32.2 C
Tirana
E mërkurë, 5 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Mel Robbins – Tri ide të thjeshta që po ua ndryshojnë mënyrën...

Mel Robbins – Tri ide të thjeshta që po ua ndryshojnë mënyrën e të menduemit miliona njerëzve

0
Mel Robbins-books

ZEF NOKA, St. Gallen, 2026

Mbi artin me i lanë gjanat me ecë rrjedhës së vet, me e ba hapin e parë dhe me u ba aleati ma i mirë i vetes.

Pak autorë të letërsisë bashkëkohore për zhvillimin personal kanë arritë me prekë kaq shumë njerëz sa Mel Robbins. Si juriste, me shkollim, moderatore dhe autore amerikane e librave bestseller, ajo sot konsiderohet një ndër zërat ma me ndikim në fushën e zhvillimit personal. Librat e saj renditen vazhdimisht ndër ma të shiturit në botë, jo pse ofrojnë teori të ndërlikueme, por sepse flasin për gjanat ma të thella të jetës me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme dhe të zbatueshme.

Ndër veprat e saj ma të njohuna janë “The 5 Second Rule“, “The High 5 Habit” dhe libri i saj ma i ri “The Let Them Theory“. Edhe pse secili trajton një temë të veçantë, të tre bartin të njëjtin mesazh: si mundet njeriu me u çlirue prej frikës, dyshimit ndaj vetes dhe nevojës me i kontrollue të tjerët.

Shkrimi që po lexoni nuk asht një prezantim i ktyre veprave të lexuara që bashkon dhe interpreton idetë kryesore të tyre, me shembuj konkret, që mundes me i përdor si metodë sipas nevojave.

a) Liria fillon aty ku mbaron nevoja për kontroll
A t’ka ndodhë ndonjëherë me u ndi i injorum, i lanë anash apo sikur askush nuk ta ka vu veshin? A t’ka ndodhë me pa se të tjerët janë ftu në një ngjarje, e ti ke mbetë jashtë? Ose njerëz që i ke konsideru të afërt nuk të kanë kujtu, nuk të kanë përfillë, apo nuk ta kanë dhanë respektin që ke pritë? Nuk asht një ndjenjë e mirë, apo jo?

Në ato çaste ndihemi të lanë anash. Ndihemi të refuzum. Ndihemi të nënçmum e të pavlerësum. Dhe, pa e kuptu, fillojmë me pyetë veten: “Çka kam ba gabim?”, “pse nuk më vlerësojnë?”, a nuk jam mjaftueshëm i rëndësishëm?”

Janë pyetje që e lëndojnë zemrën ma shumë se vetë ngjarja.
Po ta gjenit një “formulë” për mos me u ba me vujt apo me u ndi i prekur, a do të ishte e mirëseardhur? Mu me kët temë asht marr Robbins. Ajo ka gjetur një teori krejt të thjesht si me veprue. Ka një fjali që, në shikim të parë, duket gati e zakonshme, por që ka fuqinë me ia ndryshue drejtimin jetës së njeriut.

Autorja Robbins flet për teorinë “Let them” ose në shqip “leni.” Dy fjalë të thjeshta në anglisht, e, mbase në shqip, një e vetme. Pra, asnjë teori e ndërlikueme apo formulë magjike. E megjithatë, këtu fshihet një e vërtetë me të cilën shumica e njerëzve luftojnë gjithë jetën.

Shumica e konflikteve tona nuk lindin pse jeta asht e padrejtë. Ato lindin sepse mundohemi me kontrollue diçka që kurrë nuk ka qenë në dorën tonë: njerëzit e tjerë.

Duam me u kuptue. Kërkojmë vlerësim. Presim besnikëri, sinqeritet e mirënjohje. Shpresojmë që të tjerët me i pa qëllimet tona të mira, me u sjellë drejt dhe me i marrë parasysh ndjenjat tona. Kur kjo nuk ndodh, fillon një luftë e heshtun brenda nesh. Shpjegohemi, arsyetohemi, diskutojmë dhe shpresojmë se një ditë tjetri ka me e ndërrue mendimin.

Por pikërisht këtu fillojmë me e humbë forcën tonë.
Mel Robbins thotë se një pjesë të madhe të energjisë sonë ia falim gjanave që nuk varen prej nesh. Përpiqemi me i ndryshue mendimet e dikujt tjetër. Luftojmë kundër vendimeve që ai tashma i ka marrë. Presim ndryshime që ndoshta nuk kanë me ardhë kurrë.

Prandaj “Let them” apo teoria “leni” njerzit ashtu si janë, por kjo nuk do të thotë me qenë indiferent. Do të thotë me e pranue realitetin.

Njerëzit kanë të drejtë me mendue si të duen. Kanë të drejtë me ndie çka ndiejnë. Kanë të drejtë me marrë vendimet e veta, edhe kur ne nuk pajtohemi me to. Madje kanë të drejtë edhe me na keqkuptue. Dhe, mabse, pikërisht kjo na dhemb ma së shumti. Pak gjana e lëndojnë njeriun ma shumë sesa kur gjykohet padrejtësisht. Atëherë lind dëshira me u shpjegue, me e bindë tjetrin se gabon, me ia dëshmue se kush jemi në të vërtetë.

Por e vërteta asht ndonjëherë e pakëndshme. Jo secili ka me na kuptue, apo mundet e don me na kuptue. Jo secili ka me na dashtë. Jo secili ka me qenë i gatshëm me e ndërrue mendimin, e, mbase edhe, ndoshta, as nuk ka nevojë.

Kur përpiqemi me i bindë të tjerët, pa e kuptue, në heshtje, ia dorëzojmë paqen tonë mendimit të të tjerëve. Qetësia jonë varet prej mënyrës se si ata na shohin. Dhe pikërisht këtu humbet liria jonë.

Teoria leni na fton me e lëshue këtë barrë. Jo pse e vërteta nuk ka rëndësi, por sepse paqja jonë e brendshme ka ma shumë vlerë sesa lufta e pafund për me korrigjue çdo mendim të gabuem. Ky këndvështrim ndihom edhe të ndryshojm edhe mënyrën si i shohim marrëdhëniet. Si njerëz që jemi shpesh kapemi pas shpresës. Besojmë se dikush ka me ndryshue. Arsyetojmë sjellje që na lëndojnë. Presim pendim. Presim vetëdijesim. Presim një ditë që ndoshta nuk ka me ardhë kurrë.

Por njeriu nuk e tregon karakterin me fjalë. E tregon me vepra. Premtimet ushqejnë shpresën, po, kurse veprat tregojnë realitetin. Ai që të respekton nuk ka nevojë me ta thanë çdo ditë. Ai ta dëshmon me mënyrën si sillet me ty.

Prandaj teoria leni do të thotë mos me i gjykue njerëzit sipas asaj që mund të bahen një ditë, por sipas asaj që janë sot. Edhe refuzimi merr një kuptim tjetër, kur themi, leni. Kur mbaron një lidhje…, kur dështon një aplikim për punë…, kur njerëzit largohen prej nesh…, leni.

Shpesh mendojmë se problemi jemi ne. Mel Robbins propozon një mënyrë tjetër me e pa jetën: ndoshta, shikuar thellë,

nuk të asht marrë diçka, përkundrazi, ke lënë diçka, që asht dashtun kaherë me l`shue. Ndoshta, të asht kursye diçka.

Jo çdo derë që mbyllet asht humbje. Ka dyer që mbyllen sepse pas tyre nuk ndodhet rruga e duhun për ne. Shpesh vetëm mbasi kalon koha e kuptojmë se zhgënjimet ma të mëdha kanë qenë ato që na kanë çue drejt jetës që duhej me jetue.

Por libri nuk mbaron me vetëm me leni.
Pas këtyne dy fjalëve vjen pjesa edhe ma e rëndësishme, që thotë: “Let me” apo “më lër”.

Më lër me e ruejt paqen teme. Më lër me e përdor energjinë aty ku ka vlerë. Më lër me zgjedh njerëzit që më bajnë mirë. Më lër me ecë përpara. Më lër me marrë përgjegjësi për jetën teme.

Pikërisht këtu qëndron zemra e kësaj teorie. Nuk ka të bajë me ndryshimin e të tjerëve, por ka të bajë me kthimin e vëmendjes te vetja.

Sepse, shumë e rëndësishme me reflektue se, liria nuk fillon atëherë kur të gjithë sillen drejt me ne. Ajo fillon atëherë kur paqja jonë nuk varet ma prej sjelljes së të tjerëve.

b) Mes vendimit dhe hezitimit

Nëse “The Let Them Theory” na mëson me i lëshue prej dore ato gjana që nuk janë në pushtetin tonë, “The 5 Second Rule” ndalet te një armik tjetër, ma i heshtun e ma tinëzar: hezitimi.

Mel Robbins vëren se njeriu, shumicën e herëve, nuk mbetet mbrapa pse i mungon zgjuarsia, aftësia apo rasti. Ai ndalet në atë çast të shkurtë që ndan vendimin prej veprimit. Pikërisht aty zgjohet zani i dyshimit:

Jo tash…”, “Nesër…”, “Ende nuk jam gati…”, “Po çka nëse dështoj?

Mjaftojnë disa sekonda që mendja me ngritë një mur arsyetimesh kundër veprimit. Prej atyne sekondave, pastajk, pasojnë ditë pritjeje, muaj vonese e, për shumë njerëz, edhe vite të tana të humbuna.

Përballë këtij kurthi të mendjes, Mel Robbins propozon një gjest krejt të të vogël, një formulë veprimi tejet të thejshtë. Të numrosh nga mbrapa nga 5 në 1: Pesëkatërtredynjë… ec!

Numërimi mbrapsht e këput fillin e mendimeve që na mbajnë të ngujuem dhe e kthen vëmendjen te hapi i parë. Kjo dëshmohet në fakte psikologjike se e ndihmon njeriun të mos hezitoj në vendimet e tij, e ndihmon atë, të aktivizohet, mbase, edhe në rastet tejet të thejshta të jetës, atëherë kur, duhesh të ngrihesh nga krevati, dhe “hamendëson” të qëndrosh edhe pak në krevat, por në këtë rast, fillon dhe numëron nga mbrapa, 5 deri në 1, dhe ngrihesh. Kjo formulë tejet e thjesht ndihmon në aspekte të ndryshme të jetës, kur ke hezitim me marr një vendim.

Megjithëatë, frika me këtme këtë nuk zhduket. As nuk ka nevojë me u zhdukë. Por guximi nuk asht mungesë frike. Guximi asht me vazhdue rrugën edhe kur frika ecën përkrah teje. Jeta nuk ndryshon nga mendimet që mbajmë në kokë, por ajo ndryshon nga hapat që marrim guximin me i hedhë, veprue. Shumë njerëz presin me u ndi të gatshëm.

Mel Robbins e përmbys këtë mënyrë të menduemit. Ajo e thotë se, motivimi nuk vjen gjithmonë përpara veprimit. Shumicën e herëve ai lind mbasi kemi fillue me ecë, sepse veprimi e lind motivimin dhe jo motivimi veprimin.

c) Miku që nuk duhet me të mungue kurrë

Në librin “The High 5 Habit”, Mel Robbins e kthen shikimin prej botës së jashtme kah ajo e brendshme. Jo kah ajo çka të tjerët mendojnë për ne, por kah mënyra se si flasim me vetveten.

Ajo shtron një pyetje që e prek njeriun në thelb: Pse dimë me qenë kaq të mirë me të tjerët, e kaq të pamëshirshëm me (vet)veten?

Kur një mik rrëzohet, sëmuret apo pëson fatkeqësi, i japim zemër, e ngushllojmë. Kur rrëzohemi vetë, apo dështojmë në diçka shpesh i drejtohemi vetes vetëm me qortime, sie: nuk vlej, nuk jam mjaftueshëm, nuk jam i aftë, nuk jam i sigurtë, kurrë s’kam me ia dalë etj..

Ky zë nuk bërtet, është i lehtë, ai pëshpëritë në veshin tonë. Por pikërisht pse pëshpërit çdo ditë, arrin me e gërrye besimin që kemi te vetja. Për këtë arsye, Mel Robbins propozon një zakon apo shprehi të pazakontë.

Çdo mëngjes, qëndro para pasqyrës. Shikoje veten në sy, dhe jepi vetes një High Five.
Jo pse je i përsosur, por pse edhe ti ke nevojë me e ditë se dikush asht në anën tane, edhe nëse ai dikush je vetë. Sepse, vetëbesimi nuk lind kur njeriu gjithmonë fiton. Ai lind kur, edhe mbasi ka humbë, nuk e braktisë veten. Kur, edhe mbasi ka ky vetëbesim, çohet përsëri, atëherë kur mëson me i folë vetes me të njëjtën butësi me të cilën do t’i fliste njeriut që e don ma shumë.

d) Tri libra – një urti e vetme

Në të vërtetë, tri veprat e Mel Robbins janë si tri degë të së njëjtës pemë. “The Let Them Theory” na mëson me i lanë të tjerët të jenë ata që zgjedhin me qenë; “The 5 Second Rule” na mëson mos me mbetë rob të hezitimit; “The High 5 Habit” na kujton se udhëtimi ma i gjatë i jetës asht ai drejt pajtimit me vetveten.

Ndoshta pikërisht kjo asht arsyeja pse miliona njerëz e gjejnë veten në faqet e librave të saj. Ajo nuk premton një jetë pa sprova, e as nuk premton lumturi të gatshme, të servuar. Ajo na kujton se jeta nuk ndryshon prej një çasti të madh, por merr një drejtim të ri sa herë që njeriu merr guximin me lëshue atë që s’e ndryshon, me ba hapin që e ka shty deri dje dhe me mos e kthye kurrë shpinën vetes. Sepse, në fund të fundit, njeriu që ka me ecë me ty prej frymës së parë deri te e fundit je ti vetë.

E ndoshta urtia ma e madhe nuk asht me e ndryshue botën. Për më tepër asht me ndryshue mënyrën se si jeton me (vet)veten. Sepse vetëm atëherë kur njeriu ban paqe me vetveten, fillon me e përjetue edhe paqen me botën.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.