
Fatmire Duraku
Novela 99 Rruzaret prej smaragdi botuar për herë të parë në 2006, e autorit të njohur Zejnullah Rrahmani shënon një pikë kthese në krijimtarinë autoriale, duke u përfshirë në fazën e tij më të thellë mistike, reflektuese dhe filozofike. Vepra bën pjesë në një triptik letrar së bashku me Lypësi dhe Sofija dhe Pesë vakte, ku autori eksploron dimensionet e shpirtit, ekzistencës dhe njohjes së vetvetes.
Zejnullah Rrahmani, është njëri ndër prozatorët më të talentuar të letërsisë shqipe bashkëkohore, krijimtaria e të cilit përfaqëson një kulm të veçantë të prozës kosovare dhe më gjerë. Që në fillesat e tij, dëshmoi një prirje të thellë për ndërtimin e strukturave narrative të ndërlikuara dhe të ngarkuara me simbolikë filozofike. Kjo u pa qartë qysh në vitin 1974 me romanin “Zanoret e humbura”, një vepër e hershme që tregoi premisat e një zëri të veçantë letrar, ndërsa vite më vonë me romanin “Sheshi i unazës”(U botua në vitin 1978 në Prishtinë ndërsa në Tiranë në vitin 1982), Rrahmani bëri thyerjen e parë estetike dhe artistike, duke e afirmuar talentin e tij si prozator me vizion të qartë dhe thellësi shpirtërore.
Nuk është rastësi që autori e hap librin me një përkushtim për gjyshin, babanë dhe vëllain. Ky përkushtim funksionon si hyrja e parë simbolike në universin e novelës, sepse kujtesa familjare paraqitet si hallka e parë e udhëtimit shpirtëror. Përmes këtij gjesti, Rrahmani e vendos kërkimin e njeriut për dritën dhe përjetësinë mbi themelet e rrënjëve të tij njerëzore e familjare, duke i dhënë veprës një dimension njëherësh intim dhe universal.
Në novelën “99 Rruzaret prej smaragdi”, autori sjell një teknikë rrëfimi ndryshe, një formë të fragmentuar e njëkohësisht të bashkuar në një njësi të vetme përmes simbolikës dhe temës. Libri përbëhet nga 99 njësi, një për çdo “rruzare”, ku secila bart peshën e vet semantike e filozofike. Disa nga këto njësi kanë nënnjësi, që funksionojnë si shtigje të vogla drejt një kuptimi më të madh të botës së brendshme të njeriut. Kjo strukturë nuk është rastësore: ajo ndjek modelin e një udhëtimi shpirtëror që, përmes copëzave, ndërton një tërësi të plotë.
Novela është e ndarë në nëntë cikle që, në vetvete, përfaqësojnë faza të ndryshme të përjetimit dhe njohjes njerëzore: I – Esenca e dashurisë, II – Çdo gjë është e shkruar, III – Froni i esencës, IV – Vlera e përjetësisë, V – Koha, VI – Velloja, VII – Drita e tij, VIII – Lulet e mollës, dhe IX – Rezja e Dritës.
Këto cikle funksionojnë si stacione të meditimit dhe të zbulimit, duke përshkruar kalimin nga materia drejt dritës, nga njeriu drejt hyjnores, nga njohja drejt urtësisë. Në thelb, ndarja në nëntë pjesë mund të shihet si një strukturë hierarkike e rritjes shpirtërore, ku çdo cikël ngre lexuesin në një nivel më të lartë të reflektimit. Përtej kësaj, Rrahmani krijon edhe tri ndarje më të gjera, të cilat e përmbledhin udhëtimin njerëzor në mënyrë metaforike:
1-Vetëm në dashuri – ku nis kërkimi dhe përjetimi i thellë i ndjenjës si formë e ekzistencës;
2-Nata e verës në kopsht – që përfaqëson një fazë ndërmjetësuese, ku njeriu gjendet në përballje me bukurinë dhe kalueshmërinë;
3-Si fryma fluturon – mbyllja e madhe e romanit, që simbolizon çlirimin, transcendencën, bashkimin me dritën dhe përjetësinë.
Përmes kësaj ndarje artistike, Zejnullah Rrahmani nuk krijon thjesht një novelë në kuptimin tradicional, por një mozaik meditativ, një libër që lexohet si udhëtim filozofik dhe poetik njëkohësisht. Struktura e tij përngjan me një rruzare të shpirtit, ku çdo pjesë është një grimcë drite që ndriçon një aspekt të qenies.
Në këtë kuptim, “99 Rruzaret prej smaragdi” bëhet një tekst i shumëfishtë – njëherësh mistik, estetik dhe ekzistencial. Ai fton lexuesin të ecë bashkë me autorin në kërkim të “smeragdit të brendshëm”, atij guri të çmuar që simbolizon urtësinë, dashurinë dhe shëlbimin shpirtëror. Në fund, rruga që përshkon lexuesi është një reflektim i rrugës që ndjek çdo njeri në kërkim të kuptimit të vetes. Dhe ky është triumfi i novelës: që e shndërron leximin në përvojë, fjalën në dritë, dhe dritën në shpirt.
Vlerat shpirtërore dhe kërkimi i brendshëm janë tematika dhe motivet kryesore
Novela përdor simbolikën e “99 rruzareve” për të përfaqësuar variacione të vlerave shpirtërore që lidhen me besimin, moralin dhe përpjekjen për të arritur një gjendje të qetë dhe të ndërgjegjshme. Autori nuk fokusohet vetëm te ngjarjet e jashtme, por haptazi te përjetimet e brendshme, vetëdija, dhe marrëdhënia mes njeriut dhe universit.
Mistika dhe ndikimi i filozofisë islame si tema e dytë: “99” lidhet me konceptin e emrave të bukur të Zotit në traditën islame — si një modalitet për të lidhur frymën e veçantë ndërmjet shpirtit njerëzor dhe hyjnores. Ky motiv mistik është më shumë sesa dekor; është boshti mbi të cilin ndërtohet rrëfimi, brenda tij zhvillohen refleksionet për besimin, për marrëdhënien me transcendentin (atë që shkon përtej botës së zakonshme, përtej përvojës shqisore, përtej asaj që mund ta shohim e prekim). dhe për vlerat që shpërndahen në përditshmëri.
Qenia, identiteti, dhe ekzistenca përmes personazheve dhe situatave që autori ndërton, vjen në pah tensioni mes individit dhe kohës, mes përgjegjësive sociale dhe kërkimit personal.
Zejnullah Rrahmani përdor rrëfimin për të shqyrtuar tema si kalueshmëria, lindja dhe vdekja, pasioni dhe zhgënjimi, dashuria dhe vetmia — si elemente që bashke shkruajnë jetën.
Nuk duhet anashkaluar – Strukturën dhe stilin narrativ apo Narrativiteti reflektiv dhe episodik – në gjithë novelën, që nuk është vetëm rrëfim i drejtpërdrejtë; ai gërsheton momente introspektive, digresione filozofike dhe peizazhe shpirtërore që e çojnë lexuesin përtej hapësirës reale, drejt një dimensioni më universal. Kjo trajektore i jep lirshëm novelës hapësirë për të menduar dhe për të ndjerë.
Stili letrar dhe gjuha e Rrahmanit si edhe në veprat Lypësi dhe Sofija dhe Pesë vakte është i pasur me simbolikë, me imazhe poetike dhe me përdorim të metaforave që ndriçojnë motivet mistike dhe shpirtërore. Autori nuk mundohet vetëm të tregojë; ai synon të sfidojë mendimin, të zgjojë pyetje, të krijojë heshtje ku fjala shpesh nuk mjafton.
“ZENA” fragmenti hyrës i novelës “99 Rruzaret prej smaragdi” paraqet një udhëtim shpirtëror dhe simbolik që fillon nga shtëpia — si vend i origjinës, kujtesës dhe ngrohtësisë — dhe shtrihet drejt “Fushës së Kosovës”, një hapësirë që mbart në vete peshën historike, por edhe përmasën metafizike të botës së jashtme. Fjalët e para “Përtej shtëpisë së tim Ati rruga u hap:” nuk janë vetëm një përshkrim gjeografik, por një metaforë e nisjes së udhës së njeriut në botë, e daljes nga rrethi i njohur drejt të panjohurës.
Në vijim, autori përdor një gjuhë poetike dhe imagjinuese: “Si një mjegullnajë drite atje lart, në Ballofc /. Rrezet e para të diellit shpërthenin…” — kjo dritë është më shumë se një element natyror; ajo është shenjë e shfaqjes, e rilindjes shpirtërore, e fillimit të një etape të re të jetës. Rrahmani e lidh në mënyrë të bukur dhe të ndjeshme peizazhin fizik me gjendjen shpirtërore të narratorit. Kështu, përmes dritës, mjegullës dhe qiellit “të përhimtë”, krijohet një atmosferë kalimtare mes natës dhe ditës — simbol i kufirit midis së vjetrës dhe së resë, mes qëndrimit dhe nisjes.
Në rreshtin “Në të gjitha anët ishte Bota: e panjohur dhe e pakuptueshme”, autori arrin thelbin filozofik të romanit. Këtu nis kërkimi i madh i qenies për kuptim, për identitet dhe për dashuri. Bota paraqitet si një hapësirë e pafund, e mbushur me pyetje dhe pasiguri, por edhe me mundësi zbulimi.
Momenti i lamtumirës — “Lamtumirë Shtëpi!” — është një akt i thellë simbolik. Ai shënon ndarjen nga burimi për të gjetur vetveten. Kjo lamtumirë është edhe dhimbje, edhe domosdoshmëri; është akti që çdo shpirt duhet të përjetojë për t’u pjekur dhe për të njohur kuptimin e ekzistencës. Udhëtimi që pason “Do të bredh këtu e tutje nëpër Dynja…” është një pelegrinazh shpirtëror, ku synimi nuk është thjesht udhëtimi në hapësirë, por rruga drejt Dashurisë — dashurisë me “D” të madhe, që në kontekstin mistik të Rrahmanit është dashuria hyjnore, ajo që bashkon njeriun me të përjetshmen.
Vargu përmbyllës “E gjeta rrugën për t’u kthyer te Dashuria!” është kulmi i këtij fragmenti. Ai e mbyll qarkun e udhëtimit: nga shtëpia, në botë, e pastaj përsëri drejt shtëpisë shpirtërore — që është Dashuria. Ky motiv është thellësisht një sufi universal (sufi vjen nga mistika islame, dhe nënkupton një drejtim shpirtëror që synon bashkimin e njeriut me Zotin përmes dashurisë, meditimit dhe pastrimit të shpirtit), një lloj reflektimi mbi rrotullimin e jetës si cikël ku njeriu largohet për t’u gjetur, humbet për t’u rizbuluar.
Ky fragment, ndonëse i shkurtër, përmbledh themelin estetik dhe filozofik të të gjithë novelës. Ai është një prolog meditativ që i paraprin udhëtimit të “99 rruzareve” — ku çdo njësi është një stacion i ri i shpirtit në kërkim të së vërtetës dhe dritës.
Në të, Zejnullah Rrahmani e ngre fjalën në shkallën e lutjes dhe vetëdijes, duke e shndërruar hyrjen në një prozë poetike të thellë mbi nisjen, lamtumirën dhe rikthimin.
Ndërsa në fund të librit kemi një pjesë tjetër dhe shumë të veçantë e titulluar “Ftesa” — si udhëtimi i shpirtit drejt shfaqjes, sepse shpirti mendohet se është i robëruar në trupin e njeriut.
Para “Ftesës”, Zejnullah Rrahmani vendos një pjesë të shkurtër, por me peshë të jashtëzakonshme simbolike, të titulluar “Urdhri”. Në vetëm pak rreshta, autori përmbledh çastin vendimtar të zgjimit shpirtëror:
“Ai frikohej të ngrihej më këmbë derisa një natë dëgjoi zërin që i tha: ‘Ngrihu, nisu, ec tash dhe rritu!’ dhe ai u ngrit, u nis për të ecur… Në fund të rrugës e priste Ai.”
Ky fragment përfaqëson çastin e thirrjes hyjnore. Frika e personazhit për të lëvizur simbolizon gjendjen e njeriut para se të marrë guximin për të hyrë në rrugën e njohjes. Zëri që e thërret është zëri i së Vërtetës, i ndërgjegjes ose i Hyjnores, që e nxjerr njeriun nga pasiviteti drejt veprimit. Urdhri “Ngrihu, nisu, ec…” nuk është vetëm një ftesë për lëvizje fizike, por një urdhër për zgjim shpirtëror. Ndërsa fjalia përmbyllëse “Në fund të rrugës e priste Ai” shndërrohet në kulmin mistik të këtij fragmenti: fundi i udhëtimit nuk është një vend, por takimi me Hyjnoren, me Burimin e Dritës dhe të Dashurisë.
Në fragmentin “Ftesa” Zejnullah Rrahmani na shfaq një moment të thellë përqendrimi shpirtëror, ku personazhi Zena ndien një shqetësim të pashpjegueshëm — një boshllëk që, megjithëse zemra i është “plot”, nuk mund të mbushet me asgjë tokësore. Ky kontrast midis mbushjes dhe zbrazëtisë përbën thelbin filozofik të fragmentit: njeriu, edhe në mes të plotësisë së jashtme, ndien mungesën e kuptimit të brendshëm.
Autori e fillon rrëfimin e fragmentit me një ton të brendshëm meditativ:
“Tri ditët e fundit ndjeu një shqetësim të pakuptueshëm. Zemrën e kishte plot… Veçse kish kudo boshllëk në zemër.”
Ky përshkrim i gjendjes së Zenës ngjan me atë që tradita mistike islame quhet “huzn” — një trishtim hyjnor që paraprin thirrjen e shpirtit drejt Zotit. Rrahmani nuk e paraqet këtë si krizë emocionale, por si parathënie të shfaqjes, një përgatitje e brendshme për t’u hapur ndaj një thirrjeje më të lartë.
Në vijim, “Lajmëtari” që vjen herët në mëngjes dhe “ia solli Ftesën” nuk është vetëm një personazh fizik, por një shenjë metaforike: përfaqëson frymëzimin, thirrjen hyjnore që zgjon shpirtin nga gjumi. Ai vjen “në mëngjes”, që në simbolikën letrare dhe fetare është ora e ringjalljes, e dritës dhe e fillimit të ri. Në këtë mënyrë, momenti shënon kalimin nga errësira e pavetëdijes drejt dritës së njohjes.
Rrëfimi vijon:
“Në atë moment e kuptoi që kish ardhur çasti që ta hapte zemrën e të niste rrugën e re në të panjohurën…”
Ky është kulmi i fragmentit. Ftesa nuk është për udhëtim fizik, por për udhëtimin e shpirtit drejt së vërtetës. “Të panjohurën” këtu mund ta lexojmë si misterin e ekzistencës, por edhe si vetë Zotin, i cili mbetet gjithmonë përtej fjalës dhe përkufizimit. Ky hap, kjo nisje, është akt i besimit, sepse njeriu duhet të ecë drejt diçkaje që nuk e sheh, por e ndien.
Në këtë moment, gruaja e Zenës e vështron “me habi se si po ndërrohej moti në fytyrën e tij” — ky është një imazh poetik që përkthen transformimin e brendshëm në shenjë të jashtme. Ndryshimi i “motit në fytyrë” është përndritja e njeriut që ka marrë thirrjen e shenjtë. Ai nuk është më i njëjti; tashmë e di që do të nisë udhën e shenjtë, ndoshta rrugën e kërkimit mistik që përshkon tërë novelën.
Fjala përmbyllëse e Zenës, “Inshallah Zoti më tregon rrugën e drejtë!”, është një akt i dorëzimit të plotë ndaj Vullnetit Hyjnor. Ai mbyll me përulësi dhe besim një kapitull të jetës dhe hap një tjetër që do të çojë drejt kuptimit të thellë të dashurisë hyjnore, që është boshti ideor i gjithë prozës. Këtu Rrahmani ndërthur bukur elementin fetar me atë filozofik, duke i dhënë udhëtimit shpirtëror formë njerëzore dhe emocionale.
Fragmenti “Ftesa”, ndonëse i shkurtër, është një pikë kthese në rrugëtimin e protagonistit. Ai shënon momentin kur njeriu zgjohet nga jeta e zakonshme dhe ndien se duhet të lërë gjithçka për të ndjekur një zë që vjen nga brenda. Ky motiv është i përbashkët në traditat më të mëdha shpirtërore — nga thirrja e Abrahamit te rrugëtimi i Dantes dhe mistikëve islamë si Rumi apo Ibn Arabi.
Në këtë dritë, Zena përfaqëson njeriun që zgjohet, që i përgjigjet thirrjes së shpirtit për të ecur drejt vetes dhe drejt Zotit. Rrugëtimi që fillon me “Ftesën” është rrugëtim që s’ka kthim prapa — sepse kush e ka ndier njëherë zbrazëtinë në mes të plotësisë, nuk mund të kthehet më në gjumin e mëparshëm.
“Ftesa” është një nga pjesët më të ngjeshura e më të bukura të novelës “99 Rruzare prej smaragdi”. Në vetëm pak paragrafë, Zejnullah Rrahmani përmbledh gjithë dramën shpirtërore të njeriut që ndien thirrjen e misterit dhe niset drejt dritës. Me një gjuhë të thjeshtë por të thellë, ai arrin të shndërrojë përvojën njerëzore në përvojë universale — udhën e çdo shpirti që kërkon kuptim.
Pjesët “Zena” dhe “Ftesa” përbëjnë dy skajet e një udhëtimi jetësor dhe shpirtëror: fillimin dhe përmbushjen e ekzistencës njerëzore. Në hyrje, “Zena” paraqet largimin nga shtëpia e të atit — simbol i origjinës dhe pastërtisë shpirtërore — drejt botës së panjohur. Ky largim shënon lindjen, por edhe zgjimin e vetëdijes: udhëtimin për të gjetur kuptimin e jetës dhe dashurinë e vërtetë. Në mbyllje, “Ftesa” e gjen personazhin përballë një thirrjeje të brendshme, ftesës për t’u kthyer. Zemra e mbushur me boshllëk shënon pjekurinë e fundit të shpirtit, ndërsa lajmi që i vjen është metafora e ftesës hyjnore për t’u bashkuar me përjetësinë.
Fjalët “Inshallah Zoti më tregon rrugën e drejtë” shënojnë përfundimin e udhës tokësore dhe fillimin e udhës së dritës. Kështu, novela ndërtohet mbi një strukturë rrethore, ku njeriu largohet për të gjetur dhe kthehet për të kuptuar. Nga “Lamtumirë shtëpi!” deri te “Ftesa”, Zejnullah Rrahmani përshkruan ciklin e jetës si një udhëtim sufi drejt dashurisë hyjnore, duke e bërë romanin një meditim të thellë mbi jetën, vdekjen dhe rikthimin në burimin fillestar të shpirtit.
Pas “Ftesës”, Zejnullah Rrahmani e mbyll novelën me fragmentin më poetik dhe më të ngarkuar me simbolikë mistike, të titulluar “Si fryma fluturon…”. Ky nuk është thjesht fundi i jetës së Zenës, por përmbushja e udhëtimit të tij shpirtëror. Fragmenti nis me zgjimin e protagonistit në agimin e një dite të re: “Kur feksi ylli i mëngjesit Zena u zgjua…”. Ky imazh mbart simbolikën e dritës dhe të kalimit nga errësira drejt vetëdijes. Larja e duarve, fytyrës dhe këmbëve për lutjen e mëngjesit shndërrohet në një akt të pastrimit të brendshëm, në përgatitjen e shpirtit para takimit me Krijuesin.
Rrahmani nuk e paraqet çastin e fundit të Zenës si tragjedi, por si një çlirim të qetë dhe të bekuar. Zemra që “trokiste fuqishëm” lidhet me zbulimin e madh të jetës së tij: dashurinë. Pikërisht ajo që ka qenë boshti i kërkimit të tij gjatë gjithë novelës, në fund bëhet e vërteta përfundimtare që i jep kuptim ekzistencës. Vdekja nuk shfaqet si mbarim, por si kalim drejt një dimensioni tjetër të qenies.
Fjalia përmbyllëse: “E gjetët rrugën për t’u kthyer te Dashuria!”, e mbyll rrethin simbolik të veprës. Nëse në fillim Zena largohet nga shtëpia për të kërkuar kuptimin e jetës, në fund ai arrin te burimi i saj – te Dashuria, e cila në universin artistik të Rrahmanit merr kuptimin e Hyjnores. Kështu, rrugëtimi i tij nuk është thjesht një udhëtim nëpër botë, por një udhëtim drejt vetvetes dhe drejt dritës.
“99 Rruzaret prej smaragdi” zë një vend të veçantë në prozën shqipe, sepse zgjeron kufijtë e saj përmes ndërthurjes së elementeve mistike, filozofike dhe ekzistenciale. Së bashku me pjesët e tjera të triptikut, kjo novelë dëshmon një nga përpjekjet më origjinale të autorit për ta shndërruar përvojën njerëzore në kërkim të kuptimit të thellë të qenies.
Vlera e krijimtarisë së Zejnullah Rrahmanit është njohur edhe në planin institucional, përmes anëtarësimit të tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Ky vlerësim dëshmon rëndësinë e kontributit të tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare, si dhe vendin që ai zë në zhvillimin e mendimit artistik e intelektual në Kosovë.”
Vepra nuk ofron përgjigje të lehta; përkundrazi, ajo e vendos lexuesin përballë pyetjeve të mëdha: çfarë kërkon njeriu gjatë jetës, çfarë e udhëheq shpirtin dhe ku gjendet paqja e vërtetë? Pikërisht kjo hapësirë mes pyetjes dhe përgjigjes është një nga fuqitë më të mëdha të novelës.
Në tërësinë e saj, “99 Rruzaret prej smaragdi” është një udhëtim i thellë shpirtëror dhe ekzistencial, ku rruga e një personazhi shndërrohet në një kërkim universal të njeriut për kuptim, dashuri dhe dritë. Me ndërthurjen e rrëfimit poetik, simbolikës mistike dhe reflektimit filozofik, kjo novelë përbën një arritje të veçantë në prozën shqipe, duke dëshmuar një përpjekje të rrallë artistike për të depërtuar në shtresat më të thella të qenies njerëzore.
Në fund, “99 Rruzaret prej smaragdi” mbetet një vepër “pikë” mbi kërkimin e njeriut për kuptim, mbi udhëtimin e shpirtit nga mungesa drejt plotësisë. Zejnullah Rrahmani nuk rrëfen vetëm fatin e një personazhi, por prek një përvojë universale: nevojën e njeriut për të gjetur dritën brenda vetes dhe për t’u kthyer te burimi i dashurisë.











