KY ËSHTË DHEU I ATIT TIM

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Gjon Marku

  • ese

Ky është dheu i larë me gjakun e të parëve të mi, që nuk dinin të përuleshin para askujt. E mbajtën këtë tokë si besë të shenjtë dhe ma ruajtën mua, birit të tyre, edhe atëherë kur u desh të ecnin mbi tehun e shpatës. E deshën më shumë se jetën, sepse e dinin se toka nuk është vetëm vendi ku lind njeriu, por edhe amaneti që ua lë brezave që vijnë.

Shumë stuhi kanë kaluar mbi këto male. Erdhën ushtri me uniforma të panjohura, e panë malin si pre dhe u përpoqën t’ia ndërronin zakonin, fenë e gjuhën. Por të parët e mi mblidheshin në kuvendin e burrave, atje ku fjala kishte peshën e gurit, besa nuk matej me interes dhe nderi nuk shitej për asnjë çmim. E pathyeshme ishte besa e tyre, siç ishte e patjetërsueshme dashuria për atdheun, flamurin, gjuhën dhe fenë. Mbi to ngrihej jeta e tyre dhe ato duhej t’u kalonin pasardhësve si trashëgimi e shenjtë.

Eh, sa histori kanë dëgjuar këto male!

Rreth zjarrit të vatrës, gjyshërit u rrëfenin nipërve për burrat e dikurshëm, për qëndresën dhe besën e dhënë. U mësonin zakonin, mikpritjen, nderimin për mikun që pritej me zemër të hapur dhe kujdesin ndaj atij që nuk duhej besuar lehtë. U lanë urtësinë e kohëve të vështira dhe porosinë e burrërisë: armikun mos e nënvlerëso, se një çast pakujdesie mund të kushtojë nderin dhe lirinë.

Dhe kjo kujtesë nuk jeton vetëm në fjalë goje. Në Gëziq, kisha e vjetër dhe mbishkrimi i saj, që e çojnë gjurmën tonë deri në vitin 1190, dëshmojnë se kjo trevë ka qenë prej kohësh vatër besimi, dijeje dhe vetëdijeje shqiptare. Për shekuj, kishat e këtyre maleve ishin çerdhe kulture, dhe këtu u ruajtën gjuha, zakoni dhe besa, vlera që as koha, as pushtuesit nuk arritën t’i shuanin.

Ky është dheu i atit tim, ku prehen varret e të parëve. Nganjëherë më duket se heshtja e tyre nuk është heshtje, por një zë që vjen nga thellësitë e kohës. Sikur gjyshërit ngrihen nga varret, jo për të kërkuar lavdi, por për të na kujtuar amanetin: mos e harroni dheun, mos e harroni gjuhën, mos e harroni emrin dhe nderin e të parëve!

Ata jetuan krenarë si shqiponjat që çajnë qiellin mbi male. Kohë të vështira kaluan mbi ta, por askush nuk ua shkuli rrënjët. Mund t’u merrnin jetën, mund t’ua digjnin shtëpitë, por kujtesën dhe dashurinë për vendin nuk mundën t’ua shuanin.

Po, malet nuk kanë mësuar kurrë të përkulen!

Të tillë e ka Mirdita: vajzat si zanat e malit, djemtë të fortë si lisat e moçëm, një vend ku bukuria e natyrës bashkohet me bukurinë e shpirtit. Aty fjala e dhënë ka ende jehonë, mikpritja është nder dhe krenaria nuk është mburrje, por kujtesë e një historie të trashëguar.

Mos ma prek dheun e atit tim, se prek zjarrin që fle në shpirtin e tij! Atëherë qielli buçet me rrufe dhe zemërimi i maleve zgjohet; djemtë bëhen furtunë që nuk ndalet. Të prekësh këtë dhe do të thotë të prekësh varret e të parëve, amanetin e gjyshërve dhe dashurinë e baballarëve.

Nuk mund ta lë folenë e shqiponjave në mëshirën e korbave. Nuk mund ta shoh të huajësuar atë që brezat para meje e ruajtën me aq mund, sakrificë dhe dashuri.

Nëna më këndonte ninulla të moçme në djepin e gdhendur, ndërsa babai më mësonte të qëlloja shenjën me pushkë, siç ia kishte mësuar dikur gjyshi. Nga nëna mora gjuhën e këngës, nga babai qëndresën, nga të parët dashurinë për këtë dhe.

Eh, ky është dheu i atit tim!

Nuk është në shitje. Nuk është për t’u harruar. Nuk është thjesht një pronë që matet me kufij e me vlerë. Është pjesë e shpirtit tim, e emrit tim dhe e historisë sime.

Nuk mund t’ia fal harresës atë që të parët ma lanë amanet. Nuk mund t’ia dorëzoj kohës atë që duhet t’ia përcjell djalit tim. Sepse një ditë edhe ai do të qëndrojë këtu, do t’i shohë këto male, do t’i prekë këta gurë dhe do të pyesë kush ishin ata që jetuan para tij, kush i mbolli këta lisa, kush i ngriti këto shtëpi dhe kush e ruajti këtë tokë që ai sot e quan të vetën.

Atëherë dua që ai të përgjigjet me krenari: këtu jetuan të parët e mi, këtu është rrënja ime, këtu është historia ime.

Ky është dheu im. Dheu i të parëve të mi. Dheu që më lindi, që më rriti dhe që një ditë do të më marrë në gjirin e vet.

Eh, ky është dheu i atit tim!

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit