Poezi nga Rexhep Çullhaj
—- Mbrapa Dajtit, përballë diellit,
aty ku agimi prek i pari gurin e lisin,
shtrihen Murthi, Selba e Darsheni,
si faqe të një historie që nuk plaket.
Mu në këmbët e Dajtit fle Murthi,
i mbështjellë me mure të vjetra,
arra hijerënda dhe pemë
që stinët i veshin me ngjyra.
Tokat e tij zbresin qetë deri te Erzeni,
aty ku lumi bëhet kufi e njëkohësisht urë me Darshenin.
Selba, e mbledhur pranë shpateve të malit,
me lomat e saj të heshtura e të blerta,
përqafon Dajtin dhe zbret drejt Skurranës,
si një këngë që e sjell era ndër gjethe.
Te krojet me ujë të kthjellët,
nën hijen e rrapit në qendër,
Fagu qëndron krenar përballë,
roje i kohës dhe i kujtimeve.
Një kodër e butë ndan Selbën me Darshenin,
ku shkolla dhe xhamia flasin
me njëra-tjetrën në heshtjen e ditëve.
Parcelat, të kthyera nga lindja,
presin rrezet e para të diellit;
zbresin drejt fushave të Erzenit,
aty ku drita përkëdhel çdo pëllëmbë dheu.
Nuk ka pamje më të bukur
se kur dielli lind mbi Murth,
Selbë e Darshen.
Aty natyra dhe historia ecin dorë për dore,
e çdo gur, çdo pemë,
çdo burim ruan një kujtim të brezave.
Qëndroni aty sa vetë historia,
me rrënjë të thella si Dajti,
me zemër të pastër si Erzeni,
e me dritë në ballë,
si dielli që ju zgjon çdo mëngjes.











