27.3 C
Tirana
E enjte, 6 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi 5 poezi nga Elife Luzha

5 poezi nga Elife Luzha

0
Elife Luzha - Nuk e dija

Autore:
Elife LUZHA

IDENTITET

Kam mijëra vjet me erërat e shekujve që zgjohem
Mbretëreshë e hyjnive isha qysh në parahistori
Nën të njëjtin ujë pellazgë u pagëzova shqiptare
Me fenë e flamurit e besën për shqiptarinë

O vend i bekuar me fushëqiell fole të shqiponjave
Nga lashtësia si në Motin e Madh rrugë gjaku ke bërë
Nëpër histori mbajte një emër një gjuhë një flamur si fe
Ti gurshkëmb i paluajtur me ngjyrgjakun tim atdhe

SFIDË

Stinës së rrebeshtë u nisa për te ti
Qielli i tendosur ishte pa ngjyrë
Ndër shkreptima rrufesh e mugëtirës nxirë
Për një rreze drite sa mote në kërkim

Me vrullin e mallit e lotin e valë ia beha
Si kopsht me trëndafila të të gjej s’e kam pritur
Por jo as kështu të sfilitur nga dhimbjet det
Në pritje të një dite të bardhë për të lindur

Më sëmboi shikimi yt i vranët vetullngrysur
Ndjenjë e trandur hidhërimi si thikë më shpoi
Sa shumë desha të t’i zbus plagët që të kanë
molisur
Po pa frymë mbeta mes dhimbjeve të zjarrta të
lindjes

Tragës së gjakut amaneti na përtëritet ndër
brezni
Damarëve të moteve nga hyjni qiellore lartësuar
Ne bijtë e tu një mijë herë kemi për të lindur
Gjersa dielli të shndrisë mbarë hapësirave të tua

KUMBIM

Sillesh e pështillesh vetes vend s’i gjen
Pse athët më vështron nuk e di
Vrajave dhembjen ma shkundullon
E unë lutem për ty

Ah, mos qofsh vëlla Kain
Unë e harruar le të mbetem
Sall të rritet pemë e lumtur
Nga humusi i eshtrave të mi

THËLLIMË

Tavernave në tym cigaresh enden
Sorollaten nanurisen shtiracakët
Bjerrin kohën me fjalë e kotësi

Prozhmime të paqena sajojnë
Në strofka harbutësh rritur
Atdheun e duan zezonë

Ligavecët si egjra po mbijnë gjithandej
Zëri i atdhenjtë s’dëgjohet kund
Ç’makth, ç’thëllimë medet

PRAPASKENAT

Gjithçka rrjedh nga padukshmëri e dukshme
Trillime errtane tejbartin pakuptimësi

Hulli të përhumbura arenave shtillen
Duke kurdisur komplote tinëzare
Shenjëzuar kanë qenien time

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.