
Historia politike dhe shoqërore e shqiptarëve dëshmon se përçarja e brendshme nuk ka qenë vetëm pasojë e rrethanave të jashtme, por shpesh edhe produkt i rivaliteteve, ambicieve dhe konflikteve të brendshme.
Në periudha kur shqiptarët nuk dispononin me shtetësi të konsoliduar, sovranitet të plotë apo institucione të qëndrueshme, lufta për ndikim dhe pushtet shpesh zhvillohej brenda vetë bashkësisë.
Ky paradoks historik meriton vëmendje të veçantë: si është e mundur që një shoqëri e privuar nga liria politike të prodhojë njëkohësisht rivalitete të theksuara për dominim të brendshëm?
Edhe në kushtet e robërisë, kur logjika e mbijetesës kolektive do të kërkonte solidaritet, bashkëpunim dhe koordinim, shpesh janë shfaqur konflikte, mosbesim, kurthe dhe antagonizma ndërmjet individëve apo grupeve.
Kjo tregon se përçarja nuk mund të shpjegohet vetëm si rezultat i presionit të jashtëm. Ajo lidhet edhe me kulturën politike, dobësinë institucionale, mungesën e besimit reciprok dhe prirjen për ta parë tjetrin si rival, e jo si partner në një projekt të përbashkët.
Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: çfarë mund të presim nga të tjerët, nëse vetë ne prodhojmë mekanizma që na dobësojnë?
Formula “unë të munda ty, ti më munde mua” përmbledh në mënyrë simbolike një logjikë konfliktuale në të cilën fitorja individuale mund të shndërrohet në humbje kolektive.
Nëse energjia shoqërore shpenzohet për eliminimin e kundërshtarit të brendshëm, atëherë dobësohet aftësia për të ndërtuar institucione, për të mbrojtur interesin publik dhe për të krijuar kohezion shoqëror.
Në historinë institucionale të Kosovës gjenden edhe shembuj të kundërt, ku rivaliteti politik është kapërcyer në funksion të krijimit dhe avancimit të institucioneve.
Pas zgjedhjeve të vitit 2001, Ibrahim Rugova dhe forca politike që ai drejtonte pranuan një formulë bashkëqeverisjeje me rivalët kryesorë politikë: Rugova u zgjodh president, ndërsa Bajram Rexhepi nga PDK-ja mori postin e kryeministrit; në qeverisje u përfshinë LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe përfaqësues të komuniteteve.
Ky kompromis institucional u arrit në një periudhë kur Kosova kishte nevojë për funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe për krijimin e një baze më të gjerë të bashkëpunimit politik.
Një shembull i ngjashëm u paraqit edhe në kohën e presidentit Fatmir Sejdiu. Pas zgjedhjeve të vitit 2007, PDK-ja dhe LDK-ja, ndonëse rivale politike, arritën marrëveshje koalicioni.
Në janar të vitit 2008 Sejdiu u rizgjodh president, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i qeverisë së koalicionit PDK–LDK. Kjo marrëveshje përkoi me një periudhë vendimtare të zhvillimit institucional dhe politik të Kosovës.
Këta shembuj tregojnë se kompromisi politik nuk nënkupton domosdoshmërisht heqje dorë nga identiteti partiak apo nga bindjet politike. Në rrethana të caktuara, ai mund të jetë instrument i përgjegjësisë institucionale, sidomos kur funksionimi i institucioneve dhe proceset me rëndësi të përgjithshme kërkojnë bashkëpunim ndërmjet kundërshtarëve politikë.
Nga kjo perspektivë, problemi nuk qëndron te ekzistenca e dallimeve. Dallimet janë pjesë normale e çdo shoqërie pluraliste. Problemi lind kur konkurrenca shndërrohet në armiqësi, kur mospajtimi kthehet në hakmarrje dhe kur interesi personal ose grupor vendoset sistematikisht mbi interesin e përgjithshëm.
Një shoqëri e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi mungesën e kundërshtimeve, por mbi aftësinë për t’i menaxhuar ato përmes normave, institucioneve dhe kulturës së dialogut.
Prandaj, uniteti nuk duhet kuptuar si uniformitet mendimi, por si gatishmëri për të mbrojtur interesat themelore të përbashkëta edhe në kushtet e dallimeve politike, ideologjike apo personale.
Në këtë kuptim, hilet, inatet dhe përçarjet nuk janë thjesht dobësi morale. Ato mund të shndërrohen në faktorë strukturorë të dobësimit shoqëror dhe politik. Sa më i ulët të jetë niveli i besimit ndërmjet njerëzve, aq më e vështirë bëhet ndërtimi i bashkëpunimit, i institucioneve funksionale dhe i përgjegjësisë kolektive.
Prandaj, sfida kryesore nuk është të mposhtim njëri-tjetrin, por të tejkalojmë logjikën e vetëdëmtimit. Nëse çdo fitore ndaj tjetrit prodhon dobësim të përbashkët, atëherë ajo nuk është fitore reale.
Shoqëritë përparojnë kur konkurrenca shndërrohet në zhvillim, kur dallimet kanalizohen përmes institucioneve dhe kur identiteti i përbashkët nuk përdoret si slogan, por si përgjegjësi.
Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë, por thelbësore: Çfarë vlere ka që unë të të mund ty dhe ti të më mundësh mua, nëse në fund të dy humbim atë që duhet ta ndërtojmë së bashku?
ARIF EJUPI











