës. Human Security është një koncept tjetër i sigurisë. Në bazë të këtij koncepti nuk qëndron më siguria e shteteve, por njerëzit në situatat konkrete në të cilat ato jetojnë. Pra tashmë kemi të bëjmë jo më me siguri shtetërore ushtarake apo policore por dhe me siguri të tjera si ajo ekonomike, ekologjike, politike, etj.

4.2. Emigracioni dhe siguria

Emigracioni shihet si një nga çështjet që i përkasin sigurisë. Gjatë viteve të fundit, në punët e studiuesve të ndryshëm është përdorur koncepti i sigurisë për të studiuar aspektet e ndryshme të emigracionit në Europë. Një prej artikujve të parë më të rëndesishëm që flet për lidhjet midis emigracionit ndërkombëtar dhe sigurisë është punuar nga Myron Ëeiner (1992). Duke e parë sigurinë si një konstrukt social. Ëeiner identifikoi pesë lloje të situatave ku shtetet pritëse të këtij fluksi të madh emigrantësh mund t’i shihnin këta të fundit si kërcënim ndaj sigurisë. Situata e parë ka të bëjë me rastin kur emigrantët mund të shkaktojnë prishje të marrëdhënieve midis shteteve që i dërgojnë dhe shteteve që i presin ata, një fenomen mjaft i ndjeshëm sidomos kur emigrantët apo refugjatët e kundërshtojnë hapur regjimin dhe kushtet e shtetit të tyre.

Situata e dytë ka të bëjë me rastin kur emigrantët shihen si një kërcënim politik ose si rrezik për sigurinë e regjimit të vendit pritës. Situata e tretë konfliktuale ka të bëjë me rastin kur emigrantët perceptohen si kërcënim për kulturën e vendit pritës. Ndërsa rasti i katërt është kur emigrantët shihen si problem social apo ekonomik për vendin pritës. Dhe së fundmi situata e pestë krijohet kur vendi pritës i përdor emigrantët si instrument kërcënimi kundër vendit të tyre të origjinës. Ndërsa në një nga botimet e tij, Lohrmann (2000) përcakton katër mënyra sipas të cilave emigrantët perceptohen si çështje që lidhet me sigurinë në vendet perëndimore. Së pari, emigrantët përbëjnë kërcënim ndaj rendit publik. Së dyti, emigrantët që vijnë nga kultura të ndryshme dhe stile të ndryshme jetese, shihen si kërcënim ndaj identitetit kombëtar të vendeve pritëse dhe si kërcënim ndaj ‘sigurisë kolektive’.

Së treti, mendohet se emigrantët ndikojnë ndjeshëm në politikat e brendshme dhe të jashtme të vendeve pritëse, gjë që mund të nxisë tensione politike midis vendit pritës dhe vendit të origjinës. Së katërti, emigracioni i çrregullt dhe trafikimi i qenieve njerëzore konsiderohen gjithnjë e më shumë si çështje të rëndësishme të sigurisë. Mungesa e sigurisë që do të mund të shkaktonte emigracioni është çështje shumë e diskutuar nga një sërë studiuesish. Studiues të tjerë si Luciani (1993) dhe Bigo (2001) vënë në qendër të vëmendjes ‘aspektin kriminal të emigracionit’. Choleëinski (2000) kritikon vëmendjen e pamjaftueshme të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve të paligjshëm. Ai argumenton se: ‘Axhenda e Bashkimit Europian, e bazuar pothuajse tërësisht tek aspektet e sigurisë, nuk mund ta lehtësojë problemin e emigracionit të paligjshem edhe për shumë kohë’.

Vlerësime të ngjashme gjejmë dhe në dokumentet strategjike të Shqipërisë. Migracioni mbetet një dukuri komplekse që e ka prekur Shqipërinë në shumë dekada dhe problemet demografike përbëjnë një shqetësim serioz për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara të popullsisë jashtë vendit, por dhe lëvizjeve nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane duke krijuar mbipopullim në zonat urbane dhe largim nga zonat të cilat si dje, sot dhe nesër do të kenë nevojë për burimet njerëzore. Ndërsa në projektin e ri shkruhet se Emigracioni i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të tjera përbën rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin e vendit, për sigurinë njerëzore dhe atë të Republikës së Shqipërisë. Fenomeni i emigrimeve të paligjshme të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve perëndimore paraqet ndikime për reputacionin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Efektet e këtij fenomeni të pakontrolluar shprehen në humbje jetësh, rrjedhjen e inteligjencës shqiptare, plakjen artificiale të popullsisë, mungesën e dëshirës për të punuar në vend dhe forcimin e ndjenjës së largimit nga vendlindja.

4.3. Strategjia e sigurisë

Strategjia kuptohet më mirë si art dhe shkencë e zhvillimit dhe përdorimit të fuqisë politike, ekonomike, socio-psikologjike dhe ushtarake të shtetit në përputhje me udhëheqjen politike me qëllim krijimin e efekteve të nevojshme për mbrojtjen dhe zhvillimin më tej të interesave të shtetit në mjedisin e dhënë strategjik. Mjedisi strategjik është arena në të cilën lidershipi strategjik vepron me shtetet dhe aktorët e tjerë dhe mundësitë që mund të krijohen për të zhvilluar më tej mirëqenien dhe pasurinë e shtetit. Strategjia është një proces i disiplinuar gjykimi e vlerësimi që synon të zbatojë një shkallë racionaliteti dhe lineariteti në një mjedis që mund të jetë ose jo i tillë, në mënyrë që të kryhet një planizim i efektshëm. Strategjia e bën këtë duke identifikuar qëllimet (objektivat) strategjike, mënyrat (konceptet) dhe mjetet (burimet), të cilat kur plotesohen, krijojnë ndikime të favorshme në lidhje me mirëqenien e shtetit.

4.4. Nevoja e një Strategjie të Sigurisë Kombëtare (SSK)

Strategjia e sigurisë kombëtare është një kornizë dokument, që përshkruan se si një vend ofron siguri për shtetin dhe qytetarët e vet, dhe shpesh herë prezantohet si një dokument i përgjithësuar. SSK-të kanë një rol për të tanishmen dhe për të ardhmen, pasi skicojnë interesat bazë të vendit dhe përcaktojnë udhëzimet për trajtimin e rreziqeve dhe mundësive aktuale dhe të ardhshme. Eksperti i njohur David Laë argumenton domosdoshmërinë e pajisjes së shteteve me një strategji të sigurisë, duke e lidhur atë me një mori arsyesh të tilla si: “aftësimin e qeverisë në trajtimin e gjithë rreziqeve që ballafaqohen, të rrisë efikasitetin e sektorit të sigurisë duke optimizuar kontributet e të gjithë aktorëve të sigurisë, të drejtojë zbatimin e politikës, të ndërtojë konsensusin e brëndshëm të vendit, të rrisë besimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.

Për sa i përket sfidave kryesore për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, politologët pajtohen me kërkesat se: SSK-të duhet të barazpeshojnë hapjen dhe fshehtësinë e nevojës për të ruajtur lirinë e veprimit dhe kufizimeve të vendosura në veprimet e drejtuesve, nevoja për shqyrtime të politikës së sigurisë kombëtare duhet të baraspeshohet kundrejt kostos së tyre, qoftë në aspektin njerëzor, qoftë edhe në atë material dhe se Strategjia e Sigurisë Kombëtare duhet të baraspeshojë debatin publik me kontributin e ekspertëve. Dhe meqenëse Shqipëria ka bërë përpjekje dhe ka hartuar dokumente të SSK, përsëri kur vjen puna për çështjen kombëtare, mërgatën, interesin kombëtar etj, shpesh trajtesa vuan nga retorika të pa referuara nga Kushtetuta, sidomos nga preambula e saj, etj. Për të kapërcyer këtë paradigmë, ku t’i jepet vendi i duhur edhe mërgatës, gjykoj se duhet hartuar Strategjia e Madhe.

5. Nevoja për një Strategji të Madhe (SM) – domosdoshmëri, disa mendime

E nëse trajtojmë nevojën e një strategjie në kushtet e hapësirës shqiptare, dhe jo vetëm këtu, nevoja për një Strategji të Madhe bëhet më e ndjeshme. Në funksion të kësaj ideje para së gjithash është mënyra se si ndjejmë dhe perceptojmë vetveten. Në një farë mënyre kjo do të thotë një proces vetëkontrolli që nënkupton mesazhet që vijnë nga jashtë botës shqiptare, mesazhet që vijnë nga brenda, nga hapësira mbarëkombëtare dhe mërgata dhe mesazhet që përcjell vetë kujtesa historike. Në dobi të kësaj ne duhet të dallojmë mirë kufijtë shtetërorë me kufijtë kombëtarë, etj. Kjo kur dihet se trojet shqiptare në vitin 1912 shtriheshin të paktën në 50-60 mijë km katrorë dhe sipas disa autorëve, 70-75 mijë km katrorë. Territoret jashtë Shqipërisë politike të aneksuara nga fqinjët kishin shëmbur jo vetëm komunikimin ndërmjet të gjitha viseve dhe kombit shqiptar, por dhe komunikimin njerëzor gjithëfarësh, komunikimin ekonomik, kulturor, politik, etj. Pos të tjersh u masakruan dhe u ndërprenë arteriet keryesore, tri korridoret kryesore, ku prej shekujsh komunikohej me bregdetin Adriatik dhe Jon. Viset që ju shkëputën Shqipërisë më 1913 ishin baza e kombit shqiptar për tokën bujqësore. Nëse në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit sipërfaqja e tokës bujqësore ishte rreth 1, 2-1, 3 milion ha, në vitin 1912 pronarët shqiptarë mbanin në pronësi rreth 1 milion ha, në Shqipërinë e pavarur më 1913 mbetën afërsisht rreth 350 mijë ha, etj.

Në vitin 1913 mbetën në Shqipëri 25 nga 56 qendra urbane ose 46% e tyre. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën të paktën 12 skela ose limane nga 22 të tilla.

Copëtimi i Shqipërisë i vitit 1912, ka qenë fatal për kombin shqiptar. Kombi shqiptar humbi vlerën ekonomike, kulturore, politike, gjeografike e gjeostrategjike, ushtarake, të sigurisë, etj. Pra është e qartë se potencialet kombëtare i kemi. Rilidhja e arterieve të ndërprera shtron udhën e integrimit të gjithanshëm mbarëkombëtar dhe mbetet detyrë e elitës dhe lidershipit, duke mundësuar plotësimin e objektivit madhor strategjik kombëtar. Nëse nuk do të gjendet rruga e lejueshme qytetëruese, që do ti bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një objekti të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët.

Së dyti të mendojmë madhërishëm. Jemi një komb i madh në Ballkan, të lexojmë mirë dhe dinamikën demografike, moshën, etj dhe së bashku me mërgatën numri i shqiptarëve dyfishohet, etj. Kjo forcë dhe suport që i vjen nga jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj përhapje demografike është parë dhe me xhelozi në rajon e nuk është e tepërt të thuhet se është ndjerë si kërcënim përsa kohë në strategjitë e vendeve të caktuara fqinje janë shprehur dhe ndjenjat e “kërcënimit” për shkak të fuqizimit të Shqipërisë veçanërisht në rajon si rezultat i realitetit të ri gjeopolitik siç është Kosova e cila s’mund të jetë ndryshe, por veçse në një aleancë të qëndrueshme dhe të përhershme me Shqipërinë. Po kështu mund të thuhet edhe për shqiptarët e Maqedonisë, etj.

Në rast se do ta shihnim gjeopolitikën Shqiptare në aspektin emocional i cili gjithnjë e me shumë po merr një rëndësi te veçantë ne konfliktet që zhvillohen ne botë, sigurisht që e ashtëquajtura harta emocionale e shqiptarisë do mbizotëronte veçarisht në rajon. Domenique Moisi pranon në librin e tij “Gjeopolitika e Emocioneve”, se kjo është ajo që jep një pasqyrë të vërtetë të sjelljes së njeriut, madje duke e trajtuar në mënyrë të pandashme aspektin gjeografik, interesat, pasurinë me ngarkesën emocionale. Pasi “drejtpeshimi i emocioneve është po aq jetësor për shëndetin e botës sa dhe drejtpeshimi i gjakut për shëndetin e njeriut”.

Së treti të orientohemi nga e ardhmja, të ecim përpara, dhe jo si shtete në rajon që thonë “të ecim përpara me kokën mbrapa”. Kjo kërkon orientim te gjeneratat e ardhshme, forcë parashikuese, strategji, më saktë Strategjia e Madhe që na ka munguar. Dhe për këtë ka mjaft arsye e sfida. Unë po analizoj disi dy prej tyre:

Sfida e parë: Shoqëritë shqiptare janë të pastandartizuara, sidomos nga objektivi i vlerave kombëtare. Dhe kjo kur dihet se interesat kombëtare burojnë nga vlerat kombëtare, të cilat janë themeli i këtyre interesave, etj. Dhe pa standardizim nuk mund të mbrohet asnjë vlerë veçanërisht me ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar. Le ta ilustrojmë këtë me realitetin e preambulave (që konsiderohen si kuitisenca e vlerave kombëtare për cdo shtet) të dy kushtetutave të shteteve shqiptare, pasqyrimin e vlerave në to, etj. Preambula e Kushtetutës së Shqipërisë: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, …. me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,…. Preambula e kushtetutës është një manifest politik. Ajo duhet të shprehë esencën e kushtetutës, duke mëshiruar gjithë vlerat dhe interesat e shtetit dhe të kombit, në gjithë shtrirjen e tyre në hapësirë e në kohë, në të shkuarën e në të ardhmen. Analiza e disa momenteve kyçe historike të kombit shqiptar, në të cilat janë shfaqur vlerat e vërteta dhe interesat kombëtare, është testi real, me qëllimin e “ndërtimit” të një sigurie kombëtare. Një shtet, që bazohet mbi një kuptim themelor të marrëdhënieve midis shumicës e opozitës, në lidhje me rregullat e lojës, ka interesa madhore e kombëtare të cilat janë të përbashkëta për të gjitha forcat politike, siç janë garantimi i integritetit territorial, rritja e mirëqenies, të drejtat e njeriut, e sidomos çështja kombëtare, e cila është paracaktuar që në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë. Caktimi i interesave të pjesshme është një spekulim. Shteti është vetëm një instrument i kombit.

Kombi shpreh vullnetin e qytetarëve për të jetuar së bashku. Ai është themeli historik e kulturor i shtetit. Në preambul, fjalët “komb” dhe “kombëtar” citohen tre herë, pra linja që përshkon preambulën e kushtetutës tonë është linja kombëtare dhe jo shtetërore. Marrim përcaktimin e flamurit ne kushtetutë: Shqipëria nuk ka flamur shtetëror. Flamuri i saj kombëtar është edhe flamur shtetëror. Kushtetuta e Shqipërisë njeh dhe përcakton vetëm flamurin e shtetit-komb. Ndërsa shqiptarët në Kosovë kanë flamur shtetëror, duke i ditur pengesat e imponuara e për rrjedhojë vetëpërmbajtjen e kujdesin e tyre në tërësi për çështjen kombëtare. Por, nuk duhet harruar se, për drejtuesit që nuk janë në gjendje të zgjedhin ndërmjet alternativave, kujdesi kthehet në një alibi për mosveprim. Kombi shqiptar, që në historinë e lashtë të tij, ka luftuar për siguri kombëtare, ndonëse, për vetë kushtet, kjo siguri ishte reduktuar në atë të mbijeteses. Dhe në tërësinë e tipareve dhe vlerave të aspiratës shqiptare për të jetuar në trojet e tij, ka spikatur përpjekja për të bërë shtet, aftësia shtetformuese e tij është shfaqur në të njëjtën kohë me shtetet dhe kombet e tjera. Po ashtu, ai ka nxjerrë figura të denja të marrin mbi shpatulla detyrën e shenjtë për të udhëhequr kombin, të afta të hartojnë strategji e të ndërtojnë politika të “mençura” në funksion të interesave të popullit në të gjitha aspektet.

Përsa i përket gjuhës shqipe, një vlerë kombëtare, simbol i mbijetesës, theksojmë se deri në pjesën e dytë të viteve 1800, shqiptarët ishin endur nëpër labirintet e historisë duke u mundur t’i shpëtojnë asimilimit, humbjes së identitetit si komb, pra zhdukjes së nocionit “shqiptar”. Është vlerë e padiskutueshme ruajtja e gjuhës shqipe për shekuj me radhë, duke pasur parasysh që kanë kaluar me dhjetra breza të cilat kanë qenë nën trysninë mbytëse të ndryshimit të gjuhës, të mohimit të së drejtës për shkollim në gjuhën amtare, në mungesë totale institucionesh arsimore shqipe (kur gjuha shqipe është e veçantë, nuk bën pjesë në asnjë grup për nga ngjasia). Preambula e Kushtetutës së shtetit të Kosovës është mjaft larg shprehjes së vlerave dhe interesave kombëtare të vërteta të kombit shqiptar.

Përveçse drejtimit ndaj së ardhmes së shtetit në familjen europiane me të gjitha prerogativat e duhura, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mbart dhe nuk shpreh atë ngarkesë historike të domosdoshme, vetë preambula e saj nuk është ai manifest politik që do të donim të ishte, pra të shprehte të gjitha vlerat dhe interesat kombëtare të kombit shqiptar. Këto mangësi shprehen qartë në pranimin e Kosovës si një shtet multietnik, flamuri citohet shtetëror dhe i ndryshëm nga flamuri kombëtar shqiptar, në asnjë rast nuk përmendet flamuri shqiptar kombëtar (kuq e zi me shqiponjën me dy krerë), etj.

Janë të njohura nga të gjithë ne faktorët e fuqishëm frenues të paraqitura nga faktori ndërkombëtar gjatë hartimit të kësaj kushtetute, por gjithsesi, kombi shqiptar ekziston, trojet e tij natyrorë e historike janë të ditura e të njohura. Si përfundim, preambula e kushtetutës mbart mbi vete gjithë peshën e historisë sonë, gjithë mundin e perpjekjet për identitet kombëtar, mbart amanetin e të gjithë atyre brezave që luftuan e u sakrifikuan për idealin e madh të ruajtjes së sovranitetit e trojeve shqiptare dhe ribashkimin kombëtar. Ajo shpreh të gjitha ato interesa të kombit shqiptar, të njëjta me ato të gjithë kombeve të tjerë historikë e të qytetëruar, shpreh vlerat themelore mbi të cilat bazohet gjithë shoqëria njerëzore.

Pavarësisht nga kushtet e sotme, nga kuadri gjeopolitik në Ballkan, Europë e nga kuadri global, shqiptarët kudo që janë duhet të jenë të vetëdijshëm për të kontribuar me të gjitha format e mënyrat legale për bashkimin dhe forcimin e tyre, për prosperitet, sepse vetëm kështu do të jenë një faktor i fuqishëm paqeje në Ballkan më qëllimin për të “gëzuar” një Siguri Kombëtare. Dua të citoj ç’ka thënë Lord Palmerston (Ministër i Jashtëm i Britanisë më 1856) në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1848 që “.. (Vetëm) interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme, dhe është detyrë e jona që të përmbushim e t’i mbrojmë ato”. Kërkesa e dytë dhe vështirësia e hartimit të një SM kushtëzohet dhe nga pamjaftueshmëria teorike strategjike e elitave tona. Shkaqe të shumta historike, psikologjike, kulturore, institucionale ideologjike, gjeopolitike, etj, si edhe, me ndonjë përjashtim të vogël, mungesa e pajustifikueshme e vizionit të politikanëve të kombit shqiptar etj., e kanë penguar këtë. Megjithëse shkolla shqiptare ka përgatitur ekspertë dhe specialistë të mirë, në tërësi ka munguar elita me kulturë strategjike e aftë për të ndikuar mbi hartimin e politikave dhe përgatitjen e strategjive, ku për më tepër të analizojnë dhe peshën e dimensionit të mërgatës në fuqinë kombëtare etj.

Megjithëse ekzistojnë struktura institucionale në Kryeministri, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Rendit, Shtabin e Përgjithshëm, SHISH, Akademinë Ushtarake e deri OJF, cilësia dhe efektiviteti i tyre është i pandjeshëm. Ritmi rutinë i funksionimit ditor në këto institucione, kërkesa të parapëlqimit politik, etj, shpesh i lë shteg një mendimi dhe një stanjacioni strategjik. Pa mundur t’a shtjelloj gjerë këtë qasje, mendoj se krijimi Qëndrës së Studimeve Strategjike Kombëtare në Tiranë, me përfshirjen e elitave më përfaqësuese nga hapësira shqiptare dhe mërgata, ku përfaqësimi i kësaj të fundit duhet të jetë i ndjeshëm, të mbështetur me buxhetin e duhur financiar, mbetet tashmë një domosdoshmëri.

5.1. Strategjia e Madhe dhe “ADN”-ja e kombit

Strategjia e Madhe vë në lëvizje politikën e jashtme shkruan Friedman. Dhe ajo fillon kur politika krijon pikësynimet. Të gjithë kombet kanë SM, vijon autori, megjithëse kjo nuk do të thotë se të gjithë kombet arrijnë objektivat e tyre strategjike.” SM është kaq thellë e ngulitur në ADN-në e kombit dhe shfaqen kaq natyrshëm dhe qartë, sa politikanët dhe gjeneralët jo gjithmonë janë të vetëdijshëm për këtë.” Me gjithë brishtësinë e kërkesave në rritje, nuk mund të themi se ka munguar në tërësi një strategji apo platformë kombëtare. Hamendjet apo pyetjet se a kanë shqiptarët program kombëtar janë njësoj, po të perifrazonim një personalitet anglez, sikur të pyesësh sot, a kanë anglezët kushtetutë. Kësaj pyetje Cestërfillon, shtetar dhe shkrimtar anglez (1694-1773) i përgjigjet: “Kushtetuta jonë është mbështetur në vetë ndjenjën e përbashkët” (comon sens). Mospasja e një programi nuk do të thotë se mungojnë orientimet themelore programuese që nga Rilindja jonë kombëtare e deri sot, të krahasuara me parimet e reja dhe frymën integruese perëndimore si dhe me ndryshimet e reja gjeopolitike rajonale evropiane e më gjerë. Mjafton të kujtojmë për këtë veprën madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e Sami Frashërit.

Megjithëse një vepër iluministe, pra jo shkencore, ajo është një model i konceptimit e perceptimit të strategjisë kombëtare të shqiptarëve, ku identifikohen qartë vlerat, interesat dhe objektivat kombëtare dhe mbi të gjitha analizohet drejt mjedisi dhe trajtohen saktë rreziqet dhe kërcënimet e kohës për shqiptarët etj. Objektivi madhor strategjik, që duhet të promovojë SM, si detyrim ndaj Kushtetutës (Preambulës), realizohet së pari me mbajtjen gjallë e ushqimin e kësaj ideje, kur flitet, shkruhet e diskutohet si dhe për sendërtimin e saj punohet seriozisht e në vazhdimësi. Kuptohet se kur trajtojmë tema të tilla madhore duhet jo vetëm dëshirë, po mbi të gjitha vullnet. Dhe para së gjithash, kjo kërkon një njohje sa më të plotë të situatës e të mjedisit të përgjithshëm për hartimin e një programi apo strategjie sa me reale që parashikon objektiva bindës dhe të mundshëm dhe që mban mirë në konsideratë mjetet apo resurset. Se në fund të fundit kur është fjala për ideologema kombëtare nuk është tepër të theksohet se çdo mendimtari dhe krijuesi në retorikën kombëtare i kanoset një rrezik i mundshëm “që të flasë bukur por të jetë gabim”, shkruan akademik G. Zajmi. Ky është një mendim ingjenjas, të cilën e gjejmë që në Elektrën e Sofokliut katër shekuj P.K.

Çdo gjeneratë e kombit, vijon ai, mendon për vete se jeton në udhëkryqin historik. Aq më pak kur këtë udhëkryq historik për fatet e kombit janë duke e sajuar lëkundjet e mëdha gjeopolitike në pjesë të Ballkanit, duke përfshirë dhe territoret etnike shqiptare, janë duke sajuar lëvizje të mëdha në jetën politike të kombit.

5.2. Qëllime gjropolitike që mund të vënë në lëvizje SM Shqiptare

Kjo kërkon të zbulohen e shpjegohen qëllimet gjeopolitike që vënë në lëvizje SM Shqiptare. Nëse do të guxoja të ecja në një linjë me Friedmanin, disa nga qëllimet gjeoplitike që vënë në lëvizje SM shqiptare mund të jenë:

a. Epërsia e orientimit apo vlerësimit të hapësirës detare ndaj asaj tokësore, apo më saktë kapërcimi i paradigmës së vlerësimit si fuqi tokësore të hapësirës shqiptare dhe krijimit të paradigmës për orientim me përparësi të hapësirës shqiptare si fuqi detare. Ky orientim te vlerat euromesdhetare, shtegëtim i dendur i emigrantëve, etj, do ta zgjeronte dinamikën dhe fuqinë e kombit shqiptar. Shqipëria jonë, që na duket kaq e vogël, qëndron në “sy” të një rajoni i cili është në gjendje të ofrojë një gamë të gjerë problemesh të rënda, siç e ka provuar. Në vitin 1937, gjeografi gjerman Stadtmüller thoshte se roli gjeopolitik i Shqipërisë për 2000 vjet kishte qenë ai i një porte hyrje ndërmjet Adriatikut dhe Ballkanit. Sipas tij, cikli 2000 vjeçar i dominimit nga fuqi të Adriatikut apo të Ballkanit në Shqipëri, u thye me daljen e komunizmit, pas LIIB. Asokohe, roli gjeopolitik i kësaj porte ndryshoi.

Por, sado që ndryshojnë sistemet e ideologjia, përgjigjja gjendet përsëri te gjeografia, apo thënë më saktë, gjeopolitika. Kjo është arsyeja e qasjes racionale ndaj zhvillimeve që ndodhin në vendin tonë, pasi në bazë të lojës së madhe nuk janë emocionet (as rishkrimi i historisë, as pakicat, as religjionet etj-këta janë veç elementë ‘shërbëtorë’), por është analiza e ftohtë e fuqisë, pesha gjeopolitike dhe të kuptuarit e saktë se në cilën pjesë të sistemit global ndodhemi saktësisht.

b. Prioritet i integrimit mbarëkombëtar si më i qëndrueshmi apo më saktë bashkërendimi i orientimit euroatlantik me atë mbarëkombëtar duke vlerësuar si interes jetik kombëtar këtë të fundit.

Shqiptarët, duke pasur një qëndrim të njësuar si komb, e kanë bërë krejtësisht të qartë se integrimi në BE (pas anëtarësimit edhe të hapësirave të tjera shqiptare në NATO), mbeten dëshira e vullneti, se ëndrra dhe vullneti i tyre është një epërsi e politikës kombëtare. Gjithashtu, pavarësisht problemeve të diferencuara e specifike që kanë shqiptarët në territoret e tyre autoktone, duket tashmë qartë se me faktorin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në zona të tjera të rajonit e kudo në mërgatë, përfshirë dhe bashkësinë çame, në kushtet e reja të hapjes dhe zhvillimeve përfshirëse e ndërvepruese, nuk mund të luhet më. Dhe ky proces është sa emancipues e sovran, po aq solidar dhe i ndërvarur. Kush nuk e kupton apo e pengon këtë, nuk punon për të ardhmen e tij, të familjes e popullit të vet. Tashmë është kuptuar nga të gjithë shqiptarët që, krahas lirisë, sigurisë e progresit ekonomiko-shoqëror, në perspektivën e anëtarësimit në BE, ata duhet t’i paraprijnë e do të arrijnë të realizojnë e konkretizojnë aspiratën e tyre integruese e vetintegruese.

Mbetet që një thelb i tillë të kuptohet edhe në qendrat vendimmarrëse të politikës ndërkombëtare. Sepse proceset historiko-shoqërore, si më të komplikuarat nga përmbajtja, forma e përfshirja, janë vetëm të pakthyeshme. Dhe sot kjo pakthyeshmëri është në favorin tonë. Në shërbim e funksion të saj, krahas integrimit, është prioritet deri interes kombëtar jetik, bashkëveprimi e unifikimi në të gjithë hapësirën shqiptare, ç’ka do t’i jap frymarrjen jetësore dhe mërgatës shqiptare.

c. Vlerësimi dhe shfrytëzimi racional i vlerave të hapësirës shqiptare. Shfrytëzimi racional i resurseve e pasurive kombëtare në dobi të mirëqenies së popullit duke realizuar sigurinë mjedisore e shëndetin e popullit. Që të jesh duhet të kesh: tashmë jemi të bindur se hapësira shqiptare posedon pasuri të gjithanshme, që mundësojnë objektivin strategjik kombëtar, etj.

d. Vlerësimi prioritar i peshës së rëndesës të mërgatës në fuqinë e kombit dhe rëndësinë gjeopolitike të hapësirës shqiptare. Prandaj, mërgata e shekullit 19-fillimi i shek.XX-të, e rrallë dhe e pafuqishme ka përgatitur idenë strategjike, lidhjet diplomatike të pavarësisë së Shqipërisë, mbrojti kudo interesin kombëtar. Sot roli i mërgatës së shtuar dhe me potenciale të gjithanshme në rritje do të jetë shtrati i realizimit të strategjisë së madhe të Kombit Shqiptar.

6. Mërgata si prioritet

Dihet se ajo që duket më e vendosur për integrimin kombëtar është mërgata, e cila së bashku me inteligjencën atdhetare i kushton shumë energji kësaj çështjeje. E çliruar nga interesat partiake dhe politizimet e tejskajshme, mërgata është një trung i fuqishëm i kombit shqiptar. Megjithëse ajo nuk i ka me tepri milionerët e saj, si ajo e disa vendeve ballkanike, gjithsesi është e gatshme dhe aftë për përgjegjësi kombëtare për zhvillimin ekonomik, etj.

Në mënyrë të veçantë intelektualët e mërgatës edhe përse ndodhen larg atdheut të tyre, kanë avantazhin të shohin çfarë ndodh atje me qartësi më të madhe mendore dhe më objektivisht, prej përvojës që kanë nga kontakti me popujt e tjerë për zgjidhjen e problemeve kombëtare të rëndësishme. Sigurisht që sot kohët kanë ndryshuar. Gjithesesi, nga ato të dhëna qe disponohen dhe nga deduksionet që mund të nxirren nga kushtet e nevojshme për të punuar në emigracion, nund të mendohet se: në emigracionin shqiptar mbizotërojnë moshat e reja (deri në 30 vjeç) dhe mesatare (40-50 vjeç) në mënyrë deduktive mund të pohoet që meshkujt përbëjnë pjesën më të madhe të emigracionit dhe prejardhja gjeografike e emigrantëve përfshin të gjitha krahinat e Shqipërisë. Siç pohojnë vetë statistikat greke, përpara periudhës së krizës, emigrantët, kryesisht shqipëtarë, që përbejnë 65% te tyre, janë klientët më të mirë të bankave greke. Llogariten tri miliardë Euro nga rreth 200 mijë llogari bankare te emigrantëve. 90% e shqiptarëve qe banojnë në Greqi janë klientë të bankave greke.

Hapja e shoqërisë shqiptare pas vendosjes së pluralizmit çoi ne heqjen e të gjithave pengesave, formale dhe ligjore, per njohjen, kontaktimin dhe integrimin e ndërsielltë midis mërgatës sonë dhe shtetit shqipëtar. Por e verteta është se në fillimet e këtij procesi pati jo pak eufori pa bazë, munguan veprimet konstruktive dhe të institucionalizuara. Në vend që të krijohej mirëbesimi i ndërsjelltë, kaq i nevojshm per këtë periudhë të brishtë demokracie, një pjesë e shqiptarëve të mërgatës thelluan rezervat ndaj shtetit shqiptar. Ne vitet e para të demokracisë, bile edhe sot, mërgata u pa thjesht si një burim nga ku mund të merreshin të ardhurat pa ndonjë “proçedurë” biznesi, vetëm në bazë të së ashtuquajturit “detyrim patriotik”.

Detyrë e rëndësishme për intelektualët e mërgatës do të konsideroja kultivimin adekuat të ndërgjegjësimit dhe përqëndrimit në gjetjen e lidhjes së hallkave të humbura të zinxhirit kombëtar. Historia e Shqipërisë është e re në pikëpamje të organizimit shtetëror modern, por mjaft e vjetër për nga thellësia e tipareve kombëtare, rezistencës e përpjekjeve për ekzistencë e mbijetesë. Për më tepër, nëse shteti “sajohet” në një mënyrë apo tjetrën, kombi ka shtresime të brendshme, që lidhen me rrënjët dhe historinë e popullit, me gjuhën, kulturën, traditën, psikologjinë, zakonet, mitet e tij. Shtresime të tilla vijnë nga thellësitë e shekujve dhe mbeten bazë solide e së sotmes dhe të ardhmes së tij. Midis tyre, krahas karakteristikave bashkëshoqëruese e fisnike si gatishmëria, humanizmi e solidariteti njerëzor, dëshira për fqinjësi e paqe, janë dhe ato që lidhen me mbrojtjen e familjes, tokës, dinjitetit, lirisë e sovranitetit. Është pikërisht kjo lidhje historike me lirinë dhe paqe-dashjen, me respektin njerëzor që ushqen sot edhe me kohezionin midis komuniteteve fetare shqiptare…

Kuptohet intelektualët në dy shtetet shqiptare (në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës), në trevat shqiptare, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbinë Jugore etj, kanë peshën më të madhe. Populli shqiptar me “kokëfortësinë” që e karakterizon konservatorizmi, arriti të ruajë vlera ideale dhe modele kulturore nëpër shekuj. Por fakti se Shqipëria del nga një periudhë e gjatë izolimi dhe e lirive të kufizuara, në një botë ku mbisundon gjuetia e pasurimit të lehtë dhe e lavdisë së lehtë, kultivimi i një trungu kombëtar kulturor bëhet më se i domosdoshëm.

Në këtë kah sigurisht veprimi i organizuar i elitës mbarëshqiptare (Shqipëri, Kosovë, e deri në mërgatë) mund t’i jepte impulset e duhura jetës politike e kombëtare shqiptare. Kërkesa për formimin i një parlamenti intelektual shqiptar për të përpunuar platformën kombëtare, mbetet aktual. Megjithëse ky parlament nga natyra e tij mund të ketë pushtet moral e këshillimor, pesha e vendimeve dhe fuqia e ekspertizës së tij do të kishte ndikim në zgjidhjet e mëdha kombëtare.

Punë e gjithanshme e përgatitjes së popullit shqiptar, etj., për integrimin e kombit shqiptar. Kjo përmes integrimeve në planin kulturor, arsimor, shkencor, ekonomik, etj. Mbi të gjitha me krijimin e institucioneve mbarëkombëtare kulturore (kultura thelbi i shpirtit kombëtar dhe i qytetërimit, institucion për bashkimin kombëtar), arsimore. Sepse në fund të fundit, “sa më shumë njerëzit hyjnë në globalizim aq më shumë duan të afirmojnë orgjinën e tyre.”

Tashmë pas Luftës së Ftohtë, me humbje të rolit të ideologjisë, aktori religjioz po shfaq vlerat sidomos te mërgata. Njohësi i mirë i mendësisë shqiptare, At. Anton Harapi, e quante “çështjen ma delikate e jetës shqiptare”. Shqiptarët, popull i vogël me tri konfeksione, që nuk është përparësi e tyre, por njëherazi është rasti fatlum që shqiptarët nuk vuajnë nga fanatizmi fetar, por karakterizohen nga toleranca fetare.
Është i njohur fakti i rolit pozitiv të fesë në edukimin moral, shpirtëror e kombëtar të njerëzve. Njëherazi, realiteti trikonfeksional i popullit shqiptar, kleri që e drejton dhe mënyra se si i ben shërbimet fetare, por dhe ndërfutja dhe ringjallja e shumë sekteve fetare në hapësirën shqiptare, deri tek përpjekjet për depërtime të fondamentalistëve në mërgatë (perspektiva gjeoplitike e aktorit religjioz), kërkojnë angazhim serioz nga institucionet shterore, kulturore, përfshi këtu edhe ato fetare. Krahas rolit pozitiv dihet se jo rrallë feja ka luajtur rol negativ ç’integrues e antikombëtar, veçanërisht kur kanë qenë të papërgatitur e në shërbim të interesave të huaja.

7. Jo atdhetarizëm emocional

Realizimi i detyrës madhore kombëtare nuk mund të behet pa forcimin e shtetit shqiptar. Çdo nismë që bëhet jashtë realitetit institucional të shteteve shqiptare mbetet në mes të rrugës. Parakusht për realizimin e një platforme të bashkimit kombëtar është ekzistenca e një Shqipërie (dhe Kosove) shtet dinjitoze me institucione të sigurisë së fortë e moderne, ekonomi të zhvilluar e konkuruese, diplomaci të shkathët dhe efikase. Trinomi siguri dhe mbrojtje e fuqishme, begati ekonomike dhe muskul diplomatik mbetet parësor për proceset integruese mbarëkombëtare e euroatlantike. Shqiptarët duke jetuar në shekuj nën pushtimet e huaja e shohin vazhdimisht shtetin dhe institucionet e tij me një sy armiqësor. Krizën më të thellë në këto dy dekadat e fundit e përjetuan institucionet shtetërore të tri pushtetve: pushteti legjislativ nëpërmjet deformimit të procesit zgjedhor, pushtetit ekzekutiv dhe gjithë administrata shtetërore nëpërmjet korrupsionit e politizimit ekstrem, pushtetit gjyqësor, etj.

Nën etiketën e luftës kundër komunizmit dhe për “fitoren e demokracisë”, institucionet shtetërore fituan tipare të egra autoritare e partiake, administrata ndodhet në gjëndjen më të dobët, e privatizuar e margjinalizuar mes partive etj, ringritja e saj mund të konsiderohet sfida më e madhe kombëtare, pa ringritjen e së cilës vështirë se mund të mendohet e veprohet e për më tepër të fitohet çështja kombëtare. Shteti duhet të jetë në funksion të kombit dhe jo në funksion të pushtetarëve, klaneve, grupeve që luftojnë për interesat e tyre partiake, individuale, etj. Për stërmundimet e tyre gjatë historisë, shqiptarët, për dështimet e tryre shpesh fajësojnë të huajt. Pa mohuar këtë, përvoja e historisë njerëzore thekson se analiza duhet të fillojë nga vetja. Shkalla e emancipimit të një populli matet me aftësitë që ka ai për të mposhtur atë pjesë të sëmurë të vetes.

Përvoja historike ka treguar se tek ne i është mëshuar shumë kahut idealist, më saktë dashuria për atdheun shpesh ka qenë emocionale. Pra në tërësi çështja e bashkimit kombëtar është parë nga propaganda shqiptare si diçka ideale. Tashmë në kohët moderne aksesorët praktikë marrin rëndësi të dorës së parë.

Shkërrmoqja e shtetit “përballë tërmetit” që kaluam, tregon se ekzistojnë vakumet e historisë që rrezikojnë të vrasin atdhedashurinë e të kompromentojnë idealet kombëtare. Parë me kujdes, në disa periudha të mëparshme, por më qartë në krizën që kaluam, është vënë re diskordancë midis shtetit e kombit, midis pushtetit e shqiptarizmës, duke bërë që qytetarët të mos e shohin atë si shtetin e vet, si institucionin real të kombit. Zhvillimi dhe realizimi kombëtar i shtetarëve, realizohet e aplifikohet vetëm atëherë kur shteti identifikohet me kombin e jo me atë të zgjedhes së kombit, kur individët që e krijojnë atë të dominohen përherë nga ndjenja e përgjegjësisë kombëtare e jo më nga ajo e luftës për të eliminuar kundërshtarët dhe për të sunduar e për të fituar. Kjo mundëson, pos të tjerash, realizimin e qytetarit me atdheun e vet jo vetëm në kahun ideal. Autori i fuqishëm i demokracisë, Aleksej Tukvil, universaliteti ideor i të cilit afron me realitetin tonë në tërësi, shkruan se “ekziston një ndjenjë dashurie për atdheun, e cila e lidh zemrën e njeriut me vendin ku ai ka lindur, pa ndonjë interes. Kjo dashuri instiktive ndërthuret me traditën, me respektin për të parët dhe kujtimet e së shkuarës” si të gjithë pasionet joreflektuese, kjo dashuri, për vendin jep shtytje për sakrifica të mëdha, veçse ato janë më shumë kalimtare se sa të vazhdueshme.

Ekziston edhe një dashuri tjetër, vijon Tukvili, më racionale se kjo, më pak bujare ndoshta e më pak e zjarrtë, por më e thellë dhe më e durueshme në kohë, ajo lind prej qytetërimit, zhvillohet me ndihmën e ligjeve, rritet me praktikimin e drejtësisë dhe përfundon në njëfarë mënyre, duke u përzier me interesin personal. Duhet shkuar përpara, pra, duke u munduar të bashkohet në sytë e popullit interesi vetjak me atë të vendit, pasi atdhedashuria e painteres ikën për të mos u kthyer më. Pra, problemi ynë sot në rrugën e zgjedhjes së një shoqërie demokratike e cila zhvillohet pa madhështi, por me rregull e moralitet, duke kapërcyer demokracinë e çrregullt e të korruptuar, pre e tërbimeve frenetike që shpesh na shoqëron. Shtjellimet me sens kritik nuk shpërfillin, përkundrazi lartësojnë mundimin e vetëflijimin e atdhetarëve, mendëtarëve të shquar, luftëtarëve të lirisë e pavarësisë së vendit, që i kanë bërë nder jo vetëm vetëdijes apo kulturës shqiptare, por njëkohësisht edhe vetëdijes e kulturës europiane. Dhe mjaft të themi se gjithë këto mendje e krahë, kanë bërë të mundur çudinë: ngjizjen e një identiteti kombëtar në kushtet e mungesës së fesë unike, shtetit unik, momenteve të kulturës unike. Dhe në fund të fundit në këtë ngjizje të kombit do të gjejmë përherë referencat. Dhe në fund të fundit rruga nga etnia në popull dhe nga shteti në komb ishte rruga e gjatë që kalon nga një gjuhë e përbashkët. Një popull që humb gjuhën e tij, humb jo vetëm shpirtin por edhe dallimin e tij si popull.

Kësisoj gjuha është gjithashtu një mjet i ndërtimit të projekteve kombëtare. Gjuha është një faktor identitar i brendshëm dhe një mjet i fuqisë së jashtme. Uniteti gjuhësor është shpesh i nevojshëm për një shtet për të vendosur stabilitetin dhe për të shkëlqyer në botë. Gjeopolitikani francez Zhak Ansel (Jacques Ancel) vëren që në Europën e shekullit të XIX-të, gjuha luajti një rol përcaktues në ndërtimin e kombeve të reja. Ky ishte p.sh. rasti i Shqipërisë, së vendosur në ndikimin e përbashkët të zonave latine, greke dhe turke dhe që e bazoi veçantizmin e saj kombëtar në një gjuhë shqiptare origjinale. “Një popull jeton tek gjuha e vet” thotë një proverb hungarez. Nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet. “Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, -thotë Ismail Kadare gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë.”

Në kushtet e integrimit mbareuropian, mësimi i gjuhës së huaj po fiton një përmasë të re. Gjuha, duke qenë mjeti themelor për shprehjen e kulturës, përbën edhe një nga përmasat themelore të saj. Roli i gjuhës rritet edhe më shumë në kuadrin e integrimit europian. Por, në kushtet e një shoqërie të hapur, gjuha ndodhet para të njëjtave rreziqe dhe probleme si edhe kultura që ajo mbart. Pasi hallkat shtetërore përgjegjëse ende nuk janë ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë urdhëruese të hartimit të politikave të tilla dhe të legjislacionit përkatës që do ta mbronin gjuhën shqipe nga trysnia e gjuhëve të huaja brenda kufijve politikë si dhe jashtë tyre, në trojet etnike e në mërgatë. Dhe jo vetëm që nuk po punohet për hartimin e politikave gjuhësore adekuate për një shoqëri të hapur, por nuk njihet as legjislacioni europian e ndërkombëtar për problemet e gjuhës amtare e të pakicave, ndonëse është përkthyer pothuajse i tëri dhe është botuar nga Këshilli i Evropës.

8. Perfundime dhe rekomandime

Për trajtimin e kësaj teme madhore, do të dëshiroja trajtesë me kategori brenda filozofisë së perceptimit të hapësirës shqiptare nga Prof. Repishti, por kjo jo gjithmonë ka qenë e mundur në këtë ese modeste. Nga kjo analizë modeste e mërgatës shqiptare është evidente se kontributi i saj ashtu sic ka qenë i pamohueshëm në momente të caktuara të historisë të vendit tonë, tashmë është më i prekshëm më i thjeshtuar e më i fortë se asnjeherë tjetër.

Mërgata është një oportunitet brilant i vendit tonë për të bashkëpunuar në aspektin ekonomik i cili do të sjellë dhe rritjen e fuqisë kombëtare por edhe për të promovuar vlerat kombëtare, imazhin në rajon e më gjerë në funksion të rritjes së ndikimit të vendit tonë si aktor me peshë në rajon dhe përse jo dominimit të tij. Euroatlantizmi, si momenti më i fuqishëm gjeopolitik bashkëkohor është “shtrati” ku është shtrirë, demografikisht, populli shqiptar. Mund të thuhet se trekëndëshi Ballkan-SHBA-Europë, është aksi ku identiteti politik shqiptar është formësuar, më së shumti, duke e bërë rajonin me më shumë ndikim dhe për të prodhuar stabilitet e paqe, në Ballkan. Globalizmi i përshtatet natyrës së popullit shqiptar, më shumë se çdo populli tjetër, në Ballkan, pasi për nga identiteti i tyre, shqiptarët janë popull joksenofob, pranojnë fenë, civilizimet dhe diversitetin kulturor, si dukuri të brendshme dhe si ndërkombëtare njëherësh. Kjo i bën shqiptarët të jenë tolerantë, jo fanatike e aspak fondamentalë.

Disponimi i Europës dhe i SHBA ndaj shqiptarëve është më i mirë se kurrë ndonje herë tjetër. Pas integrimit të Shqipërisë në NATO, dhe në perspektivën e integrimit më të shpejtë të Shqipërisë edhe në strukturat e BE, dhe sidomos krijimi i shtetit të dytë shqiptar, bën që mërgata shqiptare të ketë mbështetje më të madhe dhe ajo mund të bëhet si duhet urë lidhjeje me strukturat vendase. Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave e kapitaleve; bankat shqiptare duhet me guxim të fillojnë hapjen e filialeve të tyre nëpër vendet fqinjë e vende të tjera ku prania shqiptare është e dukshme. Dy shtetet shqiptare duhet të fuqizohen e modernizohen duke fituar kualitete sigurie të gjithanshme. Rruga e gjatë e mundimshme e integrimit kombëtar fillon e mbaron me integrimin Shqipëri-Kosovë.

Tregu prej 7 milionë konsumatorë është më eficent sesa tregu i secilit shtet më vehte.

Krijimi i hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare përparohet nga një sërë elementësh si: Është hapësirë ekonomike që popullohet nga i njëjti popull, nga i njëjti komb, pra që ka një gjuhë, kulturë dhe mënyrë jetese. Shqiptarët kanë resurse komplementare të fuqishme, dhe shfrytëzimi me efektivitet, i të cilave mundëson jo vetëm zhvillim të shpejtë, por rrit konkurrencën tonë ekonomike dhe bëhet element i rëndësishëm për thithjen e investimeve ekonomike. Ekonomitë tona janë të hapura dhe të integruara me tregjet ndërkombëtare, pa folur për ato rajonale p.sh., vendet tona janë pjesë e integrimeve rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, etj. Mbi të gjitha zhvillimi ynë ekonomik mbështetet nga mërgata gjithmonë e më e fuqishme (remitenca për të dy vendet llogaritet në 1, 7 milird euro). Mërgata është njëherazi sektori i trasmetimit të dijeve, teknologjisë, ideve nga vendet ku punon, ku parësore janë vendet e BE, Amerika e Veriut, etj. E rëndësishme është kapaciteti për të thithur investime dhe ndikimi i tyre në rritje të fuqishme ekonomike (observimi). Kapaciteti observues i një shoqërie varet nga institucionet e politikës, niveli i edukimit të popullatës dhe gjendja shëndetsore. Prurje (remitancat) në Kosovë dhe Shqipëri llogariten 14-17%, por defiçiti tregtar në Kosovë dhe Shqipëri, mbetet faktor kufizimi për rritjen ekonomike.

Shtetet shqiptare duhet të forcojnë e modernizojnë forcat e armatosura, shërbimet inteligjente, policinë, etj., në frymë bashkëpunimi të rritjes së sensit të hapësirës kombëtare te misionit përballë çdo rreziku e kërcënimi. Si ekspert më i qasur në fushën e sigurisë mendoj se ngritja dhe konsolidimi i një universiteti të sigurisë kombëtare me qendër në Tiranë (Hapësira e Garnizonit Skënderbej) me kurrikula moderne sigurie dhe mbrojtje të standarteve më të përparuara të NATO-s e me një qasje të veçorive kombëtare, të shoqëruara me trajnime profesionale, njohjen e hapësirës shqiptare (qendrat më vitale strategjike, historike, kulturore, ekonomike etj). Në këtë institucion me siguri do të afroheshin breznia më e shquar nga gjithë hapësira kombëtare dhe mërgata, ku do të mundësohej përgatitja profesionale e ekspertëve e më gjerë për të gjitha institucionet e sigurisë së fortë, sigurisë së butë, etj., me ndjeshmërinë për forcimin e shtetit modern e me tharm kombëtar. Unë ju siguroj se një dëshirë kombëtare dhe një vizion modern lidershipi me ndërgjegje kombëtare të pastër, kur ekzistojnë ekspertët e duhur, infrastruktura, imazhi i institucionit, ndershmëria institucionale dhe konfidencionaliteti, etj., do të mundësonte një shtyllë të tillë me kahje të veçanta kombëtare. Po kështu me siguri institucioni do të sigurojë mbështetjen e merituar e aleatëve strategjikë të Shqipërisë. Njëherazi ky mund të jetë një referencë dhe motiv shtytës për mërgatën dhe biznesin vendas, tashmë me përmasa që po merr privatizimi i sigurisë.

Në vijim të kësaj nisme unë gjykoj se, duke shmangur paradokset dhe deformimet në reformën në sektorin e sigurisë, etj, për të mbajtur të motivuar dhe të lidhur me atdheun brezat e rinj duhet të testohet haraçi i çdo të riu për vendin dhe kombin e tij, qoftë dhe nëpërmjet realizimit e shërbimit vullnetar civil etj. Problemet e krijuara nga dalja nga izolimi, etja për fitime pa mund, korrupsioni galopant, etj., kanë krijuar një deformim social me pasoja. Mendoj se rregullimet e nevojshme sociale mund të inkurajohen me edukim të kujdesshëm qytetar (pa vetëdije qytetare nuk mund të flitet për vetëdije kombëtare) që e thekson nocionin e shërbimit për një kauzë më të lartë se sa egoizmi. Për kushtet e kombit shqiptar mund të vlejë rekomandimi që bën Brzezinski për të rinjtë amerikanë, pra adoptimi i “një periudhe të detyrueshme të shërbimit civil për të gjithë të rinjtë që përfshin një larmi punësh shoqërisht të dobishme, të miratuara nga Kongresi” (për kushtet tona nga Parlamenti). Kjo mund të testohet si haraç i çdo të riu shqiptar (në hapësirën shqiptare dhe në mërgatë) ndaj atdheut të vet në dobi të progresit e zhvillimit kombëtar.

Krahas shërbimevee të ndryshme, p.sh. vetëm ndihmesa përmes brigadave xheniere, të cilat nuk konsiderohen forca të armatosuara dhe institucionet ndërkombëtare janë të prirura t’i ndihmojnë me fonde dhe teknikë, është një vlerë e shtuar e zhvillimit ekonomik. Mendoni se çfarë shërbimi realizojnë repartet xhenjere të FA në ndërtimin e infrastrukturës. Këto duken idealizma por ne nuk mund të vrasim idealistët, shpirtin dhe mendjen e kombit.

Zhvillimi i gjithanshëm i infrastrukturës kombëtare, rilidhja e arterieve të ndërprera të infrastrukturës kombëtare, zhvillimi i korridoreve të fuqishme rrugore kombëtare “Koridori i V i Egnatias – si një ëndërr e parealizuar e Ismail Qemalit, etj, do t’a kthente Shqipërinë në një port natyror nga do të mund të kalonin shkëmbimet tregtare e njerëzore midis Evropës Perndimore, Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.

Përmasat e fluksit migrator njihen në mënyrë të përafërt, çka ben të domosdoshme ndërtimin e hartës së emigracionit bashkëkohor të shqiptarëve, si edhe hartës së origjinës, ashtu edhe hartës së destinimit, si një instrument i rëndësishëm njohës në dorë të Qeverisë për ndërtimin e politikave migratore efikase dhe realiste.

Konstatohet ende një mosperputhje midis interesit politik dhe njerëzor për emigrantët dhe mundësive të kufizuara institucionale e financiare për implementimin e politikave migratore dhe vëmendjes shtetërore për emigrantët. Në këto kushte është e nevojshme rishikimi i përshkrimit të punës së përfaqësuesve diplomatikë e konsullorë në vendet kryesore pritëse të emigrantëve shqiptarë, duke synuar zgjerimin e shërbimevee konsullore dhe akreditimin e figurave të reja konsullore si konsulli i punës dhe emigracionit, duke ndjekur modele të suksseshme të vendeve tradicionale migratore.

Qeveria shqiptare duhet të intensifikojë bashkëpunimin me qeveritë e vendeve pritëse për ndryshimin e dikotomisë aktuale të trajtimit të emigracionit në vendet fqinjë, nga një çështje e sigurisë dhe e rendit publik, në trajtimin si një dukuri sociale komplekse, me impakt pozitiv për Shqipërinë dhe vendet pritëse.

Qeveria synon që politikat dhe menaxhimi i emigracionit të shndërrohen në „business oriented“ (të orientuara nga biznesi), duke kombinuar veprimin e insitucioneve publike e qeveritare me ato private. Në dokumentet e strategjisë kombëtare në elementët e fuqisë kombëtare duhet rreshtuar përbërësi kryesor mërgata – emigracioni, si një qasje e veçantë e realitetit shqiptar.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë duhet vlerësuar si organ kushtetues dhe në përbërjen e tij duhet të përfshihet Ministri i Emigracionit (gjë e cila nënkupton urgjencën e krijimit të një institucioni të tillë), etj.

Shtetet shqiptare, Prishtina dhe sidomos Tirana si kryeqëndra politike, diplomatike, ekonomike etj., duhet të ndërtojë dhe me ndihmën e të gjithë të tjerëve jashtë RSH institucionet e gjithanshme me nivele të larta me ekspertë të fushave përkatëse nga gjithë hapësira shqiptare dhe mërgata. Kushtet e reja diktojnë gjetjen e formave më të larmishme të punës për mbajtjen gjallë të elementëve të vetëdijes dhe përkatësisë kombëtare. Këtu përfshihen elementët e integrimit kulturor të dyanshëm: troje etnike – mërgatë dhe anasjelltas, si dhe ndihma e mbështetja për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët. Qëllimi është të ruhen traditat, të forcohen lidhjet kombëtare te brezat e rinj, të cilët duhen ushqyer vazhdimisht me patriotizmin, me dashurinë për tokën amë, për gjuhën shqipe.

Rrikthimi i traditës të mirë të para luftës me përfaqësues në Parlament nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës Lindore, etj., do të kanalizonte dhe konsolidonte objektivin strategjik kombëtar. Në këtë kah të synohet materializimi i idesë së A. Xhaferit për krijmin e Mbrothësisë së Përbashkët, një organizatë kjo jopolitike vullnetare, ku përfshihen shtetet, bashkësitë shqiptare që jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Konsolidimi i hapësirës informative kombëtare dhe shtrirja e medias elektronike moderne me synim dhe të afrive njërëzore, miqësie, kulture, interesi etj.

Mbi të gjitha institucionet shqiptare në bashkëpunim me OKB dhe BE duhet të investojnë në tre fusha: arsimimi, shëndetësia (ushqimi dhe bujqësia) dhe mjedisi. Arsimimi është cilësia e begatisë kombëtare. Rezultatet e tij nuk mund të bëhen një artikull eksporti. Shëndeti varet nga ushqimi dhe ushqimi varet nga bujqësia. Si për shëndetin ashtu dhe për eksportin në bujqësi “bio” ka avantazh të madh (PR. Më duket se terorizmi ushqimor po bëhet rrezik dhe kërcënim me pasoja). Hapësira shqiptare ka epërsi të padiskutueshme për ushqimet “bio”. Kjo ndihmon dhe sigurimin e një mjedisi të brendshëm. Problemet tona të brendshme, si korrupsioni dhe sistemi ligjor jo efektiv, do të zhduken me zhvillimin e arsimit, shëndetsisë dhe një mjedisi të mbrojtur.

Në legjistacion tonë, përveç lehtësirave në marrjen e shtetësisë shqipëtare, mërgatës sonë nuk i vihen në dispozicion projekte ekonomike. Kesisoj kapitali i mërgatës, në vënd që të rridhte drejt trojeve etnike, mbetet i paralizuar, ose sherben për prosperitetin e vendeve të tjera. Ndodh kjo kur dihet se investimet e huaja ndryshojnë në shumë aspekte nga investimet e realizuara nga mërgata. Në rast se të parat e kushtëzojnë vendin me detyrime të caktuara dhe krijojnë një farë varësie nga kapitali i huaj, investimet e mërgatës nuk parashohin asnjë pasojë e kusht të tillë, përveç se rregullojnë raportin investime te huaja – investime kombëtare në favor të këtyre të fundit. Të mos harrojmë dhe një rrjedhojë tjetër positive – ndikimin e drejtpërdrejtë të qarqeve investuese ekonomiko – financiare të mërgatës shqiptare në politikën e vendeve ku ata jetojnë kundrejt shtetit tonë, intensiteti i të cilit do të ishte në raport të drejtë me rritjen e interesave të tyre konkrete në Shqipëri.

Nga ky këndvështrim ia vlen të studiohet e të aplikohet më mirë shembulli i mërgatës hebreje, i cili është tejet domethënës, por dhe i suedezve, polakëve, kroatëve, turqëve, etj. Hebrejtë p.sh. kudo ku punojnë dhe jetojnë kanë një organizim të përsosur që lejon orientimin e gjithësecilit prej tyre në raport me mundësitë që ka për të investuar në atdheun e tij. Këtë përvojë e kanë përdorur me shumë efektivitet dhe mërgatat e kombeve të tjera që përmendem më sipër.

Duke e konsideruar mërgatën si një faktor të rëndësishëm që ndikon në fuqizimin e vendit kërkohet një investim në punë me qëllim fokusimin e bashkëkombësve tanë drejt Shqipërisë e Kosovës, jo thjesht me thirrje për patrotizëm por duke i bindur se dhe vetë ata janë të interesuar ekonomikisht. Pra, lehtësimi dhe intensifikimi i integrimit ekonomik të mërgatës përmes sa më shumë investimesh dhe asistencës teknike të intelektualëve të saj më në zë, është një tjetër drejtim i rëndësishëm dhe një qasje që koha e kërkon.

Në raport me çështjen kombëtare të mërgatës sonë po i hapen rrugët legale klandestinitetit të dikurshëm, i kushtëzuar nga realiteti politik në Kosovë dhe mbyllja e gjatë e Shqipërisë, sigurisht që kanë lënë gjurmë në mentalitetin e një pjese të mërgatës, por ai çoi dhe në copëzimin shumë të dëmshëm të saj mbi parime partiake. Pasojat negative u dukën më qartë sidomos gjatë periudhës së luftës së Kosovës. Nga ky këshvështrim duhet parë dhe njehësimi efektiv i shqiptarëve në mërgatë. Diplomacia e të dy shteteve shqiptare përgjithësisht ka në dorë instrumente të fuqishme për të dhënë ndihmesën e saj nëpërmjet bashkëpunimit të përfaqësive diplomatike me mërgatën.

Procesi i miratimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, përsosja e saj, e përvijuar dhe koordinuar nga Strategjia e Migracionit të shtetit të Kosovës, është një hap i rëndësishëm për integrimin e mërgatës. Këto Strategji mbajnë parasysh dhe faktin se në shtetet shqiptare ekzistojnë strategji me plane të tjera veprimi, që në një mënyrë a një tjetër, lidhen me to. Zhvillime progresive mbarëkombëtare, për vlerësimin parësor të mërgatës, etj. Pos të tjerash kërkon hartimin e Strategjisë së Madhe Shqiptare, si referencë kryesore për çdo dokument strategjik shqiptar dhe si parakusht të bashkërendimit të strategjive zhvilluese në dobi të objektivit strategjik kombëtar.

Realizmi i një strategjie efikase kërkon dhe depërtime në thellësinë historike. Faktet tregojnë se pellazgët në epokën parahistorike, sipas mitologjisë greke, kishin lënë mbresa të thella për peripecitë emigruese. Në kërkim të pasurimit, por më shumë për lavdi ata zgjeruan gjeografinë e emigracionit, etj. Nëse lexojmë historinë që prej dyndjes së Arkatanëve ose Arkadëve, të Dardanëve, invazionet e pellazgëve (popujve të detit) në brigjet e Mesdheut, për të ardhur te emigrimet para dhe pas vdekjes së Skënderbeut deri te largimet e shfrenuara të viteve ’90-91, rrugët si dikur mbeten të njëjta, u larguan drejt vendit më të njohur e të arritshëm, Greqisë. Tërë populli grek, jo vetëm arvanitasit sepse flisnin gjuhën e tyre, i pritën në fillim me krahë të hapura. Me gjithë ndjekjet e egra nga organet e shtetit, shqiptarët zunë rrënjë, shumë u martuan, duke shtuar emrin e mirë, imazhin e kombit shqiptar.

Sipas A. Kojës, llogariten se të paktën 200.000 shqiptarë do të ngelen përgjithmonë në Greqi. Shqiptarët bashkëkohës ndoqën saktësisht të njëjtën rrugë emigracioni që kishin ndjekur stërgjyshërit e tyre me mijra vjet dhe me të njëjtën radhë përparësie. E vërteta është se shqiptari nuk ikte nga atdheu i tij, por nga mungesa e punës, nga mungesa e pronës. Nëpërmjet njohjes së historisë së popullit, shkaqeve që e kanë çuar në fatin e keq të sotëm, do të fillojë të lëshojë filiza vizioni dhe shpresa për të ardhmen. Kuptohet realizimi i objektivit strategjik kombëtar është një proces. Por nëse integrimi politik-territorial apo bashkimi juridik-administrativ që, veç faktorëve të brendshëm e mjedisit shqiptar, varen dhe nga aktorë ndërkombëtarë, thekson Prof. R. Mejdani, para nesh ka një mori aspektesh unifikimi e ndërveprimi kombëtar, që mund dhe duhet të thellohen, zgjerohen e përmirësohen brenda fushave kryesore të jetës sonë kombëtare, shpirtërore e materiale.

Kështu, pritet të thellohet më tej kooperimi mbarëshqiptar në rrafshin politik-diplomatik, ekonomik-doganor, kulturor-edukativ etj., ku një rol thelbësor kërkohet të marrë funksionimi më i mirë i hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare. Në këtë kuadër, besoj se do të rezultojë parësor unifikimi i tregjeve, rritja e hapësirave të veprimit ekonomik e financiar, jo thjesht atyre territoriale, por dhe atyre njerëzore, kapitaleve, investimeve, shërbimeve, lufta e përbashkët kundër korrupsionit, krimit ekonomik e financiar etj. Më konvergjente nevojitet të jetë veprimtaria kombëtare në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë, sidomos me mërgatën, duke shfrytëzuar infrastrukturë materiale të përbashkët, p.sh., në shërbimin diplomatik e konsullor, i cili në bashkëpunim dhe i mbështetur dhe nga mërgata bëhet më efikas. Akoma më intensiv duhet të jetë bashkëveprimi legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, ndërveprimi midis parlamenteve, dikastereve, institucioneve të pavarura, gjykatave e prokurorive, përfshirë gjykatat kushtetuese, strukturat “ndërmjetëse”, p.sh. dhomat e tregtisë dhe industrisë, organizimet e bizneseve të njëjtit profil. Pra, realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore me bashkim kapitalesh e me ekspertizë efikase. Në këtë kah ideja e A. Xhaferit për Mbrothësinë e Përbashkët duket mjaft racionale dhe aktuale.

Rol të veçantë do të marrë dhe kooperimi energjetik, deri unifikimi i tij nëpërmjet shumëllojshmërisë dhe plotësisë binomiale: hidro – termo. Një rëndësi më të madhe duhet të marrë shkollimi i përafërt, pse jo dhe i njëjtë në sistemin publik, në nivelin parauniversitar e universitar, me programe e botime të përbashkëta, veprimtari shkencore në fushën e mësimdhënies, veprimtari akademike, projekte kërkimore-shkencore. Bashkëpunimin intensiv duhet të shënojnë fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, sidomos trajnimi, arsimimi dhe kualifikimet e sigurisë, etj. Shqipëria ka avantazhe dhe potenciale të lavdërueshme. Më tepër përkrahje kërkohet nga strukturat publike dhe mjedisi privat për veprimtari letrare, aktivitete kulturore etj. Megjithë arritjet kërkon intensifikim media e shkruar dhe elektronike, sidomos shoqëria civile, duke tejkaluar barrierat e deritanishme, do të sintetizojë më tej maturi, kohezion e organizim gjithëshqiptar në fusha të ndryshme, përfshirë dhe përshtatjet e domosdoshme sipas kornizës ligjore europiane. Dhe në fushë të gjerë integrimi mbarëkombëtar, etj, edhe roli i mërgatës është i qenësishëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.