16.9 C
Tirana
E shtunë, 25 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Unë jam socialist. Socialist i vërtetë, jo përfitues hajdut, e mashtrues

Unë jam socialist. Socialist i vërtetë, jo përfitues hajdut, e mashtrues

0
Rama - .autik

E dëgjova dhe sot fjalimin tënd, jo se të besoj më, por për të shikuar se çfarë mashtrimi tjetër do t’u shesësh socialistëve të ndershëm.

Flet për fakte dhe përjetime. Si mund të thuash se nuk ka projekt, kur makineritë futen, punojnë dhe dëmtojnë zonën e mbrojtur të Zvërnecit? Si mund të gënjesh kaq hapur. Kjo gënjeshtër nuk duhet të na pëfaqësojë ne.

Fakt është se ata që ti i besove si ministra dhe bashkiakë janë në burg. Ky është fakt, nuk është përjetim. Përjetim është mënyra si mundohesh t’i mbushësh mendjen socialistëve të ndershëm se je i pastër. Kaq shumë je zhgërryer në pisllëk, sa nuk mbulohesh dot. Por këtë pisllëk mos na e faturo ne, socialistëve që jetojmë me ndershmëri.

Si gjithmonë mundohesh të bësh njëfarë autokritike për veten dhe administratën. Merr një rast dhe e thur historinë duke fajësuar ata që nuk e kanë kryer detyrën shtetërore me fermerin e indinjuar. Por rasti nuk është i vetëm. Kjo praktikë abuzimi, ngadalësimi, presioni dhe mitmarrje kryhet në të gjitha zyrat shtetërore. Këtë praktikë e kryen i pari kryeministri me lejet e ndërtimit, dhe me çdo gjë i i bie në dorë për të firmosur, nuk ka sesi të tjerët poshtë tij të veprojnë ndryshe.

Arroganca që përshkruan, ata e kanë marrë duke të imituar Ty, kur mendon se i di të gjitha dhe çdo projekt më shpejt votohet sesa diskutohet. Ata sapo të marrin votën zhduken nga qarkullimi dhe të mbyllin telefonin.

Kush flet për empati?! Ju që njerëzit i konsideroni si injorantë që nuk kuptojnë asgjë? Ndryshe nuk shpjegohet që transparenca në vendimet tuaja nuk ka funksionuar asnjëherë. Ju nuk keni besim tek populli juaj sepse jeni shumë i zgjuar dhe nuk u besoni vendime të thjeshta si psh, të mos u merret uji i lumit të fshatit për të përfituar njëri përkundër tërë fshatit. Ku është empatia këtu? A nuk i firmosni ju lejet në KKT?!

Ju përgëzoj për aktrimin! Dallohet shumë mirë fallsiteti dhe vërtetësia! Dmth fallsiteti është empati e kamufluar dhe vërtetësia janë veprimet tuaja në ditën me diell për të mashtruar popullin.

Kjo shpikja e re shumë gjeniale! Besa! Si mund të flisni për besë kur jeni treguar të pabesë?!

Më vjen keq se pensionistët që na votojnë vazhdon dhe i mashtron ende. Ata po mund t’i mashtrosh me “besën”. Si mund ta kthesh një hajdut ordiner zyrash në besali?! Besën dha edhe E. Shalsi se do vidhnit më pak se berishistët, por nuk e mbajtët fjalën. A e mban besën një i korruptuar? Pse duhet të vazhdojmë t’ju japim besën, që të vazhdoni të pasuroheni më shumë.

Mos na merrni për indianë që u shisni pasqyra në këmbim të arit?!

Çfarë kanë përfituar socialistët e thjeshtë? Janë gënjyer se janë në pushtet. Dhe se nuk po qeveris Saliu, ai kërma tjetër. Po, ai kërma tjetër ka bërë që ne të mbyllim sytë për shumë gjëra. Sepse vetëm Saliu, mos ta marri. Dhe vidh të tjerët duke shfrytëzuar “votat tona plumb për Saliun”! Jemi midis Skila-s dhe Karibda-s. Vjedhjet e bandës berishiane nuk janë shuajtur nga memoria jonë, por vjedhjet e bandës tonë na bëjnë krenarë, dhe i kalojmë duke përtypur fjalët.

Turma militanësh (për fat të keq janë shumë ramistë e berishistë) nuk pranojnë as faktet më të shndritshme që duken po t’u flasës për korrupsionin e idhujve të tyre. Si mund ta mbaj njeriun gjallë dashuria e verbër për idhullin edhe nëse ai me zor kalon muajin??? “Për hir të urrejtjes për Saliun, shkoj e fle me Ramën”, – ky perifrazim i një fjale të urtë popullore i shkon shumë situates që kanë ndërtuar këta. “Përça e sundo” thoshin romakët dhe nga njëra anë sundon Rama, dhe nga ana tjetër sundon grigjën e tij Berisha. Rama vjedh shtetin dhe lyen me paratë e shtetit edhe Saliun. Kështu i kanë ndarë rolet. Secili komandon grigjën e vet dhe pasurohen gjithnjë e më shumë.

Kjo nuk është një qeverisje socialiste. Kjo është qeverisje fashiste duke urryer popullin tënd? Fajin nuk e ka algoritmi. Fajin e ka pangopësia, korrupsioni dhe arroganca juaj (jo e jona si socialistë). Fajin e ka veprimtaria juaj antisocialiste dhe antidemokratike (e kam me demokracinë si term dhe jo me “demokratët” e tipit berishian).

A është socialiste të dërgosh civilë për të rrahur djem protestues, që janë të indinjuar me qeverisjen (“tonë”) tënde? Këta civilë i kemi provuar me Saliun dhe menduam se nuk do t’i shohim kurrë më.
A është socialiste të ndihmosh të pasurohen 10 veta dhe popullin tënd ta trajtosh si skllav? A është socialiste të marrësh vijën bregdetare dhe plazhet që i takojnë të gjithë popullit dhe t’ua japësh për vila private “pasanikëve” nga zyrat shtetërore, doganierëve, gazetarëve të shitur, të huajve?

A është socialiste që disa të marrin gjithçka dhe ne populli të lëpijmë kockat e lëna nga banketi i vjedhjeve?
A është socialiste të rriten çmimet e shtëpive kaq shumë saqë një familje e re nuk mundet kurrë ta mendojë se mund të jetojë modestisht në Shqipëri?

A është socialiste të bashkëpunosh me bandat e drogës?
A është socialiste të harrosh komplet fshatin duke mos e ndihmuar me subvencione dhe duke e shkretuar me politikat klienteliste dhe periferike? A është socialiste të subvencionet e vetme që u dhanë shkuan për vila? Propoganda tretet kur shikon fshatrat bosh.

A është socialiste të ndërtohen rrugët me 2-3 fishin e çmimit me Greqinë europiane fqinje?
A është socialiste të shitet më shumë foto e punës sesa puna vetë?
A është socialiste të flasësh për barazi dhe të veprosh me pabarazi?
A është socialiste të na trembësh me Saliun (variant përça e sundo) në mënyrë që të vidhni sa më rehat?

A është socialiste të shkatërrosh natyrën e vendit tënd?
A është socialiste që si në kohën e Saliut, emërimet bëhen në bazë të emrave dhe jo të aftësive. Pse duhej të emërohej vajza e Finos si zëvendësministre kur as specialiste nuk kishte punuar në ndonjë drejtori?

A është socialiste të drejtosh si mbret me ligjin zgjedhor të 2008 (në marrëveshje me Sali Qoftëlargun) duke i vendosur deputetët në lista sipas humorit tuaj dhe duke i vlerësuar jo sipas ideve, por sipas lehjes dhe nënshtrimit si eunukë?
A është socialiste dhe demokratike që nuk zhvillohen zgjedhje në parti prej shumë e shumë vitesh?

A është socialiste të mburresh para të huajve se në vendin tonë nuk ka sindikata? A përfaqësojnë socialistët kauzat e punëtorëve?
A është socialiste t’i biesh të dobëtit dhe t’i lëpihesh të fortit?
A është socialiste tokat që shqiptarët presin për 35 vjet me gjyqe e peripeci, t’ua japësh të huajve?

A është socialiste të molepsës gjithçka që prek?
A është socialiste të jesh kaq i fiksuar mbas pushtetit? Apo mbas vjedhjes? Ah, harrova! Këto në vendin tonë shkojnë bashkë. Ju jeni vetëm vazhdues i traditës; “Pushteti të bën të pasur!

Turp i socialistëve të ndershëm, jep dorëheqjen dhe shpall zgjedhjet në parti. Nuk ke më çfarë t’i japësh këtij vendi!

Vazhdimi më tej në pushtet do ta dëmtojë më shumë PS-në dhe idealet e politikat e saj majtiste! Bashkë me ju dhe shumë të tjerë që ju bëjnë fresk dhe që janë pasuruar aq shumë duke shfrytëzuar postet saqë nuk kanë asnjë lidhje me socialistët e thjeshtë.

Shpëtoje partinë nga Ramizmi (analog i berishizmit) dhe nga analogët si Mul Nokat, zhelistet, lulistët. Gjej mënyrat konstitucionale që vendi të kalojë në një qeverisje vërtet demokratike ku pushteti i takon popullit.

Votoni ligjin për referendumet. Çdo vendim duhet të merret direkt nga populli me votim në shkallë bashkie, qarku apo republike, në varësi të çëshjtes.

Vendosni kufi dy-mandatësh për çdo post shtetëror.

Une jam socialist. Socialist i vërtetë, që mendoj dhe nuk bëhem pjesë e turmës së militanëve, që partinë dhe udhëheqjen e kanë sipër Shqipërisë.

© Socialist i vërtetë dhe i zhgënjyer

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.