Autore: Elife LUZHA
E drejta themelore e pronësisë dhe e trashëgimisë është kusht për fuqizimin ekonomik të gruas, dhe rrjedhimisht, pjesëmarrjen e saj më aktive në sferat e tjera të jetës shoqërore. Megjithatë, përkundër të drejtës ligjore dhe njerëzore, qasja e grave dhe e vajzave në trashëgimi mbetet tepër e kufizuar, sepse zakoni tradicional edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë ndikim të fuqishëm në shoqërinë tonë.
Është pikërisht ky zakon tradicional, apo ky kod kanunor, sipas të cilit gruaja shqiptare konsiderohet si një “tepricë” në familjen e saj të lindjes. Nga ana tjetër, Kanuni, siç shprehet Ismail Kadareja, “gruas shqiptare i ka dhënë mosvdekjen” (meqë, sipas tij, gruaja nuk përfshihet në hakmarrje), “për t’i kërkuar më pas përjashtim nga gjithçka, por në këtë rast është vështirë të dallohet i humburi nga fitimtari”.
Fjala “Kanun” rrjedh nga latinishtja “canon” dhe ka kuptimin e rregullit apo të ligjit. Rregullat dhe normat kanunore shqiptare, në njëfar mënyre, kanë shërbyer si një lloj kushtetute e pa shkruar, nga kohët e hershme deri në Luftën e Dytë Botërore, duke dëshmuar për kulturën tonë të hershme juridike, por edhe për qëndresën shqiptare përmes së drejtës paralele kundër pushtuesve të huaj. Megjithatë, e drejta islame e Sheriatit, e njohur edhe si ligji i shenjtë, veproi gjatë pushtimit osman dhe pati ndikim edhe në çështjet e trashëgimisë.
Njohja e këtyre normave të së drejtës zakonore shqiptare ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se, ndonëse të pashkruara, u transmetuan gojarisht brez pas brezi, duke u rezistuar edhe normave të shkruara të së drejtës pozitive, madje deri në ditët tona. Se sa thellë janë rrënjosur këto zakone në mendësinë e shoqërisë sonë, këtë na e dëshmon fakti se rreth 90 % e pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të burrave, pavarësisht Ligjit për Trashëgiminë, të miratuar më 2004, i cili në nenin 3.1 përcakton: “Të gjithë personat fizikë, në kushte të njëjta, janë të barabartë në trashëgimi”.
Sipas studiuesve, në hapësirat shqiptare kanë vepruar disa kanune krahinore në periudha të ndryshme historike, por Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, një tjetër i Lumës dhe ai i Dibrës, janë pesë kanunet themelore të së drejtës zakonore shqiptare dhe të gjithë ngjasojnë, kur është fjala për mosnjohjen e të drejtës së gruas në trashëgimi. Sipas Kanunit të Lumës, vajzat nuk kanë të drejtë të trashëgojnë pasurinë e babait, as pas vdekjes së tij. Nëse në familje nuk ka trashëgimtarë meshkuj, pasuria u takon kushërinjve nga ana atërore. Shembull domethënës i pasojave të këtij mentaliteti edhe në ditët tona është rasti i një gruaje kosovare, e cila, ndonëse e kishte fituar me vendim gjyqësor të drejtën e pronësisë, vazhdonte të përballej me pretendimet e kushërinjve, të cilët, edhe pas shumë vitesh, këmbëngulnin se prona u takonte atyre.
Edhe në kanunet e tjera mbizotëron qëndrimi, se gruaja kur largohet nga shtëpia e babait duhet të marrë vetëm “teshat e shtatit”. Ndërsa në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili vlerësohet të jetë “modeli më i plotë i organizimit tradicional të jetës shqiptare”, gruas nuk i njihet e drejta e trashëgimisë, madje as përmes testamentit. “Kanuni njeh për trashëgues djalin e jo vajzën” (neni 88). Në rast se babai nuk ka djem, por vetëm vajza, atëherë trashëgimtari mashkull kërkohet deri në shkallën e dymbëdhjetë të lidhjes farefisnore, vetëm e vetëm që pasuria të mos u kalohet vajzave.
Është e tmerrshme vetëm t’i lexosh këto norma zakonore, e aq më tepër t’i përjetosh, siç po ndodh me shumë gra e vajza në vendin tonë.
Megjithëse Kushtetuta e Kosovës dhe një varg aktesh ndërkombëtare e garantojnë të drejtën e gruas në trashëgimi, hulumtimet tregojnë se mbi 16,81% e familjarëve burra thonë se “jo ligji, por unë do të vendos që pasurinë t’ua jap djemve të mi”. Parë nga këndvështrimi sociologjik, ky mohim i së drejtës së gruas në trashëgimi nuk lidhet vetëm me mentalitetin tradicional të rrënjosur thellë, por edhe me marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit brenda familjes dhe me presionin që ushtrojnë burrat. Duhet kujtuar zëri i një gruaje të përvuajtur, e cila, mes lotësh e dhimbjesh të shkaktuara nga diskriminimi tragjedindjellës shprehej: “Nëse prindërit e mi, që më lindën e më rritën, nuk kanë mëshirë për mua dhe më përjashtojnë nga e drejta e trashëgimisë, atëherë pse duhet të pres që burri im i dhunshëm të më ndajë hise?!”.
Problematika e njohjes të së drejtës së gruas në trashëgimi është e hershme dhe, siç shpjegon Ismail Kadareja në analizën e tij për veprën e Eskilit, “Orestia”, zanafillën e ka në “grindjen midis hyjnive dhe gjyqtarëve athinas lidhur me parësinë e gjakut atëror apo mëmësor”. Sipas Kadaresë, në pyetjen që shtrohet te “Orestia”, se nga rrjedh fisi, hyjnitë e vjetra mbronin prejardhjen nga nëna, ndërsa Apoloni dhe Atena nga babai.
Çështja e parësisë së gjakut në Kanunin e Lekë Dukagjinit shpjegohet përmes nenit 699, ku thuhet: “Brezat e gjakut rrjedhin prej anës së babës (dhe quhet Lisi i gjakut), e brezat e gjinisë rrjedhin prej anës së nanës (dhe quhet Lisi i tamblit)”. Në këtë kontekst, trashëgimia i takon, me çdo kusht, mashkullit, sepse “as te prindja, as te burri grueja s’hin në pjesë të tra-shëgimit”, thuhet në Kanun.
Këto norma të rrënjosura thellë në mendësinë shqiptare dhe të ruajtura me aq fanatizëm deri në ditët tona, sipas mendimin tim, përbëjnë bërthamën e diskriminimit të grave në shoqërinë tonë. Ky diskriminim e ka burimin në familje dhe, më pas, shtresëzohet e shfaqet në të gjitha nivelet e tjera të shoqërisë. Prandaj, nuk është e rastësishme që Kosova renditet e fundit në Ballkan sa i përket pronësisë së grave me vetëm 15,24 % të pronës së regjistruar në emër të tyre, ndërsa vetëm 3,8 % e grave trashëgojnë pasuri familjare.
Ashtu siç dallojnë sistemet e rregullimit të së drejtave në shoqëri të ndryshme, natyrshëm dallojnë edhe traditat e tyre zakonore Por e përbashkëta e mohimit të së drejtës së gruas në trashëgimi është ndërhyrja dhe dominimi mashkullor, që përbëjnë shkelje të rëndë të një të drejte që i takon asaj. Kjo është edhe njëra nga arsyet pse gratë zotërojnë vetëm 1-2 % të të gjithë tokës së regjistruar në botë.
Shqipëria, sa i përket avancimit së të drejtës së grave në trashëgimi, për shkak të ndikimit të traditës zakonore, ka ndjekur një rrugë të zhvillimit pothuajse të ngjashme me Kosovën. Megjithëse ka një legjislacion të kompletuar lidhur me të drejtat pronësore e trashëgimore të grave dhe ka ratifikuar akte ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), e cila, sipas nenit 122 të Kushtetutës shqiptare, ka epërsi ndaj ligjeve të vendit, edhe sot vetëm 27 % e pronave në Shqipëri janë të regjistruara në emër të grave. Në Mal të Zi, meshkujt zotërojnë 3 herë më shumë pronë se gratë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo shifër arrin në 5 herë më shumë. Një përparim i dukshëm në këtë drejtim vërehet në Slloveni dhe Kroaci, ku janë arritur standarde më të avancuara në rajon.
Edhe në Kosovë, nuk mungojnë ligjet e avancuara që garantojnë barazinë pronësore dhe trashëgimore ndërmjet grave dhe burrave. Megjithatë, tradita zakonore vazhdon ta sfidoj zbatimin e tyre në praktikë. Dhe, siç thotë një londineze “nëse ne mund ta ndryshojmë traditën, ajo do ta ndryshojë shoqërinë”.
Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Familje, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Trashëgimi, duhej të ishin garantues të barazisë ndërmjet grave dhe burrave në Kosovë. Për më tepër, neni 22 i Kushtetutës së Kosovës garanton zbatimin e drejtpërdrejtë të disa instrumenteve ndërkombëtare, si Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW). Për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, shpeshherë kemi dëgjuar t’u vishet faji mangësive ligjore, të cilat pretendohet se lënë hapësirë për dykuptimësi. Në njëfarë mënyre, kjo ndoshta edhe qëndron, por, në realitet, përballë këtij korpusi ligjor, përgjegjësia duhet kërkuar jo te ligjet, por te mungesa e vullnetit të udhëheqësve shtetëror, sepse siç thoshte Aristoteli “një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer sesa nga një ligj i shkëlqyer”.
Në nenin 7 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “barazia gjinore është vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë”. Ndërsa Ligji për Trashëgimi përcakton qartë se trashëgimtarët marrin hise të barabartë të trashëgimisë, çka do të thotë se e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë trashëgimtarëve, pa dallim gjinie. Madje, duhet kujtuar se gruaja bën pjesë në radhën e parë të trashëgimtarëve ligjorë. Megjithatë, shumica e grave dhe e vajzave as që guxojnë ta kërkojnë të drejtën që u takon. Përkundrazi, nën presionin e vëllezërve apo të meshkujve të tjerë të familjes, ato detyrohen të heqin dorë nga trashëgimia, sepse, sipas mentalitetit zakonor, “vetëm vëllezërit (apo meshkujt e tjerë), janë të denjë të trashëgojnë pasurinë e babait”.
Në raste shumë të rralla, gratë marrin guximin ta kërkojnë pjesën e tyre të trashëgimisë, por më pas përballen me dhunë, stigmatizim dhe izolim nga familja. Madje, viteve të fundit është vërejtur edhe fenomeni i vrasjes së grave dhe i vajzave, vetëm e vetëm që atyre të mos u lejohet përfitimi nga pasuria familjare. Kjo na bën të vëmë seriozisht në pikëpyetje atë që quhet familje e “shenjtë” shqiptare, kur shohim se disa burra, edhe me çmimin e gjakut, synojnë ta ruajnë epërsinë e tyre.
Me një fjalë, përkundër kontributit të dhënë në ekonominë familjare, kur vjen puna te ndarja e pasurisë, sipas mentalitetit zakonor, gruaja nuk ka të drejtë ta kërkojë as pjesën që i takon.
Nuk ka dyshim se zakonet e pashkruara vazhdojnë t’i mbizotërojnë ligjet e shkruara, ndërkohë që institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i ndryshuar. Kanuni nuk duhet të përdoret si alibi për mosfunksionimin e shtetit ligjor, në një kohë kur për zbatimin e ligjit në Kosovë mbi të gjitha duhet vullneti politik dhe përgjegjësia e vendimmarrësve, të cilët kryesisht janë burra. Dominimi mashkullor në institucionet tona dhe në familje të krijon bindjen se, gjatë dy dekadave të demokracisë, Kosova nuk është demokratizuar, por është ripatriarkalizuar madje edhe rikanunizuar.
E drejta e grave në pronësi, rrjedhimisht, në trashëgimi është kusht themelor për funksionimin e barazisë dhe të demokracisë në një vend. Respektimi i së drejtës së grave në trashëgimi, parasë gjithash, është respektim i dinjitetit dhe i personalitetit të gruas. Kjo duhet të ndodhë edhe në nderim të sakrificës së saj shekullore për liri, barazi dhe shtet të së drejtës.
Përndryshe, për të arritur këtë synim, do të na duhet të përshkojmë një rrugë tepër të gjatë, të cilën shumë popuj e kanë kaluar qindra vjet më parë.











