GJEOGRAFIA E TOKAVE TONA DHE SYNIMET ARTISTIKE TË NJË VEPRE LETRARE

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Brahim Avdyli Brahim (Ibish) AVDYLI:

(Recension i riredaktuar dhe i zgjeruar)
(Lidhur me përmbledhjen “Eshtrat pezull” të poetit Mustafë Krasniqi,
Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, Katriot (Obiliq), 2016)

Në prag të botimit të veprës së kritikave, me titull „STUDIME KRITIKE DHE DOMOSOSHMËRIA E NJË POLEMIKE“, papritur e mora vesh se na shkoi në jetën tjetër miku ynë i nderuar, Mustafë Krasniqi. Pos lotëve për te, ky recension, për veprën e të ndjerin qe i përmirësuar dhe pjesë e kësaj vepre.

Natyrisht, ishte e qartë, sikur më parë, kur e mora këtë përmbledhje, pas sa e sa vitesh. Atëherë e redaktova këtë dorëshkrim. Autori e deshi që unë t`a redaktoj librin e tij. Më doli një punë e madhe, edhe pse isha në kulmin e punëve të mia të esencës mbarëshqiptare. Kaloi një kohë e gjatë e redaktimit të kësaj përmbledhje të poetit Mustafë Krasniqi. U desh të futesha nëpër këto poezi e të ndjeja gjithë atë vrushkull të ndenjave e të synimeve artistike të poetit, sikurse të ribotoj këtë recension në fjalë.

Nëpër këto poezi të librit poetik “Eshtrat pezull”, me gjithë rëniet e ngritjet, është e tërë përmbledhja poetike e veprimtarit, poetit, publicistit dhe kritikut nga mërgata jonë e dhimbshme, e cila lidhet për bukuri me çështjen tonë të madhe: të atdheut shpirtëror pellazgo-iliro-shqiptar dhe bashkimin e patjetërsuar të tij.

E njoh mirë këtë burrë shqiptar, prej ditëve të para të veprimtarit të LPK-së, por edhe padyshim nga LKSHM-ja, të cilit i mbetem borxh. Sidomos i njoh veprat e tij, ndër të cilat është vepra e veçantë, “Vështrime kritike për krijimtarinë letrare në diasporë”, Prishtinë 2014, me recensentët Martin Çuni e Hasan Qyqalla, dy shokë të vjetër, e botuar nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës; “Lumëgjaku”, Prishtinë 2002, me redaktor Berat Luzhën e recensent Bedri Islamin, dy miq të kahershëm të mi, vepër e botuar nga ana e Shoqatës së të Burgosurve Politikë; dhe përmbledhjet e tjera të tij, “Gjarpërinjt e zinj edhe atje…” dhe “Lojë thikash”, etj.

Poezia është art i fjalës. Dikujt nuk i kujtohet kjo çështje. Nëpër vargje ngrihesh ngadalë, por edhe bie shumë shpejt.

Për mangësitë e poezisë, kësaj radhe nuk do të flas. E shikoj vetëm anën tjetër të medaljes, anën pozitive të saj. Të ngritesh përmes poezisë është një detyrë e mirëfilltë apo një obligim jetësor. Çdo orvatje është provë e ngritjes. Poeti dhe veprimtari Mustafë Krasniqi e bën provën e parë të ngritjes së tij dhe kjo përmbledhje është ngritja e tij e lartë në qiellin e dhembjeve.

Libri i ka katër (4) cikle. Secili ndahet nga cikli paraprak nga një strofë simbolike. Kur e citoj këtë, e marr nga faqja në të cilën ndodhet poezia. Këtu, duket sikur shkëputet renditja me këto shkëputje vargjesh. Nuk i marr nga ndarja e cikleve, por nga e tërë poezia, në ato faqe ku ndodhen ato.

Katër ciklet e kësaj përmbledhje simbolizojnë 4 troje autoktone, jashtë Shqipërisë e Kosovës, të cilat tashmë janë shtete. Pra, është Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Epiri Jugor i Pirro Burrit, që i thonë me të padrejtë vetëm Çamëria, e cila është nën Greqi.

Jo rastësisht e fillon ciklin e dytë të poezive me një poezi që i kushtohet të madhit të kohës sonë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në poezinë “Vorbull kohe”, ku poeti sikur klith se “koha migjeniane nuk e di kur vie”, por “gjaku i dejve po e qan mjerimin” dhe shpirti i poetit trazohet rëndë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka pasur si simbol në përkrenaren e tij shenjat e Pirro Burrit; ndërsa nga Maqedonia Ilire djalin e Olimpisë ilire, Aleksandrit, që në të vërtetë quhej MERYAMUN (Mirë jam unë),[1] por u bë më i famshëm me emrin historik, Aleksandri i Madh[2] (Si ëndërr u linda), d.m.th. Leka i Madh, apo LEKU, të cilin e ka futur Shqipëria si monedhë të veten.

Tri figura të larta të shqiptarisë, Pirro Burri, Aleksandri i Madh dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e lidhin këtë libër poezish. Në poezinë “Vorbull kohe” poeti është kthyer në pozitën e tij kritike. Sikur është tronditur për fatin e kombit të vet. Shtrohet pyetja: kah po vete ky komb; kah është nisur; kah është kthyer shqiptaria që të shkojë?…

Në këtë përpjekje të madhe krijuese, poeti Mustafë Krasniqi i thërret në ndihmë krijimtarinë popullore shqiptare: zanat ilire, me rroba kombëtare.

Në strofën që e hap ciklin e parë është poezia e këtij cikli “Ju vrafshin Zanat”, që simbolizojnë prej antikitetit të lashtë esencën e tyre shqiptare, në të cilën thuhet:

“Nga djepi i Pirros-Burrë i Shqipes
erdhët si engjëj të buzëqeshur,
të pushoni pak u ulët në Iliridë
e Dardanisë së vjetër ia hodhët krahun!”

(Nga poezia “Ju vrafshin Zanat”, faqe 20)

Zanat janë të veshura me fustanellë të bardhë, që do të thotë se gjithmonë kanë qenë pellazgo-ilire-shqiptare dhe plagët i lidhin me lot, që është një varg i fuqishëm i poetit. Ato nuk e kursyen as veten e tyre për të mirën e kombit. “Vdekja e pakohë” vie në profilin e vet shqiptar të Shqipërisë.

“Dheu im
peshë eshtrat i kam”–

(Nga poezia ”Me eshtrat e mi”, faqe 17),

thotë poeti Mustafë Krasniqi, në poezinë e parë që i kushtohet Isa Boletinit, eshtrat e të cilit kanë mbetur pezull, sot e kësaj dite, duke pritur të kthehen në trojet e veta, në një pikë e trojeve autoktone shqiptare, të shpërndara nëpër 5 shtete të tjera, por që ëndërrojnë e përpëliten deri në gjenocide të papara, për bashkimin e tyre etnik. Ato troje nuk kanë ende gjasa të jenë “të bashkuara”, sepse të gjithë armiqtë shekullorë të shqiptarëve, rreth e rrotull trojeve tona, janë të bashkuar në një betim të fshehtë të tyre: për të ndarë e copëtuar më tutje këtë komb të vjetër të botës, kombin pellazgo-iliro-shqiptar.

“E kush po luan
me eshtrat e mi?!…”

(E njëjta poezi, faqe 18)

shfryen poeti, në fund të kësaj poezie. Isa Boletini është vrarë në Mal të Zi, nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve. Të vrarët e tillë, si Isa Boletini, nuk kanë kurrë të ndalur; pardje, dje e sot; si p.sh. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, që vijnë në kundrim të qindra të vrarëve kështu, në altarin e lirisë. Pushka kërset prore ndër mileniume; e jona dhe e armiqve tanë. Por, ne, nuk u shuam tërësisht. Ne, jemi gjallë, shqipe tërësisht dhe shqiponja. Vdekja vjen deri në atë pikë sa të kërkohen të pagjeturit:

“E liga të ka groposur
në një gropë të madhe
kockat thërrasin pandarë
nën hi prushi…”

(Nga poezia “T`i kthehem pritjes”, faqe 26)

Dhembje e thellë është kjo dhembje. Në qiellin tonë, vie nga një Yll që nuk shuhet. Ai është një yll ndër mijëra yje tona që ngritet në qiellin e pamjes. Është një Yll i shqipes, i shqiponjës sonë. Por, nuk e lënë të shihet, ata që sulen mbi ne, në të gjitha anët, me këso lloj vdekjesh:

“Kohë e vjedhur e përdalë
tinëzisht më qëllove në zemër
e tri herë gjuajtjes i shpëtova”…

(Nga poezia “Të përgjërohem”, faqe 27),

i del nga vetja poetit, në poezinë e fundit të këtij cikli, “Të përgjërohem”, derisa ai i përgjërohet Shqipërisë, shenjtërimit të tij.
Cikli më i mirë i këtij libri dhe shkrimin e këtij recensioni është cikli i dytë, i cili filllon me këto vargje:

“Edhe po të ma vëni
thikën në fyt
nuk do të heq dorë
nga gjeografia ime!…”

(Nga poezia“Gjeografia ime”, faqe 49)

Gjeografia e atdheut shpirtëror është vija autoktone e shtrirjes së sotme aktuale e viseve shqipfolëse, sepse atdheu shpirtëror i të gjitha gjeneratave të mileniumeve ka qenë gati e tërë Euroazia, por nuk i njeh ende as e tërë bota, sepse janë të banuar prej mileniumeve me popuj të shprishur nga qenia jonë e madhe dhe qeninet e okupuesve.

Gjeografia jonë është e pështjelluar. Prandaj, po i kthehemi shqipfolësve, që ende flasin shqip, pra gjuhën shqipe; që të bëjnë kulturën kombëtare shqiptare; jetojnë brez pas brezi si shqiptarë të vërtetë, pa marrë parasysh se ata ndahen nga dialektet dhe nëndialektet apo quhen nga të tjerët si: shqiptar, arbër, arban, alban, “arvanitas/arban-itas” apo “arnaut”.

Brez pas brezi i lëmë eshtrat tonë në altarin e lirisë. Duam të bashkojmë njëherë ata që flasin shqip, ani pse është gjuha e parë e botës, gjuha nënë indo-evropiane, por bota nuk e njeh dhe nuk do ta njohë, sepse ne jemi kaq sa jemi, të mbetur nga gjenocidet, nga luftërat, nga betejat, nga tentativat e përhershme të armiqve tanë të mëdhenj, që bëjnë prova të na zhdukin tërësisht nga rruzulli tokësor. Të krahasohemi me ata që të na njohin (sepse jemi të cunguar në të gjitha drejtimet, të ndarë copa-copa, të ndarë nën pesë shtete e një ma larg, Turqia, që janë më shumë armiq, e na shpartallojnë në të gjitha drejtimet, edhe me gjuhë, Turqia, Greqia, Bullgaro-makedonët dhe Serbia e Mali i Zi), është padyshim mjaft rrëqethëse!

Pra, duam bashkimin e etnisë me tokën, mallin e paktë, shtëpitë qindra herë të rindërtuara; bashkimin e vërtetë të shqiptarëve, të lënë peng brez pas brezi në gjuhën tonë, gjakun e tokën amanet; për të ardhmen tonë më të mirë. Sa më të bashkuar të jemi, aq më të fortë do të jemi! Eshtrat e shumtë, të lënë në këtë altar, po e presin gjithmonë këtë kthim të madh. Eshtrat tanë kanë mbetur pezull. Edhe sot, ata janë pezull para këtij altari. Një bashkim i tillë, qe mijëra vite më parë, nuk është afër, por në këtë “bashkim” është me miliona të armiqve tanë, në EU, dhe kjo është një e vërtetë. Autori pret që të përmbushet ideali i tij. Në poezinë “Eshtrat pezull”, ai thotë kështu:

“Sytë e mbytur në gjak,
atdheun që ta puthte
i vlonte peshë kraharori!”

(Nga poezia “Eshtrat pezull”, faqe 35)

Kush guxonte të mbytej në gjak e kush kishte përherë një intencë permanente të puthte tokën e shenjtë të atdheut, pos atyre që eshtrat e vet, në gjenezë të krijuara e të rritura me shumë vuajtje të prindërve e të tyre, ndër rrahje, shkatërrim e luftë të armikut kombëtar? Autori sikur i lë peng në altarin e lirisë, sepse ata u bënë therorë në këtë altar; ndër betejat më të vlershme; në një mbrojte të shenjtë të fëmijve, pleqve, vëllezërve, motrave; në mbrojtje të truallit të gjyshërve, etj. Ata janë të destinuar nga fqinjët tanë, rreth e rrotull atyre tokave, të cilat ende nuk janë shprishur; që ende nuk janë shpërfillur; që ende nuk janë harruar tërësisht nën gjuhët e huaja e artificiale.

Kjo është shenjë e gjallë e sakrificës me jetë, në shërbim të idealit:

“Në ëndrrat e pritjes
mëngjeset qullosen
me mall për atdheun
shpirti na rri peshë.

Zgjohuni bijtë e lokës
të pështjellur me flamur…”

(Nga poezia “Etnia po na pret”, faqe 37)

Etnia po na pret jashtë kohës sonë, në mënyrë që të bashkohet vetvetiu toka dhe kombi, aq sa është e mundur që të bashkohet kjo tokë. Bashkimi jep fuqinë. Neve, na tretet fuqia jonë, që ta mbrojmë çështjen ende të pazgjidhur kombëtare shqiptare:

“Blozë e hollë
nëpër rrugë peshë janë
gjarpërinjtë e mendimit”.

(Nga poezia “Fytas me kohën”, faqe 40)

Kjo është përpëlitja jonë e madhe me kohën dhe mendimet që ajo i ushqen për ne, e që janë me të vërtetë gjarpërinjtë e mendimit. Poeti thërret engjëjt e lirisë, sepse ata e fitojnë këmbëngulshëm gjithësinë, derisa në këtë hartë të madhe gjeografike, do të plasë një ditë topi i etnisë sonë.

Dihet se në një “natë vrastare”, e zhbiron tërësisht poetin, derisa thotë:

“të skuqura thikat
si hartën pellazge
në mes të errësirës
idhnisht më qëllon…”

(Nga poezia “Kur nata të vret”, faqe 43)

Nëpër këtë kohë vendimtare, me hije apo fantazmë, nëpër bubullimat e pandalura për të fituar këtë liri të paktë, me gjakun e njerëzve të rënë fli për këtë ditë, zgjohet edhe lugati i shekujve kundër teje:

“e gjaku im
pa faje i mërdhirë
në dimrin e madh
nën thundrat e hekurta
mbetet…”

(Nga poezia “Kthena atje”, faqe 44)

Sepse, po aty, në fund të poezisë shton:

“Një ditë
edhe skeleti
do të thahet
nga malli!”

(E njëjta faqe, në fund të poezisë)

Një artist vdiq: një tiranas, çam, preshevar, ulqinak, shpupjan e prishtinas. Poeti i përjeton ato që i kanë mësuar armiqtë tanë kombëtarë, të zgjasin “fjalët thika” në mes njëri-tjetrit. Mustafë Krasniqi i këndon me mall të pashuar “lulemotrës” së tij, Toplicës, në vjershën e këtij cikli:

“se unë jam
motra tjetër e jotja
që tmerrësisht të pret
te guri i oxhakut!”

(Nga poezia “Lulemolla”, faqe 46),

mollës së kuqe, të kuqe si gjaku, të cilën, “as gjeografia/nuk e përmend”, dhe i cili, dihet se shënon vendin ku është kufiri ynë etnik, nën Serbinë e sotme. Serbia i ka vrarë e shpopulluar trevën e epërme të Dardanisë.

Sa për sqaruar, shqiptarët i kanë dy etni: gegë dhe toskë. Etnia jonë është gegë. Ne rrjedhin prej baballarëve tanë, që ishin vëllezër, si dy kokat e shqiponjës. Tri etnitë tjera pothuajse janë zhdukur apo shkrirë. Baskët dhe avrenët, pothuajse janë zhdukur nga Franca, Portugalia e një pjesë të vogël e ka pasur edhe Spanja. Baskët do të thotë “Bashkë”. Gjuhët janë ristukturuar e kanë ikur nga gjuha e parë: gjuha shqipe. Në këto gjuhë “moderne” nuk shqiptohen diftongjet tona. “Sh”-ja ka mbetur “s”. Madje, baskët, nuk flasin më shqip. Ndërsa armaitët dhe armenët janë shpërdarë nëpër Turqi, Siri, Izrael e deri te Jordania. Edhe dy të tjera i kemi pasur në antikë, ndërsa armenët kanë përjetuar disa gjenocite të turqve…

Po kthehem te libri i poezive të Mustafë Krasniqit. Na vjen lutja në gjuhën shqipe dhe në djepin e vërtetë të lindjes së këtij poeti, “diku / në tokën ilire”, edhe pse serbët e konsiderojnë si “tokë të tyre”, e turqit dhe Erdogani, “tokë të tyre dhe të Sulltan Muratit”, që e ka vrarë Millosh Kopiliqi. Nëpër fjalimet që i ka mbajtur Erdogani, në Kastriot, pa i vënë syrin asnjë gazetar shqiptar, e konsideron se ka pjesë në të. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo nuk është tokë as e serbëve dhe as e turqve, por ylliro-iliro-pellazgo-shqiptare[3], prej fillimit të kësaj bote. Poeti thotë:

“Për ty
e kapërceva ëndrrën
me krah të bardhë
për në qiell…         

u luta thjesht
pa frikë
e lajka
për ty-
gjuhë
e atdheut tim  

e mbarova vargjet
lutjet e shekujve

dikur u ktheva
si engjëll
në tokën pellazge”.

(Nga poezia “Kapërcimi i ëndrrës”, faqe 50)

Poeti e di se edhe ky është truall i atdheut shpirtëror të gjuhës shqipe, i cili është shumë më i madh se sa territori i Shqipërisë; i Kosovës dhe jashtë saj trojet e vjetra të Dardanisë; Malit të Zi; Maqedonisë Ilire; Greqisë, si shtet, sepse e “shpallen” me dhunë, edhe pse dy milionë “arvanitas”, pra të etnisë gege, arban, i mban në vete, e që janë të origjinës sonë, por që e flasin gjuhën artificiale “greke”, përkundër gjuhës natyrore, gjuhën e vjetër shqipe, të cilët janë të ndrydhur nga hegjemonizmi i hapur grek e nuk e dinë origjinën e tyre; por edhe Turqia nëntë milionë e tetëqind mijë shqiptarë i shpërfilli në radhë të parë me fenë islami. Këta janë “arnautët” e saj, që janë edhe ata Yllir-ilirë, pellazgë dhe shqiptarë, por nuk e dinë gjuhën shqipe, sepse pushtetarët ua patën ndaluar tërësisht shkollat shqipe.

E kemi thënë edhe një herë më parë se atdheu ynë shpirtëror ka më shumë toka të vetat, territor të shtrirjes së arianëve ilirë apo albanëve ilirë, apo pellazgëve ilirë, por një pjesë e madhe e tyre nuk e flet gjuhën shqipe dhe ka mësuar gjuhë të tjera. Eshtrat mbesin pezull në kohë derisa të vjen ajo ditë e madhe. Ajo është një vorbull e madhe e kohës për të cilën shpirti i poetit trazohet rëndë. Ajo, ndoshta do të vjen ndonjë ditë. Ndoshta!…

Cikli i tretë niset prapë me vargjet e mëposhtme:

“Mbi honet e djegura
në vrap fushe
me lot në gushë
u thave etjeve tona”.

(Nga poezia “Malli i atdheut”, faqe 70)

Kudo e ndjekin përherë miqtë shpirtërorë nga dheu i tij që lidhen me të gjitha trojet autoktone. Malli i vendlindjes; malli i babait; malli për nënën e tij; malli për motrat; malli për djalin dhe vajzën; nipat e mbesat; fëmijët që e thërrasin “xhaxhi poet”, etj. Malli i atdheut e ndjek kudo. Çdo gjë përfundon në “shportën e zanave”, mbas një kali të badhë, duke “therur shpirtin/me tel çiftelie”, si në një agullim…

Edhe ciklin e fundit e hap strofa simbolike, nga poezia “Modernizimi i fundit”:

“Sa vështirë të jesh burrë
sytë pa dashje
të vënë në kurth
në ndonjë qëndrim të veçantë
kokën ulur
duhet ta mbash”.

(Nga poezia “Modernizimi i fundit”, faqe 95)

Është e pamundur të anashkalosh lirikën intime “Besniku i dashurisë”, në të cilën dashuria shkrihet tërësisht në vajzën shqiptaro-pellazge. “Lumëmalli” derdhet më tutje derisa të zgjohet me “Shpirtrat e trazuara”. Lakmia shqiptaro-pellazge shkon përtej ëndërrave, për të mos qenë aq realisht. Unë po e marr këtë poezi, me titullin “Lakmia”, për të parë çka vjedhin nga kulturat e huaja dhe atë çka është më e ligë, gratë e vajzat tona. Poeti shfryn ndër vargje:

“Mos lakmo
lakuriqësinë
as çarçaf të zi-

krenohu shqip
si një rreze dielli

bukuri e arbrit!”

(Nga poezia “Lakmia”, faqe 84)

Edhe “Drugëzat” poeti u drejtohet tradhtarëve që e shkelën tokën e të parëve, të cilët si “hije i polli nata”. Disa poetë, që poeti Mustafë Krasniqi i identifikon si “poetë të gjithësisë”, atyre, me energjitë pozitive “vargjet u vijnë papritur”, “ku puthet/këmba me baltën”, sepse kështu ata i nxit poezia, siç thotë poeti i ynë në poezinë “Përtej bukurisë”. Në poezinë “Tmerrimi i korbave”, e që janë armiqtë tanë, e thotë për bukuri si është lënë flamuri ynë kombëtar.

Autori i fshikullon të gjitha manitë negative në këtë përmbledhje. Pra, vijnë manitë më të liga të ashtuquajturve “shqiptarë”, p.sh. karrieristëve; ëngjëllushkat si lavire; tipat vandalë; drugëzat apo tradhtarët, e deri te “O i ziu i fundit”, të cilët janë vetë shkaktarë të largimit të bijve të vërtetë të shqipes, nga vendlindja, nga atdheu, nga kullat e gurit, etj. Shpirtat e trazuar janë gjallë e luftojnë me tërë qenien e tyre për bashkimin e dy etnive shqiptare: gegë e toskë. Ata i lanë vatrat e tyre “Në kuitje zanash”, sepse nuk mund të njëjzoheshin me shpërfilljen e kombit shqiptar.

“Dikush
si dhelpër
fuqishëm i thyejnë copat e atdheut”

(Nga poezia “Thyrja e vetme”, faqe 86-87)

thotë vetë poeti, mu siç i kanë mësuar armiqtë e përhershëm kombëtarë. Nuk ka gjuhë “kosovarishte” në Republikën e Kosovës, por gjuhë shqipe, deri në bashkimin e Shqipërisë e të shqiptarisë!

“Modernizimi i fundit” në këtë përmbledhje është modernizim i tepruar. Sepse është vështirë të jesh burrë, në këtë periudhë ndjenjash, kur njeriu duhet ta ulë kokën, për ta mbërrirë kafenë “nga gjiri i bardhë”.

Këtu, përfundon përmbledhja e poezive. Unë, kam folur vetëm për gjërat pozitive, në raport të intencave të mia kombëtare. Mund të ketë ndonjë poezi që do të mund të kritikohet, por ia vlen që ta lexoni tërësisht këtë libër dhe të dëshmoni edhe ju ato që ne i vumë re, me këtë rast, si redaktor i librit…


[1] Për ata që nuk e dinë, po ua shpjegoj se emri fëmijëror i Aleksandrit të Madh ka qenë MERJAMUNË, që do të thotë në gjuhën shqipe lokale „mer-jam-unë“, e që do të thotë në gjuhën letrare shqipe „mirë-jam-unë“. Aleksandri i Madh emrin e vet e ka prej Maqedonisë shqiptare dhe vetë ka qenë shqiptar, fliste shqip, i shkolluar është në gjuhën heleniste-greke! Para kohës dhe gjatë kohës së tij, në të ashtuquajturën sot „Greqi“, kanë banuar arbanët-gegët. Kanë pasuar edhe më tutje hegjenizmi akej. Sot quhet „grek“. Ata, ndër të parët e kanë falsifikuar emrin e pjesës sonë të lavdishme „arban-itët“ me „arvanitët“,…
[2] Emri Aleksandër, që ndahet sipas domethënies së tij, „â-le-si-ander“, që në gjuhën e sotme letrare do të thotë„ është lindur si ëndërr“. „“ d.m.th. „është“; „ander“, i thonë „ëndërr“. Kështu e shpjegon dialekti gegë…
[3] “Yllir” quhen nga autori parailirët, të cilët janë pasardhës të Polifemit.

Artikulli përpara
Artikulli tjetër

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit