Mitro Çela
Ra sipari i Asamblesë socialiste!
Ku u bë?
Në Gjirin e Lalësit?
E mbyllur. Pa gazetarë. Pa kamera.
Kush ishte rendi i ditës? Çfarë vendimesh u morën?
Kush foli?
Zyrtarisht. Me vendim me firmë e vulë-asgjë.
Jo zyrtarisht foli Rama. Nën zë thonë se foli Majko. Spiropali…
Kaq.
Kjo asamble të kujton një Llozhë Masonerie.
Çfarë janë Llozhat?
Shoqëri të mbyllura. Sekrete…me sekrete. Me një Mjeshtër të Madh në krye.
Merren vendime edhe me rëndësi botërore. Por pa vendime publike. Pa botime. Pa artikuj në gazeta. Pa debate televizive. Pa video në Tik Tok. Në Instagram. Në portale.
Kush flet-zhduket nga faqja e dheut “Omerta”.
Pse ndodh sot kjo brenda Partisë Socialiste?
Nuk ka personalitete brenda PS?
Ka. Por të vetëm. Pa shokë. Pa krijuar fraksione brenda partisë.
Ditmir Bushati ishte “aguridh” në politikë. E “rrëmbeu” Rama nga shoqëria civile. I dha “nishane” në parti.
E bëri ministër të jashtëm. E shkarkoi.
Nuk foli njeri. Nuk kërkuan llogari në parti.
Sot Bushati
mba llogo. Bën analiza. Takon diplomatë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kaq.
Arben Ahmetaj me merita në PS. Me karierë: deputer. Ministër. Zv. Kryeministër. Por i vetëm. Pa dishepuj. Ruan kokën në ekzil. Bën intervista tek Çim Peka.
Elisa Spiropali. E gjeti Rama. E bëri drejtoreshë dogane. Deputete. Kryetare të Kuvendit. Ministre të Jashtëm. Pa shokë e shoqe. Mban ligjerata të bukura. Me kurajo.
Rama e “geadoi” socialiste të thjeshtë.
Erion Velia nga burgu “lufton me mullijtë e erës”?!
Brenda partisë nuk ka asnjë që ta mbështesë hapur. Miqtë i kanë kthyer krahët.
Llozha Masonerie ka qënë politika në Shqipëri?
Le të bëjmë analizë.
Në vitin 1992 Berisha u bë President.
Brenda PD u bënë përpjekje për të krijuar fraksione. Arben Imami. Neritan Ceka. Gramos Pashko. Perikli Teta.Preç Zogaj.Teodor Keko. Arben Demeti etj.
Berisha i goditi. I lodhi. I çoroditi…i quajti “karrike thyer.”
Dhe nga fraksioni u krijua Partia e Aleancës Demokratike.
Në vitin 1999-2000 po merrte formë fraksioni i Genc Pollos me
Tritan Shehu.
Ferdinand Xhaferi.
Nard Ndoka.
Enno Bozdo.
Kreshnik Çollaku.
Berisha ishte vigjilent. I nxori nokdaun…dhe ata formuan Partinë e Re Demokratike.
E njejta tablo në Partinë Socialiste.
Kur Nano ishte në burgun e Bënçës, disa deputetë :
Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Ilir Meta u grupuan, krijuan një tip fraksioni.
Debate. Sherre. Në fillim nga burgu në Tiranë.
Kur Nano u bë kryeministër fraksioni vazhdoi luftën. Dhe u bë rokada: Majko, Meta kryeministra. Nano me “katarsisin” mori partinë dhe u bë kryeministër për herë të tretë.
Kur Rama u bë kryeministër shkëlqeu – kundra -Ben Blushi.
Por dhe ai “i vetëm trim në luftë”.
Braktisi PS. I vetëm krijoi partinë “Libra”.
Llozha nuk u krijua brenda një dite. Ka kaluar në disa etapa. Në fillim disa individë.
Mjeshtër i Madh u bë korrupsioni.
Në burg Lefter Koka. Saimir Tahiri. Deputë. Kryebashkiakë. Drejtorë sidomos nga kadastra. Doganat.
Korrupsionin e ushqejnë
bandat me paratë e drogës. Sot bandat nuk luftojnë mes tyre për të fituar tendera. Toka. Godina.
Bandat kanë dërguar deputetë në parlament.
Bëjnë emërime në bashki. Kudo.
Dhe Asambleja Socialiste bie në gjumë letargjik.
Anëtarët kanë të drejtë të degjojnë. Nuk kanë të drejtë të flasin.
Kanë të drejtë të shahen. Nuk kanë të drejtë të ankohen…Dhe Llozha bëhet shtet…”Omerta”?











