
Vështrim
Ishte dimër. Podguri ishte i mbuluar me borë. Ishin ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në një nga ato net të ftohta, Ramiz Alia, atëherë me detyrën e komisarit politik të Divizionit të V, kaloi një natë bashkë me ushtarakët e divizionit në fshatin tim, te Fazli Beqa i Ibrajve, në Podgurin e mbuluar me borë, aty ku buron Drini i Bardhë.
Pas darkës, duke qenë se ushtarët e Ramizit ishin shqiptarë, Fazlia e hapi shpirtin dhe u tregoi për masakrën që kishte ndodhur vetëm dy muaj më herët, më 6 janar 1945. Një masakër ku, sipas dëshmisë së tij, ishin vrarë edhe fëmijë nën moshën katërmbëdhjetë vjeç.
Fazli Beqa ishte trimëruar edhe nga fakti se gjyshi i Ramiz Alisë duhej të ishte nga Istogu, me shpresën se do të priste mirëkuptim. Ndoshta priste që një shqiptar, sidomos një shqiptar që vinte nga ajo anë e Kosovës, të kuptonte dhimbjen e njerëzve të këtij vendi.
Por kishte ndodhur e kundërta.
Ramizi, në vend që t’i kuptonte ata fshatarë të vuajtur, ishte ngritur në këmbë dhe, me revolen në dorë, kishte drejtuar tytën drejt Fazliut të ri, i cili ishte edhe vetë partizan.
— Të vras, kokëderr! — i kishte thënë. — Të vras dhe trupin ta gjuaj te qentë, që të mos kesh as varr.
Pastaj, duke i arsyetuar vrasjet e banorëve të fshatit, kishte thënë:
— Unë dhe partia ime, serbët i kemi vëllezër.
Kjo është pjesa e historisë që më ka mbetur në kujtesë jo vetëm si rrëfim familjar e lokal, por edhe si një pyetje që nuk ka pushuar së më ndjekuri: çfarë ndodh kur politika dhe ideologjia bëhen më të rëndësishme se dhimbja e njerëzve?
Gjatë qëndrimit dy mujor në veriun e Kosovës, në atë pjesë ku Edi Rama sot është i gatshëm të bëjë lëshime që prekin interesat e Kosovës, Ramiz Alisë i ndodhi edhe një tentim-vrasjeje nga serbët, të cilën ata u përpoqën t’ua linin shqiptarëve.
Kur Ramizi e kuptoi tradhtinë dhe realitetin e dhunës serbe ndaj shqiptarëve, ishte vonë. Tashmë kishte marrë urdhër të largohej nga Kosova, bashkë me Divizionin e tij.
Ishte vonë për gjithçka. Shqiptarët ishin të pafuqishëm t’i ndryshonin rrjedhat e kërkesave dhe politikës serbe.
Por historia nuk përfundon aty.
Më pas, kur e kishte kuptuar se ai fshatar i ri kishte pasur të drejtë në të drejtën e tij gjatë një jete të tërë, Ramiz Alia do të kontribuonte, në forma të ndryshme, në ndihmën ndaj atdhetarëve dhe në çështjen shqiptare.
Dhe këtu historia, kur përsëritet, fillon të bëhet edhe më e dhimbshme.
Sot, pas më shumë se një shekulli vrasjesh, masakrash dhe torturash ndaj shqiptarëve të kryera nga forcat serbe e jugosllave, ende pa u tharë gjaku në këmishët e bijve që nënat shqiptare i kanë ruajtur si kujtimin e fundit të tyre, në mesin e kaq burrështetasve të Ballkanit, Edi Rama ka zgjedhur Aleksandar Vuçiqin si një nga partnerët e tij kryesorë politikë në rajon.
Dhe pikërisht ky raport politik ka shkaktuar shqetësim te shumë shqiptarë të Kosovës.
E këtu lind pyetja: a duhet që interesat e Ballkanit të ndërtohen duke anashkaluar plagët e Kosovës?
A mund të flitet për një Ballkan të hapur e të bashkuar, ndërkohë që Kosova vazhdon të përballet me presion politik dhe me një Serbi që ende nuk e ka njohur pavarësinë e saj?
Edi Rama brengoset për Ballkanin. Brengoset për marrëveshjet që nuk u realizuan. Brengoset për proceset rajonale.
Por pse nuk duket po aq i shqetësuar për ngërçin politik që prej vitesh rëndon mbi Prishtinën si shpata e Demokleut?
Pse heshtja ndaj këtij ngërçi është më e lehtë se një fjalë e fortë në mbrojtje të Kosovës?
Nuk jam kundër dialogut
Por, për hir të bashkëpunimit politik, nuk mund të kërkohet nga viktima të harrojë historinë e saj.
Dhe bashkëpunimi rajonal nuk mund të nënkuptojë që Kosova duhet të paguajë çmimin e stabilitetit të të tjerëve.
Prandaj, Edi Rama është dashur ta dëgjojë edhe zërin e atyre që nuk ulen në tavolinat e atyre samiteve.
Zërin e nënave që ruajnë ende këmishët e bijve të vrarë.
Zërin e atyre fshatarëve të Podgurit që, në dimrin e vitit 1945, kërkonin vetëm të kuptoheshin.
Zërin e Fazli Beqës, i cili e pa tytën e revoles të drejtuar ndaj vetes nga një njeri që duhej të ishte në anën e tij.
Dhe, mbi të gjitha, zërin e Kosovës.
Edi Rama mund të bëjë marrëveshje, mund të ndërtojë aleanca dhe të zgjedhë partnerët e tij politikë.
Por ne kemi të drejtë ta pyesim:
Çfarë vlere ka një Ballkan i hapur, nëse për ta hapur atë duhet të mbyllen sytë ndaj Kosovës?
Historia nuk kërkon dekorata.
Historia kërkon kujtesë.
Por besoj se Vuçiqi, pasi e dekoroi me mirënjohje Grenellin, i cili lavdëroi disa opozitarë për bojkotin që do të bëjnë për moszgjedhjen e Presidentit të Kosovës, do ta dekoronte edhe Ramën, sikur situata të ishte ajo e para disa vitesh, po të mos ishin flamingot dhe irritimi shqiptar ndaj konsullatës serbe në Shkodër.
Të dy për të njëjtin motiv: sepse kontribuuan që Kosova të mos stabilizohet politikisht prej kaq vitesh.
Pikë.










