
Anton Nikë Berisha
Dikush nga shkrimtarët tanë mund të thotë se ky shkrim është i panevojshëm: ne dimë çka është letërsia, shkruajmë vepra, i kemi botuar disa sosh, dhe askush s’ka nevojë të na “flasë” dijen e tij për letërsinë, të na mbajë ligjëratë rreth natyrës dhe veçantive të saj.
Do të isha i lumtur sikur të ishte kështu, po të dhënat dhe faktet që njeriu i ndesh në shumë punime dhe libra, bindet se njëmend një numër i shkrimtarëve tanë, përkundër punimeve dhe veprave që i kanë hartuar dhe i kanë botuar, dhe përkundër vlerësimeve lavdëruese herë – herë të skajshme që u janë bërë nga miqtë dhe të njohurit, nuk e njohin mirëfilli letërsinë.
Dikush do të thotë se njohja e letërsisë dhe e çështjeve teorike nuk janë të domosdoshme. Shkrimtari shkruan ashtu si i thotë mendja, si e ndjenë idenë ose dukurinë dhe si vendos ta shpreh atë. Vepra tregon se ai e njeh letërsinë?!
Mosnjohja e mirëfilltë e letërsisë nga ana e disa shkrimtarëve tanë është dukuri që ka zënë fill më herët, po, mjerisht vazhdon edhe sot. Ky mendim i Fishtës e përligj këtë në mënyrë të pandërmjetme: “Due me thânë, se per ç’do zanát, qi do me kapë nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund […]. Vetem âsht nji zanát, qi në Shqypní s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija!”[1]
Edhe lutja e Faik Konicës ndërlidhet ngushtë me mendimin e Fishtës, po edhe me shumëçka që ndodh edhe sot në letërsinë tonë: “Zoti ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë përmbi të, frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi por edhe të sillemi ashtu!”
Kur një shkrimtar i yni shkruan rreth ndonjë dukurie të letërsisë ose rreth ndonjë vepre, kur e cilëson dhe e ngrit atë nga se në të bëhet fjalë për tematikën, për motivet, për idetë të ashtuquajtura të mëdha, pa hyrë në mënyrën sesi janë thënë ato, pa hyrë në veçantinë dhe në cilësinë e shtjellimit dhe të shprehurit gjuhësor, të shumësive kuptimore që dalin nga teksti i saj, në ballafaqimet dhe kundërvëniet e mendimeve, që e krijojnë dendësinë e tekstit, dramatiken, e bëjnë atë tërheqës dhe me mundësi ndikimi më të madh, atëherë nuk e di se çka i thonë kësaj, po njohje dhe dije për letërsinë jo?!

Disa shkrimtarë tanë, kur shkruajnë për letërsinë mendojnë se të flasësh për letërsinë ose të hartohet një vepër letrare është punë e lehtë, edhe pse është krejtësisht e kundërta: të shkruash mirëfilli dhe me dije për një dukuri letrare ose për një vepër letrare poetike duhet ta njohësh qenësinë e artit të fjalës, letërsinë, ta njohësh rëndësinë e gjuhës, veçmas të gjuhës poetike me të cilat hartohet çdo vepër, ta njohësh rëndësinë e shumësisë kuptimore që dalin nga teksti i hartuar.
Asnjëherë nuk duhet të hiqet nga mendja se përmes gjuhës dhe tekstit, si përbërës të qenësishëm, merr jetë vepra letrare, përkatësisht ndërtohet realiteti poetik, krejtësisht tjetër në krahasim me realitetin e përditshëm. Përmes gjuhës dhe mënyrës së shtjellimit të tekstit synohet të hyhet dhe të shprehet shkaku i brendshëm i dukurive dhe i ideve, siç e thoshte De Rada ynë; i asaj që ne e shohin dhe bashkëjetojnë me të gjatë veprimit konkret. Pra, vepra letrare, teksti letrar është gjuhë, të shprehur gjuhësor.
Një herë kur e pyetën një shkrimtar të njohur se çka po lexonte: Fjalorin, u përgjigj. Fjalorin? Po. Me gjuhë i shkruaj veprat letrare. Fjalori më ndihmon t’i gjejë fjalët më të përshtatshme, që kanë më shumë kuptime, që kur lidhen me të tjerat, ofrojnë më shumë veçanti dhe shumësi kuptimore dhe ndikojnë më mirëfilli.
Përmes të shprehurit gjuhësor shkrimtari e krijon realitetin artistik, po dhe të bukurën dhe përmes saj kushtëzon mundësinë që të ndikohet estetikisht në marrësin, lexuesin. Me fjalë të tjera, përmes tesktit të veprës së vet shkrimtari e krijon të vërtetën artistike. Pra, nuk është përshkrues i realitetit konkret (këtë na e ka thënë Aristoteli 2300 vjet më parë). Këtë Lesingu na e ban krejtësisht të qartë: “Vlera e njeriut nuk qëndron tek e vërteta që zotëron ai, apo që pandeh se e zotëron, por te përpjekjet e çiltra që bën duke e kërkuar atë.
Sepse atij nuk ia shton forcat zotërimi i së vërtetës, por kërkimi i saj: vetëm këtu qëndron përparimi i përhershëm i përsosjes së tij. Zotë-rimi të rehaton, të bën përtac, mendjemadh; nëse Zoti do të mbante në dorën e djathtë gjithë të vërtetën, ndërsa në të majtën vetëm kërkimin, që nuk rresht kurrë, të së vërtetës: – edhe sikur ky kërkim të shpinte veç në gabime, çdo herë e gjithmonë, – dhe nëse do të më thoshte: ‘Zgjidh!’, përulësisht do të turresha tek dora e tij e majtë e do t’i thosha: ‘O, Atë, më jep këtë, sepse, sido që të jetë, e vërteta e kulluar të përket vetëm ty’!”
Kur e lexon këtë vlerësim të autorit tonë, i cili ka botuar vepra, që e ka mbajtur letërsinë në fakultet se veprat letrare të filan shkrimtarit janë të përsosura (kjo është thënë edhe në titull të punimit), atëherë vetvetiu shtrohet çështja: nëse një shkrimtar e paskësh shkruar një vepër të përsosur pse të vijë tjetri (ose të tjerët) dhe ta shkruajë një vepër jo të përsosur?!
Është e gjithë njohur se në letërsi nuk mund të ketë përsosje, siç ndodh dhe në artet e tjera. As kryeveprat më të shquara letrare, të cilat si vlera, kanë “notuar”, nëpër mijëra vjet për të ardhur edhe në ditët tona, nuk janë të përsosura. As “Fausti” i Gëtes, për të cilin poeti punoi nga mosha 18 vjeçare deri në atë 84, nuk është i përsosur. Madje, nuk është as i mbaruar (Pjesa e dytë).
Mirëpo, është e vërtetë se shkrimtari gjithnjë duhet ta synojë përsosjen e veprës së vet, ta hartojë atë në mënyrë sa më të lartësuar poetikisht që është e mundur, po ajo nuk mund të mbërrihet nga se një gjë e tillë e përcakton natyra e artit të fjalës, letërsisë, gjuha poetike dhe mundësia e pakufishme e komunikimit dhe e receptimit. Rreth të bukurës dhe përsosjes së saj Viktor Hygoja thoshte: “Bukuria e gjithçkaje mbi tokë (edhe ajo e artit) qëndron në mundësinë e saj për t’u përsosur. Gjithçka ka dhuntinë e kësaj veçorie: të rritet, të shtohet […] të përsoset”[2].
Edhe titull i studimit “Poetika e porosisë”, dëshmon diçka që të dhimbset autori i tij. Aty ku ka porosi, aty s’ka poetikë se teksti i porosisë cilësohet me një kuptim, ndërsa teksti letrar ka natyrë tjetër: gjithmonë duhet të ketë më shumë se një kuptim dhe si rrjedhojë e kësaj dhe receptime të shumta.
Poeti italian, E. Montale, kur shkruante për një poezi lirike thoshte: “Çka është një poezi lirike? Për sa më përket mua, nuk do të dija ta përcaktoja (definoja) këtë gjë të rrallë (feniks arab), këtë çudi, këtë objekt përcaktueshmërisht tejet konkret, ose të pandjeshëm për arsye se është i bërë nga fjalët, këtë bashkëjetesë të çuditshme të muzikës dhe të metafizikës, të arsyes e të paarsyes, të ëndrrës e të përgjimit[3]“.
Ky përcaktim vlen edhe për llojet e tjera të artit të fjalës, letërsisë.
Për ta ndriçuar edhe më shumë veçantinë e krijesës letrare, qoftë ajo në poezi, qoftë në prozë, po sjell mendimin e Gustav Floberit, ku flitet për prozën, mendim që e kam përmendur në shumë punime të mia: “Sa gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandërrueshme, po ashtu ritmike, po ashtu tingëlluese”.
Një shkrimtar e studiues i njohur, në një konferencë në Tiranë (kushtuar 2000 vjetorit të krishterimit) e ngriti një shkrimtar tonë të traditës në qiell për arsye se paskësh shtruar në veprat e tij çështje sociale (të varfërisë). Ishte për keqardhje. Kur i kujtova publikisht se tematika sociale nuk e bën të madhe një vepër as një autor, u soll e u mbështoll me fjalët e tij!
Një gazetare, e cila donte të bënte një bisedë me mua, më shkroi se letërsia është imagjinatë… I thashë se letërsia nuk është imagjinatë. Po kështu na ka thënë filan profesori në fakultet.
Njëmend shkrimtari e përdor imagjinatën kur e harton veprën e vet letrare, po letërsia është shtjellim gjuhësor shprehës, është tekst poetik nga dalin kuptime të shumta, herë – herë të pafund. Te vepra letrare poetike, siç u tha, nuk është e rëndësishme çka thuhet, po si thuhet një gjë, një ide ose një dukuri; sa shumë kuptime dalin nga teksti poetik që përftohet. Sado i rëndësishëm të jetë një tekst (si kumt), njëkuptimësia nuk e bën letrar, nuk e bën të vlefshëm poetikisht. As rëndësia dhe as aktualiteti i tematikës ose i dukurisë që vështrohet në një krijesë letrare, nuk e bën atë të vlefshme e të rëndësishme.
Thënë me pak fjalë, letërsinë nuk e bën tematika, as ideja e madhe, as rëndësia e dukurisë që vështrohet. Flobert ka thënë me të drejtë se historia e Napolon Bonapartit dhe historia e një morri për letërsinë kanë të njëjtën vlerë. Gjithçka do të varët se si do të shprehet gjuhësisht – përmes tekstit poetik, historia e të parti dhe si do të shprehet e të dytit; çfarë gjuhe të pasur poetike do të përdoret për të shprehur historinë e Napolonit e çfarë atë të morrit; çfarë stili, çfarë të shprehur figurativ, do të përdorët për njërën dhe për tjetrën? Kjo e bën kryesoren.
Autori i disa romaneve, me një promovim libri, tha publikisht se romanin e shkruan për faktin historik! Mbase harroi se romani shkruhet për faktin poetik. Nëse i mungon ky përbërës qenësor, bëhet kronikë ose libër historie.
Një herë një poete e jona, e njohur, më tha se e kishte hartuar një roman. Sa mirë, i thashë. Ja, po ta them përmbajtjen. Të lutëm më kurse, i thashë, se përmbajtja nuk është roman; ngjarja, sado dramatike dhe e veçantë të jetë, nuk e bën romanin. Edhe romani është krijesë letrare që ndërtohet përmes tekstit, përmes të shprehurit të veçantë gjuhësor; përmes mënyrës së shtjellimit të tekstit, përmes të bukurës që përftohet pikërisht përmes strukturës gjuhësore poetike. Kjo e bën krijesën poetike të qenësishme dhe të ndikojë pastaj estetikisht në marrësin.
Një shkrimtar, autor i një libri të historisë së letërsisë për fëmijë, shkruan se e hartoi atë në bazë të tematikës dhe se “Botimi ynë ka destinimin e tekstit shkollor të arsimit të lartë me drejtim pedagogjik”. Po për një drejtim (e qëllim) tjetër, fjala vjen, atë sociologjik, filozofik etj., çfarë historie e letërsisë për fëmijë duhet të hartohet?! Se me çfarë kriteresh është ndërtuar ky libër i historisë së letërsisë për fëmijë dëshmon edhe ky mendim: se në “Historinë…” e tij i ka kushtuar kujdes fabulës për arsye se ajo “shërben si strumbullar i organizimit të analizës së veprës letrare…” (sic!) ose: “Temat për shkrimtarët Hivzi Sulejmani, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha e Anton Çetta janë hartuar së pari duke patur për bazë leksionet që na i dërgoi…”
Mendime e vlerësime të shkrimtarëve tanë për letërsinë, pemës të cilave dëshmohet se nuk e njohin letërsinë si art, i gjen edhe në një varg punimesh e librash që tashmë janë hartuar e janë botuar dhe (disa) përdorën edhe në procesin mësimor!
Po e mbyll këtë përsiatje për rëndësinë e njohjes së letërsisë nga shkrimtarët tanë, të cilët merren me të dhe i krijojnë veprat letrare, me mendimin e nobelistit peruan, M. V. Llosa, që është i rëndësishëm për shumëçka:
“[…] midis prirjes për t’i ikur botës dhe jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë që shumica e qenieve njerëzore nuk arrijnë ta kapërcejnë dot kurrë. Ata që e kapërcejnë këtë humnerë dhe që, përmes fjalës së shkruar, bëhen krijues botësh, janë shkrimtarë, pra, ajo pakicë që ka mundur t’i përforcojë prirjet apo tendencat në saje të ushtrimit të vullnetit, të cilin Sartre e quante zgjedhje[4]“.
Prishtinë, mes shtatori 2026
[1] Gjergj Fishta, Piksime estetike mbi zêje të fjalës. Në “Hylli i dritës”, Vjeta VIII, n. 7 – 8, Shkodër 1932, f. 396.
[2] Shih Victor Hugo, Ëilliam Shakespeare. Përktheu nga origjinali frëngjisht. Abdulla Rami& Emira Xhomaqi – Godo, Onufi, Tiranë 2022, f. 111.
[3] E. Montale, Sulla poesia. Milano, Mondatori 1976, f. 171.
[4] Mario Vargas Llosa, Letra një shkrimtari të ri. Përktheu: Engjëllushe Shqarri. Onufri, Tiranë 2008, f. 10 – 11.


