18.5 C
Tirana
E hënë, 7 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ENDE LARGË

ENDE LARGË

0
Kalosh Çeliku

NgaKALOSH ÇELIKU

Në disa shkrime të publikuara në mjetet e informacionit kam thënë: Dielli si një saç i skuqur mbi kokë, derisa unë kisha bërë një sy gjumë pas dere, ishte ngritur lartë dy shkopinj mbi malet e “Çelvjojllcës” me lisa kokë më kokë. Ku ta dish, ndoshta edhe sa herë e kishte zgjatur dorën të më zgjojë nga gjumi. Po ç’e do, kur unë shihja ëndërr. I kisha hipur gjokut dhe fluturoja mes reve nëpër qiell. E shaloja kalin, por ende nuk e kisha flug gurin pas shtatë maleve. E, ç’është më me rëndësi, e dija se nuk jam Gjergj Elez Ali, që në trup t’i marrë nëntë plagë, e të dhjetën ta kërkoj nëpër “Qytetin e qyqeve” në Varr. Edhe pse, gji më jepnin për luftë Tri Zana Malore të “Çelvjollcës”. Ja, mu pse isha shtrirë pas dere, nuk kisha mundur të zgjohem nga gjumi.

Imzot! E zvarrisin veten natë e ditë dhe gërhasin në gjumë për Liri mes kontejnerve të bërllokut, mes atyre plehërave nëpër thasë të arnuar vite me radhë te “Pazari i Grave”. Edhe atë: me shtatë palë qe e tërheqin qerren rrugëve me gropa dhe plot baltë. Fatkeqësia: qetë shtyhen njëri me tjetrin në zgjedhë. Nuk e tërheqin qerren para mes rrugës, po anash. Rrezik, që qerres t’i thyhen rrotat dhe të na lënë në mes të maleve. Rrugëdalje, Im Atë:

-Kau Zi, që nuk e tërhiqte pllugun në arë, qerren para, dhe shtyheshte me shokun e tij tërhiqte anash, e nxirrte ta shesë ditën e shtunë në Pazar. Koha është pra, edhe ne këto politikanë, që njëzetepesë vite me radhë më shumë janë marrë me njëri-tjetrin për poste partiake në Qeveri, dhe jo me zgjidhjen e Çështjes shqiptare t’i nxjerrim ditën e dielë në Pazar. Mjaftë më e përçanë popullin shqiptar, e ngritën zërin për Liri, hipën në foltore, poste partiake, karrige të na rrëfejnë grushta në demokraci. Herë pas here në gazetë na shkruajnë edhe “letra dashurie”, se: si e kanë kaluar natën me rrospitë meshkuj qafë për qafe matanë Vardarit.

Na shesin mend nëpër emisione debative televizive: “Një temë një bisedë”. “Vëllazërim-bashkimin” e Ri, që do ta ndërtojnë në Qytetin e qyqeve. Himnet e para partiake, që do t’i shkruaj poeti Honxhobonxho. Kolumnat “profetike” Patrioti i Vonuar, “miku” i “Abazit” dhe armiku i Ali Ahmetit. Librin për të cilin do të çohet aq pluhur nga Kritiku Teknefes, që nuk ka haber nga letërsia. Bibani Qafërjepur se, si fryhet para kamerave televizive me një torbë taxhi në krah dhe “flijimet e tij artistike”, si e ka shpëtuar Atdheun nga Përmbytja e Madhe…

Dhe, kur i sheh kaq të flaktë për Shqipëri Etnike, të vjen të pëlcasish jo nga barku, por nga kurrizi. Komunistët e djeshëm të Partisë Komuniste, “demokratë” të sotshëm me fjalime të zjarrta e shkrime “bombastike” nëpër istikame kulturore e politike I kanë nxjerrë armët përmejdani. Njëri me kravatë kuqezi mbi shkrimin patriotik, i ndezur zjarr e flakë. Tjetri: me shqiponjën e përgjysmuar dykrenare kuqezi mes flamurit me një gotë ujë përpara mbi tavolinë. “Disidenti” i Doktorziut në mjetet e informacionit po si Mic Sokoli duke e rrokur topin për fyti: “Shqiptarët do t’i zhgarravisin fletëvotimet, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, Pres që të ketë incidente të përgjakshme, Analisti i kërkon falje popullit shqiptar, A duhet të bashkohet Kosova dhe Shqipëria (edhe Maqedonia e Mali Zi v. j.)”? Edhe, shesin mend: “ideologji deledashi të partive politike shqiptare, presione shantazhe dhe kërcnime policore”.

Trusakatët, që deri dje u bënin “temena” liderve partiak neokomunist në pushtet. Edhe, ua fërkonin herdhet natë e ditë me dorë për një torbë taxhi përqafe. Ose, një asht në gojë. E, sot: kur këto i përzunë nga Partia si material shpenzues vetëm për një përdorim, dhe i flugën në hedhurinat e kontejnerëve të bërllokut, gurë e dru hudhin mbi këto burra mejdani. Fotografohen me shqiponjën e zezë dykrenare, qafë për qafe me Skënderbeun e dalin në syrret me kësula të bardha. E ti, kur i sheh kaq të mjerë, kaq të varfër në tru, aty për aty të hidhet t’i duash këto liderë partiak. E merr guximin të thuash në këtë rrëfim: po mirë ua bëjnë liderët.

E sidomos ky i fundit, është i pamëshirshëm për sojin e këtyre “patriotëve”, që janë shërbetorë të dëgjueshëm dhe i ndrrojnë partitë politike si kurva brenda një nate burrat. Vetëm edhe “Baba” i parafundit nuk rri duarkryq, i “dogj” gjatë këtyre viteve patriotët e rrejshëm me kësula të bardha. Meritë e vetme kjo e këtij “Babe” politik shqiptar, që i zhveshi burrat e grave para syve të popullit lakuriq e pisa ashtu siç i ka lindur nëna pas dere një natë dimri. Trusakatët e këtij soji të zemëruar me liderët e tyre partiak, të nesërmen turr me shkrime e sharje të themelojnë parti të reja politike. Dumdumët, që pantollonat mezi i mbajnë me duar dhe u bien rrugës.

Përmëkeq, shqiptarët edhe sot e kësaj dite janë të përçarë nëpër parti politike. Një Parti Neokomuniste gjatë njëzetepesë viteve i polli me dhjetra parti të tjera kopilesha “demokratike”. Fatkeqësisht, të njëjtit individë njëzet vjet me radhë bëjnë akrobacione politike, duke shëtitur parti më parti si kurva burrë më burrë. Dorën në zemër, kurvës edhe i ka hije. Po, jo edhe këtyre rrospive meshkuj me pashterka të kuqe, që gjatë natës na i flukin kopilat pas dere. Ose, nga pangopësia për pushtet dhe pasuri, përditë themelojnë parti të reja politike, duke vazhduar ta përçajnë këtë popull edhe nëpër katunde.

Fatkeqësia më e madhe: gjithë këtë e bëjnë në emër të popullit dhe për popullin shqiptar. Populli i shkretë, sot e ka humbur rrugën në oborr. Nuk di pas kujt të eci, cilit t’i besojë, ose t’ia japë votën. Kohë shterpë kjo, kur Gomari Babatasit i pri para këtij populli nëpër fushëbeteja për Liri. Rrugëdalja: pajtohet me fatin, ende t’i prinë këta hajdutë politikë duke e vjedhur me duar e këmbë popullin dhe pasuruar veten, një rreth të ngushtë familjar, miqsor e klanor, grupe interesi partiak nëpër kabinete.

Qesha. Dhe, them me vete: po, në fillim të viteve ’90 -ta, në prag të ndryshimeve demokratike, këta “burra mejdani” ishin bashkë si një trup e kokë në themelimin e PPD -së, në Tetovë. Përjashtim këtu bënte vetëm “Abazi” me shokë. Në atë kohë erdhën gra e burra nga të katër anët e botës nga toka e qielli me aeroplanë special në votime. Kurrë populli shqiptar nuk ka qenë më i bashkuar se atë ditë në atë kohë historike. Edhe Sheshin e Shkupit e mbushën me kësula të bardha e flamuj kombëtar kuqezi. Vetëm, tjetër është ajo se, ky bashkim kombëtar nuk zgjati shumë kohë. Plasi sherri për interesa të ngushta personale, ose hyri Dreqi në mes të “patriotëve” kuqezi.

Nëna Parti çdo katër vjet, gjatë zgjedhjeve të reja pillte kopilesha pas porte. E përçanë popullin shqiptar, mos Zot më keq! Njëzetepesë vite me radhë të njëtit “patriotë” kuqezi i ngatrrohen popullit shqiptar nëpër këmbë. I hipin për çdo katër vjet mbi shpinë si gomarit të Nastradinit nëpër beteja: herë i hipë Nastradini e herë Nastradinica. E kanë rrëzuar me të katër këmbët në batak. E, ky popull edhe sot e kësaj dite, nuk e hedhë samarin, barrën nga shpina. Bythekrye t’i hudhë trusakatët në berllokun e “Bit-Pazarit” në mes të Shkupit.

E për sa u përket liderve të rinj partiak që gjatë këtyre ndryshimeve demokratike mezi i pollën me shterëzime partitë politike shqiptare në pushtet dhe opozitë: nuk dua të flas e shkruaj mes këtyre rreshtave, kanë qenë vite me radhë shërbetorë të tyre “besnik” për një torbë taxhi nëpër institucionet e shtetit të “përbashkët”. Edhe pse, më shtini ta them haptas: ato “patriotë” kuqezi të cilët i ka djeg “Baba Dovleti” i Turqisë, kurrën e kurrës nuk mund të bëhen liderë të sukseshëm politik shqiptar. Realiteti: me këtë dua të them, edhe këtu në këtë rrëfim: “Babës”, duhet t’i takojnë meritat si politikan shqiptar në pastrimin e haleve të partive politike shqiptare, e jo në avansimin dhe zgjidhjen e Çështjes shqiptare. Nuk do t’i përmendi emrat në këtë rrëfim, i di populli shqiptar. Fatkeqësisht, ndonjëri nga pakujdesia ka shkuar edhe si qeni në rrush.

Njëzetepesë vite na kanë hipur e zbritur nga shpina si gomarit të Nastradin Hoxhës. Herë Nstradini, e herë Nastradinica. Njëzetepesë vite na i kanë shitur lirë të gjitha të drejtat kombëtare. Njëzetepesë vite na i mohojnë të gjitha librat. Njëzetepesë vite ende na i helmojnë fëmijët nëpër shkolla me tekste shkollore e planprograme sakate. Njëzetepesë vite me radh na e shtinë në dhomën e librave Zonjën Vdekje si Nuse. Njëzetepesë vite na i shtinë “Gjarpërinjtë e gjakut” të Adem Demacit?!

O Imzot, njëzetepesë viteve na kanë ndjekur maleve, vetëm e vetëm t’ju bindemi urdhërave të tyre, të udhëtonim nëpër gjiriz mes hithërave. Haleve, pas Shëtpive. Kujt i hynte në kokë, ose së paku të na dëgjonin se, ne: i kishim frikë krimbat të na ecin nëpër trup. Damarë. Aqmëpak, atyre me rëndësi ishte t’u ndizet qiriri mbi oxhak mes mjegullave pa Diell mbi Male. Tymi t’ju shkojë drejtë qiellit mbi çati. E për ne, kush e çante kokën se, një ditë do të na e burgosnin edhe Lirinë brenda katër mureve. Fajin e patën vetë, do të thoshin nëpër emisione debative, ne u dolëm borxhit. Dhe, vërtet duhet pranuar nëse ka Zot se, na “dolën” borxhit…

Dritat u shuan në tribinë. Në sallë shpërtheu një duartrokitje frenetike. Nëpër errësirë dëgjova edhe një zë femre. O Imzot, ama ia kishte marrë një kënge partizane! E përdridhte zërin, më thirrte me emër nëpër errësirë… Grupi i burrave me iso në skenë çift kokë më kokë. Ringjallja e gjarpërinjëve. Ne, gjatë këtyre njëzetepesë viteve kemi gabuar në politikë “madhore”, por nëse tani na e jepni votën – shpërblimin e popullit, kurrë më nuk do ta gabojmë rrugën politike. Tjetri, duke mbajtur ison: Kryetarin e Parlamentit, nëse fiton Partia jonë demokratike do ta kemi ministrin shqiptar! I treti me një parullë partizane të Partisë Komuniste: Liri ose vdekje…

Punemadhe. Them unë në këtë rrëfim artistik – parashikues për Ditën e Nesërme. Shqiptar e kemi pasur një kohë në komunizëm edhe kryetarin e Shtetit të Jugosllavisë (Sinan Hasani). Edhe atë, shkrimtar. Autorin e romanit të parë në gjuhën shqipe: “Rrushi ka nisë me u pjekë“, në Kosovë (1957). Poashtu, në Kosovë e Maqedoni, gjatë sistemit komunist si shqiptarë kemi pasur poste të larta në nivele shtetërore. Edhe dy shtete shqiptarë i kemi sot në demokraci: Shqipërinë dhe Kosovën. I treti e pret radhën pas porte.

Që, nëpër dyluftime heroike për poste politike duam t’i ndajmë me litar jug-veri, siç e ndante gjatë një fushate parazgjedhore Xhaxhi Kuqezi Kërçovën. Edhe gjatë ndryshimeve “demokratike”, poste kemi pasur e kemi për burrat e mejdanit, po nuk kemi pasur e kemi një Shtet Shqiptar: Shqipëri Etnike. Ekonomi të zhvilluar shqiptare. Barabarësi të plotë kombëtare me “vëllezërit” e Njerkës në këtë shtet të “përbashkët demokratik”. Shkaku, se: ende shqiptarëve nëpër damarë u qarkullon gjaku komunist i vëllavrasjes. Vështirë e kanë në kohën e sotshme të gdhihen qafë për qafe si demokratë, këta burra mejdani me brekët mbi pantollona.

E thashë këtë mendim dhe u ula këmbëkryq mbi një varr. Vetëm se tani kukullat filluan të sillen në rreth, t’i rrahin duart herë pas here shuplakë. Kjo do të thoshte se, u pëlqente muzika e rokënrolit në këtë festival ballkanik. Ja, edhe pse e këpusnin mjedisin, i rrotullonin sytë, përdridheshin para kamerave televizive. I venin në përdorim të gjitha shkathtësitë, që para kukullave të ishin sa më bindës, sa më të zjarrtë. Vetëm pak veta i besonin lojës së tyre, kishin frikë mos thyejnë ndonjë këmbë… Kokën… Nuk i kuptonin përdridhjet e tyre, nuk e dinin ku i shpienin këta flamurtarë, në Liri ose Robëri. Një kukulle edhe i ra të fikët kur Vajza e Dr. Madhit një lojtari iu hodh në qafë. E mori për dore pas mullarit me bar dhe e rrëzoi nën qiellin e hapur me yje.

Edhe, them: Nënën Parti, nuk mund ta rrëzojë nga pushteti ky kapacitet politik, që e kanë shqiptarët. Shembull: Deklaratat e liderve, se: vijnë në skenën politike për ta rrëzuar nga pushteti Nënën Parti. “Baba” Parti në këto zgjedhje të parakohshme do të fitojmë mbi njëzetë deputetë. Ose: paszgjedhjet e parakohëshme parlamentere, ku “Baba” tjetër: sinqerisht e uron Nënën Parti për “fitoren”. Njëkohësisht, duke i porositur kopilat e “Babës” Parti, që humbën në këto zgjedhje, t’i thonë lamtumirë politikës. Poashtu, edhe se: do të jetë në të ardhmen një opozitë e fuqishme. Porosi kjo për Nënën Parti, që nëse nuk bënë reforma brenda partiake, pastroj radhët e veta nga bërlloku i mbledhur me vite para dere të Shtëpisë, as le të mos marrë guximin t’i masi forcat në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare ballë për ballë me popullin shqiptar.

Enesërmja, nuk është Larg…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.