EKSPOZITA FOTOGRAFIKE, SI DËSHMI FAKTIKE E HISTORISË

0
255
Besnik Rraci - Sadik Krasniqi - Osman Ferizi - Smajl Çekaj

Nga e majta: Besnik Rraci, Sadik Krasniqi, Osman Ferizi, Smajl Çekaj

IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata kulturore-humanitare Shqiptaro-Gjermane, me seli në Pfaffenhofen të Bavarisë, në Gjermani, me kryetar Gazmend Dashi, në koordinim me zyrtarët e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Dr. Sadik Krasniqi dhe PhD. Besnik Rraci, organizuan Ekspozitën fotografike, titulluar “Veprimtaria Atdhetare e Heroit të Kombit Sali Çekaj”.

Intonimet e hymnëve, kumbuan si një kushtrim i betejave të Saliut në Dukagjin e Koshare. Edhe pse i shuar fizikisht, ai është gjithnjë i gjallë, i pranishëm me veprimtarinë e tij, në kujtesën tonë, si veprimtar politik e shoqëror, jurist i diplomuar, intelektual i kompletuar e deri ke organizator i parë i guerilës së armatosur në Kosovë, për të vazhduar luftëtar e komandant në Koshare, për t`u flijuar e përjetësuar në altarin e lirisë.

Motrat Kolgeci, Vlera dhe Era, përkatësisht, njëra moderatore dhe tjetra recituese, me poezinë “Kullat e Dukagjinit”, të poetit Sylë Bajrami, hapi shënimin e këtij organizimi domëthënës, siç është Ekspozita kushtuar heroit unik, shumëdimensional, Sali Çekaj.

Kryetari i Shoqatës, Gazmend Dashi

Kryetari i Degës të LDK-së në Gjermani, si dhe anëtar i kryesisë të Shoqatës Sali Çekaj, Osman Ferizi, përshëndeti drejtuesit e Muzeut Kombëtar të Kosovës, historianët Sadik Krasniqi e Besnik Rraci; kryekonsullin e Bavarisë dhe të Thüringenit, Afrim Nura; kryetarin e Shoqatës Sali Çekaj, në Zvicër, Saim Tahiraj, me ekipin e tij; drejtorin e RTV Fontana, Zeqir Mehmetaj; Shoqatat kulturore “Abeja” dhe “Rrufeja”, përkatësisht, në Moosburg dhe Fressing; përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve: Ukëhaxhaj, Rrahmani, Zeqiraj, Çekaj; përfaqësuesin e Komunës të Pfaffenhofenit, me bashkëshortën si dhe të gjithë të pranishmit në këtë ngjarje të shënuar.

Në fjalën e tij, Kryekonsulli Afrim Nura, përshëndeti organizatorët vendorë dhe ata të ardhur enkas nga Kosova, zyrtarin e lartë të komunës dhe të pranishmit e tjerë. Falë gjakut të dëshmorëve dhe NATO-paktit, sot Kosova frymon e lirë. Përulemi para veprës të heroit Sali Çekaj, me bashkëluftëtarë. Kjo Ekspozitë është dëshmi e përkushtimit atdhetar të Sali Çekaj me shokë.

Shqiptarët në Mërgatë duhet të bashkohen, sepse uniteti është faktor shtesë, për ta ndihmuar Atdheun në rast nevoje. Ai, në mes tjerash, tha se Konsullata në Mynih është shtëpia juaj, është në shërbimin tuaj, pra, është përfaqësuese e juaj në Mërgatë.

Dr. Sadik Krasniqi, bashkëautor i kësaj Ekspozite, me PhD. Besnik Rrraci, falenderoi dy Shoqatat simotra, në Gjermani dhe Zvicër, që mbajnë, krenarisht, emrin e përbashkët të Heroit “Sali Çekaj”, për sponzorizimin e bërë, për Projektin “Veprimtaria Atdhetare e Heroit të Kombit Sali Çekaj”. Bashkëpunimi vëllazëror i këtyre dy Shoqatave, është dëshmuar në ralizimin e shumë projekteve të përbashkëta. Kulmon ndërtimi i Kullës dhe të Shtatores të Presidentit Ibrahim Rugova, së bashku edhe me Shoqatën “Rugova”, me seli në Amerikë, në fshatin e origjinës, në Malaj të Rugovës.

Dëshmi e përkushtimit dhe nderimit të figurës të Heroit Sali Çekaj, është se drejtuesit e dy Shoqatave, kanë qenë shokë armësh me Heroin e cituar. Edhe pse Ekspozita është shfaqur në Zvicër, në janar të këtij moti, kryetari Saim Tahiraj, së bashku me veprimtarët: Gjemajl Haxhiun, Hamëz Morinën, Dinë Gashin, Hamdi Rrustemaj, Ekrem Sheholli, Shefqet Salihaj, Fadil Çetaj, për solidaritet me Shoqatën emnake, kanë ardhur, enkas, nga Zvicra, këtu, në Gjermani, në festën e Ekspozitës.

Projektit tonë simpatik, për ta përkujtuar dhe përjetësuar në fotografi Heroin Sali Çekaj, e filluam dy vjetë më parë. Dhe, më 28 nëntor 2021, e shfaqem në Prishtinë, pastaj në Muzeun Kombëtar, në Tiranë, në vitin 2022 , në Zvicër në janar 2023, dhe tani, në Gjermani, në mars 2023.

Dr. Krasniqi foli edhe për begatimin, sistemimin, ruajtjen e eksponateve  muzeale, në Muzeumin Kombëtar të Kosovës. Një dhuratë e çmuar, e dhënë, së fundi, Muzeut, është skulptura “Hyjnesha në Fron”, e cila 4 mijë vjetë më parë ka udhëhequr popullin. Me këtë rast, një kopje e saj iu dhurua Shoqatës të zëshme “Sali Çekaj”, në Gjermani.

Nderim intonimit të Hymnit Kombëtar

PhD. Besnik Rraci, në cilësinë e bashkautorit, me Dr. Sadik Krasniqin, në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, përkatësisht, Sektori i Historisë, elaboroj ecurinë e këtij projekti, me titull: “Veprimtaria Atdhetare e Heroit të Kombit Sali Çekaj”. Kjo Ekspozitë është në vazhdën e aktiviteteve projektuese, që trajton figurat të rëndësishme historike, në aspektin historiko-muzeor, të cilët, në faza të ndryshme kane dhënë kontribut dhe kanë lënë gjurme të pashlyeshme, në shërbim të çështjes kombëtare në përgjithësi, dhe çlirimit të Kosovës, në veçanti.

Në këtë kuadër, para dy viteve e kemi vlerësuar dhe kemi planifikuar që t’a promovojmë në dimensionin ekspozicional dhe muzeor, figurën e madhe të historisë më të re të Kosovës, Heroin e Kombit, Sali Çekaj. Në këtë kontekst, me iniciativën e shoqatave humanitare simotra, “Sali Çekaj”, me seli në Zvicër dhe Gjermani, të cilat e kanë marre përsipër financimin e këtij projekti. Ndërsa ne, të dy, e kemi marrë përsipër, për të realizuar projektin në pikëpamje profesionale.

Në vlerësimin tonë, si bashkautorë, kemi paraparë që Projekti t’i ketë tri faza të realizimit të tij. Fazës së parë, i kanë paraprirë hulumtime të materialëve në terren, si: hulumtime në Kosovë dhe jashtë vendit, si në Shqipëri, Gjermani, Zvicër, etj. Kështu, na ka mundësuar të kemi një fond me koleksione të pasura muzeore, që pasqyrojnë në mënyrë fakto-grafike, veprimtarinë atdhetare të heroit të kombit, Sali Çekaj dhe periudhës të aktivitetit te tij.

Mbi këtë bazë, është mundësuar të realizohet ekspozita statike me titull: “Veprimtaria Atdhetare e Heroit të Kombit Sali Çekaj”, e cila është hapur zyrtarisht me 17 shkurt 2021, për nder të 13 vjetorit të shpalljes të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor, në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht, Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës, është hapur, më 05.10.2022, ekspozitën lëvizëse më të njëjtin titull, e cila ka qëndruar e hapur për vizitorë deri më 16 tetor 2022.

Ndërsa në fillim të këtij viti, në bashkëpunim me Shoqatën “Sali Çekaj”, me seli ne Zvicër, më 21 janar 2023, është hapur ekspozita lëvizëse kushtuar heroit Sali Çekaj, pikërisht, me rastin e 17 vjetorit të vdekjes se Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me të cilin, heroi Sali Çekaj kishte bashkëpunuar aq shumë, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, deri në rënien heroike të tij. Mendojmë që këto dy figura të ndritura te kombit tonë, padyshim, janë ndër personalitetët më të shquara të historisë më të re të Kosovës.

Andaj, Sektori i Historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ju ka dhënë prioritet të veçantë, fillimisht, duke i realizuar ekspozita statike dhe disa ekspozita tjera lëvizëse, në disa qendra të rajonit dhe të Evropës, me qëllim të promovimit dhe pasqyrimit të kontributit atdhetar të këtyre dy figurave historike, para emigracionit shqiptar në Mërgatë, në veçanti, dhe opinionit evropian, në përgjithësi.

Në kuadër të këtij rrugëtimi promovues dhe prezantues, në bashkëpunim me Shoqatën “Sali Çekaj” me seli në Gjermani, sot po hapim këtu, në Pfaffenhofen, Ekspozitën me titull: “ Veprimtaria Atdhetare e Heroit të Kombit Sali Çekaj”, në kuadër të festimit të 15 vjetorit jubilar të ri-shpalljes së pavarësisë të Kosovës, që rezulton edhe më përmbylljen e fazës së dytë të këtij projekti.

Ndërkaq, sa i përket fazës së tretë dhe të fundit të këtij projekti, sot po përmbyllim me publikimin dhe promovimin e librit (katalogut) monografik, i cili për herë të parë do të promovohet në Gjermani. Përveç materialeve të prezantuara në Ekspozitë, libri në fjalë do të ngërthen në vete, tërë materien e aktiviteteve politike, intelektuale, patriotike dhe ushtarake të heroit Sali Çekaj, siç janë: gjenealogjia familjare, formimi i personalitetit të tij intelektual, politik dhe ushtarak.

Pastaj aktivitetet e tij të viteve të 90-ta, kontributi i tij profesional dhe patriotik, në harmonizimin në pikëpamje juridike të statutit të komunës së Deçanit, në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut; aktiviteti i tij politik në diasporë, përkatësisht, në Shtutgart të Gjermanisë; kontributi i tij në përgatitjet e formacioneve të para ushtarake, në kampin ushtrimor në Surrel të Shqipërisë, gjatë periudhës kohore tetor-dhjetor, 1991.

Pjesëmarrja e tij dhe grupit të tij gueril, me atentate të ndryshme, ndaj stacioneve policore dhe postblloqeve të policisë serbe, të kryera ndërmjet viteve 1991-1997; organizimi dhe pjesëmarrja e tij aktive prej eprori te lartë të UÇK-së, në rrafshin e Dukagjinit, gjatë viteve 1998-1999, e deri te akti më sublim, i rënies së tij heroike, në betejën e lavdishme të Kosharës, më 19 Prill 1999.

Në këtë Ekspozitë mobile (lëvizëse), do të prezantohen këto materiale ekspozuese, si:

  1. Rreth 300 fotografi të ndryshme;
  2. Disa objekte tredimensionale, uniformat personale civile dhe ushtarake të Sali Çekaj;
  3. Shtypi i kohës, etj.

Duke mos dashur të zgjatëm më shumë, dhe duke ju falënderuar, për këtë pjesëmarrje masive, do ju lë ekskluzivitetin juve, që vet të shihni Ekspozitën e prezantuar para jush, ta vlerësoni atë, pse jo edhe të na jipni ndonjë vërejtje ose kritikë konstruktive”, – tha, veç tjerash, ligjëruesi PfD. Besnik Rraci, me bashkautorësi me kolegun Dr. Sadik Krasniqi.

Kryetari i Shoqatës “Sali Çekaj”, në Zvicër, Saim Tahiraj, i përshëndeti mysafirët nga Kosova dhe të pranishmit e tjerë. Ai ishte kritik për indiferencën e organeve shtetërore, për vlerësimin e figurave të veçanta. Organizime të tilla, siç është rasti i Ekspozitës lëvizëse, kushtuar Heroit të Kombit, Sali Çekaj, duhet të jenë obligime shtetërore dhe të realizohen zyrtarisht, përmes ambasadave dhe të kosullatave të Kosovës, në Evropë dhe gjetkë.

Për dy dekada radhazi, vazhdon të falsifikohet historia më e re e Kosovës. Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK, të themeluara nga Dr. Ibrahim Rugova, që u përkiste edhe Heroi unik i Kosovës, Sali Çekaj, është trajtuar vetëm për anën paqësore, por jo edhe atë luftarake! Ndërkohë, që është e vetmja forcë ushtarake, e cila është përballur me forcat armike, në betejat ballore, përfshirë Loxhën, Kosharën dhe të tjera. E pabesueshme, por krejt e vërtetë, Sali Çekaj ishte ushtaraku i parë në Kosovë, për të cilin ishte lëshuar urdhër-arresti për likuidim. Dhe, dokumenti në fjalë mbanë firmat e dy komandantëve të LPK-së! Koha që historia duhet të rishkruhet.

Kryetari i Shoqatës, Gazmend Dashi, falenderoi dhe përgëzoi mysafirët nga Kosova, për Ekspozitën, kushtuar heroit Sali Çekaj, si një risi të veçantë, të sjellur nga Atdheu-Kosovë. Kjo është dhurata e dytë madhore, pas Ekspozitës fotografike, kushtuar themeltarit të shtetit të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, vite më parë. Ai foli edhe për veprimtaritë kulturore e sportive të Shoqatës, duke ndërmarrë, herë pas here, edhe aksione të tjera, siç është edhe rasti i sponzorizimit të kësaj Ekspozite informative, si dëshmi faktike e historisë tonë jo të largët.

Tekniku Agim Çestaj, me shije e profesionalizëm, kishte realizuar renditjen në stenda të eksponateve fotografike, gjitnjë nën asistimin e profesorëve Krasniqi dhe Rraci. Masa numerike e mërgimtarëve, të ardhur edhe nga Republikat tjera gjermane, shikuan radhazi qindra fotografi dhe dokumente shkrimore, për veprimtarinë e shumanshme të heroit Çekaj. Masa e vizitorëve numerikë, të mahnitur me realizimin e kësaj Ekspozite, fort domëthënëse, thanë fjalë admirimi, për punën voluminoze dhe cilësore, të bërë nga punonjësit profesionalë të Sektorit të Historisë, Krasniqi dhe Rraci.

Këngëtari i mirënjohur, Bamjram Gigolli, me grupin e tij artistik, argëtoi të pranishmit me një program të përzgjedhur muzikor.

Shoqata “Sali Çekaj”, me anëtarësinë e saj simpatike, si gjithmonë, e organizuar mrekullisht mirë, shtroi drekë për të gjithë të pranishmit.

Këtë veprimtari fakto-grafike dhe festive, e regjistroi me kamerë RTV “Fontana”, përkatësisht, drejtori i saj Zeqir Mehmetaj, i ardhur, enkas, nga Kosova.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.