Shkruan: Dom Fran Sopi
Nisja e hulumtimeve paraprake për Kauzën e Beatifikimit dhe të Njohjes së Martirizimit të besimtarëve të njohur në traditën kishtare dhe popullore shqiptare si “Martirët e Karadakut” përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë për Dioqezën Prizren–Prishtinë dhe për kujtesën historike të Kishës Katolike ndër shqiptarë. Kjo nismë e fton Kishën vendore që kujtesën e ruajtur ndër breza ta shqyrtojë nëpërmjet një kërkimi të organizuar historik, teologjik dhe kanonik, të mbështetur në dokumente dhe në kriteret e përcaktuara nga Kisha.
Si meshtar i Kishës Katolike në Dioqezën Prizren–Prishtinë, këtë nismë e vështroj njëkohësisht si hir dhe si përgjegjësi. Është hir, sepse na mundëson të kthehemi te rrënjët e dëshmisë sonë të krishterë dhe ta dëgjojmë zërin e atyre që vuajtën për shkak të besimit. Është përgjegjësi, sepse kujtimi i tyre nuk duhet të mbështetet vetëm në emocionin, devocionin ose krenarinë e ligjshme të bashkësisë, por duhet t’i nënshtrohet kërkimit kritik, verifikimit dokumentar dhe gjykimit të matur të Kishës.
Një nga trajtimet më të rëndësishme historiografike të këtyre ngjarjeve gjendet edhe në veprën e dr. Don Gaspër Gjinit, Ipeshkvia Shkup–Prizren nëpër shekuj. Në kapitullin “Martirët e Karadakut”, autori trajton historinë e besimtarëve të Stubllës, Binçës, Terzijajve dhe Vernakollës, vendbanime që në atë periudhë bënin pjesë në Famullinë e Malit të Zi të Shkupit, të njohur në dokumentet kishtare si Montenegro di Scopia, në përdorimin osman si Karadak dhe më vonë si Famullia e Letnicës. Kapitulli fillon në faqen 189, ndërsa dokumentet dhe literatura ku mbështetet trajtimi paraqiten deri në faqen 194 të veprës së Gjinit.
Historia e Martirëve të Karadakut duhet kuptuar në kontekstin e kriptokatolicizmit. Një pjesë e popullsisë katolike shqiptare, për shkak të trysnisë politike, ekonomike, shoqërore dhe fetare, ishte detyruar ta fshihte përkatësinë e vet të krishterë. Në përdorimin popullor këta besimtarë quheshin “laramanë”, ndërsa në dokumentet kishtare paraqiten si katolikë të fshehtë ose kriptokatolikë. Ata mund të mbanin emra dhe shenja të jashtme myslimane, ndërkohë që në familjet e tyre ruanin lutjet, kremtimet, traditat dhe lidhjet me meshtarët katolikë.
Kjo gjendje nuk mund të vlerësohet vetëm nga këndvështrimi i sotëm. Për shumë familje, fshehja e identitetit fetar nuk ishte domosdoshmërisht mohim i besimit, por një mënyrë e dhimbshme mbijetese. Dëshmimi i hapur i fesë mund të sillte humbjen e pronës, burgosjen, ndarjen e familjes, internimin dhe, në raste të caktuara, edhe vdekjen. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i disa familjeve të Karadakut për ta deklaruar publikisht përkatësinë e tyre katolike përbënte një akt të rëndësishëm të ndërgjegjes dhe të besimit.
Si vëllaui im meshtar tashmë i amshuar e studiuesi i mirënjohur dom Gaspër Gjini mbështetet në mënyrë të veçantë në relacionin e don Nikollë Mazrrekut me titull Breve cenno circa gli esiliati cripto-cattolici della parrocchia di Zernagora, nominatamente dei villaggi Stubla, Bincia, Terziai e Vernakolo nell’anno 1843–1846, të hartuar në Letnicë më 1882. Mazrreku e kishte shkruar këtë relacion rreth tridhjetë e gjashtë vjet pas internimit, kur disa prej të mbijetuarve ishin ende gjallë dhe mund t’ia rrëfenin drejtpërdrejt ngjarjet. Për këtë arsye, relacioni ka vlerë të veçantë dëshmuese, ndonëse, si çdo burim i hartuar disa dhjetëvjeçarë pas ngjarjeve, duhet të krahasohet me dokumentet bashkëkohore të Kongregatës së Propaganda Fide-s, me raportet diplomatike dhe me regjistrat famullitarë.
Dom Gasri vëren se Mazrreku i vendos ngjarjet në periudhën 1843–1846, duke i paraqitur ato jo si një episod të vetëm, por si një proces që u zhvillua në disa etapa. Megjithatë, faza më e rëndë e përndjekjes së banorëve të Stubllës, Binçës, Terzijajve dhe Vernakollës lidhet me pranverën e vitit 1846. Një dokument i përmendur nga Dom Gaspri e vendos “përndjekjen e Stubllës” pak para Pashkëve të vitit 1846, të cilat atë vit u kremtuan më 12 prill. Ndërkaq, më 25 mars 1846, administratori apostolik i Dioqezës, Urban Bogdanoviqi, e njoftonte Kongregatën e Propaganda Fide-s për çështjen e laramanëve të Karadakut (Gjini, f. 190).
Sipas dokumentacionit të paraqitur në libër, kriptokatolikët e Karadakut u takuan dhe u këshilluan ndërmjet tyre për mënyrën se si do ta paraqitnin kërkesën para autoriteteve. Ata kërkonin që t’u njihej publikisht statusi i katolikëve dhe që jeta e tyre e jashtme të përputhej me besimin që ruanin në ndërgjegje dhe në familje. Në atë kohë, famullitar në Letnicë ishte françeskani Atë Anton Marojeviqi, i cili i përkrahu në këtë vendim dhe mori edhe pëlqimin e eprorëve të tij kishtarë.
Kryefamiljarët shkuan në Gjilan përpara Maliq bej Gjinollit dhe kadiut Tahir efendiut. Autoritetet u përpoqën fillimisht t’i bindnin, nëpërmjet premtimeve, që të hiqnin dorë nga kërkesa e tyre. Mirëpo, besimtarët u përgjigjën se nuk po bëheshin katolikë në atë çast, sepse të tillë kishin qenë gjithmonë, së bashku me të parët e tyre; tani kërkonin vetëm të deklaroheshin publikisht si katolikë. Dom Gaspër Gjini e paraqet këtë dëshmi si një nga pohimet qendrore të të gjithë ngjarjes (Gjini, f. 189; shën. 10, f. 193).
Ky deklarim përbën një element themelor për vlerësimin historik dhe teologjik të rastit. Banorët e Karadakut nuk kërkonin të braktisnin një fe për të përqafuar një tjetër, por pohonin se po dilnin nga një gjendje e imponuar fshehtësie. Ata kërkonin të njiheshin juridikisht dhe shoqërisht për atë që besonin se ishin në ndërgjegjen e tyre: katolikë dhe pasardhës të familjeve katolike.
Kur autoritetet panë se përpjekjet bindëse dhe premtimet nuk po jepnin rezultat, urdhëruan arrestimin e kryefamiljarëve. Ata u lidhën dhe u mbajtën për një muaj në një burg të rëndë. Më pas u dërguan në Prishtinë, të ngarkuar me pranga dhe me zinxhirë të rëndë. Sipas kronikës së përdorur nga Gjini, të burgosurit kishin pranga në duar e në këmbë dhe bartnin një zinxhir të rëndë rreth trupit. Në Prishtinë u mbyllën në burgun e Jashar Pashës, ku u mbajtën në kushte të rënda dhe iu nënshtruan marrjeve të vazhdueshme në pyetje (Gjini, f. 190).
Autoritetet osmane e paraqitën veprimin e tyre si masë të lidhur me ruajtjen e rendit shtetëror dhe me dyshimin se deklarimi publik i katolicizmit synonte shmangien e shërbimit ushtarak. Sipas burimit të përcjellë nga Gjini, ekzistonte edhe frika se, po të pranohej kërkesa e tyre, familje të tjera do të ndiqnin të njëjtën rrugë dhe një pjesë e madhe e Karadakut do të deklarohej publikisht katolike. Kronika pohon se në atë periudhë i gjithë Karadaku e ruante fshehtas katolicizmin dhe se regjistrat e Famullisë së Letnicës përmbanin të dhëna të veçanta për fëmijët e familjeve kriptokatolike (Gjini, f. 190; shën. 17, f. 193).
Nga Prishtina, të burgosurit u dërguan në Shkup, ende të lidhur me pranga, dhe u mbyllën në burgun e Azmi Pashës. Famullitari i tyre, Atë Anton Marojeviqi, u përpoq disa herë të ndërhynte pranë autoriteteve për lirimin ose mbrojtjen e besimtarëve të famullisë së vet. Ndërhyrja e tij nuk pati sukses. Përkundrazi, edhe ai u arrestua dhe u bashkua me të burgosurit (Gjini, f. 190–191).
Pas ardhjes së përgjigjes nga Stambolli, u urdhërua që të burgosurit, së bashku me anëtarët e familjeve të tyre, të internoheshin në Azinë e Vogël. Në Stubëll, Binçë, Vernakollë dhe Terzijaj u mblodhën gratë, fëmijët, pleqtë dhe pjesëtarët e tjerë të familjeve, kryefamiljarët e të cilave ndodheshin në burg. Pasuritë e tyre u konfiskuan dhe iu dorëzuan arkës shtetërore. Internimi, pra, nuk preku vetëm burrat që e kishin paraqitur kërkesën para autoriteteve, por familje të tëra (Gjini, f. 191).
Ky fakt është thelbësor për kuptimin e përmasave të përndjekjes. Përballë masës ndëshkuese nuk u gjendën vetëm disa përfaqësues të bashkësisë, por burra, gra, fëmijë dhe të moshuar. Ata u shkëputën nga shtëpitë, toka, farefisi, varret e të parëve dhe bashkësia e tyre. Internimi u shndërrua në një ndëshkim kolektiv, i cili synonte jo vetëm ta ndalte kërkesën e tyre, por edhe t’u jepte një paralajmërim familjeve të tjera kriptokatolike.
Të internuarit u nisën në dy grupe nëpërmjet Selanikut drejt Azisë së Vogël. Në grupin e parë ndodheshin kryefamiljarët e burgosur më parë dhe Atë Anton Marojeviqi. Sipas burimit të përdorur nga Gjini, meshtari u transportua në mënyrë poshtëruese, i lidhur nën barkun e kalit. Pas disa ditësh, të njëjtën rrugë e ndoqi edhe grupi i dytë, i përbërë nga anëtarët e tjerë të familjeve.
Disa tregtarë shkodranë, të cilët i kishin parë të internuarit dhe u kishin dhënë ndihmë, e njoftuan konsullin francez në Selanik për gjendjen e tyre. Ndërhyrja e konsullit arriti ta shpëtonte Atë Antonin nga vazhdimi i menjëhershëm i internimit, por jo familjet e tjera. Sipas dokumentacionit të paraqitur nga Gjini, dymbëdhjetë persona vdiqën në Selanik dhe u varrosën atje, të pajisur me sakramentet e shenjta dhe nën kujdesin e meshtarëve të vendit. Don Nikollë Mazrreku jep emrat e disa prej atyre që vdiqën gjatë rrugës dhe të dymbëdhjetë personave të varrosur në Selanik, por pohon se emrat e disa fëmijëve nuk ishin ruajtur në kujtesën e dëshmitarëve (Gjini, f. 191; shën. 24, f. 193).
Të internuarit e tjerë u transportuan nga Selaniku drejt Muhaliqit, në hapësirën e Bursës. Udhëtimi u bë me mjete të papërshtatshme dhe në kushte tejet të rënda. Muhaliqi përshkruhet si një vend moçalor, me lagështi, sëmundje dhe kushte të këqija jetese. Pikërisht atje humbën jetën shumë prej të internuarve.
Një nga çështjet më të rëndësishme të hulumtimit është përcaktimi i numrit të saktë të personave të internuar. Gaspër Gjini vëren se burimet japin shifra të ndryshme dhe se disa autorë i kanë zmadhuar ato. Në literaturë përmenden 164, 209, madje edhe rreth një mijë të internuar. Mirëpo, raporti i administratorit apostolik Urban Bogdanoviqi, dërguar Kongregatës së Propaganda Fide-s më 24 tetor 1846, flet për 25 familje me gjithsej 158 persona, të internuar në Bursë së bashku me misionarin Atë Anton Marojeviqi. Dom Gaspri e paraqet këtë raport si bazën më të rëndësishme dokumentare për përcaktimin e numrit të të internuarve (Gjini, f. 191; shën. 25, f. 193).
Shifra prej 158 personash duhet të merret si pikënisje dokumentare, por jo si një çështje e mbyllur përfundimisht. Ajo duhet të krahasohet me listat emërore, regjistrat e pagëzimeve, kurorëzimeve dhe vdekjeve, dokumentet e internimit dhe dëshmitë e familjeve. Vetëm një hulumtim i tillë mund të përcaktojë nëse raporti përfshinte të gjithë personat e nisur nga Karadaku apo vetëm ata që arritën në hapësirën e Bursës.
Pasi morën vesh për gjendjen e të internuarve, etërit lazaristë dhe Motrat e Shën Vinçencit u ofruan ndihmë dhe u përpoqën t’ua lehtësonin vuajtjet. Ndërhyrjet diplomatike, veçanërisht ato të përfaqësuesve francezë dhe britanikë, e bënë çështjen të njohur edhe jashtë kufijve të Perandorisë Osmane. Megjithatë, ndihma arriti pasi numri i të mbijetuarve ishte zvogëluar ndjeshëm.
Sipas rrëfimit të paraqitur nga Dom Gaspri , në Muhaliq u mblodhën eshtrat e më shumë se tridhjetë e pesë të vdekurve dhe u vendosën në dy varre të përbashkëta. Mbi varret e tyre u ngritën një kapelë dhe një lapidar përkujtimor, në të cilin ata paraqiteshin si martirë të Binçës dhe të Stubllës, që e kishin njohur Krishtin, kishin luftuar për Krishtin dhe kishin vdekur për Krishtin (Gjini, f. 192; shën. 27, f. 193).
Nga Muhaliqi, të mbijetuarit u zhvendosën në një vend që në tekstin e Gjinit paraqitet me emrin Filadore. Kushtet atje ishin më të mira dhe vendi u dukej më i ngjashëm me trevën e tyre. Me ta qëndroi edhe Atë Anton Marojeviqi. Konsujt britanikë i morën në pyetje të internuarit dhe u njohën me historinë e tyre. Sipas dëshmisë së meshtarit, vuajtjet u ishin shkaktuar nga autoritetet vendore pikërisht për faktin se ata ishin deklaruar publikisht katolikë (Gjini, f. 192).
Edhe në internim, bashkësia u përpoq ta ruante jetën fetare dhe familjare. Një mësues grek me emrin Kostandin u angazhua për t’i mësuar fëmijët dhe të rinjtë, sepse Atë Antoni vuante nga astma dhe nuk mund ta kryente vetë këtë detyrë. Mësimi zgjati rreth tetë muaj. Ky fakt dëshmon se të internuarit, pavarësisht sëmundjeve, varfërisë dhe vdekjeve, përpiqeshin ta ruanin bashkësinë, edukimin e fëmijëve dhe shpresën për kthim.
Dëshira e tyre nuk ishte vetëm që të ktheheshin në shtëpitë e veta. Sipas burimit të përdorur nga Dom Gaspri , ata donin të ktheheshin edhe për t’u dhënë zemër laramanëve të tjerë të Karadakut, të cilët kishin mbetur të tronditur nga dhuna dhe vuajtjet e ushtruara mbi familjet katolike. Në këtë kuptim, kthimi kishte domethënie jo vetëm familjare, por edhe kishtare: të mbijetuarit do të bëheshin dëshmitarë të vuajtjeve dhe bartës të kujtesës së atyre që kishin vdekur.
Në kopjen elektronike të konsultuar të veprës shfaqet data 22 qershor 1844 si datë e lirimit të të internuarve. Kjo datë nuk mund të qëndrojë, sepse internimi ndodhi në vitin 1846; rrjedhimisht, ka shumë gjasa të jetë një gabim transkriptimi ose digjitalizimi. Vetë Dom Gaspri , në aparatin kritik, mbështetet në një letër të Atë Anton Marojeviqit, të datës 25 tetor 1848, dërguar nga Bursa Kongregatës së Propaganda Fide-s. Në bazë të kësaj letre, autori mendon se të internuarit mund të jenë kthyer në vendlindje nga fundi i vitit 1848 ose në fillim të vitit 1849 (Gjini, shën. 32, f. 194). Derisa të gjendet dhe të shqyrtohet dokumenti origjinal i lirimit, kjo duhet të mbetet formula më e kujdesshme kronologjike.
Një paqartësi tjetër lidhet me numrin e të mbijetuarve dhe të vdekurve. Gjini shkruan se në vendlindje u kthyen 79 persona, ndërsa 88 të tjerë, duke përfshirë dhjetë foshnja, e dëshmuan me gjak besnikërinë e tyre ndaj Krishtit. Mirëpo, shuma e këtyre dy numrave është 167 dhe nuk përputhet me shifrën prej 158 personash të raportit të Urban Bogdanoviqit. Kjo mospërputhje duhet të theksohet hapur dhe të bëhet objekt i hulumtimit kritik. Mund të kemi të bëjmë me ndryshimin ndërmjet numrit të personave të nisur, numrit të të regjistruarve në Bursë, lindjeve gjatë internimit, personave të bashkuar më vonë me grupin ose me ndonjë gabim gjatë kopjimit të shifrave. Pa dokumente shtesë nuk duhet të jepet një zgjidhje përfundimtare.
Pikërisht këto mospërputhje tregojnë përse Kauza e Beatifikimit kërkon një hulumtim të plotë dhe të disiplinuar. Nuk mjafton të përsëriten shifrat e traditës ose të zgjidhet numri më i madh. Duhet të hartohet një listë emërore e të internuarve, të përcaktohen familjet dhe vendbanimet e tyre, të dallohen ata që vdiqën gjatë rrugës, në Selanik, në Muhaliq ose në vende të tjera, si dhe të identifikohen personat që u kthyen.
Relacioni i Mazrrekut përmend gjashtë kryefamiljarë nga Binça dhe njëmbëdhjetë nga Stublla. Dom Gaspri orienton gjithashtu drejt një shkrimi të botuar më 1924 në revistën Hylli i Dritës, ku paraqiten emrat e personave të kthyer nga internimi (Gjini, shën. 16 dhe 31, f. 193–194). Krahasimi i këtyre emrave me regjistrat famullitarë dhe me kujtesën e familjeve mund të ndihmojë në rindërtimin e një liste sa më të plotë.
Në planin teologjik dhe kanonik, përdorimi i termit “martir” kërkon një shqyrtim të kujdesshëm. Vuajtja, internimi ose vdekja tragjike nuk mjaftojnë vetvetiu për njohjen kanonike të martirizimit. Duhet të provohen lidhja ndërmjet përndjekjes dhe fesë, motivi i përndjekësve, prania e odium fidei dhe pranimi i vuajtjes nga ana e të përndjekurve për shkak të besnikërisë ndaj Krishtit.
Dokumentacioni i paraqitur nga dom Gaspër Gjini përmban elemente të rëndësishme për këtë vlerësim. Besimtarët deklaruan se kishin qenë gjithmonë katolikë dhe se kërkonin vetëm ta dëshmonin publikisht këtë përkatësi. Ata u burgosën pasi refuzuan të hiqnin dorë nga vendimi, u internuan së bashku me familjet dhe u konfiskuan pasuritë. Dëshmia e Atë Anton Marojeviqit e lidh përndjekjen me faktin se ata ishin deklaruar publikisht katolikë. Edhe mbishkrimi përkujtimor mbi varrin e të vdekurve në Muhaliq i paraqet ata si njerëz që dëshmuan dhe vdiqën për Krishtin.
Këto të dhëna janë të rëndësishme, por nuk e zëvendësojnë gjykimin përfundimtar të Kishës. Ato duhet të verifikohen nëpërmjet dokumenteve origjinale të Kongregatës së Propaganda Fide-s, korrespondencës diplomatike, raporteve konsullore, dokumenteve osmane dhe dëshmive të tjera bashkëkohore. Duhet të dallohet motivi fetar nga faktorët politikë, ushtarakë dhe administrativë, pa e mohuar ndërthurjen e tyre në rrethanat konkrete të Perandorisë Osmane.
Historia e Martirëve të Karadakut nuk është vetëm histori vuajtjeje. Ajo është histori e ndërgjegjes së njerëzve që vendosën të mos jetonin më të ndarë ndërmjet asaj që besonin në zemër dhe asaj që detyroheshin të paraqitnin para autoriteteve. Ata nuk e kërkuan vuajtjen për hir të vuajtjes; ajo iu imponua si pasojë e vendimit për ta dëshmuar publikisht fenë e tyre.
Në këtë dëshmi përfshihen burrat që dolën para autoriteteve, gratë që u shkëputën nga shtëpitë, pleqtë që morën rrugën e internimit, fëmijët që vdiqën pa iu ruajtur gjithmonë as emri dhe të mbijetuarit që u kthyen duke bartur kujtesën e të vdekurve. Secili prej tyre duhet të kërkohet dhe të identifikohet si person, në mënyrë që të mos mbetet vetëm pjesë e një shifre.
Kauza e Martirëve të Karadakut duhet të zhvillohet si shërbim ndaj së vërtetës historike, si vepër drejtësie ndaj të internuarve dhe si dëshmi e pjekurisë së Kishës vendore. Ajo nuk ka nevojë për zmadhimin e numrave ose për zbukurimin e rrëfimeve. Një emër i dokumentuar, një familje e identifikuar, një datë e saktësuar dhe një dëshmi e verifikuar kanë më shumë vlerë sesa një pohim i madh që nuk mund të provohet.
Vepra e dr. Dom Gaspër Gjinit, veçanërisht faqet 189–194, mbetet një pikënisje themelore për këtë hulumtim. Ajo jo vetëm që e rindërton rrjedhën e burgosjes dhe të internimit, por tregon edhe drejtimet ku duhet të vazhdojë kërkimi: në Arkivin e Kongregatës së Propaganda Fide-s, në dokumentet konsullore dhe diplomatike të Austrisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, në arkivat osmane, në arkivat e etërve lazaristë dhe në regjistrat e famullive të Karadakut.
Si meshtar i Kishës Katolike në Dioqezën Prizren–Prishtinë, jam i vetëdijshëm se kjo Kauzë nuk është vetëm një çështje e së kaluarës. Ajo prek drejtpërdrejt jetën dhe dëshminë e Kishës sonë sot. Kujtimi i këtyre besimtarëve na thërret që ta jetojmë fenë me ndërgjegje të pastër, ta dëshmojmë Krishtin pa frikë dhe ta mbrojmë dinjitetin e çdo njeriu, pa e përdorur vuajtjen historike për të ushqyer urrejtje ose ndarje të reja.
Nëse, pas një shqyrtimi të plotë, Kisha do ta njohë martirizimin e tyre, kjo do të jetë një dhuratë e madhe për Dioqezën Prizren–Prishtinë dhe për mbarë Kishën Katolike ndër shqiptarë. Megjithatë, edhe vetë kërkimi i ndershëm i së vërtetës përbën një detyrë të shenjtë. Kujtesa e Martirëve të Karadakut nuk duhet të shndërrohet në legjendë, por të mbështetet në të vërtetën; nuk duhet të përdoret për hakmarrje, por për drejtësi dhe pajtim; nuk duhet të nxisë urrejtje ndaj askujt, por besnikëri ndaj Krishtit dhe respekt për dinjitetin e ndërgjegjes njerëzore.
Pejë, më 19 shtator 2026


