35.1 C
Tirana
E enjte, 3 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE DHE RIKTHIMI TEK RRËNJËT

SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE DHE RIKTHIMI TEK RRËNJËT

0
Salih Krasniqi - Njerëzit takohen një ditë

Ajete ZOGAJ

“Eh… Kosovë… Kosovë…, edhe gjumin edhe vdekjen për njerëzit e tu i ke më të ëmbla”

Hyrje

Në rrjedhën e historisë, shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës për në Turqi, ruhet me dhimbje për njerëzit tanë që jetuan me kujtimin për vendin e të parëve dhe me dëshirën e flaktë që të kthehen një ditë në atdheun e tyre.

Kjo pjesë e dhimbshme e historisë, veçmas ajo ndërmjet dy luftërave botërore, u shoqërua me reforma agrare, shpronësime e kolonizime, me aksionin armëve, me presion e tortura çnjerëzore, duke cenuar drejtpërdrejtë, jetën dhe ekzistencën  e familjeve të shumta shqiptare, veçmas të atyre me taban kombëtar. Në këtë kontest shpërnguljet e shqiptarëve, nuk janë thjeshtë histori të vatrave të braktisura, shtëpive të mbyllura e oxhaqeve të fikura. Ata u larguan nga Kosova, por Kosova nuk u largua asnjëherë nga mendja dhe zemra e tyre!

Rikthimi në vendlindje

Shumë libra lexohen me një frymë dhe të bëjnë për vete, por ka  libra  që, pasi lexohen, vazhdojnë të jetojnë brenda nesh. Romani“Njerëzit takohen një ditë” i Salih Haxhi Krasniqit, edhe pas leximit, vazhdon të jetojë me lexuesin, vazhdon të jetojë me kohën dhe sikur është shkruar për të jetuar ndër breza. Autori nuk e ndërton rrëfimin vetëm mbi atë që ka ndodhur, por mbi atë që mbetet te njeriu pasi gjithçka ka ndodhur: kujtimi, malli, heshtja, humbja dhe nevoja për ta kuptuar të kaluarën e për t’u kthyer tek  rrënjët tona të lashta dardane!

Tek lexon këtë roman të mrekullueshëm, kthehesh te mendimet e filozofit Seneka, se  “Njeriu i mençur e përdor të kaluarën si një burim urtësie”[1], urtësi, dije e maturi prej intelektuali, të cilat e karakterizuan autorin e këtij romani, Salih H. Krasniqin,  gjatë gjithë jetës së tij, si pedagog e intelektual, të mishëruara thellë në krijimtarinë e tij letrare.

“Të gjithë të larguarve me dhunë nga trojet arbërore” është moto mjaft domethënëse e romanit, që dëshmon dimensionin largpamës të autorit për të shtrirë temën e romanit në një hapësirë më të madhe gjeografike, për të pasqyruar shpërnguljet e shqiptarëve nga të gjitha trojet arbërore.

Në këtë kuptim, romani bëhet edhe më përmbajtjesor, ndërkaq  shpërngulja shfaqet si  një shkëputje e dhimbshme në vazhdimësinë e jetës, një ndarje nga atdheu, nga vendi  ku ke lindur dhe je rritur. Është dyzimi mes atyre që shpërngulen dhe atyre që mbesin. Janë skenat e përshkruara mrekullisht, dialogjet mes personazheve, peizazhet e natyrës, ritet e këngët popullore, kulla dhe tradita, që e mishërojnë lexuesin duke e dërguar në një periudhë të largët në një fshat qëndrestar  Rrezana, njëri ndër viset e bukura të  besës e traditës, të urtësisë e qëndresës, ashtu siç ishin të gjitha viset tona arbërore.

Tek lexon me kujdes këtë roman, të duket sikur ngjarjet i përjeton, të duket se  dhe sheh një film te realizuar me skenar të mrekullueshëm! Por, jo, lexuesi lexon një roman, dhe sapo e përfundon, rifillon ta lexoj sërish! Kjo dukuri ndodh vetëm atëherë kur një vepër arti është e realizuar dhe të rrëmben në botën  e saj! I tillë është romani “Njerëzit takohen një ditë” i Salih H.  Krasniqit!

“Në fund të fshatit, atje në mes të shelgjeve dhe shkurreve, ndodhej mulliri i lagjes së Gjinajve, që nga vjetërsia gati i tëri ishte futur në dhe, bile në anën e sipërme andej nga butia, fëmijët pa ndonjë vështirësi e me një hope, mund të hipnin mbi të”[2] është vetëm njëra nga përshkrimet e bukura të romanit, por edhe vendi ku fillon zezona për kryepersonazhin e këtij romani Sefer Gjinin dhe familjen e tij!. Kullës së Bardhë të Gjin Gjinollit! Përmes kullës si element i traditës dhe identitetit tonë, pastaj, emri i trashëgimtarit të kullës,  Gjin, si dhe  emrat e fëmijëve: Bala, Mema, Shpendi, Teutë, Rreze, Blertë, Ilir, Dardan, Bardhyl, etj, jo vetëm që dëshmojnë lashtësinë tonë iliro- dardane, por edhe vazhdimësinë  e saj, pavarësisht se disa emra kanë prejardhje turke e anadollake, nipat e mbesat e këtyre pasardhësve ( me emra anadollak) kanë emra të lashtë iliro- dardan, sepse vatrat arbërore burimin e kanë të gjeneza iliro-dardane…

Pas asaj nate të punës në Mulli, Seferit iu shtua zullumi nga organet e pushtetit. Derisa më herët e rrahën në mënyrë çnjerëzore duke i kërkuar armë, tani kërkonin ta bënin bashkëpunëtor! Kjo e goditi rënd, por nuk ia ndërroi karakterin. La vatan  e varret e të parëve, por nuk pranoi tradhtinë!

“- Ëhë … po, po! – shfrynte Seferi – rrënjë të thella kemi në ato troje të  të parëve tanë, por qafirat kurrë s’na lanë që të bëhemi rehat! Ëhë…po, po…shumë u mashtruam pas të huajve dhe qe… tani po bëhemi të huaj në trojet tona e shpëtimin  po  e kërkojmë në dhena të të tjerëve…..”[3]

Autori synon që në mënyrë artistike ta trajtojë plagën e hidhur të të shpërngulurve,  jo vetëm si proces historik, e cila në vete sintetizon frikën, dhunën, presionin, mallëngjimin, humbjen dhe shpresën. Ajo që e bën këtë temë veçanërisht të rëndësishme është fakti se shqiptarët nuk kanë humbur vetëm territore apo prona. Në shumë raste, ata janë përballur me përpjekjen për t’u shkëputur nga rrënjët e tyre. Megjithatë, gjuha, kujtesa dhe tradita kanë dëshmuar se identiteti nuk zhduket lehtë. Ai mund të bartet nga një vend në tjetrin, nga një brez te tjetri, edhe atëherë kur vendlindja mbetet larg.

Prandaj, të flasësh për shpërnguljen e shqiptarëve do të thotë të flasësh njëkohësisht për dhimbjen dhe qëndresën. Është historia e atyre që u larguan, por edhe e atyre që ruajtën brenda vetes një lidhje të pashkëputshme me vendin prej nga erdhën.

Ndoshta shpërngulja përfundon vetëm atëherë kur njeriu pushon së kujtuari. Për sa kohë një emër, një këngë, një rrëfim familjar apo një kujtim vazhdon të përcillet, vendi i lënë pas nuk është krejtësisht i humbur. Ai jeton në kujtesë.

Dhe pikërisht këtu qëndron forca e kësaj historie: shqiptarët mund të jenë shpërngulur nga vendet e tyre, por kujtesa e tyre nuk u shpërngul kurrë nga rrënjët prej nga erdhën.

Dy shtylla të rëndësishme të identitetit tonë

Duke lexuar me kujdes romanin e Salih H. Krasniqit, ndërthuren bukur dy shtylla të rëndësishme të ruajtjes së identitetit tonë: Figura e mësuesit dhe figura e femrës shqiptare.

Janë një galeri e tërë personazhesh të cilat mishërohen me lexuesin duke personifikuar karaktere qëndrestare përballë rrebesheve të kohës.

Portretizimin e mësuesit Islam dhe atdhetarizmin e tij, e  ka skalitur bukur penda e autorit: “-Eh, të mjerët ne të mjerët! – kishte shfryrë një profesor plak, – çështjen tonë, pak nga pak duke ia ulur fitilin, duan ta shuajnë fare!!…”Brumi është gatuar, o njerëz, por ende s’ka ardhur, se pasha bukën e këtyre trojeve, kur të vjen s’ka për ta zënë plangu i magjes së Kosovës e hajrin do t’ia shohin edhe trojet tona tjera për rreth! – kishte thënë dikush, por nuk e tregonte askush”[4]

Atdhetarizmi i mësuesit Islam shquhet edhe në mbledhjet me prindërit në shkollë, duke : “Të nderuar prindër, ne mësuesit jemi në shërbim të fëmijëve tuaj dhe të juajt jemi…të mirë e të këqinj, këta që jemi! […] Në mungesë  të mjeteve mësimore me fjalët e  gojës dhe me zërin e zemrës, nxënësve u flisnim për gjuhën e ëmbël shqipe, për bukuritë e pashoqe të Kosovës dardane, për malet, fushat, lumenjtë,ujëvarat, pasuritë nëntokësore e të tjera dhe të gjitha këto i bënim me qëllim që ata kur të rriten ta duan Kosovën, që deri më sot u mbrojt me djersë e me gjak, por mjerisht pas kaq vitesh po shohim se si njerëzit po i lënë vatrat e tyre dhe po ikin në dhera tjera.”[5]

Ndërkaq në fjalët e arsimtarit të historisë Hamdi Shtylla, spikatet shpirti atdhetar i këtij arsimtari si dhe dashuria që ai ngjallte për atdheun dhe tokën arbërore tek nxënësit dhe bashkëbiseduesit e tij: “Historia na mëson që ne shqiptarët jemi populli më i lashtë  i Ballkanit e njëri ndër popujt më të  vjetër në Evropë. Dihet mirë që me kalimin e romakëve këtej Adriatikut që atëherë filloi tragjedia shumëshekullore për popullin tonë e pastaj mbi ne u sulën sllavët, turqit, grekët, bullgarët, austriakët, italianët, gjermanët e kush jo. Me shekuj përjetuam luftëra, vrasje, tortura e burgosje.

Të gjithë okupatorët vepruan me një qëllim, që ne të cilët dikur ishim zotër në Ballkan, dalëngadalë të na fshijnë nga këto troje, por të parët tanë këtu qëndruan. Prandaj edhe sot është detyrë e jona që pa marrë parasysh rrethanat  kurrsesi të mos largohemi nga trojet tona, se këto ditë na mbytën refrenet: lamtumirë, motër! Lamtumirë vëlla! Lamtumirë nënë e baba! Na mbytën… këto refrene  të dhimbshme plot me vaje, kuje e lot. Prandaj , o vëllezër, mos u luhatni, këtu  qëndroni se pasha këtë tokë edhe në skaj të botës po të veni, si trojet e të parëve tanë kund nuk do të gjeni!”[6]

Atdhetarizimi i Man Syarinës në një ndjeje burrash në odën e Ukë Topit, derisa këshillon në ruajtjen e kulturës është frymëzuese: ”Këta përbuzës edhe gjuhën na çoroditën; kanë filluar edhe gozhdës t’i thonë ekser, kazmës – kramp, lutjes mollb, popullit – narod e kush hoshxholldën e kush hoshbolldën…! Vrai o i Madhi Zot… vrai se të këtillët po na i mbajnë vranësitë e zeza mbi kokat tona![7].

Se rrënjët e patriotizmit i nguliten te nxënësit e tyre që moti, e dëshmon kënga e Halimit me rastin e ngritjes së flamurit te Kodra e Kuqe, këngë të cilën ia kishte mësuar mësuesi shtatëdhjetë e pesë vjeçar, Kolë Zadrimja, i cili ishte mësuesi i parë i mësimit në gjuhën shqipe në Carrallukë të Malishevës, në vjeshtë të vitit 1941.

Ligjëruesi nga Prishtina, Xha Sahiti, është një tjetër personazh atdhetar i cili me psikologjinë dhe intelektin e tij, kishte depërtuar thellë në ndërgjegjen e të pranishmëve.  Dialogjet e  vëna në gojën e protagonistit, tregojnë se jemi një trung e një rrënjë, dhe kjo thuhej në rrethana kur kombi ynë, rrezikohej të zhbëhej! Këtë e thotë guximshëm përmes personazheve të tij, autori i librit, Salih H. Krasniqi!.

Po dëgjoj që po flitet se atje në Shqipëri popullit i është thënë që të mos e përcjellin Radio Prishtinën. Një ditë dëgjova Radio Tiranën, ajo këndonte… moj e mirë e moj e bardhë! Dhe kur dëgjova Radio Prishtinën, edhe këtej këndonte…moj e mirë e moj e bardhë!- dhe tash me vete sikur të isha atje në Shqipëri, nuk do ta lija kurrë pa e dëgjuar Radio Prishtinën![8].

Skena mjaft domethënëse, janë edhe skenat e fillimit të shkollimit të vajzave në viset rurale:  Nga shkolla fillore e Lugajës, Lajë Miftar Dauti ( e fejuara e Memës të cilin do ta priste për vite derisa u kthye nga Turqia, pra, Laja simbolizon besën e dhënë si virtyt e krenari e shqiptarëve), pastaj nga shkolla fillore e Pemës, Hirushe Abdi Zogaj, etj.

Zyla, një personazh mjaft i realizuar i këtij romani, është gruaja e Sefer Gjinit, e cila mbi supe mban një histori dhimbjeje dhe krenarie, një fat tragjik që e përcolli nga nëna, i cili në rrëfimin e saj të ngjallë emocione dhe të bën të mendosh se vërtet njeriu qenka më i fortë se guri, dhe se familjet atdhetare pushtuesi gjakatar i përndiqte gjeneratë pas gjenerate. “Nanën time, të vogël, duke ikur nga hasmi, prej Nishi e kanë sjellë në Kosovë e unë tash, çika e saj, në pleqëri po humbi e po treti me fije!!”[9]

Skena të shumta emocionuese ravijëzohen në faqet e këtij romani, por gjithnjë duke bartur mbi supe dhimbjen, por edhe shpresën se do të vijnë ditë të bardha për Ne!

Lutja e mësuese Shpresës tek po përshëndetej me Shpendin (nipin e Seferit) që po shpërngulej për në tokat e Anadollit, dëshmon forcën sublime që trasonte inteligjenca shqiptare në rrethana të rrezikshme për kombin tonë. Ishin sy patrembura mësueset shqiptare, femrat tona heroina. “O Perëndi, ruaje këtë bimë shqiptare, dhe herët a vonë na e kthe në mesin tonë!”[10]

Edhe mësuesi Fehmi Gjekaj, është personifikim i mësuesit atdhetar që plotëson galerinë e personazheve me të cilët mishërohen me lexuesin. Ishte guximi dhe roli i tij i jashtëzakonshëm që ndikojë në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve drejtë Turqisë, dhe kundërvënia e drejtpërdrejtë ndaj  ndërmjetësit të këtij fatkobi, Deli Efendiut. Dialogu i tij i guximshëm me oficerët dhe njerëzit e pushtetit, për ta thënë të vërtetën pa iu dridhur zëri e pa i lëviz qerpiku, ishte uragan mbi djallëzitë  dhe rreze ndriçuese tek masat e gjëra popullore.

“Unë, askë nuk e kam kërcënuar e as nuk e kam sulmuar, as nuk e kam pështyrë, këto janë shpifje! Unë e kam kundërshtuar propagandën e njëfarë Deli Efendiut për shpërnguljen e njerëzve tanë në Turqi![…] –Po nuk është gabim t’u thuash njerëzve ta duan vendin e vet! – tha Fehmiu.”[11]

Në rrjedhën e romanit, autori pasqyron torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj mësuesit Fehmi, madje sollën edhe punëtorë të sigurimit nga Rusia për të provuar mbi të, metodat e tyre për zbulim. Ata i tmerruan edhe librat dhe materialet që gjetën në shtëpinë e tij, si librin “Kosova djep i shqiptarizmit” nga Hamit Kokalari si dhe flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore.

Deli Efendiu dhe roli i tij nxitës i shpërnguljes së shqiptarëve drejtë Turqisë

Deli Efendiu është stereotipi i një njeriu gjakprishur që i kishte dhënë vetës një mision të ndyrë, një vulë turpi që do ta përcillte deri në varr. Ai është përfaqësues i politikës së shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre. Nëpërmjet veprimeve dhe dialogut të tij me Seferin, autori nxjerr në pah qëndrimin armiqësor ndaj identitetit shqiptar dhe përpjekjen për ta shkëputur shqiptarin nga vendi i vet. Një nga tiparet kryesore të Deli Efendiut është dinakëria dhe aftësia për të manipuluar. Ai nuk e shpreh menjëherë qëllimin e tij, por përdor një sjellje të qetë e miqësore për t’iu afruar Seferit.

Madje pasi  e provokon dhe e ofendon, ai përpiqet ta zbus situatën duke i ofruar cigare. Kjo sjellje tregon kontrastin midis pamjes së jashtme miqësore dhe qëllimit të vërtetë të personazhit. Veçanërisht, është domethënës mënyra se si pas shpërnguljes së Seferit në Turqi ai i ndërron edhe mbiemrin nga Sefer Gjini në Sefer Jagitbashi. Kështu vepron edhe me emrat e nipit dhe mbesës së tij, Shpendit i zëvendëson emrin me Shemsidin kurse Teutës me Taibe!

Deli Efendiu e thërret Seferin me një mbiemër turk dhe këmbëngul në përdorimin e tij, sikurse edhe për nipin dhe mbesën. Kjo nuk është thjeshtë një mënyrë adresimi, por lidhet me përpjekjen për tjetërsimin e identitetit. Vetë Seferi reagoj ndaj kësaj sjellje, çka e bën  konfliktin mes tyre jo vetëm verbal por edhe kombëtar dhe identitar. Njëkohësisht, kjo sjellje i jep të kuptoj Seferit karakterin e një shpirtshituri, të Deli Efendiut.

Deli Efendiu është përçmues ndaj shqiptarëve dhe lidhjeve të tyre me vendlindjen e me atdheun. Duke e shfrytëzuar gjendjen e Seferit i cili përballej me tortura dhe presin nga pushteti ( e që bëhej më qëllim që ai të shpërngulej, sepse ishte familje atdhetare), ai e vendos përballë idesë së shpërnguljes dhe e paraqet Turqinë si një mundësi tjetër jetese. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me atë që realisht ndodhë me familjet shqiptare: njerëzit përballen me pasiguri, frikë dhe shpërngulje, ndërsa Deli Efendiu është njëri prej figurave që e nxitë këtë proces. Deli Efendiu nuk duhet parë vetëm si një individ me karakter të keq, por edhe si një njeri me dyftyrësi, që ka humbur shpirtin e dinjitetin e tij për pasuri.

Këtë më së miri e dëshmon dialogu që zhvillohet në shkretëtirat e Anadollit mes tij dhe një kosovari: “ – O ti që s’po të njoh, thua pasurohet shpejt, por pasuria është si leshi në fytyrë, rritet e rritet, por rruhet e shkon në bërllog; puna është të ruhet ftyra, nderi e vatani!”[12]

Romani “Njerëzit takohen një ditë” rrëfen artistikisht kujtesën e popullit tonë, kujtesën e hidhur të shpërnguljes: zërin e nënës, heshtjen e babait, fytyrën e një fëmije që  nuk e kupton pse po largohej, apo një grusht dheu të marrë fshehurazi nga vendlindja. Prandaj në romanin “Njerëzit takohen një ditë” nuk takohen vetëm njerëzit, por takohen kohët dhe kujtimet, vendet prej nga kanë ardhur dhe rrugët e peripecitë që kanë kaluar.

Kujtimet përtej rrëfimit

Romani synon që një proces historik ta kthejë në përvojë njerëzore. Kujtimet, dialogjet, malli kalojnë përtej rrëfimit mbi shpërnguljen për Turqi. Ato e vendosin romanin në një rrafsh tjetër artistik, aty ku historia takohet me kujtesën dhe kur kujtesa kthehet në mjet artistik e identitar. Në këtë rrafsh, libri mund të lexohet edhe si një përpjekje për t’i dhënë zë asaj pjese të historisë që shpesh mbetet jashtë dokumentimit, historisë dhe ndjenjave. Dokumenti regjistron largimin, rrëfimi na tregon katrahurat e largimit. Historia shënon data, por kujtesa na kthen te njeriu që ajo datë largimi ia ndryshoi jetën!

Në rrjedhën e kujtimeve dhe rrëfimeve që kryepersonazhi  Sefer Gjini, ua tregon familjarëve në dhomat e mykura ku banonte në Stamboll, është rrëfimi për Zenel Arnautin. Autori përmes rrëfimit të Seferit, rrëfen historinë e Zenel Sadikut, i cili ishte nga Tryeza (vendlindja e autorit) pjesëmarrës i luftës së Plevnës i cili në shtëpi kishte lënë gruan me dy  djemtë e tij Ukën dhe Dylin. Rrëfimi bëhet edhe më interesant, kur Zeneli humb kontaktin me familjen, letrat nuk  i shkojnë në shtëpi dhe pastaj vendos të martohej në dheun e huaj!

Madje, pas shumë përpjekjesh për ti rënë në gjurmë, në vendlindjen e tij në Tryezë, famëlartët ia hapin të pamen!

Rrëfimi i treguar nga personazhi, Seferi, sa vjen e bëhet më dramatik, por që ne vete ngërthen simbolikën se gjurmët tona nuk humbin kurrë…Pas 20 vjetësh, Rexhep Zymeri shkon ushtar i mbretit dhe po ashtu e qet puna të shërbej në Jemen, në qytetin ku banonte Zenel Sadiku…Dhe, çuditërisht, ngjarja i ngjason asaj këngës së Poçarit…. duket si motërnizim i saj, apo edhe mund të ketë lindur nga kjo ngjarje!!! Takimi i parë i Rexhepit me Zenelin tek një currje uli është një skenë tejet interesante dhe mjaft e realizuar. Rexhepi, pasi mërzitet duke pritur në rend, lëshon një sharje në gjuhën shqipe. Këtë sharje e kishte kuptuar vetën një burrë shtatshkurtër e me kapuq të kuq në kokë i cili i ishte afruar Rexhepit dhe e kishte pyetur se prej nga vjen.  Përgjigjja e Rexhepit se vinte nga Vilajeti i Kosovës dhe nga Tryeza, i ringjallin kujtimet Zenelit, i cili fillon ta pyes për vende , Lugun e Odës e Durdinë e Shapatit (dardhë dudie e cila edhe sot përmendet në Tërpezë – Tryezën, vendlindjen e autorit).

Pas këtij dialogu Zeneli ecën me nxitim, kurse Rexhepi mbetet i hutuar, por kureshtar të dijë se kush ishte “arabi” që i dinte emrat e vendlindjes së tij.

Autori Salih H. Krasniqi, në mënyrë tejet artistike gjen mënyrën e ri-takimit të Rexhep Zyberit  me Zenelin. Ajo ishte letra të cilën Rexhepi dëshironte ta dërgonte në vendlindje por që vet nuk dinte të shkruaj! Rrëfimi rrjedhë çiltër, ashtu siç diti ‘latonte’ bukur pena brilante e autorit. Rexhepi udhëzohet nga një oficer që të shkoj tek një dyqanxhi i cili dinte arnautishten sepse ishte arnaut.

Takimi në dyqan i ngjan një skene filmi, ishte takim vëllazëror. Rexhepi i tregon fill e për pe për vendlindjen  e tij, për djemtë që i ishin rritur, dhe në fund  i tregon se ishte Zenel Sadiku nga Tryeza e që e thërrisnin Zenel Arnauti.

Në rrëfimin e Seferit, personazhit kryesor të këtij romani, mësojmë se Tryeza, (Tërpeza e autorit), kishte njerëz të zotë, trima e të besës. Zeneli iu shkruan letrën Rexhepit por edhe e porositë që kurrë të mos i njoftonte ata në Tryezë që Zenel Sadik Byci ishte i gjallë, ngase i vinte keq prej gruas dhe fëmijëve. Rexhepi e mbanë këtë rrëfim brenda vetës, edhe pasi kthehet në Tryezë, dhe e tregon vetëm pak para se të vdiste, ngase e dinte se tashmë edhe Sadiku nuk ishte i gjallë. Nuk deshi ta mbyllë në  dhe një të vërtetë.

Personazhe mjaft të realizuar me tipare atdhetare e me karaktere të forta janë edhe Ukë Topi, Demë Jatagani, Selman Kodra, Rrahman Grishaku, Bala  e Mema (djemtë e Seferit) Zyla (gruaja e Seferit), Fata (Gruaja e Balës), e shumë e shumë  personazhe të tjerë.

Se autori në romanin e tij nuk është ndalur vetëm në shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, e mësojmë në bisedat vëllazërore të Memes me Stavrin, i cili ishte shpërngulur në Turqi shumë vite më parë, ishte çam, ishte gjak shqiptari. Mema e dëgjonte më vëmendje tek fliste parganjoti dhe nga ai mësoi shumë gjëra që nuk i kishte ditur më parë. Mësoi shumë fjalë e shprehje të bukura, e ndër to mësoi edhe shprehjen përshëndetëse “orëmirë” që do të thoshte – rrugë e mbarë. Në rrëfimet e  Seferit në Anadoll, të cilat me zemër të thyer ua tregonte nipit dhe mbesës, mësojmë edhe për Gjallnik Rrezanën, një trim si dragua…

Përsëritjet e shprehjeve : “-Ëhë…po, po! Rrënjë të thella kemi në këto troje të të parëve tanë….”[13], dëshmojnë lidhjen e vazhdueshme më atdheun, dëshmojnë se , “Njerëzit takohen një ditë”, ata kurrë nuk do t’i lënë shkret tokat e tyre, e jeta do të vazhdojë dhe oxhaqet do të tymojnë!

Letrat nga Kosova

Një formë komunikimi dhe lidhje e përhershme me të shpërngulurit nga Kosova për në Turqi, ishin edhe letrat që ju vinin nga Kosova. Ato ngjallnin emocione të papërshkruara atdhedashurie….Ishin një copë Kosove që i thërriste të ktheheshin aty ku bukës i  thuhet bukë e ujit ujë, aty ku flitet e këndohet shqip.

Letra e Bardhec Balës nga Rrezana dërguar familjes së Sefer Gjinit, ku u shkruante se nuk i kishin harruar dhe i mbanin në zemër përgjithmonë. Është mjaft emocionuese edhe letra e Balës dërguar Bardhecit, tek e porosiste të shëtiste arave e livadhe për ta, t’i bie fyellit e t’i vizitojë krojet.. çka dëshmon lidhjen emocionale me atdheun.

Kthimi tek rrënjët

Shpërngulja e largon njeriun nga vendi, por jo domosdoshmërisht nga identiteti. Gjuha që flitet në familje, emrat e vendeve, zakonet, rrëfimet e të parëve dhe kujtimet e fëmijërisë bëhen atdheu i ruajtur në zemër.

Brenda historisë së shpërnguljes, qëndron edhe historia e qëndresës. Ata që u larguan nuk morën me vete vetëm pak pasuri dhe kujtime; morën gjuhën, emrin, zakonet, të qenit shqiptar dhe dëshirën e zotimin e heshtur në vetvete se një ditë do të kthehen tek rrënjët – atdheu. Këtë zotim, e jetësoi djali i Seferit, Mema, i cili më 29 shtator 1968, u nis për Kosovë, u nis për Rrezanë… Gjatë rrugës i silleshin mijëra gjëra në kokë, mezi priste të shihte vendin ku u lind dhe u rrit, mezi priste të takonte pjesën tjetër të familjes (axhën e tij, bacin Halim, Lajen, motrën Galen, varrin e vëllait…. Takimi me Halimin është prekës, lot mallëngjimi e gëzimi, biseduan e biseduan, dhe dikur  Memën e zuri gjumi…

“Eh…Kosovë…Kosovë…, edhe gjumin edhe vdekjen për njerëzit e tu i ke më të ëmbla” – tha Halimi….”[14]

Vatra e fikur u ndez përsëri në Kullën e Bardhë!  Halimi me bujarinë e tij, e siguroj nipin se Kulla, Oborri ishin të Memës,   edhe për ara e livadhe do të bisedonin. Mema u iu kthye Rrezanës, bëri dasmë, vazhdoj përtëriu lozën e ndarë në gjysmë, dhe për këto me datën 2 tetor 1968, i shkroi babë Seferit që mbeti me pjesën tjetër të familjes në Turqi, dhe e thërret : ” Eja babë ta mbushim Kullën e Bardhë se kulla gëzohet kur ti e nëna , mua  dhe Balës do të na i përkundni djepat me fëmijë! Eja babë se Gala, çika e jote po të thërret! Eja plisbardhi im! Eja se plisi po të pritka në dollap të kullës ashtu siç e ke lënë ti me dorën tënde! Eja babë…eja pash përqafimet dhe të puthurat tua që me afsh m’i dhurove në fëmijëri! Eja…eja se Rrezana të kërkon nga se e d i mirë që ti e do shumë!”[15]

Fjalët e mësuesit Fehmi Gjekaj “se mali me mal nuk takohen, por njerëzit takohen një ditë” e dëshmon më së miri,dashurinë e madhe për atdheun, dhe lidhjen e përjetshme më rrënjët arbërore!

Gjuha dhe figurat stilistike

Romani i Salih H. Krasniqit, Njerëzit takohen një ditë” është ndër romanet e rralla që aq artistikisht ka trajtuar plagën e hidhur të shpërnguljes, pa hijeshime e zbukurime, me një gjuhë të çiltër e të pastër ashtu siç është edhe ambienti dhe personazhet e këtij romani.

Ndërthurja e traditës, zakoneve, riteve të dasmës, besës së mbajtur, karakterit të pathyer, dashurisë ndaj shkollës e gjuhës, ngjalljes së atdhedashurisë nga këngët  e xha Sefës (Sefë Mleçanit), janë vetëm disa nga meritat e vlerat e shumta që ngërthen në vete ky roman tejet mbresëlënës.

Skenat e dhëna në roman, dialogjet e realizuara, përshkrimet e natyrës së bukur shqiptare, momentet e vështira të familjeve të cilat shpërnguleshin, janë skena “të gjalla’ që frymojnë e mbi të cilat mund të realizohet një film i mrekullueshëm…

Autori në disa raste përdorë edhe aty këtu ndonjë turqizmë, dhe atë me qëllim të caktuar: të tregojnë gjurmët e shëmtuara që na lanë pushtuesit, si dhe ngritjen e vetëdijes që të mos i përdorim në gjuhën tonë.

Figurat  stilistike  të përdorura në roman janë një begati letrare për t’ia pasur lakmi:

Krahasim: “ Si përrejtë nëpër lugjet e thella të bjeshkëve, që nga drunjtë e dendur rrjedha nuk u shihet, por zëri u dëgjohet, ashtu edhe fjalët e xha Sahitit shkonin gojë më gojë e vesh më vesh”

“Zyla si një shtatore e vruguar nga motet, e ulur e me jorgan në prehër rrinte e nuk fliste. Lotët i shkonin faqeve thua se ata sy të strukur në ato gropa të thella, kishin vendosur që gjithë ata t’i derdhnin në prehrin e këtij trualli”

Epitete: Fytyrërrushi im….fytyrërrushi im!

Mallkime : Ardhsh i ziiiiiiiii!

-Eh…! – klithi Zyla, – u shembtë ndonjë tunel, ndonjë kodër a mal…rruga u mbylltë e treni mos ardhtë!!

-Në pus të pafund…ku bren miza hekur!

Aforizma: Qeni i keq ta bjen ujkun në torishtë!

Metaforë: Rrëzë Bjeshkës Gurapeshe flinte Rrezana. Lart mbi të, majat e kreshtave sikur e shponin qiellin ngjyrë plumbi.

Emrat e bukur shqip dhe rikthimi në formë kujtimesh në të kaluarën tonë të lavdishme, janë edhe një detaj tjetër, një vlerë e shtuar e këtij romani.

Përfundim

Romani “Njerëzit takohen një ditë“ i Salih H. Krasniqit e vendos shpërnguljen në qendër të një rrëfimi të fuqishëm njerëzor, ku historia, dhimbja dhe kujtesa ndërthuren për të dëshmuar dramën e njerëzve të detyruar të largohen nga vendi i tyre. Përmes fatit të personazheve, autori dëshmon se largësia mund ta ndajë njeriun fizikisht nga vendlindja, por nuk mund ta shkëpusë atë nga rrënjët e tij. Ajo vazhdon të jetojë brenda personazheve edhe atëherë kur ata janë larg saj.

Këtë ide e përmbledh në mënyrë simbolike fundi i romanit, kur njëri prej pjesëtarëve të familjes së shpërngulur rikthehet në kullën e të parëve.  Ky kthim nuk është vetëm kthim në një vend fizik; ai përfaqëson rikthimin te rrënjët, te kujtesa, te historia familjare dhe te një pjesë e vetvetes që kishte mbetur e lidhur me atë hapësirë. Kulla, në këtë kontekst, merr një vlerë të veçantë simbolike: ajo bëhet dëshmi e qëndresës së kujtesës dhe e vazhdimësisë së identitetit. Edhe pas shpërnguljes, edhe pas kalimit të viteve, ajo mbetet një pikë referimi që i thërret njeriu të mos e harrojë prejardhjen e vet.

Në këtë rrjedhë, romani merr edhe një dimension të fuqishëm kritik. Përmes personazheve dhe rrethanave që i shtyjnë drejt shpërnguljes, autori zbulon pasojat njerëzore të kësaj dukurie. Romani e tejkalon kufirin e një rrëfimi individual dhe shndërrohet në një dëshmi letrare për fatin e një brezi.

Vlera e romanit qëndron edhe në realizimin e tij artistik. Gjuha e pasur, figurat stilistike, shprehësia e veçantë dhe ngarkesa emocionale e rrëfimit krijojnë një botë letrare në të cilën përjetimi i personazheve arrin te lexuesi me forcë të veçantë. Figuracioni artistik nuk shërben vetëm për ta zbukuruar ligjërimin, por për ta thelluar kuptimin e ngjarjeve dhe për t’i dhënë formë emocioneve : mallit, dhimbjes, humbjes, shpresës  dhe dëshirës për t’u kthyer. Kjo ndërthurje e përmbajtjes me shprehjen artistike e dëshmon mjeshtërinë e autorit në ndërtimin e një rrëfimi me peshë të veçantë letrare.

Në fund, „Njerëzit takohen një ditë“ mbetet një roman që nuk flet vetëm për ata që u shpërngulën, por edhe për atë që mbeti pas tyre: shtëpitë, kullat, kujtimet dhe rrënjët. Rikthimi në kullën e të parëve e mbyll rrëfimin me një mesazh të fuqishëm njerëzor dhe simbolik: rikthimin te rrënjët. Në këtë kuptim, romani i Salih H. Krasniqit e shndërron dramën e shpërnguljes në një reflektim të thellë mbi identitetin, kujtesën dhe përkatësinë, duke dëshmuar se rrënjët e njeriut janë më të forta se çdo largësi.

Ashtu siç thoshte  Seneka “Pra, njeriu i mençur nuk e ndien jetën të shkurtër, sepse përmes dijes dhe mendimit bëhet pjesë e një kohe më të madhe se ajo që i është dhënë për të jetuar”[16], Salih H. Krasniqi, me romanin “Njerëzit takohen një ditë”  na dhuroi  një roman të veçantë që i ka munguar letërsisë sonë, kurse vetvetes i krijoi pavdekësinë!

Prishtinë, 2 shtator 2026


[1] Seneka, “Mbi shkurtësinë e jetës” (Libri 1), botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2026
[2] Salih H. Krasniqi, “Kur njerëzit takohen një ditë”, botoi AUTORI, Malishevë, 2004, fq.9
[3] Salih H. Krasniqi, “Kur njerëzit takohen një ditë”, botoi Autori, Malishevë, 2004, fq. 291
[4]  Po aty, fq. 51
[5] Po aty, faq. 178
[6] Po aty, fq: 179- 180.
[7] Po aty, fq. 99
[8] Po aty, fq. 110
[9] Po aty, fq. 163
[10] Po aty, fq. 166
[11]  Po aty, fq. 236
[12] Po aty, fq. 196
[13]  Po aty, fq. 291
[14] Po aty, fq. 309
[15] Po aty, fq. 334
[16] Seneka, “Mbishkurtësinë e jetës” , botoi “Faik Konica” – Prishtinë,2026, fq. 34

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.