Si u inskenua incidenti në kufi? Montim, provokim dhe manipulim nga Shënjestër.net

0

Republika e Kosovës, për fat të keq, ende nuk ka një Strategji për Parandalimin e Instrumentalizimit të Ideologjive, kjo ka bërë që sidomos elemente fetare të keqpërdoren. Dekadat e fundit kemi parë një numër të konsiderueshëm rastesh, organizatash të huaja dhe individësh me probleme serioze ligjore, në Kosovë dhe më gjerë. Më 04.08.2026, Republika e Shqipërisë — me një vonesë të pajustifikueshme prej më shumë se dy dekadash — mori një vendim të rëndësishëm duke shpallur “non grata” Bekir Halimin dhe Valon Belën. Kjo listë duhej të përfshinte edhe shumë emra të tjerë. Reagimi i mediave me orientime të caktuara politike dhe ideologjike ishte i pritshëm.

Disa prej personave që paraqiten si gazetarë, duke imituar stilin e disa gazetarëve radikalist palestinez që keqpërdorin shenjat e mbrojtura ndërkombëtarisht, u nisën drejt Maqedonisë së Veriut. Njëri prej tyre kishte letërnjoftimin e skaduar, siç e deklaruan vetë, dhe Policia Kufitare e Maqedonisë së Veriut i ktheu mbrapa. Më 05.08.2026, në pikën kufitare të Policisë së Kosovës, ata ndërmorën një provokim të qëllimshëm, të ngjashëm me praktikat e grupeve radikale.

  1. Përshkrimi i ngjarjes

Më 06 gusht 2026, rreth orës 07:25, portali Shënjestër.net publikoi një video të shkurtuar dhe të montuar, ku pretendon se gazetarët e tij janë përballur me dhunë fizike nga policët kufitar të Kosovës në pikën kufitare të Hanit të Elezit. Në video shihet se policët u kërkojnë gazetarëve të ndalin incizimin në zonë të ndaluar, ndërsa gazetarët kundërshtojnë urdhrat, sillen në mënyrë arrogante dhe agresive, si dhe vazhdojnë të incizojnë pavarësisht paralajmërimeve. Teksti i portalit pretendon se “situata eskaloi kur ndërhyri rreshteri” dhe se gazetarët u “sulmuan fizikisht”, por nuk ka asnjë pamje video, asnjë raport mjekësor, asnjë dëshmi, që e mbështet këtë pretendim. Në pamje shihet se gazetarët refuzojnë urdhrat ligjorë, ndërsa policët nuk e zbatojnë detyrën për neutralizimin e rezistencës së tyre.

Rreshteri shihet duke e ftuar një gazetar të hyjë në zyrë, jo me forcë, dhe gazetari hyn vullnetarisht, ndonëse më pas portali pretendon të kundërtën. Në video nuk shihet asnjë lëndim fizik, ndonëse portali pretendon se “Flamur Hoxha ka pësuar lëndime”. Po ashtu, gazetarët pretendojnë se policia ua “kapi kamerën dy herë”, por në video shihet vetëm telefoni i tyre dhe vazhdimi i incizimit. Në disa sekuenca, gazetarët përdorin gjuhë provokuese, ndërsa policët reagojnë me nervozizëm, por pa ushtruar dhunë. Portali pretendon se policia nisi rastin si “sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa gazetarët u liruan nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe deponuan ankesë në IPK. Teksti i Shënjestër.net e cilëson incidentin si “vepër e individëve të papërgjegjshëm”, por nga videoja e publikuar nuk vërtetohet dhunë fizike, ndërsa shihet qartë rezistencë, provokim dhe sjellje joprofesionale nga gazetarët.

II. Analizimi i rastit

Portali në fjalë publikon një numër të madh postimesh me përmbajtje të ashpër, përfshirë gjuhë nxitëse dhe përçarëse, si dhe elemente të ekstremizmit politik dhe fetar. Edhe postimi ku “Shënjestër.net” denoncon rastin përmban gjuhë nxitëse dhe polarizuese, duke gjeneruar reagime të forta pro dhe kundër. Duke qenë se autorët e postimit e dinë që reagimet e tilla janë të pritshme, publikimi i materialit duket i orientuar drejt fitimit të vëmendjes, rritjes së shikueshmërisë dhe nxitjes së urrejtjes, nxitjes së viktimizimit edhe të radikalëve dhe ekstremistëve islamik etj. Videoja është e montuar, për të qenë video propaganduese dhe qëllimisht diskredituese ndaj Policisë së Republikës së Kosovës, që të krijojnë skandal publik, të nxisin mosbesim ndaj institucioneve, të krijojnë një narrativë viktimizuese.Siç shihet nga reagimet, videoja ka marrë 9.8 mijë “like”, 2.6 mijë komente dhe 600 shpërndarje. Materiali nuk përmban pamjet e plota të ngjarjes, nuk përfshin versionin e pa montuar dhe nuk dokumenton ndonjë akt dhune fizike nga ana e zyrtarëve policorë. Nga analiza e komenteve, rezulton se 1.500 individë kanë komentuar: 1170 meshkuj (78%), 240 femra (16%), ndërsa 90 komente (6%) pa të dhëna për gjininë.

Më saktësisht:

  1. Komente me gjuhë nxitëse ndaj grupeve etnike/fetare: 62
  2. Fyerje të rënda dhe poshtërime të drejtpërdrejta: 158
  3. Thirrje për dhunë: 84
  4. Kërcënime të drejtpërdrejta: 41
  5. Komente diskriminuese etnike/fetare: 53
  6. Gjuhë ekstremiste: 29

Tabla 1. Në tabelën në vijim tregohet numri i komenteve sipas kategorive të caktuara, pro dhe kundër Policisë së Kosovës, pro dhe kundër Gazetarëve.

Kategori Numri i komenteve Përqindja
Pro Policisë 1,312 71.2%
Kundër Policisë 143 7.7%
Pro Gazetarëve 58 3.1%
Kundër Gazetarëve 1,276 69.2%
Totali i komenteve 1,842 100%

 

III. Shkeljet e mundshme të bëra në këtë rast nga Policia kufitare e Republikës së Kosovës

  1. Moszbatim i detyrës zyrtare për neutralizimin e rezistencës. Nga pamjet e incidentit, shihet se personat e pranishëm kundërshtojnë urdhrat, rezistojnë fizikisht dhe ndërhyjnë në hapësira të ndaluara, ndërsa policia nuk ndërhyn sipas protokollit. Kjo sjellje përbën mosveprim zyrtar dhe neglizhencë në detyrë, duke mos zbatuar procedurat e detyrueshme të neutralizimit të rezistencës.
  2. Mosndalim i incizimit në zonë të ndaluar. Edhe pse policët kërkojnë disa herë ndërprerjen e incizimit, nuk ndërmarrin veprime për ta ndaluar fizikisht personin, as për ta larguar nga zona e ndaluar. Kjo përbën moszbatim të kompetencave ligjore për sigurinë kufitare dhe mosveprim për ndalimin e veprimit të kundërligjshëm.
  3. Përdorim i gjuhës joprofesionale nga policët. Në komunikim dëgjohen tone të ashpra dhe shprehje joprofesionale, të cilat bien ndesh me standardet e Kodit të Etikës Policore dhe detyrimin ligjor për sjellje profesionale në detyrë.
  4. Moszbatim i procedurës së saktë të ndërhyrjes. Rreshteri nuk jep urdhër të qartë, nuk ndërhyn sipas protokollit dhe nuk siguron kontrollin e situatës. Mungesa e veprimit të strukturuar përbën shkelje të procedurave operacionale dhe neglizhencë në detyrë.
  5. Mosndalim i hyrjes së personave në zyrë pa kontroll. Në video shihet se një person futet në zyrë pa autorizim dhe pa ndalim nga policia, duke cenuar sigurinë e hapësirës kufitare dhe protokollin e hyrje‑daljeve në ambiente të sigurta.
  6. Mosndalim i kontaktit fizik të gazetarit me policing. Kontakti fizik i personit me zyrtarin policor nuk neutralizohet, duke lënë të pambrojtur integritetin fizik të policit dhe duke mos zbatuar procedurat e ndërhyrjes ndaj sjelljes agresive.
  7. Mosraportim i menjëhershëm i incidentit sipas protokollit. Nuk shihet raportim i menjëhershëm, aktivizim i procedurës së incidentit apo ndërhyrje komanduese. Kjo përbën shkelje të detyrës zyrtare dhe moszbatim të detyrimit ligjor për raportim të menjëhershëm.

 

IV. Shkeljet e mundshme të bëra në këtë rast nga gazetarët

  1. Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të zyrtarit policor. Nga sjellja e dokumentuar në video, gazetarët kanë refuzuar disa herë urdhrat e ligjshëm të policisë, përfshirë ndalimin e incizimit, largimin nga zona e kontrollit, parkimin e automjetit dhe respektimin e hyrje‑daljeve në zyrë. Ata përdorin tone arrogante dhe provokuese, duke shkelur detyrimin ligjor për t’iu bindur urdhrit të policit sipas Ligjit për Policinë dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
  2. Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës. Në video shihet se gazetarët afrohen në mënyrë agresive, prekin fizikisht policin, ndërhyjnë verbalish dhe fizikisht në ushtrimin e detyrës së tij dhe provokojnë qëllimisht për të nxitur reagim. Deklarimet e tyre për “shuplakë”, “dhunë” dhe “qasje të keqe” nuk mbështeten nga pamjet dhe krijojnë perceptim të rremë. Kjo sjellje përbën pengim të personit zyrtar sipas Kodit Penal.
  3. Incizim i ndaluar në objekt zyrtar / pikë kufitare. Pikat kufitare janë zona të ndaluara për incizim për arsye sigurie. Gazetarët incizojnë brenda objektit dhe në zonën e jashtme ku incizimi është i ndaluar, duke refuzuar vazhdimisht urdhrat e policisë. Kjo përbën shkelje administrative sipas rregulloreve të Policisë Kufitare dhe mund të konsiderohet cenim i sigurisë së objektit shtetëror.
  4. Fyerje, provokim, sjellje arrogante dhe nxitëse. Në video dëgjohen tone fyese, nënçmuese dhe provokuese ndaj policëve. Gazetarët përdorin ironi, gjuhë destabilizuese dhe sjellje të qëllimshme për të krijuar incident. Kjo sjellje përbën fyerje dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.
  5. Deklarim i rremë / raportim i rremë / inskenim i ngjarjes. Gazetarët pretendojnë se janë sulmuar fizikisht, se janë futur me forcë në dhomë pa kamera, se kanë pësuar lëndime fizike dhe se u është kapur kamera. Asnjë nga këto pretendime nuk mbështetet nga pamjet: nuk ka shenja dhune, nuk ka raport mjekësor, nuk ka pamje të kapjes së kamerës dhe videoja tregon se ata vazhdojnë të incizojnë. Kjo sjellje mund të kualifikohet si kallëzim i rremë sipas nenit 382 të Kodit Penal.
  6. Shkelje e rregullave kufitare dhe e procedurave të kalimit. Gazetarët tentojnë të kalojnë kufirin me dokument të skaduar, krijojnë incident në pikë kufitare dhe pengojnë punën e policisë kufitare. Kjo përbën shkelje administrative sipas Ligjit për Kontrollin Kufitar (nenet 11 dhe 12) dhe mund të kualifikohet si tentim për kalim të paligjshëm.
  7. Nxitje e mosdurimit, urrejtjes dhe diskreditimit të institucionit. Publikimi i materialit të montuar, pretendimet për dhunë të paekzistente dhe shpërndarja e narrativave destabilizuese nxisin mosbesim ndaj institucioneve, krijojnë panik dhe perceptim të rremë publik. Kjo sjellje synon diskreditimin e Policisë së Kosovës dhe nxit tensione shoqërore.
  8. Pengim i procedurës zyrtare dhe sjellje e rrezikshme në objekt shtetëror. Gazetarët hyjnë në zyrë pa leje, refuzojnë të dalin kur u kërkohet, provokojnë zyrtarët brenda objektit dhe shkelin rregullat e sigurisë së hapësirës kufitare. Kjo sjellje përbën mosbindje dhe pengim të zyrtarit sipas Kodit Penal dhe shkelje administrative sipas rregullave të Policisë Kufitare.
  9. Shkelje e etikës profesionale të gazetarisë. Edhe pse nuk është vepër penale, sjellja e gazetarëve bie ndesh me Kodin Etik të Gazetarëve të Kosovës: inskenim i ngjarjes, montim i videos, raportim i rremë, nxitje e konfliktit dhe shpërndarje e dezinformatave. Kjo cenon integritetin profesional dhe besueshmërinë e medias.
  10. Mundësi për hetim të thelluar nga Prokuroria Speciale. Duke qenë se ka dyshime të forta për inskenim, qëllim destabilizues, diskreditim të institucionit, shpërndarje të materialit të montuar dhe nxitje të urrejtjes, Prokuroria Speciale ka bazë të mjaftueshme për hetim të motivit, qëllimit, koordinimit të veprimeve dhe lidhjeve të mundshme me aktorë të jashtëm. Kjo përfshin edhe verifikimin e arsyes së shkuarjes në Maqedoni dhe komunikimet e tyre para incidentit.

Më: 16.08.2026

Shkruar nga Skender Jashari

Phd candidate, Criminologist, Counter‑Terrorism Expert, Hybrid Warfare Specialist | Scientific Researcher | Security Policy Advisor, Aerospace & Ground Systems Designer specializing in Drones (VTOL, Fixed‑Wing), UUVs, ROVs, UGV, and USVs.

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.