(Fragment nga romani: ME TRE VARRE (2001).
NGA KALOSH ÇELIKU
Moskokëçarës, përqeshës,
të egër – ashtu na do Urtësia:
ajo është grua
dhe gjithmonë e do vetëm
luftëtarin…
Friederich Nietzsche
Plot dy muaj njerëzit i shihja me nga dy koka. Vështirë i lexoja gazetat, ndonjë libër. Lëmsh shkronjat… Shkallët… Rruga… Ndërtesat… Megjithatë, nuk shkova e nuk shkova më te mjeku. Fatkeqësisht, nuk ia pash të bijën tek e cila më propozoi për vazhdimin e shërimit. E lash ç`do gjë në duar të Natyrës… Zotit… Miqtë filluan të më vizitojnë në shtëpi… Edhe Cuca Boheme pas dy muajve. Një natë e nisa edhe romanin tim më “skandaloz”: Gratë e mia besnike. Çudi, për një muaj nateditë pa gjumë e hodha në letër. Truri si duket ishte pastruar nga marrëzirat… Patriotizmi i rrejshëm… Patetika… Lufta për poste partiake. Karrige… Dhe, Pushtet…
Në Tanushë nisi lufta. Çudi, sipas rrëfimit të një miku shkrimtar, pasi kisha vdekur në Voskopojë, duke u ngutur që sa më parë të më shpien në spital në Korçë, rrugës kishin bërë aksidentë komunikacioni. Unë, atëherë kisha bërtitur: LUFTË… Miqtë që kishin humbur ç’do shpresë për shenja jete, vetëm tashti e kishin parë se, unë: ende pak shpirt jam gjallë… Ose, papritmas u ringjalla…
Vallë, athua unë e paralajmërova Luftën (2001) në Maqedoni… Unë, të isha njëfarë profeti… Ku ta di… Realiteti e bëri të veten mes maleve. Tanusha, një fshat që pak-kush e dinte se ku gjendej, e ngriti zërin. E dëgjoi Europa. E dëgjoi edhe gjithë bota. Nënës Parti ia prishi rehatllëkun në Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”. Shkak ky, që do ta shti Taçi Vojvodën shqiptar me shokë publikisht t’i thotë Motrës Madhe: “Bjeru motër se, kemi të bëjmë me banda kriminele ndaj të cilëve shteti duhet t’i marrë të gjitha masat e duhura”. Njëkohësisht, me shokë si kope t’i drejtohen popullit shqiptar në mjetet e informimit me thënje popullore: “Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”.
Nëna Parti do të organizojë në Shkup: “Marshi për paqë dhe drejtësi”: “… Është e qartë që përgjigjen në këtë pyetje, veçmas menaxhimin me krizën nuk mund ta lëmë në duart dhe mendjen e shoqatave minore, pa rëndësi dhe ndikim shoqëror, pa informata, kapacitet, kompetenca dhe përgjegjësi shoqërore…
Nëna Parti në pushtet me poste partiake – politike si subjekt me përgjegjësi objektive-shoqërore dhe kombëtare me guxim politik dhe patriotik, duke u mbështetur në informatat që i posedon, nuk mund të rri anash, të bëj sehir dhe në mënyrë opurtuniste të tentojë të përfitojë nga kriza ashtu si disa shoqata minore që synojnë të legjitimohen politikisht përmes fatkeqësisë të të tjerëve… E thotë haptas, se: “kjo luftë nuk lejohet, aq më pak të fitohet…”
Bërllok! Bërllok shqiptar, që me vite më zinte frymën. Zorrët m’i kishte nxjerrë nga barku. Nëpër tubime Nëna Parti e kishte ngritur flamurin kuqezi. E kishin shaluar Kalin e bardhë me një këmbë të thyer nëpër “Bit – Pazar”. Përmendoren ia kishin ngritur në Sheshin e Tun Batunit “patriotët” kuqezi… E kishin bërë Kosovë… “Shypni Etnike”… E shi sot, përsëri trumbetonte me të njëtat kakërdhia ta plehërojë Kryengritjen Shqiptare… Vazhdonte, me këmbëngulje të na e qelbë lëmën… Atdheun…
Kryengritësit vazhduan luftën me armë në dorë maleve. Grupeve të tyre luftarake iu bashkuan edhe shumë të rinj. Mjetet e informacionit vazhdonin me propagandën… “Terroristë”. “Banditë” të hedhur nga Kosova, që ne gjatë egzodit në Kosovë i pritëm me bukë, e ata me gurë…” E ku ta di unë, çkamos…
Dhe, pas bombardimeve të rënda nga policia dhe ushtria maqedonase, mu kur priteshte të shuhet Kryengritja shqiptare në Tanushë, ajo plasi edhe në fshatrat e Tetovës… Shipkovicë… Gajre… Dhe, Kala…
Policia dhe ushtria maqedonase i sulmoi me armatime të rënda edhe këto fshatra. Demostroi forcë. Nuk i kurseu as fëmijët, as pleqtë, as shtëpitë. Çdo gjë u kall në flakë dhe u rrafshua me tokë… Por, kryengritja nuk u shua, jetoi në male. Edhe më keq, zbriti edhe në fshatrat e Kumanovës: Sllupçan, Orizare, Likovë…
Mjetet e informacionit në gjuhën maqedonase i mbushën faqet e tyre të gazetave dhe ekranet televizive me “terroristë”. E në realitet terrorizëm bënte policia dhe ushtria maqedonase mbi popullatën e pafajshme të cilët nuk i linin vatrat e tyre shekullore. Politikanët shqiptarë vazhdonin jetën e tyre në Qeveri, nëpër ministri me një asht në gojë. Ose, një torbë taxhi përqafe. Deputeti i popullit të Karadakut H. Sh. mes këtij egzodi të paparë mbi popullatën që ia dha votat do ta lë parlamentin dhe do të dalë në mal, do t’u bashkangjitet kryengritësve.
Kryengritja mori hov maleve. Popullata e fshatrave të Kumanovës si gjithmonë nëpër shekuj, edhe kësaj radhe e dha provimin kombëtar, nuk i la vatrat e tyre, po u ngujuan nëpër bodrume. Qeveria Neojugosllave mes mjeteve të informacionit u bënte thirrje, u caktonte afate. Po, ata nuk lëviznin asnjë hap nga pragu i shtëpisë… Varret e të parëve… U përballuan të gjithave bombardimeve të artilerisë së rëndë dhe helikopterëve, që Qeveria i bleu me paratë e tyre nga Rusia.
Edhe hafiet e Qeverisë vazhdonin me propagandën. E dogjën Manastirin. Tashti, radhën thonin e ka “Çairi”. “Çairin” do ta kallim në flakë… Gjithë kohën cingërronin telefonat… Kërcnimet… Frika… Brenda një jave u zbraz i gjithë “Çairi”. Njerëzit ikën sa çelë e mbyllë sytë. Aty-këtu nëpër ndërtesa kishte mbetur ndonjë familje “maqedonase”. Edhe “Gazi Baba” u zbraz… Edhe “Bit-Pazari”. Lagjet, rrugët dukeshin si shkretirë. Pak njerëz, pak makina nguteshin si pa kokë…
E nesërmja erdhi si çdo ditë, me diell. Një qetësi e tmershme që të fuste frikën. Vdekje e parakohshme, pa zhurmë makinash, zëra fëmijësh… Qetësi varri… Gjithëmonë, në jetë na kanë detyruar për të drejta kombëtare, ta shtrijmë dorën në rolin e lypësit. E atyre, kur t’u teket të na e hudhin nga një asht për dritare. Jo, kësaj radhe që i kemi rrokur armët në dorë, nuk do ta shtrimë më dorën te “Ura e Gurit”, po do të jemi ose të barabartë. Ose, ato pala tjetër tashti e tutje do ta shtrinë dorën e paqes. Provojeni edhe ju këtë rol politik, shihni si u duket vetja në rolin e lypësit. Megjithatë, ne: nuk do të biem në nivelin tuaj, me siguri do t’ju hudhim më shumë liri seç meritoni si lypës…
Fundi i fundit, ç’fuqi kam të bëj unë si shkrimtar para këtij shteti pa shpresë, i mjerë dhe i shkretë, që kur t’i teket promovon “doktorë” shkence, duke i shpërblyer me tituj, vende pune e dashnore, duke ua marrë gratë dhe “doktoresha” të shkencës, poashtu me vende pune e dashnorë duke ua marrë burrat?!…
Asgjë. Shtegun e shoh tek e Ardhmja, që duhet t’i marrë punët në dorë. Njëherë e përgjithmonë, duhet futur shqelmin servilëve, matrapazëve e kulturofagëve të paaftë të partive politike, që brenda natës i ndërrojnë njëqindë burra. Nuk na duhet më bërlloku nëpër parti politike, arsim, kulturë dhe mjetet e informacionit… Individë me zgjebe komuniste, që i kanë shëtitur gjithë jetën parti më parti, si kurva burrë më burrë…
Nuk do të më vinte inatë, që këto matrapazë politik, bërllok shqiptarë të ishin politikanë. Po, fatkeqsisht, këta shiten si “intelektualë”. Inatë ky, që për çdo ditë më shti të vjellë, t’u bie me këmbë rrugeve si konzerva të shprazura deri në Varr…
-Papritmas, im Atë e hapi derën dhe u ulë këmbëkryq pranë oxhakut. E hoqi mauzerrin nga krahu, dhe e vëndoi në prehër. Kësulën e bardhë e shtrëmbëroi mbi vetullë para meje si shkrimtar.
-Erdha përsëri nga varret… Biro, frikë kam pasur se: nuk do të ma kalosh mua si prind. As, Nënës tende. Një urti popullore thotë: t’i ngjash babës është adet, po t’ia kalosh duhet marifet”. Edhe, ti trembu nëse nuk ta kalon yt bir. Tashti e shoh se, aty ku e lamë ne, ju e vazhduat me Penë e pushkë. E di se, na e kaluat neve si prindër, prandaj edhe jam i lumtur, po edhe më i lumtur do të jem, nëse fëmijët tuaj do t’ua kalojnë juve si gjeneratë. Nuk do të numrojmë në vend, po do të ecim përpara brez pas brezi…
Shpërthime në Shkup. “Të mërkurën pak para mesnate në Qendrën tregtare ”Çairçanja”, në Shkup ka shpërthyer një mjet eksplodues, që përpos dëmeve të konsiderueshme të disa lokaleve afariste të shqiptarëve, nuk pati viktima, edhe pse: në këtë qendër gjatë kësaj kohe mblidhen të rinjtë shqiptarë…
Ndërsa gjatë natës në lagjen “Kisella Voda” (Uji i thartë) të Shkupit kanë eksploduar dy bomba, me ç’rast është plagosur një grua maqedonase. Policia ka filluar me hetimet, ndërsa deri më tani nuk ka indikacione, se: kush ka mundur të jetë ekzekutuesi i këtyre shpërthimeve. Nuk ka njohuri nëse bëhet fjalë për shpërthime të njejta.
Në fund, pasi i dëgjova lajmet, më erdhi në telefonin tim celular një përshëndetje: “Në Çairçane bombë…” E kërkova numrin që ma dërgonte lajmin. Matanë, mu përgjegjë në gjuhën maqedonase një zë i dehur burri… E mbylla celularin. Pas një kohe, i njejti numër ma dërgonte mesazhin: “më falni – gabim”!
Dita e sodit nuk e kishte këtë barrë, prandaj edhe më dha kohë që ta shfletoj gazetën e “pavaruar”. Në mes të titujve ma tërhoqi vëmendjen shkrimi: “Plumba të argjendtë për politikanët shqiptarë.
Me letra kanosëse UÇK-ja ka porositur deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë që të marrin shembullin e deputetit Hysni Shaqiri, i cili para dy muajve iu është bashkuar aradhave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Sipas shërbimeve të fshehta maqedonase, ka njohuri se pjesëtarët e UÇK -së tanimë disa muaj, nëpërmjet letrave anonime, apo thirrjeve telefonike, iu kanosen me likuidim edhe liderëve shqiptarë në Maqedoni. Letra të tilla kanë marrë edhe Menduh Thaçi dhe Arben Xhaferi. Ndërsa, këtyre u janë dërguar edhe “plumba të argjendtë” si shpërblim, që do të thotë dënim me vdekje.
Pesë ditë e pesë netë e mbylla veten në dhomë mes librave. Shtamave me verë, që pasi i ngreja me fund i hudhja bythekrye për dritarje. Njeri i gjallë nuk ma hapi derën. E rrotullova gjithë banesën kembekrye nëpër dhomë. E zbrasa frigoriferin. Byfenë, që nuk lash shishe alkooli më këmbë. Gjithë kohën të vetmen rrobe që e kisha, ishte një këmishë e grisur dhe e bardhë deri në fund të këmbëve. Tri katër herë në ditë e zhvishja atë dhe e hudhja në mes të dhomës për të bërë banjo, larë djersët.
E si për inat, këto ditë gushti vapa më shtrëngonte pamëshirë mes mureve. Herë pas here, edhe atë pasmesnate Zonja Vdekje ma hapte derën. E ngrenim me të së bashku nga një dolli, lexonim poezi dhe hiqnim valle. Dikur nga mëngjesi, mua kur do të më rrëzonte mes librave agimi, ajo do të përvidheshte tinës nga dhoma ime, do të ma mbyllte derën dhe do të dilte nëpër qytet…
Ora dymbëdhjetë. I hapa sytë, e kisha bërë gjumin e të vdekurit. E mora tabutin në shpinë dhe dola në oborr. Posa shkela në park, mu turr zhurma e fëmijëve. Gjallëri kjo, që më dukej se më kishte munguar me vite. Eca. Teposhtë rrugës e pash se edhe qyteti ishte gjallëruar. Ishte kthyer në gjendjen e mëparshme. Njerëz, makina turreshin si pa kokë në rrugë. Çudi, thash me vete me njerëzit. Edhe këta janë si dhentë, njëra të kërcejë në lumë dhe të gjitha njëra pas tjetrës në hurdhë.
Posa ishin dëgjuar krismat e para në Tetovë, të gjithë kishin ikur nga sytë këmbët. E shi tashti, kur rreziku i luftës ishte edhe më i madh, UÇK -ja priste vetëm urdhërin dhe ta sulmonte Shkupin, ata ishin kthyer nëpër shtëpia. Vallë, thua ishin mërzitur dyerve të huaja, apo ishin mësuar më me krismat e luftës. Nuk e di. Me rëndësi është që Shkupit përsëri iu kthye jeta. Lojërat e fëmijëve… Zhurmat e makinave… Frika dhe trimëria…
Edhe “Rrapit” i ishin kthyer banorët e zakonshëm. Në mesin e tyre edhe “patriotët“ e vonuar kuqezi. Rrospitë Meshkuj, që i kishin munguar disa muaj. Trusakatët. Tashti, ata ishin ulur kokë më kokë edhe me trima duke rrëfyer për trimëritë e atyre të maleve. Ndonjëri edhe duke u lëvduar se ka lidhje me ta, mbledh lekë dhe shpërndanë armë…
Unë që kryeja obligimet e rregullta mes shtamave të verës, që dija shumë gjëra dhe i njihja këta “patriotë“ kuqezi, pak gjë u besoja rrëfimeve të tyre patriotike. Nën “Rrap”, erdhi edhe Kulturofagu, që gjatë ndryshimeve demokratike me “vëllezërit”, turreshte qytet më qytet me moton: “ejani të bisedojmë”. Fatkeqësisht, këtij dialogu i printe një antishqiptar i tërbuar, Dhëndërri, hartues edhe i Kushtetutës së Maqedonisë. E shi sot, ky ”patriot” e ngrente zërin më së shumti në mjetet e informimit në duel me qëndrime të kundërta rreth disa temave, si rrezikut për një luftë qytetare në Maqedoni, propozimin e ASHAM për këmbim territoresh, dhe popullatash për zgjidhjen e konfliktit të Luftës në Maqedoni etj.
Nën Rrap erdhi edhe Matrapazi me mjekër të Cjapit, që e fshihte fytyrën apo matrapazllëqet e tija në këtë kohë të vështirë. Matrapazi politik që ta bindë opinionin se, në gazetën e tij të “pavarur” nuk ka cenzurë dhe është patriotike, i ftonte në debat publik përmejdani në mes të tjerave edhe shkrimtarët për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë?!…
E dikur, kur kësaj “oferte“, nuk i përgjigjej asnjë shkrimtarë me përjashtim të ndonjë kalemxhiu, që pesëdhjetë vjet kishte punuar kundër vetëvetes, e shi tashti, përpiqej të na shesë patriotizëm. Matrapazi politik partiak edhe njëherë do të bëhet i gjallë po në gazetën e vet, te editoriali i njohur gjatë luftës: “Intelektualeve shqiptarë, nuk u nevoitet Kushtetuta!”
O Imzot, më shpëto nga këta “patriotë” kuqezi! Rrospia Meshkuj… Kokat e tyre të mbushura me kashtë… Truri i tyre plot krimba. Bythët e tyre, që si lulja e diellit që sillet rreth diellit, ato sillen rreth rroçkodanit… Haletë që ma zënë frymën, ma qelbin “Rrapin”!
Përditë e më shumë vjell ”patriotë” kuqezi. Rrospi Meshkuj… Trusakatë… Frikë kam se, një ditë do të mbushet “Rrapi”… “Bit Pazari”… Shkupi… “Patriotizmi” i tyre do të më detyrojë të ik nga “Rrapi”… Atdheu… Liria…
Mëshirë, o Zot! “Patriotizmi” i tyre më ndjek kudo, në rrugë… Nën “Rrap”… Dhomën time me libra… Në një varg në të cilin e kërkoj varrin. Vetëm pak ma hapni dritaren, shtegun e maleve, të fluturoj drejt qiellit. Majën, nga e cila do ta thirr Diellin… Shiun… Rrufetë…
Dita e Ilindenit të tretë 2 gushti 2001 në Shkup kaloi pa zhurmë, pa flamuj shtetëror. Mjetet e informacionit në gjuhën maqedonase bënë shumë poterë për Shkupin, që e gëdhiu festën me dy-tre flamuj nëpër institucione. E të mos flasim për Tetovën pa asnjë, ku vendin e tyre e kishin zënë flamuj kombëtarë kuqazi me shqiponjën e zezë dykrenare.
Reporterja e Televizionit maqedonas derdhte lotë krokodili edhe për të zhvendosurit që i kishin strehuar nëpër hotele, e asnjë organizatë humanitare nuk u kishte dërguar ndihma. E kur ishte rasti i refugjatëve kosovarë, Qeveria i priti me banane, që mu ato në ditën e sotme të na e kthejnë pushkën…
Papritmas cingërroi telefoni celular:
– Alo, mirëdita…
– Mirëdita. Përsëri ishte Patrioti i Vonuar.
– Po, ku je ti o burrë, që nuk më bën as një telefonatë në gjendje lufte?!
– Ja, nën “Rrap”, në Shkup.
– Ne, do të vijmë edhe në Shkup… Mos harrot, për të gjitha do të na jepni llogari… Po, si është atje situata?!
– Shkupin e kemi çliruar shtëpi për shtëpi… Kufirin e kemi te “Ura e Gurit”. Tashti, na ka mbetur edhe Gostivari… Pastaj, përpak harrova të të tregoj se në “Flakën e mjerimit” një poete ta ka kushtuar një poezi…
– E, a e ke aty afër gazetën, lexoma ndonjë varg të asaj porzi!
– Ja, me gjithë dëshirë:
Ky “patrioti” – një “ballist” i ri
Po lufton për Maqedoni.
Për Maqedoni, o edhe për Serbi,
Po do me e bashkue këtë shkini…
– Vetëm kaq, ë?!…
– Jo, ka ende. Është e gjatë poezia…
– E, pse nuk ma lexon gjithë, deri në vargun e fundit?
– Jo, më mirë kur do të vish vetë, e lexon varg për varg…
– Mirë, atëherë o burrë “Rrapi”. Nesër, do të vij në Shkup…
– Patjetër, e kemi vendosur me poeten të të presim si hero lufte… Nuk është çudi edhe Nëna Parti të të bëjë ndonjë befasi… Ku ta di unë, ndonjë post më të lartë në redaksi… Ose, do të të emërojë ambasador në Bullgari…
– Çka?!…
– Nuk e di. Përshpëritet për një post në redaksi… Vetëm duhet ngutur, një koleg i yti i ka rënë në erë dhe i sillet rrotull Nënës Parti…
– E di unë atë komunist, është i poshtër, tradhtar. Por, kësaj radhe është vonuar në nuhatje. Veprime patriotike… Erdha nesër. Mirëupafshim!
– Mirëupafshim! Të presim…
Dialogu politik për dalje nga kriza në vend Ohër, që zvarritej me javë në mes të katër partive politike dhe të dërguesve specialë Fransua Leotar, Xhems Perdju dhe Maks van der Shtul nën ombrellën e kryetarit të shtetit Boris Trajkovskit ecte ngadalë, me këmbë të breshkës. Ngjarjet e fundit në Maqedoni ngjallën dyshim… Frikë… Luftë…
Shkupin nuk e merr gjumi… Kërcnime… Krisma të herëpashershme nëpër natë. Vrasje në gjumë… Protesta para Parlamentit maqedonas. Demolime dhe vënja e zjarrit dyqaneve të shqiptarëve. Thirrje për armë…











