23.7 C
Tirana
E dielë, 13 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Çfarë mësova duke ecur nëpër jetën? (3)

Çfarë mësova duke ecur nëpër jetën? (3)

0
Ismet M. Hasani

Nga Ismet Hasani, Suedi

*Vetëm liria e jep gjallëri e kuptim jetës, vetëm me të shpërthejnë të gjitha aftësitë e forcat pozitive që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave më të larta të artit, shkencës, prodhimit dhe mendimit njerëzor.

*Në jetë qëndrojnë dy rrugë: njëna të shpie kah synimi, ideali kah jeta; tjetra të shpie kah shkatërrimi, kah humbja, kah vdekja. Tjetër rrugë nuk ka.
*Jeta e shpenzuar mirë është e gjatë. Shfrytëzoje kohën, në dash ta shfrytëzosh jetën. Bashkë me kohën kalon edhe jeta.
*Jeta e ëmbël! Doket e zakonet e bukura dhe të përzemërta verpojnë së ekzistuari.
*Jeto në shekullin tënd, por mos u bëj krijues i tij!
Dhuroju bashkëkohësve atë çfarë kanë nevojë, e jo lëvdata.
*
Jemi krijuar të jetojmë, atëherë duhet ta jetojmë jetën dhe kudo e kahdo që endemi duhet të lëmë shenjat/shejat tona, që tregojnë se kemi jetuar në një kohë të caktuar. Konsideroj se s’është aq më rëndësi se a kemi jetuar gjatë apo shkurt, sa është e rëndësishme të lëmë diçka për ata që vijnë pas nesh, ashtu sikurse né që, kur kemi ardhë në këtë botë, kemi gjetë atë që na kanë lënë ata që kanë jetuar para nesh. Pra, edhe në t’u lëmë breznive të ardhshme, së pakut atë se kur kemi jetuar dhe si e kemi endur jetën. Konsideroj poashtu të rëndësishme që, breznive që vijnë pas nesh, t’ua lëmë të shkruara at që i kemi konsiderua si relevante/qenjësore për jetën.

Lidhur më këtë, për momentin m’u kujtuna fjalët e atdhetarit shqiptar Hasan Prishtina (1873 – 1933), që është konsiderua Truri i Lëvizjës Kombëtare, e i cili ka thënë:
Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona”.
“Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.”
“Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!”
“Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!
*
Pyetje:
Pas kryerjës së shkollës së mesme, punoni si mësues në shkollën fillore në Sheremetaj, kujtimet e juaja nga kjo kohë e rinisë suaj në punë me brezin e ri, por mësues edhe në mërgim; një paralele mes punës si i ri në vendlindje dhe asaj në mërgim?

Pas kryerjës se shkollës ekonomike (1964) më caktuan mësues në Sheremetaj* (1964/65). *(fshat afër Gjakovës). Më caktuan mësues të klasës së dytë. Shumica prej nxënësve nuk i dinin as shkronjat e alfabetit. Punoja shumë me nx. dhe në fund ia dola që prej 32 nxënësve, 26 nxënës ishin me suskses të shkëlqyer (mbi 80%). Meqë e njihja mirë gjuhën sërbokrate, më caktuan ta zavëndësoja mësuesin e katër klasëve të kombinuara me mësim në gjuhën sërbokroate. Edhe me katër klasët e kombinuar serbe arrita sukses të mirë. Në shkollë, përveç se dhomave të mësimit, nuk kishim as mjete konkretizimi etj. bile shkolla nuk kishim as rrymë. Të vetmin vend publik e kishim mullirin e fshatit. Është interesant rasti kur na erdhën inspektorët e arsimit për hospitim, unë vendosa t’i “qarosi”, në atë mënyrë që shkova të “mullinxhîja e i thashë: ”Baca Imer, kur të vi me inspektorët ti përgatite vagën dhe mate secilin. Kur shkuam, ai i mati në vagë inspektorët thanë: paskëmi harruar kur jemi matë, nuk e kemi dijtë nga sa kg e kemi peshën.

Gjatë kohës sa qëndruam në mullî, njënit prej inspektorëve “iu bâ tullusum/e mërzitshme çakalla e mullinit dhe po ja bân mullinxhîsë: “Pashë zotin ndale q’ato se na i shurrdhoi veshët!?” Unë reagova e ja bâna:” Shok inspektor, m’i ndal mullinxhîa q’at çakallën, guri i mullinit nuk e bluen asnjë kokërr të drithit!” E ai po kthehet kah inspektorët tjerë e po ja u bân: “A q’ajo q’aq e vogël po lujka rol q’aq t’madh me blue a?” Dhe vërtetë kur e largoi çakallën mullinxhîa, nuk binte asnjë kokërr drithi nga koshi, sepse çakalla ishte ajo që më nuk dridhte koshin me ra kokërrat e drithit, por guri i mullinit u sillte në të thatë pa blue. Dhe, ai inspektori tha: “Njerëzve që flasin shumë, ju themi “po blujka si çakalla e mullinit”, e prej sotit mâ nuk kam me ua ndalë fjalën, se ai që folë shumë, “bluen drith shumë!”

Pas 40 vitësh më pranuan mësues edhe në Suedi. O çfarë diference, jo vetëm në kohë e hapsirë, por në kushtet e shkollimit. As që kam paramenduar që në Suedi janë kaq kushtet e mira për shkollim dhe për arsim. Shkolla i siguron nxënsve të gjitha, të gjitha, bile, bile edhe ushqim ju jep në “Restaurantin e shkollës”. Edhe pse tash edhe në Kosovë janë përmirësuar dukshëm kushtet e shkollimit dhe të arsimit, ama në krahasim në Kosovën, Suedia “ka ecë” shumë përpara!
*
Pas “Matures” dhe një viti pune si mësues, vendosa ta lë arsimin e të vazhdoj studidmet. U pranova në fillim në Fakultetin ekonomik në Zagreb, por përshkak të largësisë dhe shpenzimeve të larta, vendosa të kthehëm në Kosovë. Në fakt, baba im, kur ka marrë shkresën nga Universiteti i Zagrebit dhe ka kuptue se unë jamë pranua atje, ka bisedua me vëllain e madh dhe i ka thënë :” …ky djal po don me na hupë, po don me shkue në fakultet në Zagreb, e nuk kthehet kurrë ma!”

Mua nuk ma kanë dhënë përgjigjen se jam pranua në fakultet, me të vetmin qëllim që të më kaloj afati i rregistrimit e të mos shkoi atje, aq largë. Anipse me vonesë, unë iu lajmërova Fakultetit, se përshkak se unë jetoj në fshat, ku posta nuk vjen rregullisht, ju lutëm që të pranoni arsyetimin tim për vonesën, dhe ata më pranuan. Mirëpo, pasi u rregjistrova, duke i llogaritur shpenzimet për studime, e bursë/stipendion nuk kisha mund të siguroj, u tërhoqa nga atje dhe mbërrijta që po në këtë vit studentesk, 1965/66 të rregjistrohem në Fakultetin Juridiko-ekonomik në Prishtinë, që atëherë ishte nën Unversitetin e Beogradit.

Në vitin e parë të studimeve u pranuam 375 studentë, shqiptarë e serbë. Ligjeratat mbaheshin në një sallë dhe profesorët ligjeronin vetëm në gjuhën serbokroate. Edhe ligjëruesit e paktë shqiptarë ligjëratat dhe provimet i mbanin ekskluzivisht në gjuhën serbokroate pa asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Profesor shqiptarë kishim Hajredin Hoxhën dhe Mark Krasniqin, e assistent Nuri Bashotën, të cilët ligjëronin në gjuhën serbokroate, e të cilët me studentët shqitparë as që flisnin shqip. Ndërkaq 6 ligjëruesit tjerë ishin serbë, që vinin nga Beogradi e Nishi. Ashtu ishte atëherë?!

Më kujtohet, njeni nga profesoret na jepte lëndën Gjerografi ekonomike dhe në afatin e qërshorit 1966, i vetmi prej më se 200 stud. shqiptarë, vendosa që të përgjigjëm në gjuhën shqipe, profesori u habit, e ma bëri: dobro/mirë. Në të tria pyetjet u përgjigja shkëlqyeshëm dhe në fund më tha: “Kolega, da si dao odgovor na srpskohrvatskom jeziku, dobio bi çistu 10-tku, a ovako dajem ti devet (lexo: sikur t’ishe përgjigjur në gj. sërbokroate, da ta merrje 10-she të pastër, e kështu po ta jap 9-she).
Eh vakt, o vakt!

Kështu e kemi pasë gjatë katër vitëve të studimeve, shumica e profesorëve ishin të nacionalitetit serbë. Por kjo në një anë edhe na ndihmonte sepse ishim në gjendje të shpalosim edhe literaturë në gjuhë të huaja, se në gjuhën shqipe nuk ishte të mjaftuar.
Prapë po them: eh vakt, o vakt!
*
Pas marrjes së Lejeqëndrimit në Suedi (2006), me preferimin e miqve filloni të merreni me shkrime poezi, fjalë të urta, tregime, mendime filozofike, mendime të zemrës, aforzima, anekdota, pleqni të odave, si e ndien Ismeti vetën në këtë drejtim?

Shkrimet e para i kam filluar qysh si nxënës i shkollës se mesme (1960-64). Atëherë shkruaja kuriozitete dhe m’i botonin në revistën “Zani i Rinisë”. U gëzoja shumë kur më dilte emni në gazetë, u lavdëroja para shokëve e shoqeve. Thuaja se gjatë tërë shkollimit kam shënuar shumë, sepse si në shkollim të mesëm ashtu edhe atë universitar, kishim shumë lëndë e provime ne gj.serbokroate e më duhej të shenoja për të mësuar më mirë. Shkrimet e para në Suedi i kam filluar si bashkëpunëtorë në Radio “Dardania” në Hässleholm, kur Udhëheqësi z. Ali Rexhepi më angazhonte në përgatijen e ndonjë emsioni, të cilin e falënderoj përzëmersisht.

Më pastaj më angazhonin në Radio Juniku në Zvicër, udhëheqësi z. Hysen Kuqi nga Juniku, ku përçdo mbrëmje mbaja nga një temë; në Radiopropjekti 21.dk, z. Adem Gashi në Danimarkë, në Albanuar net. z. Tim Shkupi në Londër, në radion “zëri i arbërit” z. Imri Trena në Oslo – Norvegji, në radio-kosovë etj. e të cilët i përshëndeti përzemërsisht. Përveq këtyre, shkrimet e para filluan të më publikohën në webfaqen albanur. net, Juniku.org, zemrashqiptare.net, Shoqata e shiptarëve “Ilyria” në Suedi- z. Murat Koci, revistadrini, forumi shqiptar etj.të cilët i falënderoj tejet mase. Kështu vazhdova më krijime; poezi, fjalë të urta, tregime, mendime filozofike, aforizma, mendime të zemrës, anekdota, rrot’lla e meselé, pleqëni të odave etj. të cilat në fillim i botoja në këto webfaqe që i theksova e më vonë edhe shumë webfaqe, gazeta e revista, dhe përmes shkrimeve krijova miqësi të reja e të mirëfillëta.
*
Nga e merrni frymëzimin, çfarë është tema apo subjekti në veprat e juaja?
Mendoj se shetitja në natyrë luan rol kyq në frymëzim, zakonisht kur je vetëm. Unë këtë e shfrytëzoj, nga se në Suedi natyra është terheqëse, ka shumë gjelbërim, lule, livadhe të gjelbërta, liqenj, ku njeriu pushon dhe kur pak ndalet e mendon, disi “i vjen diçka në mendje”. Në fillim merrja letër e laps me vete dhe aty për aty i shënoja. Është shumë interesant se pas një pushimi këtu në Suedi, disi edhe truri më pushoi dhe m’u kthjellua, disi ndodhi një “rifresim mendor”, më vinin ndërmend shumë ngjarje të kahershme, këngë të ndryshme që i këndoja si i ri 14-15 vjeqar, e të cilat nuk i kam përsëritë asnjëherë për 45 vite, më vinin ndërmend dhe duke i recituar e kënduar si atëherë, ulësha dhe i qitësha në letrër. Në fillim një apo dy, e pastaj arrijta në numrin mbi 100 këngë të djalërisë, siç ju thojshim na ”kangë të çikave” etj.

Për t’i shënua fjalët e urta që më vinin në mendje, në fillim e mora një faqe letre dhe i thashë vetes: athue a gjëjë fjalë të urta me e mbushë këtë faqe? Dhe, jo vetëm një, por i mbusha me qindra faqe me fjalë të urta që m’e binin ndërmend, po kështu ndodhi edhe me poezi, tregime, mendime filozofike, mendime të zemrës, aforzima, anekdota, rrot’lla e mesele e pleqni të odave. Pasi në fillim nuk kisha kompujeter, të gjitha i shënoja nëpër fletë të shpërndara, e kur e pashë së “po di shumë”, huazoja dhe bleja fletore të mëdha dhe aty i shënoja. Kam mbi 20 fletore me krijime të tilla në dorëshkrim, e prej aty, kur e bleva kompjuterin i shtypa të gjitha me radhë dhe i ruaj me fanatizëm, shumicën i kam bartë në CD.

Kur më thirrnin në ndonjë dasmë e gazmend, më parë, kërkoja nga i zoti i dasmës, të mi jep disa nga emrat e dasmorëve, e unë përgatija një poezi të cilën e thurja duke e ilustruar me emrat e dasmorëve dhe dilja në mikrofon e ua recitoja, e ata befasoheshin me këtë “surprizë”. Kur bëja ndonjë koment nëpër gazeta e webfaqe, e ilustroja me ndonjë fjalë të urtë, aforizëm, mendim të zemrës, apo thënie filozofike, me të cilat “i bëja për veti” publikuesit, dhe në këtë mënyrë krijova shumë miqësi të reja e të mirëfillëta: në Suedi, Norvegji, Danimarkë, Gjermani, Zvicër, Kosovë, Shqipëri, Itali, SHBA, Kanada, Zelandën e Re, Avfanistan, Egjypt etj. Edhe suedezin Ullamr Qvick – mikun e madh të shqiptarëve, e kam befasuar me thenie filozofike, mendime të zemrës dhe kur më shkruante më quante – ”filozofi Ismet”. Disa nga letrat me z. Ullmarin janë të botuara në librin-monografinë e prof Fetah Bahtirit me titull: “Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick” i cili u promovua në Borås më 14 prill 2012.
*
Kur e kam fjalën të libri i prof. Fetah Bahtirit me titull: ”Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick”, konsideroj si të obligueshme të them këtë:
(1). Me albanologun – suedezin Ullmar Qvick kam këmbyer një varg letrash. Pas dy letrave të para, Ullmar dashti të tërhiqej, duke më shkruar se: ”Jam shumë i zënë me punë rreth përkthimeve, nuk jam bash mirë nga shëndeti, kështu që edhe me ata të cilët nuk i njoh mirë, nuk kam mundësi të vazhdoj kembimin e letrave…!”

Më befasoi kjo letër me këto fjalë, mirëpo isha i informuar se ”suedezët” ta thonë haptas atë që kanë ndërmend, bile edhe ke shkue me ndejtë të ndonjë familje suedeze, kur vie koha, që ata e konsiderojnë se u bë mjaft, demek që kemi ndejtë boll, të thonë haptas: ”…tani është koha të shkoni…!”

Të kthehem të letra e prof. Ullmarit: pas atyre fjalëve, kuptova se ky do të tërhiqej, dhe ”ia dredha ndryshe”, ia shkrova një letër përplot falenderime, përplot lavdërime, përplot me fjalë të urta dhe shprehje filozofike, të cilat i kishin lënë përshtypje dhe ”kishte fituar bindjen se unë qenkem i lexuzar, i ditur” dhe më shkroi: ”Ismet, desha të tërhiqëm, por fjalët tua më kthyen…, ju jeni njeri i ditur dhe për mua jeni një filozof…!”

Me rastin e ditëlindjes se 75 të prof. Ullmarit e përgatita një shkrim me titull: ”Gëzuar ditëlindja mik i dashur Ullmar!”, të cilën e publikova në webfaqen ”Zëri i Arbërit” – Oslo, Norvegji, të cilen e udhëheqte dhe e moderonte profesori i mirënjohur Imri Trena – me prejardhje nga Kaçaniku. Prof. Imriu e kishte informuar Ullmarin për shkrimin tim, dhe pikërisht në ditëlindjen e tij të 75-të, më datën 12 qërshor të vitit 2009 ia dërgova edhe në E-posten e tij. Më shkroi se ishte fascionuar me urimin tim…! Dhe më falenderoi shumë.

Të kthehem të libiri i prof. Fetah Bahtirit: ”…këtë urim timin, të kushtuar prof. Yllmar Qvick e patëm marrë dhe publikuar disa gazeta dhe webfaqe dhe të njejtin e merr dhe e boton edhe prof . Fetahu, në faqet 153-157 të librit me titull: ”Miku i madh i shaqiptarëve Ullmar Qvick”,botuar në Prishtinë, 2012 dhe i promovuar në qytetin Borås të Suedisë, më 14 prill 2012, në të cilin promovim, nga prof. Sokol Demaku, ishim të fëtuar unë me bashkëshorten time Mejremen dhe muarrëm pjesë, me ç’rast, si na pa, prof. Fetahu, m’u drejtua me këto fjalë: ”Profesor Ismet, unë kam huazua një shkrim t’juajin për profesorin Ullmar Qvick, konkretisht Urimin që ju ja keni dërgua me rastin e ditëlindjes se 75-të, nga se ky shkrim më la përshtypje të thella, veçanërisht kur është nga një person, i cili kurrë nuk është takuar me prof. Ullmarin dhe ka gjetë fjalë e shprehje që ta nderon kaq shumë, njeriu i cili ka bërë shumë për shqiptarët, i cili, ka ndodhë edhe të qajë për shqiptarët, sa ju kanë dhimbsur.

E falenderova prof. Fetahun, duke i thënë se ”…po më befason për të mirë prof. Fetah; asesi nuk ta marr ”hisën tënde” qe e ke tek prof. Ullmari, e ai m’u përgjigj: ”…mundi është i juaji prof. Ismet,unë vetëm e kam përshkruar, duke qenë i bindur se do të pajtoheni… tek prof Ullmari kemi hise të gjithë shqiptarët, nga se ky njeri ka bërë shumë për popullin tonë…, bile, bile e kemi edhe dhëndërr, sepse gruan e dytë e ka shqiptare nga Peja, me të cilën e kanë një vajzë 11 vjeçare, të cilës ia kanë dhënë emër shqip!”
*
(2) Për profesorin e respektuar Fetah Bahtiri edhe një e vërtetë:
Në librin me titull: ”Dritë, ngrohtësi, optimizëm” – libër dokumentar për shkollën shqipe në Strehimoren Svenshögen, Suedi 1991-1994, të botuar në 100 vjetorin e Pavarësisë se Shqipërisë, në koopërtinën e pasme të këtij libri ka botuar këto vargje për GJUHËN SHQIPE, dhe përzgjedhur vargjet për gjuhën shqipe nga Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Naim Frashëri dhe Ismet Hasani.

GJUHA SHQIPE

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit; …
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

Gjuha jonë sa e mirë
sa e ëmbël, sa e gjerë
sa e lehtë, sa e dlirë,
sa e bukur, sa e vlerë!´
(Naim Frashëri)

Qi këtë gjuhë të Perëndis’
Trashigim, që na la i pari,
Trashigim s’ia len ai fmis’;
Edhe atij iu thaftë, po, goja
Që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’veten e lén mbas dore.
(Gjergj Fishta)
… …
Përmbi za që lëshon bylbili,
Gjuha shqipe m’shum gullon,
Përmbi erë që jep zymbyli,
Pa da zemrën ma ngushllon.
(Don Ndre Mjeda)

Ju shqiptarë në Diasporë
rrini me lapsa e libra n’dorë,
shkruani, shkruani e lexoni,
Gjuhën shqipe mos e harron!

Prandaj merrne si amanet,
Ju shqiptarë që jeni n’Gyrbet!
Mos e harroni gjuhën amtare,
Se ju nemin nënat shqiptare!
(Ismet Hasani)

Nuk dihe!? Ky libër mund t’u shërbejë hulumtuesve të qenies sonë edhe pas 100 viteve të ardhshme! (autori)

( v a z h d o n )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.